Rakida, kundër Ane
Dueli mes grave për të pushtuar Parisin
Është ëndrra e ndaluar e shumë njerëzve, apoteoza e një karriere politike dhe trampolina e mundshme për të kaluar të tjera pengesa. Është karrigia për të cilën po flitet më shumë në këto ditë të nxehta vere, ajo më e dëshiruara, meqenëse "Elizeu" duket i destinuar të mbetet për një kohë të gjatë "peng" i Nikolas Sarkozisë. Një karrige që do të shohë përballë njëra-tjetrës dy gra, njëra e djathtë dhe tjetra e majtë, që kanë të përbashkët vetëm fatin se janë vajza emigrantësh, të gatshme të luftojnë me mish e me shpirt për të marrë postin e kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit të vendit, Parisit. Rakida Dati dhe Ane Hidalgo nuk i fshehin më ambiciet e tyre. Njëra në mënyrë të tërthortë, tjetra në mënyrë eksplicite kanë bërë të ditur se janë gati të bëhen pasueset e denja të Bertrand Delanoes, që në përfundim të mandatit të tij të dytë do të lërë përfundimisht "Hotel de Ville" edhe pse ka akoma kohë, plot pesë vjet. Megjithatë, sfida është hapur tashmë. Por një karrige si kjo e Bashkisë së Parisit nuk mund të fitohet sa hap e mbyll sytë. Për më tepër që dy gratë duhen të kenë nën kujdes edhe François Fillon, Kryeministrin modest e studiuesin e madh që pas pamjes së tij "të zymtë" dhe modeste fshihen ambiciet parisiane. Kryeqyteti po ndjek me vëmendje të madhe duelin veror mes dy pretendenteve që pritet të drejtojnë qytetin. Sipas analistëve, kjo mund të lidhet edhe me faktin se njerëzit janë të mërzitur me skenën politike të dominuar pa asnjë vështirësi nga Presidenti Nikolas Sarkozi. Të paktën dueli Dati-Hidalgo do t‘i ndezë dhe do t‘i japë pak më shumë shije debatit politik, sepse përveç të tjerash, dy kandidatet e fuqishme janë krejtësisht të kundërta njëra me tjetrën. Ane Hidalgo është prototip i manisë për të qenë një yll dhe e famshme. Pavarësisht bukurisë, 50 viteve që mban mbi shpinë dhe aftësisë së padiskutueshme, ajo nuk ka dashur kurrë që të jetë në qendër të vëmendjes. E lindur në Spanjë, por e rritur në Lion, Ane e ka ndërtuar karrierën e saj në kabinetet ministrore të qeverisë së Lionel Zhospen, pastaj nën hijen e Delonoes ku mban postin e zëvendëskryetares së baskisë që prej vitit 2001. Gjithmonë e matur dhe asnjëherë asnjë fjalë më tepër, Ane është një grua serioze dhe e matur. Ajo e njeh mirë qytetin, çështjet e tij dhe kur nis të flasë e di mirë se çfarë kërkon të thotë. Krejtësisht e kundërta e saj është Rakida Dati. Është një produkt i Sarkozisë dhe një nga mikeshat e tij në kohën kur nuk e kishte gjetur ende Karla Brunin. E prezantuar në politikë nga Presidenti, ajo adhuron mbrëmjet mondane, të fotografohet, të vishet bukur dhe të shfaqet shpesh në faqet e para të revistave. Në të vërtetë, Dati duhet të jetë një ikonë e feminilitetit. Ajo ishte simbol i emancipimit, një nga 12 fëmijët e dy prindërve me origjinë nga Algjeria dhe Maroku, që u shkëput nga fëmijëria e dhimbshme dhe një martesë me lajmës për t‘u bërë ylli i kabinetit qeveritar të Sarkozisë dhe për të marrë një nga postet më të rëndësishme në Francë.
Zgjedhja e saj nga Sarkozia në krye të Ministrisë së Drejtësisë ishte një mesazh për të gjithë fëmijët francezë, se me mundim dhe këmbëngulje gjithçka është e mundur. Me lindjen e Zohras, ajo u bë një supermama, një grua që tregoi se nuk i duhet një burrë për të sjellë në jetë një fëmijë dhe për të qenë e lumtur. Ndërsa barku i saj rritej çdo ditë e më shumë në muajt e kaluar, Rakida u bë qendra e të gjithë atyre që pyesnin për të atin e fëmijës, identitetin e të cilit ajo e refuzoi që ta tregonte, duke thënë vetëm se "jeta ime private është e komplikuar dhe dua ta mbaj larg medias". Rakida, gjithmonë ka dashur të lërë pas shpinës botën e varfër dhe kulturën e grave të paintegruara në shoqëri. Megjithatë, në mënyrën e saj ia ka dalë mbanë: i janë atribuuar një numër i madh lidhjesh me biznesmenë dhe burra të tjerë të pushtetshëm, ajo një vajzë e lirë dhe e pavarur arriti të bënte një fëmijë e vetme, pa e treguar ende emrin e të atit të vajzës.
Vendimi i saj për të mos zbatuar lejen e paslindjes ishte një shembull guximi dhe vendosmërie, veti që ajo i ka treguar qëkur ishte fëmijë e derisa u ngjit në një nga postet më të rëndësishme të qeverisë franceze. E konsideruar si femra më yll në kabinetin e Sarkozisë, Dati shumë shpejt u bë qendra e vëmendjes, edhe pse kohët e fundit popullariteti i saj nisi të zbehej paksa. Ajo kujtohet ende në Britani, kur u shfaq në banketin mbretëror në kështjellën Uindsor vitin e kaluar, me një fustan të shkurtër mbi gju dhe rrezatonte feminilitet, ndërsa shpejt u gjend nën akuzën e feministeve që e krahasonin atë më shumë me një burrë, sesa me një nënë që sapo kishte lindur. Megjithatë, në politikë i duhet ende të tregojë atë se çfarë është e aftë të bëjë. Me thënë të drejtën nuk i ka lënë ndonjë përshtypje të mirë dhe Sarkozi e braktisi, duke e detyruar të pranonte një vend në Parlamentin Europian. Që këtu duket se nis edhe dëshira e saj për t‘u hakmarrë. Por, Dati mund të kandidojë për kryetare bashkie vetëm me miratimin e Sarkozisë. Edhe Hidalgo e ka treguar në mënyrën e saj se dëshiron të jetë pjesë e garës: "Po përgatitem, po punoj, legjitimiteti ndërtohet ashtu si besueshmëria. Dhe e gjitha kjo arrihet vetëm me punë".
shqip.
Krijoni Kontakt