Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1

    Vuk Jeremic: Kurrë s’kam përmendur ndarje



    Vuk Jeremic thotë se ka pasur tentime që atij t’i mvishet se ka sugjeruar ndarjen e Kosovës si opsion zgjidhje të pranueshëm për Serbinë, kohës së fundit. Sipas tij, ky debat nuk i ndihmon aspak kauzës së Beogradit për të kthyer në tavolinë bisedimet për statusin e Kosovës.

    Nga Express më 23.07.2009 në ora 19:14
    Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, ka hedhur poshtë raportimet se ai ka sugjeruar ndonjëherë ndarjen si një zgjidhje të mundshme për problemin e Kosovës.

    Deklarimet vijnë pas debateve të kohës së fundit se tashmë Serbia po përpiqet për një zgjidhje territoriale, qoftë edhe përmes shkëmbimit të rajonit të Leposaviqit me Preshevën.

    “Është e qartë që tentime ka pasur që të vihen në gojën time fjalë të cilat unë kurrë nuk i kam thënë”, ka thënë Jeremic, pas një takimi me Ministrin e Jashtëm të Turqisë Ahmet Davutoglu.

    Ai ka nënvizuar se Serbia favorizon një zgjidhje me kompromis për statusin e ardhshëm të Kosovës, në linjë me Kushtetutën serbe dhe të konfirmuar me vullnetin e popullit.

    “Ky debat publik për ndarjen është konfuzes, aspak ndihmues dhe na çon shumë më larf prej tentimeve tona për t’u rikthyer në tavolinën e diskutimeve dhe për të gjetur një zgjidhje që është në interesin kombëtar të shtetit”, ka thënë Jeremic, transmetoi radio B92.

    Ndërkohë, gjatë takimit të tyre në Beograd, Jeremic dhe Davutoglu kanë shprehur gatishmërinë për të promovuar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

    Davutoglu, i cili gjendet në Serbi në një vizitë dyditore, ka thënë se dy shtetet nuk kanë çështje problematike mes tyre, duke nënvizuar se të dyja ndajnë vullnetin politike për të rritur partneritetin dhe marrëdhëniet, sikurse edhe bashkëpunimin ekonomik.

    Ai ka thënë se Turqia është e gatshme për investime të mëdha infrastrukturore në Serbi, përfshirë ndërtimin e një autostrade.

    Sidoqoftë, Ministri i jashtëm turk ka thënë se të dy palët ndajnë qëndrime të ndryshme sa i përket Kosovës.

  2. #2

    Bogdanovic: S’ka kushte për serbët



    Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanovic, ka thënë se nuk ekzistojnë kushtet që serbët të dalin në zgjedhjet lokale të nëntorit, pasi ato do të zhvillohen në bazë të planit të Ahtisaarit. Ai thotë se decentralizimi në Kosovë është i domosdoshëm, por dëshiron që ky projekt të mos menaxhohet nga Qeveria dhe ICO.

    Nga Express më 26.07.2009 në ora 19:18
    Nuk ekzistojnë kushtet që serbët të dalin në zgjedhjet lokale të nëntorit në Kosovë, ka deklaruar të dielën, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic.

    Ai konsideron se është mirë që Presidenti Boris Tadic dhe Qeveria e Serbisë, me kohë morën qëndrimin se serbët nuk do të duhej të dalin në zgjedhjet lokale në Kosovë, gjë që, sipas tij, në të kaluarën nuk ka ndodhur, pasi vendimet ishin marrë dy-tre ditë para mbajtjes të tyre.

    Sipas ministrit serb, megjithëse ka disa parti politike serbe që janë regjistruar për zgjedhjet e nëntorit nuk ekzistojnë kushtet që serbët të marrin pjesë në zgjedhje, pasi ato do të zhvillohen në bazë të planit të ish-Emisarit Special të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Martti Ahtisaari, të cilin shteti serb nuk e ka pranuar.

    “Serbët ende nuk janë të mbrojtur juridikisht dhe nuk kanë numër adekuat të komunave të cilat i kemi kërkuar në procesin e decentralizimit”, ka thënë Bogdanovic, i cili ka përkujtuar se decentralizimi është duke u zhvilluar pa marrëveshje me komunat lokale dhe Beogradin.

    Ai konsideron se decentralizimi në Kosovë është i domosdoshëm dhe thotë se serbët do të dilnin në zgjedhjet lokale, nëse procesi do të menaxhohej nën ombrellën e ndonjë organizate ndërkombëtare, e cila është neutrale ndaj statusit dhe “jo nën patronatin e Zyrës së Pieter Feith apo Qeverisë së Kosovës”.

    Bogdanovic ka precizuar se mekanizma neutral ndaj statusit do të mund të ishin Këshilli i Europës, Bashkimi Europian, Kombet e Bashkuara e UNMIK’u, “dhe për këtë Serbia është e gatshme që sërish të hyjë në bisedime me përfaqësuesit ndërkombëtar, në mënyrë që të vinte deri te një zgjidhja për decentralizimin, i cili është i domosdoshëm për komunitetin serb”.

    Konfirmon bisedimet me EULEX’in

    “Jemi të gatshëm të flasim me EULEX’in, pa marrë parasysh se në shumë raste ka demonstruar njëanshmëri dhe ka bërë disa gabime në dëm të komuniteti serb”, ka thënë Bogdanovic.

    Ai konfirmoi se janë duke u zhvilluar bisedime me EULEX’in rreth kthimit të gjykatësve në punë, para se gjithash në veriun e Mitrovicës, porse ende nuk ka një zgjidhje, pasi nuk janë definuar kushtet në bazë të të cilave ata do të ktheheshin, sipas të cilave ligje ata do të gjykonin dhe se cilat gjykata të shkallës së dytë do të ishin kompetente.

    “Ka shumë çështje të cilat duhet t’i zgjidhim shumë shpejt. Duam që sa më parë të zgjidhet vakuumi ligjor, i cili ekziston në veriun e Kosovës, por natyrisht jo në dëm të komunitetit serb dhe të mos punojmë sipas ligjeve të të ashtuquajturit shtet të Kosovës e as të promovojmë planin e Ahtisaarit”, ka thënë Bogdanovic.

    I pyetur për kredibilitetin e liderëve të cilët përfaqësojnë serbët e Kosovës, ai ka thënë se zgjedhjet tregojnë se kush ka përkrahje, e kush jo.

    “Individët, fatkeqësisht, prezantohen sikur janë liderë, ndërsa kurrë nuk kanë pasur guxim të dalin në zgjedhjet republikane dhe lokale në të gjitha mjediset në vet Kosovën, veçse kanë zgjedhur pika të caktuara se ku munden”, ka vlerësuar ai.

    Sipas fjalëve të tij, “nuk mundeni me dy këshilltar në komuna të thoni se jeni lider dhe
    përfaqësoni serbët e Kosovës”.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •