Zbulohet ditari sekret i Agim Popës,përkthyesit personal të Enver Hoxhës
» Vendosur: 02/08/2009 - 12:17
•
Afrim Imaj
Ishte koha kur bënim Donkishotin. Aventura e Enver Hoxhës për ta bërë Tiranën qendrën e botës dhe të revolucionit, u kushtoi shqiptarëve një dramë të jashtëzakonshme. Për vite me radhë Shqipëria komuniste e mbërthyer nga varfëria e tejskajshme, ofroi leksione e përvojë për mbarë lëvizjen proletare të globit. Në emër të kauzës dhe idealeve marksiste–leniniste, sponsorizoi me dhjetëra parti e organizata të vetëquajtura të majta, duke ju falur me mijëra dollarë. Kupola komuniste sipërmarrjen e çuditshme nuk e ndali asnjëherë. Madje edhe në momente krizash të forta. Ironia e fatit që përjetoi populli më i martirizuar i Evropës, hyri në historinë e kohëve moderne me emrin e vetëmartirizimit. Megjithatë, misteri mbi “internacionalizmin” shqiptar nuk mund të mbetej deri në fund i pandriçuar. Gazeta “Panorama”, duke filluar nga dita e sotme do të botojë një retrospektivë të zgjeruar të operacioneve të panjohura në ndihmë të partive dhe organizatave revolucionare nëpërmjet ditarit dhe kujtimeve të Agim Popës, ish-drejtorit të Drejtorisë së Jashtme të KQ. Në to zbulon ndër të tjera lidhjet e fshehta të Tiranës me grupet komuniste e revolucionare në të gjitha kontinentet, mënyra e financimit të tyre nga fondi i solidaritetit të Sekretariatit të KQ, preferencat e Enverit për lider e organizata të ndryshme, konfliktet e deri te divorcet midis përfaqësuesve të së njëjtës kauzë etj
Zoti Agim! Për një periudhë të gjatë keni qenë Drejtor i Drejtorisë së Jashtme të KQ dhe keni ndjekur politikën e marrëdhënieve me partitë komuniste të botës. Çfarë synohej nëpërmjet këtij angazhimi?
Në tërë periudhën e vet shteti komunist shqiptar ka qenë në kontakte të vazhdueshme me dhjetëra e dhjetëra parti të tipit M-L. Divorci me Hurshovin dhe Bashkimin Sovjetik i detyroi krerët e PPSH-së të ndërtonin një strategji të re në përshtatje me zhvillimet e kohës. Në Kongresin e IV të Partisë që u mblodh në shkurt të 61-shit, u përcaktua platforma e kthesës së madhe në raport me lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij tanimë duhej të afroheshin e të mbështesnin partitë staliniste, siç ishin ato që mbështetën Partinë tonë dhe dolën kundër Hrushovit, në mbrojtje të vijës së Stalinit dhe të PK-së të Kinës. Sidoqoftë, numri i tyre ishte disa herë më i vogël në krahasim me ato Parti që mbështetën vijën hrushoviane menjëherë pas mbledhjes së 81 partive…
Pra, mbledhja e 81 partive e ndau lëvizjen marsiste-leniniste në dy kampe…
Pas këtij kuvendi historik, në gjirin e lëvizjes komuniste ndërkombëtare, u ekspozuan dy rryma politike, që shënuan çarjen e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. PPSH, përfundimisht mbeti e lidhur me ato parti që u pozicionuan në krahun tonë në mbledhjen e Moskës, ndërkohë që dhe marrëdhëniet me to nuk vazhduan kreshento deri në fund. Herë pas here u shfaqën kundërshti e debate të gjithfarllojta dhe u përjetuan situata konfliktuale për çështje e probleme të ndryshme…
A kishte shumë parti që u radhitën në ‘60-n kundër Hrushovit dhe mbështetën partinë tonë në mbrojtje të vijës staliniste?
Numri i tyre ishte i vogël, shumë i vogël. Në të bënin pjesë partitë e Koresë, Indonezisë, Malajzisë, Birmanisë, Vietnamit, Laosit, Kamboxhias etj. Pikërisht në këtë periudhë, është për t’u shënuar një nismë e PK të Kinës, e cila duke dashur t’i rrëmbente Moskës flamurin e lëvizjes revolucionare e antiimperialiste, u investua haptazi për inkurajimin dhe mbështetjen e grupeve dhe partive të ashtuquajtura marksiste–leniniste, të cilat dolën si fraksione më vete, nga trungu i partive të vjetra komuniste ose që u krijuan jashtë tyre.
