Cila është e ardhmja e martesës?![]()
![]()
![]()
Osho Rajneesh
Njeriu e ka kapërcyer familjen. Dobia e familjes ka marrë fund, ka jetuar tepër gjatë. Por meqë ajo përbën një nga institucionet më të lashta, vetëm personat shumë të ndjeshëm arrijnë ta venë re se martesa ka vdekur. Të tjerëve do t‘u duhet shumë më tepër kohë.
Martesa e ka bërë detyrën e saj, e nuk ka më kuptim në kontekstin e ri të përgjithshëm, apo në gjirin e njerëzimit të ri që po lindet. Ajo ka bërë mirë dhe keq. Ka bërë mirë, sepse për meritë të saj njeriu ia ka dalë të mbijetojë, por ka sjellë shumë dëm sepse ka korruptuar mendjen njerëzore. Në të shkuarën nuk kishte alternativa, nuk ishte e mundur të zgjidhje diçka tjetër: ishte një e keqe e domosdoshme. Në të ardhmen nuk ka për të qenë më kështu, e do të jetë e mundur të kihen alternativa. Simbas mendimit tim e ardhmja nuk do të kufizohet në një model të vetëm, por do të ofrojë shumë e shumë alternativa. Nëse ndokush do të donte të kishte një familje, do jetë i lirë ta ketë, por ai do bëje pjesë në një përqindje të vogël. Ka familje në këtë Tokë- shumë pak, jo më shumë se një përqind-që janë të bukura dhe të dobishme, ku rritja vjen në mënyrë të vetvetishme, ku nuk egziston autoritarizmi, lojnat e pushtetit e pronësia, ku jeta e fëmijëve nuk çohet dëm dhe gruaja nuk përpiqet të shkatërrojë bashkëshortin, ose anasjelltas, ku janë të pranishme dashuria dhe liria, ku njerëzit bashkohen për gëzim e jo për tjetër gjë, ku politika nuk egziston. Sigurisht, kjo lloj familjeje ka egzistuar e vijon të egzistojë edhe sot. Nuk është e nevojshme që këta njerëz të ndryshojnë: në të ardhmen do mund të vijojnë të jetojnë në familje. Po për pjesën më të madhe, familja është një realitet i tmerrshëm. Nëse pyet psikologët, do të të thonë se të gjitha llojet e sëmundjeve mendore prodhohen nga familja. Të gjitha neurozat dhe psikozat i detyrohen familjes. Familja ka krijuar një qënie njerëzore shumë të sëmurë. Sot ajo nuk është më e domosdoshme; duhet të pranohen alternativat.
Familja po zhduket, martesa është në shpërbërje, miqësia po merr fund…shkëlqyeshëm! Në të vërtetë, më në fund do mbetesh vetëm me vetveten. Njeriu primitiv nuk ishte gjë tjetër veçse një numur në përbërje të tribusë. Ishte qënia njerëzore më e pazhvilluar, më afër shtazës sesa njeriut. Është diçka e mirë që tributë janë zhdukur.
Zhdukja e tribusë ka bërë të mundur krijimin e familjeve. Në atë shkallë zhvillimi familjet përfaqësuan një përparësi shumë të madhe, sepse nëse tributë ishin një grup i madh, familja përbënte një bashkësi të vogël: në këtë të fundit kishte më shumë liri se në të parin. Tributë ishin diktatoriale dhe të plotfuqishme: kryetari i tribusë kishte pushtet edhe për të të vrarë. Në vendet e pazhvilluara egzistojnë ende tribu; në Indi ka disa tribu aborigjenësh.
