Sha'bani: Meritat e tij, ç'duhet bërë e çka jo?

Mufti Teki Usmani

Shabani është një prej muajve më të merituar për të cilin posedojmë disa mësime të veçanta nga Suneti i Pejgamberit Muhammed s.a.v.s. Në një hadith autentik transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. e agjëronte shumicën e këtij muaji.

Këto agjërime nuk i kishte të obliguara mirëpo Shabani është muaji i cili i paraprinë muajit Ramazan. Andaj, Pejgamberi i Allahut na i ka sugjeruar disa parapërgatitje. Më poshtë i kemi paraqitur ca prej tyre:

1. Sahabiu i bekuar Enesi r.a. transmeton se e kanë pyetur Pejgamberin e Allahut s.a.v.s. “Cili agjërim është më i vlefshëm pas agjërimit të Ramazanit?’’ Ai u përgjigj: ‘Agjërimi i Shabanit për nder të Ramazanit.’’

2. Usama ibn Zejdi r.a. transmeton se e ka pyetur Pejgamberin s.a.v.s.: “O Pejgamber i Allahut, të kam parë duke agjëruar në muajin e Shabanit aq shpesh sa nuk të kam parë duke agjëruar në ndonjë muaj tjetër.’’ Pejgamberi s.a.v.s. ia ktheu: ‘Ai (Shabani) është një muaj mes Rexhebit dhe Ramazanit që lihet pas dore nga shumë njerëz. Po ashtu është një muaj në të cilin veprat (e njerëzve) paraqiten para Zotit të Universit, andaj, unë dua që veprat e mia të më paraqiten gjatë asaj kohe kur jam duke agjëruar.’’


3. Umul Mu’minin, Aishja r.a. thotë: “Pejgamberi i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. agjëronte të gjithë muajin Shaban. I thash: ‘O Pejgamber i Allahut, a është Shabani muaji yt më i preferuar për agjërim?’ Ai më tha: ‘Në këtë muaj, Allahu urdhëron të bëhet lista e atyre njerëzve që do të vdesin gjatë kësaj kohe. Prandaj, dua që vdekja të më gjejë derisa jam duke agjëruar.’’

4. Në një hadith tjetër, ajo thotë: “Pejgamberi i Allahut, s.a.v.s. nganjëherë fillonte të agjërojë vazhdimisht sa mendonim se nuk do të ndalet së agjëruari, dhe nganjëherë nuk agjëronte sa mendonim se kurrë nuk do të agjërojë. Kurrë nuk e kam parë Pejgamberin e Allahut duke agjëruar një muaj të plotë, përveç muajit të Ramazanit, dhe kurrë nuk e kam parë duke agjëruar më shpesh sesa në muajin Shaban.’’


5. Në në transmetim tjetër ajo thotë: “Kurrë nuk e kam parë Pejgamberin e Allahut, të agjërojë në ndonjë muaj aq shumë sa që agjëronte në muajin Shaban. Në këtë muaj agjëronte duke lënë vetëm ca ditë, më saktë, e agjëronte thuajse të gjithë muajin.’’

6. Umul Mu’minin Um Seleme, r.a. thotë: “Kurrë nuk e kam parë Pejgamberin e Allahut duke agjëruar për dy muaj rresht sesa në muajin e Shabanit dhe Ramazanit.”


Këto hadithe tregojnë se agjërimi në muajin Shaban, edhe pse nuk është i obligueshëm, është aq i vlefshëm sa Pejgamberi i Allahut nuk dëshironte ta humbiste këtë.

Por duhet të kemi parasysh se këto agjërime të Shabanit janë vetëm për ata njerëz të cilët janë të aftë për t’i mbajtur duke mos u shkaktuar deficit në agjërimin e obliguar të Ramazanit. Prandaj, nëse dikush ka frikë se pasi ta agjërojë Shabanin, do të humb forcë apo freski për agjërimin e Ramazanit, dhe nuk do të mundet ta agjërojë Ramazanin si duhet (me freski), atëherë le të mos e agjërojë Shabanin, sepse agjërimi i Ramazanit, që është i obligueshëm, është më i rëndësishëm sesa agjërimi vullnetar i Shabanit. Për këtë shkak, Pejgamberi s.a.v.s. ua ka ndaluar muslimanëve të agjërojnë një apo dy ditë njëra pas tjetrës menjëherë para nisjes së Ramazanit. Ebu Hurejra r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Mos agjëroni pasi të ketë shkuar gjysma e parë e muajit Shaban.’’

