Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 29
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232

    Atë Pjetër Meshkalla S.J.

    “AT PJETËR MESHKALLA S.J.” (1901-1988)

    Fritz RADOVANI

    PJESA E PARË

    Mos u habitni!...
    Kam dishirë me shkrue për një Burrë që thirrej “Pjetër”, që don me thanë “gúr” e, që, me të vërtetë kje gúr, një prej Atyne gúrve të Kishës Katolike Shqiptare, kundër së cilës dyert e ferrit s’mujtën me fitue. Sa do të mundëm me qitë në pàh karakterin e Tij burrnor e fisnik e, mbi të gjitha até atdhetar e fetar e, kryesisht përpjekjet e Tija për unitetin e Atdheut, këte, nuk e di, mbasi unë do te duhëj me pasë një kulturë të gjanë për me e përshkrue Até e, që mjerisht komunizmi né na la pa atë kulturë.
    Ky asht i Nderuemi At (Padër) Pjetër Meshkalla S.J. ose, si e njohti gjithë Shqipnia: PADËR MESHKALLA.

    Padër Pjetër Meshkalla S.J. Meshtar Katolik, jezuit shqiptar i “Shoqnisë Jezu – S.J.”, ka lé në qytetin e Shkodrës, me 25 shtator 1901, në një shtëpi përdhese në fund të rrugës së “Daulles”, në krahun e majtë, aty, ku sot banon Zef Alimhilli.

    Mbas mësimeve të para që mori në vendlindje, shkoi për studime teologjike në Linz të Austrisë. Atjé, në vitin e dytë u sëmue, kështu, në vitin e tretë u bashkue me Don Kolec Prennushin, që ka kenë daja i em dhe sëbashku vazhduan studimet deri në vitin e fundit. Don Koleci, ishte një vit ma i ri (datlindja 1 janar 1902) dhe vdiq i ri me 2 korrik 1950, mbas 11 muejsh hetuesi në Shkodër. Ai vdiq prej zemrës, që, sidukët, iu shkatrrue prej torturave të Sigurimit të Shtetit komunist. Nana e Tij, pra, gjyshja eme që e thirrshim Nana Nine, çdo ngjarje të jetës së Don Kolecit dhe të rinisë studentore të Tij, e lidhte me Padër Pjetër Meshkallën, që aso kohe ishte në burg, kohë në të cilën unë nuk e njihja fare, mbasi kur ishte arrestue Ai në vitin 1946, në Tiranë, unë kam kenë i vogël 6 vjeç, në Shkodër.

    Gjyshja na tregonte se, kur djelmët ishin në Austri (kështu i thërriste ajo, mbasi i konsideronte të dy të vetët), gjatë Luftës së Parë Botnore, të dy kishin humbë për 10 muaj dhe nuk kishin asnjë dijeni ku ndodhëshin ata. Aq e kishte vuajt atë kohë, sa për pak javë na thonte gjyshja, më kanë rá të gjithë flokët e kresë, mbasi flitëj se atje gjendja asht shumë e randë dhe e vështirë, madje, ma keq se në Shqipni. Njerëzit vdiqnin urije. As shkolla e as konvikte nuk kishin funksionue mâ. Lufta kishte marrë përmasa përditë e ma të mëdha.

    Një mjek ushtarak austriak që, aso kohe banonte në shtëpinë e gjyshit tem Pjetër Prennushit ose, siç njihëj nga rusnjanët Tukja i Kol Dedës, që ishte edhe vëllau i madh i At Mati Prennushit O.F.M. (Provinçial i Fraçeskanve të Shqipnisë, që u pushkatue me 11 mars 1948), i premton gjyshit, se, nëpërmjet ushtarëve austriakë që shkonin me çue informacionet në Vienë, ai mund të dërgonte atje edhe një paketë të vogël me ushqime, rreth 500 gr. ku futeshin dy rriska bukë të thata dhe në mes të tyne edhe dy rriska proshutë për me ia çue Kolecit në Linz. Paketa nisëj çdo dy ditë, por përgjigje nuk vinte ma prej andej, mbasi ushtarët nuk këthenin ma në Shqipni. Lidhje tjera nuk kishte.

