Shalsi i kërkon Berishës të mos prishë monopolin mafioz të lejeve të ndërtimit të Edi Ramës
Irritohet mafia e ndërtimit me në krye kryebashkiakun e Tiranës
Mbështetësit e klaneve mafioze të lejeve të ndërtimit të kreut të bashkisë, Edi Rama, të ndodhur në një situatë të përkeqësuar, kjo e krijuar pas vendimeve të marra nga kryeministri Berisha në mbledhjet e fundit të KRRTRSH-së, shfryjnë dufin dhe mllefin nëpërmjet deklaratave boshe për shtyp. Me vendimmarrjet e fundit për ndërtimin e disa objekteve, Këshilli ka ndërprerë nga ana tjetër kufirin e lejeve të ndërtimit të Bashkisë së Tiranës, e cila ka mbetur me gisht në gojë dhe e zhgënjyer nga ky fakt. Tashmë, kryetari i kësaj bashkie, do të ketë në dorë pak leje ndërtimi, për t’ia dhënë miqve të ngushtë të tij, për të mbajtur statuquonë e tyre, që njerëzit të mos blejnë apartamente me çmime të ulëta, por t’iu faturohet një kosto tepër e lartë, rreth 1000-2500 euro për metër katror. Ndërkaq, me vendimin e marrë nga KRRTRSH për ngritjen e disa objekteve banimi në zonën e Farkës, nga katër deri në pesë katëshe, ul nga njëra anë çmimin e tregut të banesave, të vendosura uzurpisht dhe padrejtësisht nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër, klani mafioz i lejeve të ndërtimit të Ramës, është irrituar nga kjo vendimmarrje, sepse në radhë të parë nuk mund të përfitojnë më asgjë për biznesin e tyre. Kjo zonë, jo vetëm se është tepër e preferuar nga qytetarët për vendosjen e saj në ajër të pastër, ku kërkesat për blerje janë të mëdha, por i prish planin këtij klani mafioz, duke e çuar çmimin e banesave nga 400-500 euro për metër katrorë. I prekuri i parë i drejtpërdrejtë nga vendimi i KRRTRSH për ngritjen e qendrave të banuara në zonat rurale rreth kryeqytetit, Eduart Shalsi, është edhe mbështetësi i vendimmarrjeve të Ramës për lejet e ndërtimit në mënyrë jo të ligjshme.
Shalsi së bashku me Ramën dhe 10 ndërtuesit, tashmë të bërë publik, jo vetëm për marrjen e këtyre lejeve mafioze, por edhe për mbështetjen që i dhanë Ramës për fushatën e tij zgjedhore, nuk janë gjë tjetër veçse një grup mafiozësh që si qëllim të vetëm të tyre kanë mbajtjen me çdo kusht, në varësi të tyre të çdo leje ndërtimi, jo vetëm brenda kryeqytetit, por edhe në rrethinat e afërta të tij. Pasi arritën të mbushin xhepat e tyre dhe u majmën nga paratë e fituara prej lejeve të ndërtimit të dhëna nga Rama gjatë këtyre viteve, etja e tyre për pasuri vazhdon edhe më tej. Ata kërkojnë të bëhen zot të çdo pëllëmbe toke, por me vendimmarrjet e fundit nga kryeministri po shohin se majmëria po u rreshket nga duart. Si përfaqësuesin e “ligjshëm” të tyre, nxjerrin për prononcim Shalsin, i cili ndër të tjera për të qenë krahu i djathtë i Ramës edhe për katër vite rresht, u rendit në radhët e para të listës për deputet në qarkun e Tiranës.
Akuzat e Shalsit për grabitjen e gjelbërimit
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, përballë selisë së PS-së, Shalsi ka denoncuar vendimin e kryeministrit Berisha për grabitjen sipas tij të gjelbërimit rreth Tiranës. Ndërkohë që nga ana tjetër, i vetmi person që nuk duhet të denonconte gjelbërimin ishte pikërisht krahu i djathtë i bunkerizimit të Tiranës. Në radhë të parë, Shalsi duhet të kërkojë llogari tek kryetari i Bashkisë Rama dhe tek vetja e tij për dhënien e lejeve të ndërtimit të objekteve mbi zonat e gjelbëruara duke e kthyer kryeqytetin shqiptar, si të vetmin vend në botë që bunkerizimi vazhdon të jetojë i gjallë edhe pas vdekjes disa vjeçare të themeluesit të tij. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi ka ngritur akuza në drejtim të kryeministrit Berisha për miratimin e një sërë vendimesh në KRRTRSH, që sipas tij tregojnë qartazi, se në themel të tyre nuk qëndrojnë arsye që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm të rrethinave të Tiranës, por qëllime të cilat mpleksin dukshëm vizionin e cungët të Berishës me interesat private të oborrit të tij. “Nga njëra anë, Sali Berisha zotohet për ullishtet dhe nga ana tjetër, me vepra me një të rënë të lapsit, zhduk plot 75 ha gjelbërim dhe ullishte në zonën e Farkës.
Në planin e përgjithshëm Rregullues të Tiranës, zona përreth liqenit të Farkës, parashikohet të jetë një zonë ekologjike e mbrojtur me ligj dhe me territore të rezervuara për hapësira publike dhe rekreative, ndërkohë që vendimi i Sali Berishës për ta shndërruar në një territor urban, sjell zhvillime me pasoja negative dhe mbi të gjitha shkatërrimin e një parku dhe të një kurore të gjelbër, që janë një pasuri brezash për qytetarët”, ka theksuar Shalsi. Ndër të tjera i ka përmendur faktin e denoncimit në rrëzë të malit të Dajtit, ato të kodrave të liqenit, si dhe ato të Kasharit. Në vazhdën e këtyre denoncimeve, Shalsi ka shtuar edhe vendimin e kryeministrit për Farkën, që sipas tij duhet të ishte një park dhe një model zhvillimi i koordinuar dhe integruar me qytetin e Tiranës. Kur akuzojnë dhe krerët e Bashkisë së Tiranës për gjelbërim dhe parqe, qytetarit të thjeshtë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ç’betonizojë dhe të rikthejë frymëmarrjen e pastër dhe të kthjellët në zonën e kryeqytetit, e cila prej vitesh mungon në mushkëritë e gjithsecilit prej nesh.
sot.
Krijoni Kontakt