Sipas një transmetimi tjetër, Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Mos i paraprini Ramazanit me një apo dy agjërime.’’

Esenca e hadithit të më lartë është se Pejgamberi s.a.v.s. vetë agjëronte shumicën e Shabanit, sepse ai nuk kishte frikë se do të dobësohet apo lodhet para se të fillojë Ramazani. Sa u përket të tjerëve, ai i urdhëroi ata të mos agjërojnë pas datës 15 të Shabanit nga frika se do ta humbin forcën dhe freskinë para se të fillojë Ramazani, dhe nuk do të kenë mundësi ta mirëpresin muajin e Ramazanit me entuziazëm.

Nata e Bera’atit

Një veçori e rëndësishme e këtij muaji është se këtu ndodhet një natë që në Sheriat quhet ‘Lejletul – beraa’h’ (Nata e lirimit nga zjarri). Kjo natë gjendet midis datës 14 dhe 15 të Shabanit. Ekzistojnë hadithe të besueshme të Pejgamberit të Allahut, që dëshmojnë se kjo natë është e vlefshme në të cilën njerëzit në tokë përfshihen nga mëshira e veçantë Hyjnore. Më poshtë i kemi cekur disa prej këtyre haditheve:

1. Është transmetuar se Umul Mu’mininë, Aishja r.a. ka thënë: “Njëherë Pejgamberi i Allahut fali namaz të natës (Tehexhud) dhe qëndroi aq gjatë në sexhde sa u frikësova se ka vdekur. Kur e pashë këtë, u ngrita (nga shtrati) dhe ia lëviza gishtin e tij të madh(të sigurohem se a është i gjallë). Kur gishti lëvizi, atëherë u ktheva (në vendin tim). Më pas e dëgjova duke thënë në sexhde: ‘Nga falja Jote kërkoj mbrojtje prej dënimit Tënd, dhe nga kënaqësia Jote kërkoj mbrojtje nga zemërimi Yt, si dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti. Nuk mundem të të lartësoj ashtu sikurse Ti e meriton. Ti je pikërisht ashtu siç e ke karakterizaur Veten.’ Pastaj kur e ngriti kokën nga sexhdeja dhe e mbaroi namazin, më tha: “Oj Aishe, a mendon se Pejgamberi të ka mashtruar?’ I thash: ‘Jo, o Pejgamber i Allahut, mirëpo u frikësova se shpirti yt ka shkuar për shkak të sexhdesë së gjatë.’ Më pyeti: ‘A e di se çfarë natë është kjo?’ i thash: ‘Allahu dhe Pejgamberi i Tij e dinë më së miri.’ Ai tha: ‘Kjo natë është mesi i muajit Shaban. Në këtë natë Allahu i Plotfuqishëm shikon tek robërit e Tij dhe i falë ata që kërkojnë falje dhe lëshon mëshirë mbi ata të cilët luten për mëshirë mirëpo i lë edhe ata që kanë urrejtje (kundër muslimanëve) ashtu sikurse kanë qenë më parë, (dhe nuk i fal ata derisa të çlirohen nga mëria (inati).’’

2. Në një hadith tjetër Sejideh Aishja r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Allahu i Gjithëfuqishëm zbret (në mënyrën më të mirë që Ai e di) në natën e mesme të muajit Shaban dhe fal një numër të madh të njerëzve, që është më i madh se numri i qimeve të dhenve të fisit Kelb.’’

