Grupi tjetër që është paraqitur, po ashtu, në tabelën më sipër, përshkruan të mirat që na i sjell feja katolike sot, por njëkohësisht duke e qarë te kaluarën e hershme iluministe, të para dominimit osman. Kadare thotë: “Nostalgjija e tërthortë që po shfaqet sot tek ne për osmanizmin nuk është vetëm e habitshme. Ajo është në radhë të parë poshtëruese”. Sigurisht se nuk ka popuj që kanë nostalgji për pushtuesit. Por, Kadareja identifikon otomanët e shekullit të XV me kulturën e fesë islame, ndërkaq, europianët me fenë dhe kulturën e katolike. Pasi që Kadareja izolon identitetin në dy grupe të mëdha “evropian” dhe “joevropian”, atëherë del se njëra nga këto është e bardhë e tjetra e zezë. Një faktor tjetër relevant në lidhje me fjalën “evropian” është se kjo fjalë ka një lidhje racionale me fjalën “shqiptar”, “katolik” dhe “identitet”; Shqptarët me një identitet tjetër do të kenë vlerë dhe status të lartë në politikat ndërkombëtare, sepse këto të tria së bashku përbëjnë një trup.
Shqiptarët + katolicizmi = identiteti evropian
Shqiptarët + muslimanizmi = identiteti joevropian
Feja katolike është një lidhje natyrore në mes identitetit dhe shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund më të durojnë fetë, kulturat joevropiane dhe identitetin e lindjes. Këta nuk duhen të jenë të ndikuar nga kultura islamike, nga muzika e popujve tjerë, nga letëesia turke dhe arti arab. Populli shqiptar duhet ta ketë të thellëngulitshme kujtësën se “katolicizmi i hershëm” nuk është vetëm një fjalë retorike, por edhe një lidhje natyrore që i shpëton shqiptarët politikisht.
Kadare përdorë fjalën “evropian” si një kontrast për fjalën “joevropian”. Kjo ndodh edhe me fjalën “katolik” dhe “mysliman”. Mbiemri “evropian” dhe fjala “identitet”, të cilat janë të fortlidhura me emrin “shqiptar”, luajnë për Kadarenë një rol qendror rreth asaj se, si do të duket ardhmëria politike e kulturore për shqiptarët. Botëkuptimi i shkrimit është se ardhmëria e shqiptarëve është e varur nga “rikthimi në rrënjët e katolicizmit” . Kadare thotë: “Një pjesë e madhe e politikanëve flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të gjithë gamen që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze maoist”.
Botëkuptimi i ndërtuar mbi sindromën e viktimës
Shohim se si fjalët “Europa” dhe “perëndimi” qëndron si bllok dhe si një armik kokurrues i bllokut tjetër; “Lindjes”. Shkrimi ndanë, përsëri, botën në bazë të feve, kulturave e traditave. Përsëri mungon mirëkuptimi për traditën, gjuhën dhe kulturën e popujve tjerë; shkrimit i mungon durimi për të lejuar e pranuar komunikimin dhe rrjedhjen e lirë të kulturave në mes popujve.
Bindja rreth idesë se shqiptarët janë viktima të një feje tjetër, është temë qëndrore e Kadaresë. Shqiptarët janë të pafajshëm. Roli i viktimës dhe domosdoshmëria e popullit shqiptar për tu mbrojtur nga armikët e jashtë, veçanërisht nga Lindja e mesme, Kina e ish-republikat sovjetike, përmendet jo rrallë në shkrimet e Kadaresë. Për shembull: “ Që nga ajo kohë Evropa, më saktë Evropa atlantike nuk pushoi së qeni xanxa kryesore për shqiptarët” dhe “U duk sikur kontinenti mëmë, i penduar për harresën e gjatë, po kujtohej më në fund për popullin e braktisur”.
Analiza e grupimit të fjalëve zbulon një botëkuptim i cili është i ndërtuar mbi një sindromë të viktimës dhe që nënvizon idenë se “myslimanizmi” ka shkatërruar identitetin dhe ardhmërinë e shqiptarëve. Shkrimi ndërton një botëkuptim se evropianizmi është shpëtimi i shqiptarëve.
