Ethet hemorragjike, shenjat e sëmundjes dhe kura përkatëse

Shenjat e sëmundjes janë temperaturë, ethe dhe hemorragji. Burim infeksioni janë kafshët, kryesisht miu dhe insektet. Transmetohet dhe ndërmjet njerëzve me kontakt të ngushtë. Nuk ka mjekim specifik.



Parandalimi

* kontrollimi i popullimit të brejtësve

* eliminimi i minjve nga shtëpitë dhe vendet e punës

* prishja e çerdheve dhe largimi i bajgave të brejtësve

* për ata virus që barten me vektor antropod prevenimi fokusohet në kontrollimin e gjithë komunitetit. Njerëzit duhet këshilluar për mbytjen e insekteve, veshje adekuate, vendosjen e rrjetave në dritare dhe barriera të tjera për largimin e insekteve dhe shmangien nga thumbimet

* te rastet e përhapjes prej njeriut në njeri duhet shmangur kontakti i afërt me personat e sëmurë. Personat e sëmurë duhen izoluar. Kontrolli tjetër është dezinfektimi, përdorimi adekuat i mjeteve punuese nga ana e punëtorëve shëndetësorë.



Ethet hemorragjike janë grup i sëmundjeve infektive akute të rënda të shkaktuara nga viruset. Karakterizohen me dëmtim të sistemit vaskular, si dhe çrregullim të aftësisë rikuperuese të organizmit. Këto simptoma shpesh shoqërohen me hemorragji, që në shumicën e rasteve janë edhe shkaktarë të vdekjes.

Etiologjia

Shkaktarët e etheve hemorragjike janë viruset, të cilat varësisht se cilës familje i takojnë, ndahen në katër grupe, filoviridae-ebola dhe malburg, arenaviridae-lassa dhe new world arenovirus, bonyaviridae- etheve krime-kongo, rift vallery, dhe ethet me sindromë renale

Flaviviridae - ethet denga, ethet e verdha, ethet e omskut dhe kiasenurit.

Epidemiologjia

Shkaktarët e etheve hemorragjike janë të përhapura në gjithë globin. Njerëzit mund të infektohen edhe nga strehuesit e eksportuar prej vendeve të tjera, që njihen si vende endemike për një lloj të caktuar të caktuar të etheve hemorragjike.

Transmetimi

Ethet hemorragjike transmetohen prej kontaktit të njerëzve me strehuesit. Viruset që barten nga brejtësit transmetohen kur njerëzit vijnë në kontakt me urinën, materiet fekale, pështymën ose ekskrecionet e tjera trupore të brejtësve të infektuar. Viruset e bartura me vektor antropod përhapen më së shpeshti kur mushkonja ose rriqra pickon njeriun. Disa vektor mund t’i transmetojnë viruset në kafshët shtëpiake, dhe njerëzit infektohen duke u kujdesur për këto kafshë ose gjatë therjes së tyre (p.sh. kasapët). Disa viruse përhapen pastaj nga njeriu në njeri (p.sh. Ebola, Marburg, Lassa dhe Krime Kongo).

Shenjat

Shenjat dhe simptomat specifike varen nga lloji i etheve hemorragjike. Simptomat fillestare janë: ethe, lodhje, marramendje, dhimbje e muskujve, plogështi, humbje e fuqisë. Pacientët shpesh kanë gjakderdhje në lëkurë, në organet e brendshme, nga goja, sytë, veshët. Pacientët mund të kenë shenja të shokut, çrregullime të funksionit të sistemit nervor, komë, delirium etj. Disa lloje të etheve hemorragjike shoqërohen me insuficiencë renale.

Trajtimi

Pacientët me ethe hemorragjike trajtohen me terapi simptomatike, sepse në përgjithësi nuk ka terapi bazë për shërim. Ribavirina-një bar antiviral është efektiv në trajtimin e disa pacientëve me ethe Lassa ose ethe hemorragjike me sindromë renale.

Kontrolli

Përveç etheve hemorragjike argjentinase, për të cilat ekziston vaksinë, për llojet e tjera nuk ka vaksinë. Prevenca kryesore është shmangia e kontaktit me strehuesit e infektuar. Nëse veç ka ardhur te shfaqja e sëmundjes, duhet penguar bartja nga njeriu në njeri.

Disa lloje më të përhapura

Ethet hemorragjike Krime-Kongo (Crimean-Congo). Ethet hemorragjike Krime-Kongo shkaktohen nga infeksioni me virusin e bartur me rriqra që është i llojit Nairovirus dhe bën pjesë në familjen Bonyaviridae. Sëmundja së pari është zbuluar në Crimea në 1944 nga ka marrë emrin, më vonë është gjetur edhe në Kongo në 1969.

Epidemiologjia

Sëmundja më shpesh haset në Evropën Lindore veçanërisht në Bashkimin Sovjetik. Po ashtu është e përhapur edhe në Mesdhe, Kinën Veriperëndimore, Azinë Qendrore etj. Te njerëzit më shpesh përhapet në periudhën prill-shtator.

Transmetimi

Rriqrat Hyaloma janë rezervuar dhe vektorë të virusit Krime*Kongo. Disa kafshë shtëpiake si gjedhet, dhitë, delet dhe lepujt e egër janë strehues të virusit. Transmetimi te njerëzit ndodh kur ata vijnë në kontakt me kafshët e infektuara ose rriqrat. Sëmundja përhapet edhe prej njeriut të infektuar në tjetrin përmes gjakut ose lëngjeve trupore. Po ashtu, përhapja mund të ndodhë nga sterilizimi joadekuat i mjeteve punuese, kontaminimi i tyre etj.