Kelb ishte një fis i madh anëtarët e të cilit kishin një numër të madh të dhenve. Prandaj, fjalia e fundit e hadithit tregon numrin e madh të njerëzve të cilëve u falen mëkatet në këtë natë nga Allahu i Plotfuqishëm.

3. Po ashtu në një hadith tjetër, ajo transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kjo është nata e mesme e muajit Shaban. Në këtë natë, Allahu liron një numër të madh të njerëzve nga Zjarri, që janë më shumë se fijet e leshit të deleve të fisit Kalb. Mirëpo ai nuk i shikon ata njerëz të cilët i përshkruajnë shok Atij, apo tek ai i cili ushqen inat (ligësi) në zemrën e tij (ndaj dikujt), apo atë njeri i cili i shkëput lidhjet familjare, apo atë njeri i cili e zgjat teshat nën zogun e këmbës (si shenjë kryelartësie), apo atë njeri i cili nuk u bindet prindërve të vet, apo atë njeri i cili ka shprehi të pijë verë.’’

4. Sejidna Muadh bin Xhebeli r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Në natën e mesme të muajit Shaban, Allahu i Lartësuar shikon mbi të gjithë krijesat e Tij dhe i fal të gjithë ata që i ka krijuar, pos atij i cili i përshkruan shok Atij apo ai i cili ka urrejtje në zemër (ndaj muslimanit).’’


Edhe pse zinxhiri i transmetuesve të disa prej këtyre haditheve kanë ca defekte teknike të vogla, në qëoftë se bashkohen të gjitha këto hadithe, bëhet e qartë se kjo natë ka disa merita me baza të shëndosha, si dhe ta konsiderosh këtë si natë të shenjtë nuk është ndonjë shpikje e pabazë siç e kanë marrë në sy disa dijetarë modern të cilët, bazuar në këto defekte të vogla, plotësisht e kanë mohuar t’i japin rëndësi të veçantë kësaj nate. Në fakt, disa dijetarë të hadithit këto hadithe i kanë konsideruar si autentike dhe gabimet në zinxhirin e disa të tjerëve i kanë trajtuar si gabime të vogla teknike të cilat, sipas shkencës së hadithit, janë të mjekueshme me anë të mënyrës së tyre të ndryshme të transmetimit. Për këtë shkak më të vjetrit e ummetit në mënyrë të paanshme e kanë parë këtë natë si natë me merita të veçanta dhe e kanë kaluar në adhurim dhe namaze.

Çka duhet bërë në këtë Natë?

Për t’u zbatuar Nata e Beratit, duhet të qëndrojmë zgjuar në këtë natë sa më shumë të mundemi. Nëse dikush ka mundësi më shumë, ai mund ta kalojë tërë natën në namaz dhe adhurim. Megjithatë, nëse nuk mund ta bëjnë këtë për ndonjë arsye apo diçka tjetër, mund ta zgjedhë një pjesë të natës, dhe më e preferuar është pjesa e dytë e saj dhe t’i kryejë këto adhurime:

(a) Namaz. Namazi është vepra më e preferuar në këtë natë. Nuk ka numër të caktuar të rekateve, por e preferuar është të mos jenë më pak se tetë. Po ashtu këshillohet që në secilën pjesë të namazit, siç është kijami, rukuja dhe sexhdeja, të jenë më të gjata sesa normalja. Në namaz të lexohen suret më të gjata të Kuranit që i di përmendësh. Nëse dikush nuk di ndonjë sure të gjatë, ai mundet të lexojë sure të shkurta në një rekat.

(b) Tilave. Leximi i Kuranit është një formë tjetër e adhurimit, shumë e dobishme në këtë natë. Pas kryerjes së namazit, apo në ndonjë kohë tjetër, duhet të lexohet Kuran sa më shumë të mundet.

(c) Dhikri. Po ashtu në këtë natë duhet të bëhet dhikri (përmendja e Allahut). Dhikri i mëposhtëm është shumë i dobishëm: Mund të thuhet salevat (duruud) mbi Pejgamberin e Allahut, sa më shumë të mundet. Dhikri po ashtu mund të thuhet duke ecur, duke qenë shtrirë apo gjatë orëve të punës apo kohës së lirë.