Kam qenë në këto tribu. Arrita të emërohem profesor në Raipur vetëm sepse aty afër, në Bastar, jeton tribuja më primitive e Indisë. Bastari është një territor i vogël tribal, ku njerëzit jetojnë ende lakuriq dhe hanë mish të gjallë. Ndoshta zakonet e këtyre njerëzve shtyhen deri në epokën kur zjarri nuk ishte zbuluar ende, ndaj dhe kanë vijuar të jetojnë sikur zjarri të mos egzistonte fare. Janë shumë të thjeshtë e të pafajshëm, po për gjithë ç‘lidhet me tribunë, konvencionet dhe zakonet e tyre janë rreptësisht dogmatikë. As që mund të merret në konsideratë ideja se ndonjeri prej tyre mund të rebelohet: do të vritej menjëherë e do t‘u sakrifikohej perëndive, sepse rebelimi i tij do të shkaktonte trazira, gjë të cilën tributë nuk mund ta lejojnë. Tribuja ndjek traditën e krijuar nga vetë Zoti. Duke mos pasur Shkrime e as gjuhë të shkruar, priftërinjtë (të cilët janë edhe kryetarë tribush) i zotërojnë të gjitha pushtetet. Është e pamundur që ndokush të rebelohet e mandej të mbetet gjallë, ashtu siç është e pamundur edhe të arratiset, sepse në botën e jashtme nuk pranohet nga asnjë vend. Jashtë tribusë nuk njohin kurrfarë gjuhe. Jetojnë lakuriq…i vetmi rast kur ata hedhin mbi trup një veshje të lehtë ndodh më datën 26 janar të çdo viti, kur një grup i vogël shkon në Delhi për të marrë pjesë në kremtimet e festës së Republikës. Vetëm një grup i vogël mëson të flasë në gjuhën hindu dhe të vishet, sepse atyre u është thënë: „Nuk mund të paraqiteni lakuriq në Delhi, mbi të gjitha kur të kaloni përpara presidentit, kryeministrit e tërë ambasadorëve dhe miqve të ardhur nga gjitha vendet e botës. Së paku në këto raste duhet të jeni të veshur siç duhet“. Kjo është arsyeja se pse ata të cilëve u mësohen ca gjëra përbëjnë një grup fare të vogël, gjithnjë i njëjti, prejse askush tjetër nuk pranon të merret me kësi punësh.
Duke qenë në Raipur, kaq afër tyre, shkoja shpesh për t‘u bërë vizitë këtyre njerëzve, që të mësoja se si tribuja e ushtronte pushtetin e vet. Kjo i detyrohet faktit se ajo-tribuja- nuk të vë kurrë në pozitën e rebelimit: mund të ikësh nga tribuja, por nuk do mundeshe të mbijetoje jashtë saj. Nuk njeh kurrfarë modeli tjetër jetese: Nëse në një mjedis të jashtëm do të të shihnin duke ngrënë mish të gjallë-thjesht të vrasësh një kafshë e të fillosh ta hash- arrestohesh menjëherë nga policia. Nuk mund të endesh as lakuriq, sepse përfundon në burg. Nuk njohin kurrfarë zanati, e as flasin ndonjë gjuhë; gjithë çfarë dijnë të bëjnë, është e dobishme vetëm për tribunë e tyre. Përshembull, një lloj vallëzimi që ata kanë, apo një mënyre e të rënit të tamburit, nuk praktikohen askund tjetër veçse në tribunë e tyre. Për këtë arsye askush nuk mund të dalë nga tribuja: lëvizja është e pamundur.
Të jetosh në tribu dhe t‘i kundërvihesh asaj e konvencioneve që ka, është e pamundur. Kur kryetari i tribusë e zbulon, dijeni se sapo ka zbuluar një sakrifikim për zotat. Në një rast të tillë gjithë antarët e tribusë mblidhen, hedhin valle, çirren me të madhe, ndezin një zjarr të madh…e njeriu hidhet në të si sakrificë për zotat.
Tribuja ishte një mendësi kolektive; kjo mendësi është ende e pranishme në pavetëdijen tënde kolektive.
Familja asokohe përbënte zhvillim, sepse ajo të bënte pjesë të një bashkësie të vogël, duke të dhënë paksa liri. E në lidhje me ty familja përbënte një strukturë mbrojtëse. Tashmë edhe martesa po zhduket, sepse ajo që është mbrojtëse, në një farë pike përfundon të jetë diçka kufizuese.
Është si puna e një peme, të cilën, për t‘i dhënë mundësinë të rritet, e rrethon me një gardh: nëse mandej harron ta heqësh, ai nuk ka për ta lejuar bimën të rritet. Kur e pate mbjellë, pema ishte e brishtë si një gisht: gardhi duhet të shërbente për ta mbrojtur nga kafshët e nga fëmijët. Po kur trungu nis të rritet, gardhi nga mbrojtës shndërrohet në një gjësend kufizues, dhe hiqet.