    Kur mbas 10 muajsh të humbun pushoi Lufta, djelmët u kthyen të dobsuem asht’ e lëkurë në Shqipni dhe treguan se kishin jetue në një shtëpi të një austriaku, që nuk kishte pasë bukë as për vedi, por jetesa e tyne ishte kenë dy rriskat e bukës së thatë e proshuta që shkonte nga Shqipnia e, që, njenën e kishte hangër Koleci, ndërsa, tjetrën ia kishte dhanë shokut të vet Pjetrit. Ç’ prej asaj kohe e deri në vdekje, Padër Pjetër Meshkalla, ka kenë një Mik i përjetëshëm i familjës sonë, kushrinjve me nipa e mbesa të Don Kolecit.
    Mbas këthimit në Shqipni, daja u ba prift. Pjetri, zgjodhi rrugën e Urdhnit Jezuit S.J. Ai vazhdoi plotësimin e moshës 33 vjeçare me studime mbasuniversitare në Poloni, Itali etj. dhe mbas Shugurimit meshtar u këthye në Atdhé, ku filloi punën si mësues në shkollën fillore të Jezuitëve në Shkodër e, ma vonë profesor në Seminarin e tyne.
    Kur nana e Tij Agëja, shkonte me e pa P. Pjetrin të mbyllun në kuvendin e Jezuitëve në kohë dimni, pa zjerm e pa ngrohje, u zemronte me të birin dhe i thonte: “Ik mor prej këndej, pse rrin këtu, bukuri Don Koleci, prift e me të gjitha kushtët...”. Ajo bisedonte edhe me gjyshen tême për këte problem, por kot!... Ai nuk këthehëj mâ prej rrugës që ishte nisë, rrugë në të cilën Ai mbylli jetën e Tij plot lavdi, me 28 korrik 1988.
    Kishte kënaqësi të madhe kur na të rinjtë i kujtonim veprimet e nanës së Tij, me detaje ashtusi na i kishte shpjegue gjyshja né dikur... Fëtyra i merrte pamje tjetër, u çilte, qeshte, maparë se çdo pjesë tjetër e fëtyrës i qeshnin sytë, që i vezullonin e, për ata që e njohtën, ata sy janë të paharrueshëm për ambëlsinë joshëse të Tyne, por, edhe për shkëndijat që nxirrnin kur e lypte rasa. Besoj i kujtojnë mirë Ata sy të gjithë atá që ishin të ulun në podin e Institutit Pedagogjik të Shkodrës e, besa edhe ata që folën prej auditorit, mbasi edhe na që ishim në rrugë, kurrë nuk mund të harrojmë Burrin e shkurtë mjedis oficerave e xhelatëve të Sigurimit, që e morën me mendimin se mosha e madhe do të bante të vetën e, populli i Shkodrës nuk do ta shihte kurrma....

    Unë e njohta Padër Meshkallën për fëtyrë, mbasi doli prej burgut të parë aty nga vitët 1961-62, kur erdhi për vizitë në shtëpinë tonë, që, tashma nuk ishte as Don Koleci, por as nana Nine, e cila pak kohë maparë kishte vdekë, po ishin motrat e Don Kolecit, ose ma mirë me thanë edhe motrat e Tija, të cilat i deshti dhe i respektoi si një vëlla i mirë i tyne. Vinte shpesh sepse gjente ngrohtësinë e të gjithëve, dashni e ngrohtësi të cilën Ai e gjeti në të gjitha votrat e Shkodrës, ose ma mirë me thanë në secilin prak dere ku i shkeli kamba.

    Kujtoj njëditë, e pashë tek dera dhe simbas zakonit e ftova me hy mbrend për një kafe, por ai nuk erdhi, më diftoi se ishte nisë për vizita të largëta prej shtëpisë, po shkonte për festën e Bajramit ndër disa miqë Myslimanë. Të parën vizitë e bante tek Hafiz Ali Tari, mandej me radhë për tri ditë shkonte ndër shtëpijat e atyne Myslimanëve, për të cilët ruante kujtime të mira nga jeta e burgut që kishte kalue me tá. Edhe atá ia këthenin vizitën, por, ajo që do të vê në dukje asht tjetër gja, se, kur hyni të dytën herë në burg ata e kujtuan dhe e ndihmuan edhe materialisht deri ditën që doli prej burgut. Lutja e Tij ishte e barabartë e me fryt për të gjithë padallim Feje, fjala e Tij ishte mësim e dashni për të gjithë. Ai gjithmonë përsonifikonte të vërtetin dhe të pagabueshmin. Fjala e Tij nuk diskutohëj prej askujt.

