“Vlora Wave 2009” titullohet evenimenti i muzikës rrok që do të zhvillohet së shpejti (11-16 gusht ‘09) në qytetin bregdetar, duke mbledhur në sheshin “Flamurtari” emra të njohur të muzikës italiane dhe më rrokut europian. Ky festival ndërkombëtar i muzikës, sipas deklaratave që organizatorët kanë dhënë për median synon të sjëllë në Vlorë emra të njohur të muzikës si Ana Oksa, Xhixhi D’Alesio, ndërkohë që ka konfirmuar ardhjen Marko Masini e David Knopfler, së bashku me grupin “La fame di Kamila”, “Luna Pop” dhe “Eurosmith”. Ideator i këtij festivali është Arlind Hajro, ndërkohë që si drejtor artistik vjen mjeshtri italian Xhankarlo Pasarela. Me fondet që do të sigurohen nga të ardhurat e shitjes së biletave, bashkia e Vlorës, si mbështetëse kryesore e këtij aktiviteti, ka menduar që të ndihmojë njerëzit në nevojë, fëmijët me probleme etj., pra gjithçka do të shkojë për bamirësi. Bisedimet ende vazhdojnë për të siguruar pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur të muzikës italiane dhe asaj europiane në këtë festival, gjë për të cilën nuk na mbetet tjetër veçse të shpresojmë. Duke pasur parasysh se në këto data, turizmi arrin kulmin e prurjeve, një eveniment i tillë do ta gjallëronte së tepërmi jetën kulturore e pse jo, argëtuese, të turistëve vendas e të huaj, duke u lënë kështu atyre një shije më mbresëlënëse për pushimet në bregdetin jonian të Shqipërisë. Festivali është menduar që të zhvillohet në gjashtë netë dhe të përfshijë disa seksione gjatë ditëve të zhvillimit të tij. Ky eveniment pritet të sjellë në Vlorë artistë të huaj të njohur të fushës së muzikës por edhe talente të reja të muzikës shqiptare, të cilët do të interpretojnë në të njëjtën skenë, ku përgjatë ditëve disa nga seksionet që do të organizohen janë nata e legjendave të rrolkut, nata e folkut, nata e kantautorit etj.
Krijoni Kontakt