Ky çast ka ardhur. Familja nuk është më strukturë mbrojtëse, por kufizuese. Ka qenë një hap i madh përpara në krahasim me tribunë, por tashmë duhet bërë një tjetër: nga familja në Bashkësi. Bashkësia mund të të japë tërë lirinë dhe mbrojtjen për të cilën ke nevojë, pa të kufizuar në asnjë pikpamje. Për këtë them se është mirë që tribuja është zhdukur dhe familja është në pikën e zhdukjes. Sigurisht, do ta ndjesh mungesën e saj sepse je mësuar me të: këto janë zakone. Kur Bashkësitë do jenë të pranishme në tërë botën, do befasohesh se ke gjetur një pafundësi xhaxhallarësh e tezesh, duke humbur vetëm një baba dhe një nënë. A nuk është fitim ky? Ndërsa të kesh një baba dhe një nënë është psikologjikisht e rrezikshme, sepse nëse fëmija është mashkull, ai do fillojë të imitojë të atin, nëse është femër, do fillojë të imitojë të ëmën: prej këtu zënë fill një varg problemesh psikologjike. Vajza imiton të ëmën, por në të njejtën kohë e urren ngaqë është grua dhe do babain. Është një fakt absolutisht shkencor, i provuar, biologjik: vajza do të atin dhe urren të ëmën. Por duke mos mundur të imitojë babain, meqenëse ajo është femër, imiton të ëmën.
Djali do të ëmën sepse ai është burrë ndërsa ajo grua, gruaja e parë e jetës së tij: e do të ëmën dhe urren të atin. Është xheloz për të atin edhe pse babai dhe nëna e duan njeri-tjetrin, gjë të cilën nuk mund ta tolerojë. Fëmijët e vegjël e shfaqin këtë në shumë mënyra: nëse babai dhe nëna flenë në shtrat, ai futet në mes të tyre; jo sepse i dëshiron të dy, po për t‘i ndarë: „Largohuni!“.
Edhe vajza është xheloze për të ëmën. Do të donte të zinte vendin e saj për të qenë objekt i dashurisë së të atit. E kjo nuk është e vërtetë vetëm për fëmijët: nëse babai tregon tepër dashuri për të bijën, gruaja nis menjëherë t‘i hapë telashe; nëse nëna është tepër e dashur me të birin, babai nis të ndjehet i mënjanuar.
Hap mbas hapi babai dhe nëna dalin nga skena, e brënda një kohe të shkurtër zhduken. Por tek fëmijët lënë një çrregullim të thellë psikologjik. Tashmë vajza do ta urrejë të ëmën për tërë jetën, e gjithçka që i ngjajë asaj do jetë objekt urrejtjeje për të. Dhe, e çuditshme të thuhet, do të sillet egzaktësisht si ajo, gjë për të cilën do urrejë edhe vetveten. Duke parë fytyrën e vet në pasqyrë, asaj do t‘i kujtohet e ëma; duke vëzhguar sjelljen e vet, do të kujtohet për të ëmën. Dhe e njejta gjë do të ndodhë edhe me djalin. Ky çrregullim është përgjegjës për pothuajse pesëdhjetë përqind të problemeve psikologjike të burrave dhe grave në të gjithë botën. Bashkësia do ketë një shëndet mendor më të mirë. Kjo është e mundur vetëm brënda një Bashkësie, sepse fëmija…sigurisht që do lindet nga një baba dhe një nënë, por ata nuk do të përbëjnë të vetmin kufi të horizontit të tij. Do të endet nëpër Bashkësi dhe të gjithë burrat që kanë moshën e babait të vet do bëhen xhaxhallarët e tij: dhe xhaxhallarët janë njerëz të mirë. Babai është gjithnjë disi i rreptë, për shkak të rolit që ka. Është njeri autoritar dhe duhet të tregojë pushtetin e tij për t‘i imponuar djalit disiplinë.
E njejta gjë vlen edhe për nënën: duhet të disiplinojë vajzën. Ka frikë për atë që ajo mund të bëhet nëse nuk ndryhet brënda një modeli që i përshtatet shoqërisë. Këtë e bën për shkak të dashurisë dhe të qëllimeve të mira…Tezja ama nuk përpiqet të imponojë asgjë. E kur të jenë kaq shumë xhaxhallarë dhe teze, lind një fenomen shumë më i rëndësishëm: në mëndje nuk mbartet imazhi i një njeriu të vetëm. Djali mbart në kokë imazhin e së ëmës, dhe kërkon për bashkëshorte vetëm një grua që i ngjan asaj. Po ku mund ta gjesh nënën tënde? Pra do të dashurohet me një grua të ngjashme, por ngjashmëria nuk do t‘i hyjë fort në punë. Njerëzit ndjehen të tërhequr prej gjërave të çuditshme: ngjyra e flokëve, mënyra me të cilën një grua ecën, ngjyra e syve, gjatësia e hundës, linjat e trupit. Nëse ka ndonjëfarë ngjashmërie...Por nëse ngjashmëria kufizohet në një gjë të vetme, si përfundon pjesa tjetër?
Përktheu: Shpëtim Kelmendi
Krijoni Kontakt