Megjithatë u “harrua” se personat në kërkim nuk janë të identifikuar dhe nuk mund të kontrollohen nga punonjësit e gjendjes civile. Kështu, në kuadrin e bashkëpunimit me pushtetin vendor, policia e çdo qarku vendosi të dërgojë listën e të kërkuarve pranë këtyre qendrave, me qëllim që nëse ndonjë prej tyre paraqitet për t‘u pajisur me pasaportë biometrike, të njoftohen organet përkatëse. Kjo u diskutua edhe në Ministrinë e Brendshme dhe së fundmi u vendos të merret një vendim që për pasaportat biometrike, aplikimi do të kryhet te gjendja civile, ndërsa marrja e saj do të bëhet sërish në polici.

Kontrolli i domosdoshëm

Policia shpjegoi se me një vendim të Ministrisë së Brendshme, ndryshe nga shpërndarja e kartave të identitetit, është vendosur që pasaportat biometrike të shpërndahen në polici. Në këto kushte, policia deklaroi se do i ketë nën kontroll personat në kërkim që kërkojnë të pajisen me pasaporta biometrike, pasi është një nevojë e domosdoshme që kjo kategori të mos të lejohet të kenë lehtësira, teksa mbeten në kërkim nga drejtësia shqiptare për vepra të ndryshme penale. Madje, në aplikimin e bërë, punonjësit e gjendjes civile do të japin një afat kohor për t‘u paraqitur që të pajisen me pasaportë, pavarësisht se pasaporta do të jetë pak ditë para përfundimit të afatit, me qëllim që policia të kryejë verifikimet e duhura.