Po pas prishjes së marrëdhënieve me PK të Kinës, si u konturuan raportet në lëvizjen revolucionare ndërkombëtare…
Divorci me Kinën e Mao Ce Dunit i përket vitit ‘76. Ai u zyrtarizua pak a shumë në kongresin e shtatë të Partisë. Kjo do të shënonte çarjen e dytë brenda lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Në situatën e re, pjesa më e madhe e partive dhe grupeve marksiste–leniniste, ashtu si në rastin me Hrushovin, u bashkuan kundër PPSH-së. E gjendur në rrethana të disfavorshme, Partia jonë u angazhua energjikisht në mbështetjen e partive dhe grupeve m-l proshqiptare dhe antimaoiste dhe me krijimin e partive dhe organizatave të reja që do të mbanin ison e Tiranës. E veçantë ishte në këtë situatë shfaqja e PK-në e Brazilit dhe e disa grupeve të tjera në kontinentin aziatik…
Cili ishte interesi i këtyre partive e organizatave M-L që afroheshin me Partinë Komuniste të Shqipërisë?
Bashkëpunimi me Shqipërinë atyre ju interesonte për t’ju kundërvënë pjesës tjetër të organizatave të ashtuquajtura revisioniste. Një pjesë e këtyre partive e kishin zgjedhur vendin tonë si një tribunë të propagandës së ideve të tyre majtiste, kryesisht nëpërmjet Radio Tiranës, që në atë periudhë kishte një seksion të fuqishëm të destinuar për marrëdhëniet me jashtë. Disa të tjerëve u duhej Shqipëria si bazë mbështetëse për përgatitje ideopolitike, në disa raste edhe ushtarake, të militantëve të tyre. Përvoja e Partisë tonë vlerësohej si një model konkret në fushën e revolucionit dhe diktaturës së proletariatit. Ndërkaq, kishte parti dhe organizata me prirje majtiste që afroheshin me Tiranën për të përfituar ndihma financiare dhe donacione të ndryshme…
Pra, është e vërtetë që kemi financuar për parti e organizata komuniste të vendeve të ndryshme…
Kjo ka qenë e institucionalizuar me një vendim të veçantë
Sekretariatit të KQ të Partisë, i cili përcaktonte fondin përkatës, të quajtur “fondi i solidaritetit”. Çdo vit sipas kërkesave përcaktoheshin shumat e destinueshme për lëvizjen M-L. Fondin pastaj e lëvronte Sektori i Jashtëm i KQ të Partisë.
Si bëhej lëvrimi i këtij fondi, a kishte procedura zyrtare dhe kush merrej drejtpërdrejt me këtë proces?
Kishte norma katërcipërisht rigoroze në lëvrimin e fondit që përfitonin partitë komuniste të vendeve të tjera. Praprakisht sektori i jashtëm që unë drejtoja tërhiqte kërkesat për nevojat e ngutshme të partive simotra. Më tej procedura vijonte me shqyrtimin që ju bëhej këtyre kërkesave një për një në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të Partisë. Përmbledhtaz do të thosha se ishte Sekretariati që miratonte si fondin vjetor, ashtu dhe sponsorizimin në veçanti…
Sa ishte kuota e këtij fondi që shkonte për të ndihmuar financiarisht partitë komunsiste?
Ka në arkiv dokumente të sakta për këtë. Me sa më kujtohet shifra nuk kalonte nga 100 mijë dollarë në vit.
Pra, 100 mijë dollarë në vit buxheti i shtetit i destinonte për lëvizjen komuniste ndërkomëtare…
Përtej bujës që mund të shkaktojë sot një lajm i tillë, ka nevojë për të saktësuar rrethanat e mënyrën si lëvrohej kjo shifër në favor të partive komuniste ndërkomëtare. Deri në vitin ‘60 sponsorizimi i Partive M-L bëhej nga PK e BS. Nga viti ‘61 e deri në fundin e viteve ’70, Partia jonë e tërhiqte këtë shumë nga Kina. Pra, dollarët që përdoreshin për këtë qëllim vinin nga Pekini. Prishja me Mao Ce Dunin na detyroi që sponsorizimin në vazhdim ta bënim ne. Për vetë kushtet e krijuara, kuptohet që fondi i solidaritet, tanimë do të rrudhej e nga 100 mijë dollarë, do të shkonte diku te 60 e më pak dollarë…
Si mund të besohet sot se lekët që merrnin nga Tirana partitë komuniste të vendeve të tjera vinin nga Pekini?