    Ja, çfarë shkruan për Té, i nderuemi Prof. Arshi Pipa: “ ...në kjoftë se kam shpetue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohëm lutjeve të njerëzve si, Padër Meshkalla e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.” (Intervistë e dhanun për revistën “Kumbona e së Diellës” Shkodër,1993).
    Tregojnë, se, kur bahëj ndonjë debat në diskutimet që zhvillonin të burgosunit mes besimeve të ndryshme, për problemët filozofike apo teologjike, Hafiz Ali Tari, ndër fetarët ma të kulturuem të Fesë Myslimane, u thonte të gjithve në mënyrë të preme: “...Kjo çeshtje qëndron kështu, sepse, kështu, ka thanë edhe P. Meshkalla!”.

    Po, në burg të Burrelit, njëherë i nderuemi Ibrahim Biçaku (ish kryeministër i Shqipnise në 1944), nuk binte dakord me të nderuemin Gjergj Kokoshi për një problem filozofik në fushen politike e, për me përcaktue përfundimin e bisedës vëndosën me e mbyllë bisedën ashtusi do të thonte P. Meshkalla.... Ai me të gjithë bisedonte për çdo problem papritesë, madje, me dashamirësi. Ai i kishte vue vedit detyrë që duhët të bajmë çka asht e mundun për unitetit e Atdheut dhe përparimin e tij.

    Duhej “thérë” për me e ba me folë, atëherë, ata që e njohtën, besoj e kujtojnë portretin e Tij fisnik, të vendosun e të pakëthyeshëm. Fliste me buzë të afrueme, nofullën paksa e shtërngonte, me zâ të lehtë e, mollzat e faqeve i kuqeshin si dy kokrra qerrshia, që e banin edhe ma të freskët fizionominë e Tij, merrte pamje me ngjyrën e bukur të një djalit të rinj si të një drandofillës, ashtusi kishte edhe forcën e Shpirtit.

    (vijon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Labeati : 10-08-2005 më 23:10

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    “AT PJETËR MESHKALLA S.J.”

    (vijim)

    Në rrethët “Shën Gjon Bosko” të themeluem në Shkodër, në vitin 1934, si, edhe atë të “Shën Pjetrit” në Tiranë, në vitin 1937, Ai bani një punë të madhe me të rinjtë, sidoemos kundër ideve komuniste, ateiste e antiatdhetare që po përhapëshin aso kohe në Shqipni.

    Në pranverën e vitit 1940, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga Italia fashiste, e cila veç tjerash kishte dhunue edhe Flamurin tonë Kombëtar, P. Meshkalla bashkë me At Gjergj Fishtën (që ndodhej për vizitë në famullinë e Tij, në Tiranë), u folën nxanësve që ata mos me përshëndetë në mënyrën fashiste. Për këte Ai asht konsiderue “i padëshrueshëm” nga autoritetët fashiste.

    Kujtimet e nxanësve të Tij pasunojnë veprën atdhetare të periudhës së pushtimit fashist, nazist e ma vonë atij sllavo-komunist, për të cilat vepra kanë shkrue e do të shkruajnë, mbasi ata nuk e harrojnë asnjëherë mësuesin e tyne P. Meshkallën. Madje, ata në shênjë nderimi për veprat e Tija, me rastin e katër vjetorit të vdekjës i kanë ndertue edhe vorrin, ku sot prehën eshtnat e Tija.
    Pikëpamjet e Tija politike janë kenë të shprehuna haptas prej Tij dhe të njohtuna prej të gjithëve.

    Ai ishte kundër cilësdo lloj diktaturë. Ishte antifashist dhe, këte, përveç faktit sipërm, e vërteton edhe qëndrimi i Tij atdhetar dhe i premë kundër disa veprimeve në lidhje me ndonjë jezuit italian në Shkodër, gja për të cilën u transferue në Tiranë nga eprorët jezuit, në vitin 1937.

    Ai qëndroi në mendimet e Tija edhe në Tiranë, këte e vërteton letra që Ai i ka dergue Vatikanit për largimin e Delegatit Apostolik nga Shqipnia, për pikëpamjet e tija fashiste dhe antishqiptare. Ndoshta, për këte komunistët e quajtën “fashist”!...

