NJË KONTRIBUT ME NJË KUPTIM TË VEÇANTË
- 600.000 USD - për një kishë dhe një xhami në Kosovë -
Djegia e kishave dhe e xhamive nuk inkurajon drejtësinë dhe paqen, sigurisht as progresin. Përkundrazi, na rikthen në kohë dhe praktika, të cilat e lanë Ballkanin në prapambetje, në përçarje dhe në tragjedi.
Të gjithë ata që e implikojnë besimin në aktet e dhunës, në thelb dhunojnë frymën e fesë. Cilido, sado të drejtë të këtë, ai duhet të respektojë shenjtërinë dhe rolin që kanë vendet e shenjta të kultit. Ato duhet të jenë qendra pajtimi dhe paqeje dhe jo vatra të konservimit të armiqësive.
Vetëm me bashkekzistencën paqësore të komuniteteve fetare mund të ketë progres të vërtetë shoqëror. Në Shqipëri, myslimanë dhe të krishterë, këtë parim përpiqemi të respektojmë: të bashkëjetojmë dhe të bashkëpunojmë në harmoni.
Kthjelltësia e tolerancës fetare dhe forca e dashurisë duhet të mposhtin urrejtjen e verbër që të çon në konflikte të njëpasnjëshme. Gjatë shekullit të 21-të, kudo dhe sidomos në rajonin e Ballkanit, pavarësisht nga komuniteti kombëtar apo fetar, të cilit i përkasim, thirremi për të luftuar për bashkekzistencë paqësore, me respekt reciprok dhe solidaritet. Me këtë bindje, Kryepiskopata Orthodhokse e Tiranës mori vendimin e mëposhtëm:
Ofrojmë 600.000 USD - për restaurimin e një kishe dhe të një xhamie në Kosovë - ose për ndërtimin e një qendre rinore që do të inkurajojë bashkekzistencën paqësore. Kjo shumë merret nga fondet që kemi mbledhur me shumë mund për ndërtimin e Katedrales në Tiranë.
Transferimi i kësaj shume do të kryhet me kompetencë, me qëllim që të garantohet përdorimi i drejtë i saj, sipas kuptimit të veçantë të kësaj iniciative.
Tiranë, më 26.3.2004
+Anastasi
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit
dhe i gjithë Shqipërisë
Krijoni Kontakt