(d) Duaja. Dobia më e mirë që njeriu mund ta fitojë nga të mirat e kësaj nate janë namazet dhe lutjet. Shpresohet se në këtë natë pranohen të gjitha lutjet nga Zoti ynë, inshaAllah. Lutja është një lloj ibadeti, dhe Allahu i Lartësuar shpërblen për secilën lutje bashkë me plotësimin e kërkesës së lutësit. Edhe nëse nuk e ka arritur atë për të cilën është lutur, ai nuk do të privohet nga shpërblimi i lutjes që nganjëherë është më e vlefshme sesa të mirat e kësaj bote për të cilat përpiqemi. Namazet dhe lutjet gjithashtu e forcojnë lidhjen e njeriut me Allahun e Plotfuqishëm, çka është qëllimi kryesor i të gjitha llojeve të adhurimit.

Secili mund të lutet çka të dojë, mirëpo lutjet më të mira janë ato të bëra nga Pejgamberi s.a.v.s.. Ato po ashtu janë gjithëpërfshirëse dhe i përmbledhin të gjitha nevojat e njeriut, si të kësaj bote po ashtu edhe të Ahiretit, si dhe janë të shprehura me elokuencë. Në fakt, të gjitha lutjet profetike janë aq të thella sa imagjinata njerëzore vështirë mund ta arrijë madhështinë e tyre.

Këto lutje profetike mund t’i gjeni në shumë libra në gjuhë të ndryshme, dhe luteni Allahun e Lartësuar sipas tyre, qoftë duke i thënë në tekstin origjinal të gjuhës arabe ose duke i përkthyer ato në gjuhën tuaj.

(e) Ka disa njerëz të cilët nuk munden të kryejnë ndonjë namaz shtesë për ndonjë arsye, siç është sëmundja apo dobësia apo angazhimi në disa aktivitete tjera të nevojshme. Njerëzit e këtillë të mos i humbin plotësisht të mirat e kësaj nate, ata duhet t’i ndjekin këto akte:

(f) Të falin namzin e akshamit, jacisë dhe sabahut me xhemat në xhami, apo në shtëpitë e tyre në rast se janë të sëmurë.

(g) Duhet ta bëjnë dhikrin, veçanërisht ajo që u përmend më lartë tek (c), në çfarëdo gjendje qofshin derisa të flenë.

(h) Duhet ta lusin Allahun për falje dhe për qëllime tjera. Kjo mund të bëhet edhe nëse janë në shtrat.


(i) Gratë gjatë menstruacioneve nuk mund të falen e as të lexojnë Kuran, mirëpo munden ta bëjnë dhikrin, tesbihun, duruud-sherif-in dhe ta lusin Allahun për çfarëdo nevoje që kanë në çfarëdo gjuhe të duan. Ato gjithashtu mund të thonë lutje në gjuhën arabe të përmendura në Kuran apo hadith me qëllim lutjeje (dhe jo me qëllim të leximit).

(j) Sipas një hadithi, Pejgamberi s.a.v.s. në këtë natë shkoi te varrezat Bekije ku u lut për të vdekurit e varrosur aty. Duke u bazuar në këtë, disa fukaha e konsiderojnë mustehab (e pëlqyer) shkuarjen në varreza në këtë natë dhe të lexojnë Fatihanë apo ndonjë pjesë tjetër të Kuranit, si dhe të luten për të vdekurit. Mirëpo ky veprim nuk është as i obligueshëm e as të kryhet rregullisht sikur të jetë ndonjë vepër e obliguar.

