Rruga Kombit, Bechtel & Enka, fitimi 263 milionë euro
Genc Kondi
Në kontratën e nënshkruar disa vjet më parë midis qeverisë shqiptare dhe ndërtuesit të përzgjedhur të segmentit Rrëshen-Kalimash, të rrugës Durrës-Kukës, theksohej që
kostoja e tij do të ishte
400 milionë euro. Praktikisht, deri në fund të muajit qershor të këtij viti,
kostoja gati është dyfishuar, duke arritur në total në
788 milionë euro. Sipas deklaratave të xhiros dhe fitimit për vitin 2008, të cilat kompanitë janë të detyruara t’i dorëzojnë tek Tatimet, rezulton që ‘Bechtel&ENKA’ të ketë kryer gati 37 miliardë lekë të reja xhiro. Kjo i shtohet xhiros prej afro 18 miliardë lekësh, të deklaruar për vitin 2007 dhe 501 milionë lekëve të realizuara më 2006-ën, vit kur filluan punimet. Nga viti 2006 deri në fund të vitit të kaluar, rezulton se Buxheti i Shtetit e ka furnizuar këtë kompani me 55,4 miliardë lekë, që konvertohet në 426 milionë euro sipas kursit të këtyre ditëve.
Por, shifrat e shpenzimeve për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të porsanxjerra nga Ministria e Financave, tregojnë se janë edhe 24,7 miliardë lekë që i janë shtuar “rrugës patriotike” me financime të brendshme, si dhe 12,3 miliardë të tjera, që i janë marrë hua një banke të huaj, të pranishme në Shqipëri. Në total, 47 miliardë të tjera, që e çojnë shpenzimin e deritanishëm në 788 milionë euro.
Fitimi
Ajo që të bën përshtypje në veprimtarinë e ‘Bechtel&ENKA’-s në Shqipëri, është një
normë jashtëzakonisht e lartë fitimi. Të cilën, do ta kishin zili jo vetëm kompanitë shqiptare që operojnë në fushën e ndërtimit, por edhe çdo kompani tjetër, në çfarëdo sektori të biznesit dhe në çdo vend të botës. Rezulton, gjithnjë sipas të dhënave të deklaruara tek Tatimet, se norma e fitimit e kompanisë turko-amerikane të jetë 29.7%. Në 37 miliardë lekë xhiro, fitimi i deklaruar është 11 miliardë lekë. Pra, janë plot
85 milionë euro, që taksapaguesit shqiptarë janë detyruar të paguajnë për ndërtimin e një segmenti të vetëm, para me të cilat mund të ishin ndërtuar shumë e shumë kilometra të tjera infrastrukturë rrugore.
Shumëkujt mund t’i duken të justifikuara fondet e dhëna për fitimin e kësaj kompanie, por një llogaritje e thjeshtë flet për mungesë të theksuar të analizës së leverdishmërisë së objektit në fjalë. Në çdo 100 milionë euro të marra nga taksat e shqiptarëve, 30 milionë merren nga kompania si “trofe”.
Kostoja
Kjo normë fitimi tregon një kosto tepër të lartë për të ndërtuar me çdo kusht rrugën. Analizat e mëpasshme mund të nxjerrin në pah edhe faktin që pas kësaj kostoje, mund të fshihet edhe shifra e presupozuar e korrupsionit, të llogaritur nga ekspertët e Prokurorisë një vit më parë, prej mbi 200 milionë eurosh. Me një normë fitimi prej 30 përqindësh, me xhiro 788 milionë euro, deri tani ‘Bechtel&ENKA’ ka marrë një fitim total prej 263 milionë eurosh. Dhe, punimet do të vazhdojnë ende për mjaft kohë.
Krijoni Kontakt