Simptomat

Fillimi i sëmundjes është i menjëhershëm me temperaturë të lartë, kokëdhembje, dhimbje shpine, dhimbje nyjesh, dhimbje barku dhe vjellje. Vërehen sy të skuqur, fytyrë e skuqur, gjuhë e skuqur. Me progresionin e sëmundjes shfaqet epistaksë, gjakderdhje në vendin e dhënies së injeksionit, e cila fillon nga dita e 4-të e sëmundjes dhe zgjat rreth 2 javë.

Diagnoza

Në hemogram vërehet leukopeni, trombocitopeni, ndryshime karakteristike për koagulimin intravaskular të diseminuar. Në analizat e urinës vërehet hematuri, proteinuri, oliguri, azotemi. Me analiza serologjike përcaktohen antitrupat specifikë.

Trajtimi

Kryesisht është simptomatik. Shoku luftohet me dhënien e gjakut, te KID jepet heparinë. Ribavarina është mjaft e efektshme.

Profilaksa

Duhet luftuar kundër vektorit. Rriqrat luftohen me Dietil-m*toluanide. Te personat që mund të jenë në kontakt me rriqra këshillohet përdorimi i dorëzave dhe rrobave mbrojtëse.

Ethet hemorragjike me sindromën renale

Sëmundja shkaktohet nga hantavirusët-familja Bonyaviridae. Karakterizohet me intoksikacion të rëndë shoqëruar me dëmtime kapilare difuze, fenomene hemorragjike, shok, çrregullime të rënda hidroelektrike dhe me insufiçencë renale.

Epidemiologjia

Janë tre sterotipe të hantavirusëve, Hantan Seoul dhe Dobrava-Beograd, janë shkaktar të etheve hemorragjike me sindromë renale. Virusi hantan është i përhapur në Azi, veçanërisht në Kinë dhe Rusi. Virusi Pumala-shkakton nefropati endemike. Është i përhapur në Skandinavi, Evropën Perëndimore dhe Rusi. Virusi Dobrava është i përhapur në Ballkan.

Transmetimi

Barten përmes brejtësve. Njerëzit infektohen me këto viruse dhe zhvillojnë sindromë renale pas ekspozimit me urinën, bajgat dhe salivën e brejtësve të infektuar. Transmetimi ndodh edhe kur urina e infektuar dhe materiet e tjera bien në kontakt direkt me lëkurën e dëmtuar ose me membranat mukozale në sy, hundë ose gojë. Po ashtu, njerëzit që punojnë me brejtës të gjallë mund t’u ekspozohen viruseve pas kafshimit të tyre nga kafshët e infektuara. Transmetimi prej njeriut në njeri mund të ndodhë, por është shumë i rrallë.

Simptomat

Zakonisht simptomat paraqiten l-2 javë pas infeksionit, por mund të paraqiten edhe pas 8 javëve. Faza e parë fillon përnjëherë me kokëdhembje intensive, temperaturë të lartë, dhimbje shpine dhe barku, ethe, dridhje, nauze, vjedhje dhe fotofobi. Vërehen ekzantema eritematoze në fytyrë, qafë, shpinë, skuqja e faringut, edema periorbitale. Faza e dytë zhvillohet në ditën e pestë dhe zgjat 24-48 orë. Karakterizohet me hipotension dhe gjendje shoku. Shenjat e tjera janë tahikardi, lëkura e ftohtë, në gjakun periferik-leukoeitozë, neutrofili, tromboeitopeni limfocite atipike. Faza e tretë zhvillohet kah dita 8-9 e sëmundjes me shenja të insufiçencës renale si oliguri, ndryshime të ekuilibrit elektrolitik, hiperkalemi, hipelfosfatemi dhe hipokalemi. Tek të sëmurët shfaqen hemorragjitë të tipit të hematemezës, melenës, petehieve, hematurisë, dhe hemorragjisë cerebrale. Kjo fazë quhet edhe toksiko-hemorragjike. Faza e katërt zgjatë 3-6 javë. Të sëmurët paraqesin dobësi muskulare, por më vonë fillojnë të marrin peshën e humbur, rritet aftësia koncentruese e urinës. Diagnoza përcaktohet me anamnezë klinike karakteristike të shoqëruar me fenomene hemorragjike dhe dëmtime renale. Në analiza laboratorike vërehet rritje e hematokritit, rritje e kaliumit, fosfateve, ulje e kalciumit, ulje e diurezës, proteinuri, leukocitozë. Në analiza serologjike përcaktohen antitrupat IgM.

Trajtimi

Kryesisht është simptomatik: përdoren lëngje si sol. glukozë 5%, solfiziologjik 0.9%, gjak ose plazmë sipas nevojës. Te insuficienca renale jepet lasix dhe dopamine në doza të vogla. Rezultate të mira ka dhënë edhe Ribavarina.

Prognoza


Vdekshmëria shkon prej 5-15% tek ethet hemorragjike me sindromë renale nga hantavirusët, kurse më e vogël se 1% te ata me Puumalavirus.

Profilaksa

Kontrollimi i popullacionit të brejtësve, eliminimi i tyre nga shtëpitë. Shmangia e kontaktit me urinën, bajga, salivë dhe strofulla të brejtësve.


26/07/2009

standart