Çka nuk duhet bërë në këtë Natë

1. Siç u përmend më parë, Nata e Berasë është një natë në të cilën lëshohen bekime dhe dhunti të veçanta mbi muslimanët. Prandaj, kjo natë duhet të kalohet në përulje të plotë ndaj Allahut të Plotfuqishëm dhe të largohemi nga çdo vepër që e hidhëron Allahun. Edhe pse është e detyrueshme për çdo musliman që të shmanget nga mëkatet, në këto net largimi nga mëkatet është akoma më e nevojshme, sepse bërja e mëkateve në këtë natë do t’u përgjigjet dhuntive të Allahut me mosbindje dhe krim. Prandaj, njeriu duhet në mënyrë të rreptë të largohet nga të gjitha mëkatet, në veçanti ato që u përmendën më lartë në hadithin nr. 3 sepse veprimi i mëkateve në këtë natë e largon nga mëshira dhe bekimet e kësaj nate.

2. Në këtë natë disa njerëz merren me disa aktivitete që i konsiderojnë të domosdoshme për festimin e kësaj Nate, siç është gatimi i disa llojeve të veçanta të ushqimit, apo zbukurimi i shtëpive apo xhamive apo ndërtesave të improvizuara. Të gjitha këto aktivitete nuk janë vetëm të pabaza dhe të shpikura në ditët e fundit nga njerëz injorantë, por në disa raste janë imitime të pastra të disa ritualeve nga shoqëritë jo muslimane.


Imitimi i këtillë është mëkat në vetvete; shfaqja e tij në një natë të bekuar si Nata e Beratit e bën edhe më të keqe. Muslimanët duhet rreptësisht të largohen nga aktivitetet e këtilla.

3. Disa njerëz këtë natë e kalojnë duke mbajtur takime fetare dhe dhënie të ligjëratave të gjata. Aktivitetet e këtilla gjithashtu nuk janë të preferuara, sepse këto mund bëhen edhe në net të tjera. Kjo natë kërkon që njeriu t’i përkushtohet vetëm adhurimit.

4. Këto adhurime si namazi, leximi i Kuranit dhe dhikri në këtë natë duhet të kryhen individualisht e jo në bashkësi. Namazi nafile nuk duhet të falet me xhemat e as muslimanët të mos tubohen në xhami që ta festojnë këtë në mënyrë kolektive.

Përkundrazi, kjo natë ka për qëllim adhurimin e Allahut në vetmi. Është një kohë që lidhesh direkt me Zotin e Universit, dhe t’i përkushtohesh vetëm Atij. Këto janë orë të çmuara të natës në të cilën askush nuk ndërhyn mes tij dhe Zotit të tij, dhe njeriu mund t’i kthehet Allahut me një përqendrim të plotë, duke mos u shqetësuar apo ndërprerë nga dikush.

Për këtë shkak, Pejgamberi s.a.v.s. adhurimin në këtë natë e ka bërë duke qenë plotësisht i veçuar, duke mos u shoqëruar me askënd madje as edhe me shoqen e saj të preferuar të jetës, Aishen r.a., dhe për këtë arsye të gjitha adhurimet vullnetare (nafile) këshillohen të kryhen individualisht e jo në mënyrë kolektive.

Agjërimi i ditës së 15 të muajit Shaban

Në ditën e 15 të muajit Shaban, është mustehab të agjërohet. Pejgamberi s.a.v.s. prerazi e ka rekomanduar këtë agjërim. Edhe pse dijetarët e hadithit kanë ca dyshime në autenticitetin e këtij transmetimi, më herët është përmendur se agjërimi në gjysmën e muajit Shaban kanë vlera të veçanta dhe Pejgamberi s.a.v.s. e ka agjëruar shumicën e muajit Shaban. Për më tepër, një numër i madh i më të vjetërve (selefëve) të Umetiti e kanë agjëruar ditën e 15 të muajit Shaban. Kjo praktikë konstante na bën të ditur se këtë hadith e kanë pranuar si autentik.

Andaj, është e preferuar agjërimi i ditës së 15 të muajit Shaban si një agjërim vullnetar. Gjithashtu në këtë ditë mund të mbahen agjërimet kaza dhe shpresohet se do të ketë përfitime nga meritat e këtij agjërimi.



______________
Autor:
Mufti Teki Usmani

Burimi:
http://www.albalagh.net

Përktheu nga anglishtja:
Hanife Alija

Gusht, 2009
www.breziiri.com