Unë jam dëshmitar okular i kësaj procedure zyrtare. Më ka qëlluar disa herë që të tërheq nga zyra e Ramiz Alisë, me cilësinë e Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë, sasinë e dollarëve të ardhura nga Kina me destinacion fondin e solidaritetit. Me to pastaj zbatohej një procedurë rreptësisht rigoroze…
Sa mund të përfitonte një parti komuniste e një vendi tjetër nga fondi i solidaritetit që lëvrohej në Tiranë?
Në rastet e përgjithshme nuk kalonte shifrën e një mijë dollarëve. Kishte ndërkaq raste shumë të rralla që shkonte dhe 20 mijë dollarë.
A e ndiqnin në atë periudhë mënyrën si përdoreshin këto fonde dhe a kishte raste që përfituesit abuzonin me to?
Patjetër që e ndiqnim, madje shumë rigorozisht. Mbaj mend që Enver Hoxha ishte shumë i rreptë në këtë aspekt. Ai jo vetëm që e kontrollonte me imtësi përdorimin e atyre fondeve, por kërkonte dhe cilësinë e produktit që investohej me to. Duhet nënvizuar fakti që shuma e tyre nuk dilte nga buxheti i shtetit, por tërhiqej nga Kina…
Ka patur zëra vitet e fundit se disa krerë të partive të ndryshme me lekët e tërhequra nga fondi i solidaritetit janë angazhuar në biznese private…
Në asnjë mënyrë nuk ka ndodhur diçka e tillë. Financimi nga ana jonë nuk i bëhej çdo partie që paraqiste kërkesën në Tiranë. Kishte thashë një procedurë shumë rigoroze, që mbi të gjitha krijonte bindjen absolute për domosdoshmërinë e këtyre ndihmave rast pas rasti. Vendimmarrja për lëvrimin e tyre merrte për bazë edhe mendimin e partive të konsoliduara M-L. Me mënyrën si ishte organizuar kjo punë, nuk kishte mundësi që të përfitonte nga ky fond ndonjë parti e porsakrijuar, apo ndonjë grupim i dyshimtë që nuk konfirmonte veprimtarinë e vet në shërbim të kauzës së përbashkët. Përzgjedhja në këto raste bëhej gjithnjë në konsultim të vazhdueshëm me partitë besnike të partisë tonë. Njëra ndër to ka qenë p.sh. Partia Komuniste e Brazilit, e drejtuar nga Amazona, që mbeti nga fillimi në fund miku i afërt i Enver Hoxhës…
Si procedohej me pjesën e fondit të solidaritetit që nuk konsumohej?
Thashë që ky fond vjetor arrinte 100 mijë dollarë. Në fakt, çdo vit konsumohej vetëm gjysma e tij. Pjesa që mbetej i shtohej fondit të vitit pasardhës. Vit pas viti shuma e destinuar për solidaritetin internacionalist të PPSH-së shumëfishohej. Kjo shifër aty nga vitet ‘70 arriti diku te 5 milionë dollarë…
vijojn nesër
Profesor Popa, kryediplomati i Komitetit Qendror
Ka qenë jashtë sistemit zyrtar të diplomacisë, pavarësisht se ka ëndërruar të bëjë ambasadorin. Me një diplomaci tjetër ka patur lidhje misioni i tij. I përzgjedhur nga Enver Hoxha në korpusin e të kualifikuarve jashtë shtetit, i është besuar detyra e kryenegociatorit për marrëdhëniet e KQ me grupet dhe partitë komuniste të vendeve të ndryshme. Profesor Agim Popa erdhi në këtë detyrë pas një jetëshkrimi dinjitoz për kohën. Në rininë e vet u shkollua në Liceun Francez të Korçës dhe Normalen e Elbasanit, për të vijuar me studimet në Fakultetin e Filozofisë të universitetit “Lomonosov” të Moskës. Vitet e para të punës i kreu në Shkollën e Partisë “V. I. Lenin” si shef katedre dhe zëvendësdrejtor i saj. Në vitin 1958 u emërua në aparatin e KQ në sektorin e luftës kundër “revizionizmit modern”, ku punoi për tre vjet pa shkëputje. Në vazhdim kontribuoi në Institutin e Studimeve M-L pranë KQ. Përvoja në sektorin ideologjik do bëhej garanci për t’i besuar detyrën e kryeredaktorit të “Zëri i Popullit”, të cilën e drejtoi nga viti 1976 deri në vitin 1980. Që këtej deri në vitin 1990 ushtroi detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Jashtme të K.Q. Me fillimin e proceseve demokratike ishte nga të parët funksionarë të lartë të partisë që dha dorëheqjen dhe u angazhua me partitë opozitare që u krijuan pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri.