Shkrimi ndërton një botëkuptim, i cili shqiptarët historikisht i paraqet si popull puthadashës e vullnetarë të rrënjëve të krishterimit, ndërkaq feja myslimane, është fe e imponuar me dhunë e me gjak. Shqiptarët gjithmonë kanë ngritur kokën për t’u rikthyer në rrënjët e veta të katolicizmit. Për shembull Kadareja në fjalinë e tij thotë: “...dhjetëra-mijëra të rinj myslimanë shqiptarë me 1981-shin e 1991-shin, kërkuan rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar, aspak për arsye fetare, por thjesht për të treguar se populli i tyre kishtë qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve.” Kështu, publiku kupton se Shqiptarët gjithmonë kanë luftuar për fe, e jo për atdhe. Dhe, bash vendi, Kosova, aty tek Gazimestani, ku u mbrojt krishterimi, nga serbi Car Llazar, në betejën e vitit 1389, tani janë myslimanë shqiptar, nga ish-Jugosllavia, që po e bëjnë një mbrojtje të tillë. Kufiri në mes historisë dhe mitologjisë zbehet dhe vështirë të dallohet: dominon bota mitologjike mbi atë faktike.
Ndërtimi i publikut
Burke në artikullin e tij “Retorika në librin Mein Kampf të Hitlerit”, shprehet se çdo lëvizje, e cila rekruton simpatizuesit, përkrahësit e vet nga grupe të ndryshme, duhet të ketë një pikë fikse (Burke 1997: 9). Hitleri e kuptoi se libri i tij “Mein Kampf” nuk duhet të jetë vetëm një ide kryeqendrore, por gjithashtu edhe një Mekë gjeografike. Përderisa Hitleri me vetëdije zgjodhi Munchen-in si epiqendër të bashkuar fikse dhe një Mekë gjeografike, zgjodhi Kadareja demonstratën e “të rinjëve myslimanë” të vitit 1981 dhe 1989, me epiqendrën e bashkuar fikse Prishtinën, pra Kosovën. Meka gjeografike dhe epiqendra e bashkuar fikse dhe materializuar, është tani, besueshmërisht, Kosova.
Ky shkrim është një shembull i mirë për diskursin retorik, i cili publikut mund t’i japë identifikim. Duke e përmendur “marrëveshjen e Shqipërisë së vogël me kontinentin e madh evropian”, duke e cekur ngjyrën e lëkurës si cilësi dhe vlerë njerëzore dhe duke mbitheksuar “katolicizmin”, shkrimi kërkon të ndërtojë një identitet të ri shqiptar; është ky një identitet që botës, në Luftën e Dytë Botërore, do i kushtonte me më shumë se 55 milion njerëz të vrarë; është ky një identitet që forcat e errëta, të përkrahura nga terrorist të llojit “Ala bin Laden”, e të fshehura pas idesë se bota duhet t’i takojë vetëm një religjioni e kulture, po e vret e po djeg qytetërimin me përmasa planetare. E, kjo është e rrezikshme, tragjikisht shumë e rrezikshme.
Historia është element me rëndësi. Bashkëdyzimi i së kaluarës kulturore, religjioze dhe nacionale me të sotmen, me të tashmen dhe me të ardhmen, mund të krijojë një ndikim të fuqishëm ideologjik tëk publiku. Kadareja njeh gjuhën, kodin e shoqërisë shqiptare, mentalitetin dhe qëndrimin e tij. Ai shkrihet në masën; Kadareja bëhet një pjesë e saj. Duke përdor përemrat personalë “ne” dhe “ynë”, shkrimi kërkon të ndërtojë një identifikim me publikun.
Përmes retorikës ndërtuese, shkrimi kërkon e dëshiron të ndërtojë popuj me “vlera të mëdha”, d.m.th. popuj me rëndësi të madhe, si dhe popuj me “vlera të vogla”, d.m.th. popuj të pa vlera fare. Jemi dëshmitarë se si feja në sistemin filozofik e politik të Kadaresë është faktor relevant legjitimues për të ndërtuar një popull homogjen, të fuqishëm e evropian. Si rezultat i kësaj, njëfetarizmi, këtu, ka rol të rëndësishëm në ndërtimin e këtij identiteti.
Edhe përdorimi i miteve politike është funksional dhe i rëndësishëm, sepse mitet janë një urë lidhëse në mes të së kaluarës dhë të tashmes. Në këtë mënyrë shkrimi pretendon të ndërtojë një publik, i cili nuk është në gjendje të shohë e të përballoj dallimin në mes botës faktike dhe botës mitologjike.
Përpos kësaj këtu hasim edhe pyetje retorike; si për shembull: “Është Shqipëria Evropë, a s’është Evropë? Është Lindje a Perëndim. Është më shumë Perëndim se Lindje.Është më shumë myslimane se e krishterë.” Dëshira e shkrimit është që publikun e tij ta pozicionojë tek veprimet mitologjike, historike, religjioze dhe politike. Kjo strategji retorike është karakteristike e veçantë dhe dalluese e retorikës ndërtuese.
kosova sot
Krijoni Kontakt