T'ia ruajmë frymën shqiptare Manastirit

Qenan HASANI

Manastir, 12 gusht - Edhe përkundër krizës globale ekonomike, edhe sivjet ashtu si dhe vite më parë, mërgimtarët shqiptarë të Manastirit në botën e jashtme, sidomos ata të vendeve tejoqeanike, me shumicë pushimet e verës i kalojnë në vendlindje. Për dallimet nga vitet e mëparshme, sivjet më në numër janë ata të punësuar në shtetet e zhvilluara të Evropës, kurse ata nga Australia e largët, janë më pak. Por, megjithatë, fshatrat e manastirit gumëzhejnë nga zhurma e tyre. Me ardhjen masovike të mërgimtarëve, kuptohet, fillojnë edhe dasmat. Edhe sivjet u bënë shumë dasma, pothuaj për çdo ditë dëgjohej muzika shqipe, por për dallim nga më parë, tani manastirasit e rinjë më rallë martohem për në Australi, kurse më shumë për vendet evropiane. Shkaqet i ndërlidhin me largësinë, kështu që shumica thonë se nga vendet evropiane, mund të vijnë në vendlindje në çdo kohë e për çdo rast. Në takimet e shpeshta me mërgimtarët, ata thonë se kanë ardhur për t'u çmallur me të afërmit, me viset ku e kanë kaluar fëmijërinë të tyre, por edhe për të kryer edhe ndonjë punë, respektivisht për të blerë ndonjë shtëpi, për çdo rast.

Këto ditë të kësaj vere, ndër të tjerët e takuam edhe mërgimtarën nga Australia, Mefail Malikun, djalin të Malik Malikut, i cili atdhetarizmin të tij e dëshmoi me luftën për çlirimin të Kosovës, me ç'rast ai këtë luftë ndihmoi me 80 mijë dollarë, kurse dy djemtë e tij, Mezaili dhe Zerushi, me nga 50 mijë dollarë, duke mos mbetur prapa edhe nipërit e tij. Mefaili, me të ardhur ka blerë shtëpi mu në mes të qytetit të Manastirit. Në bisedë e sipër, ai shfaq dëshirë të madhe të qëndrojë, të paktën nja dy ditë në Kosovën e lirë, ta shijojë shijen e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, siç shprehet ai. "Kosova ka qenë plaga jonë më e madhe. Nëse ajo plagë u shërua, kanë mbetur edhe plagë të tjera, nga se çështja shqiptare akoma nuk është zgjidhur ashtu siç duhet, ashtu siç e imponon vetë shtrirja natyrore hapësinore e shqiptarëve në këto troje.

Mefaili që ka shtëpi edhe në fshatin Këshavë, edhe në fshatin Llazhec, me indinjatë të thellë do të komentojë edhe moslejimin për rindërtimin të xhamisë në kët fshat, me ç'rast do të thotë: "Si është e mundur që ne në Australi kemi të drejtë të ndërtojmë objekte fetare kur të duam dhe sa të duam, kurse këtu në tokën tonë nuk na lejohet ta rindërtojmë xhaminë, duke qenë edhe hapësira ndërtimore në pronësi tona. Neve shqiptarëve këta na trajtojnë si të rënë nga Marsi. Kjo ç'po ndodh këtu, është e pakuptueshme dhe e pabesueshme. Nëse tenton që këtë fenomen t'ia sqarosh ndonjë australiani, ai kurrë nuk do të bindet se kjo është e vërtetë", thotë Mefaili. Mefaili nuk ngurron të thotë dhe të apelojë se të gjithë shqiptarët, kudo që janë larg vendlindjes, sidomos ata të Australisë, të blejnë shtëpi të tyre në qytetin e Manastirit, sikur edhe ato të mbeten boshe, vetëm sa për t'iu kthyer qytetit të Alfabetit fryma shqiptare, ashtu siç e ka pasur dikur, kur ky qytet ka qenë i banuar me shumicë shqiptare.

"Ne, "australianët", thotë ai, të gjithë jemi në gjendje që të blejmë nga një shtëpi të bukur mu në mes të qytetit. Dhe, kjo duhet bërë për hirë të historisë sonë. Ne shqiptarët kemi dobësi tolerancën, por këta sa më shumë që i tolerojmë, aq më shumë na shtypin", thotë ai me bindje se së shpejti, rrugës së tij do ecin edhe mërgimtarë të tjerë. Kohëve të fundit, sidomos pas ngjarjeve të 2001-shit, kur maqedonasit ishin të bindur se shqiptarët do ta braktisin qytetin të tyre, ndodhi e kundërta. Shumë shqiptarë të këtushëm, por edhe mërgimtarë nga shtetet e Evropës, kanë blerë shtëpi të maqedonasve. Është mirë dhe paralajmërim optimist se një gjë të këtillë do ta bëjnë edhe ata të Australisë e ata të SHBA-ve, edhe pse tani për tani, nuk e kanë ndërmend të kthehen në vendlindje ose në trojet shqiptare.