Ilegalëve që vinin në Tiranë: Borgjezia rrëzohet me armë!
Asnjë kompromis me borgjezinë dhe revizionistët! Rrëmbeni armët dhe hidhuni në kryengritje të armatosur! Ndryshe kauza jonë është e dështuar. Ky ishte kryemesazhi që merrnin pjesëtarët e grupeve ilegale që vinin nga të katër anët e globit për të marrë përvojë e mësime në Tiranë. Në ditarin e Agim Popës ka me dhjetëra faqe ku pasqyrohet ky merak i Enverit për shokët e të njëjtit ideal…
25 maj 1973
Takim me shokun Forutan të organizatës ilegale “Tufan”
Shoku Forutan shpjegoi se organizata e tyre ka 6 vjet që vazhdon në ilegalitet. Tani për tani pjesëtarët e saj janë jashtë shtetit. Ai sqaroi tre objektivat e kësaj organizata. Objektivi i parë, sipas tij, ishte krijimi i një partie M-L proletare në Iran. Objektivi i dytë është lufta kundër imperializmit dhe regjimit iranian, pjellë e tij. Dhe objektivi i fundit kishte të bënte me luftën kundër revizionizmit. Duke shpjeguar situatën në Iran, Forutan vuri në dukje: “Irani është shembull i kolonizimit kolektiv… Regjimi i Shahut është absolutisht i korruptuar, i shitur etj... Shahu si çifligari dhe kapitalisti më i madh i vendit mbron interesat e shtresave të lidhura me imperializmin. Prandaj ai nuk mund të ndjekë një politikë kombëtare dhe progresive. Pikërisht për këtë kemi si synim krijimin e një fronti të gjerë çlirimtar dhe organizmin e kryengritjes së armatosur. I porositëm miqtë e Tufanit të zgjerojnë lidhjet me masat dhe të gjejnë armë për kryengritjen e armatosur. U rekomanduam literaturën e nevojshme…
14.06.1973
Takim me shokët e “Aksionit Popullor” të Brazilit
Shokët e “Aksionit Popullor” vunë në dukje se diktatura po merr gjithnjë e më shumë karakter të theksuar fashist. “Ne jemi shprehur, theksuan ata, për një revolucion nacionalist nëpërmjet luftës popullore. Pati fillimisht ndonjë gabim dogmatik të marrë nga përvoja kineze. Bartës i gabimeve dogmatike ishte shoku Dorival, i cili më vonë kaloi në të majtën ekstreme, kritikonte Stalinin, ndërkohë që filloi të përqafonte maocedunidenë. Ai që zëvendësoi Dorivalin, Juani, kishte një pozitë kontradiktore: Ishte për një parti krejt të re, por jo mauiste…
26 maj 1973
Takim me katër shokë të PK të Spanjës
Për arsye klandestiniteti, shokët spanjollë shpjegojnë se nuk kanë shpallur emrat e të zgjedhurve në kongresin e fundit, por vetëm karakteristikat e tyre. Detyra kryesore që u vendos në kongres: Të fillohet nga përgatitja e grupeve të armatosura të mbrojtjes. Shokët spanjollë na kërkuan që Radio Tirana të shtojë emisionet në spanjisht. Ndërkaq ata shtuan se Radio Tirana mund dhe duhet të shërbejë si tribunë solidariteti me të burgosurit që po torturohen egërsisht për diskriminimin e regjimit gjakatar frankest.
panorama
Krijoni Kontakt