    Ai ishte kundër nazizmit dhe për këte flet fakti i strehimit të popullsisë së Tiranës, në refugjion pranë qelës së Tij, kur, ata po ndiqëshin nga forcat gjermane. Ishte P. Meshkalla, ashtusi shumë klerikë tjerë, tue perfshi këtu edhe misionarët Don Alfons Tracki e At Zef Maksen (të dy të pushkatuem nga komunistët si agjenta të nazistëve gjermanë), sepse, u dolën me gjoks përpara ushtarëve nazistë, madje, edhe ndaluan reprezaljet e tyne kundër shqiptarëve.

    Ai ishte kundër diktaturës komuniste dhe këte e vërteton gjithë jeta e Tij e martirizueme.
    Në vitin 1945, Ai u takue në një shtëpi të Tiranës me Mehmet Shehun, që njihëj një ndër terroristët e grupeve vullnetare të Spanjës, që në vitin 1936 dhe ishte P. Meshkalla, Ai, që i tha troç ndër sy se çfarë do të bajnë komunistët në Shqipni, posa të forcojnë paksa pozitat shtetnore. Kur, P. Meshkalla, i tha: “Ju, do të kërkoni me zhdukë Fenë me dhunë, se, ky asht parimi i parë i komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin dhe, Kishat e Xhamijat ju do ti këtheni në klube dhe kinema.” Mehmeti, iu përgjigjë: -“Kjo asht vetëm propagandë e atyne që nuk e donë pushtetin tonë popullor dhe, kërkojnë me na armiqësue me popullin, kjo nuk do të ndodhin kurrë në Shqipni!”...Më tregonte dhelpninë e Mehmetit për me mujtë me hjekë një ashkël në kokën e P. Meshkallës, në lidhje me shkëputjen e Klerit Katolik Shqiptar nga Vatikani dhe Papa. Përgjigja e P. Meshkallës merrët me mend cila ishte!...

    Një prej nxanësve të Tij me tregonte njëherë, se një prej shokëve të shkollës tue luejt me top kishte thye një xham. P. Meshkalla, sa hyni në klasë, u thotë nxanësve: Të çohët në kambë ai që ka thye xhamin me top! Një prej nxanësve çohët dhe i thotë: -Xhamin e ka thye X-si. P. Meshkalla mbasi e nxori nxanësin që foli para klasës, e ndëshkoi me një shputë dhe i tha: Unë nuk të thashë me më tregue ti, se kush e ka thye xhamin, por kërkova me u çue në kambë ai vetë e me më tregue, mbasi kjo që ban ti asht që, ti me u ba spijuni i shokëve tuaj, prandej, të ndeshkova. Fajtori duhët të kenë guximin me diftue ai vetë fajin e vet!

    Ai ndëshkonte vesët e sidoemos até të spijunit që në shfaqjet e para. Qé, pra, kjo ishte ajo edukata jezuite që P. Meshkalla, i jepte rinisë shqiptare! E cilin ves nuk luftoi Ai?!
    Poezia “Hipokrizia” asht një dëshmi e gjallë që tregon, se me çfarë dufi Ai i luftonte vesët deri në zhdukjen e tyne:
    ...mos të jem’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji
    as varr i zbardhun jashtë, e mbrendë kufomë.
    (Lutje, prej pjesës së VII.)

    Me pat tregue njëherë sesi e kishte thirrë në Argjipeshkvi Imzot Ernesto Çoba, kohë në të cilën Ai kryente detyrën e Famullitarit të Shkodrës dhe, i kishte thanë P. Meshkallës: -A të pelqen me dijtë se çfarë ka shkrue profesori yt kujdestar në karakteristikën që ka sjellë prej Austrijet, kur ke mbarue studimet universitare? –Sigurisht që po, ishte përgjigjë ky. Imzot Çoba i kishte dhanë letrën origjinale që kishte shkrue me dorën e tij profesori austriak për P. Meshkallën dhe Don Kolecin dhe, që e kishte përcjellë këtu në Argjipeshkvinë e Shkodrës.
    Për P. Meshkallën, kishte shkrue: “...Që, asht studioz, i pregatitun në filozofi dhe teologji shumë mirë, por asht nervoz dhe kryefortë, prandej nuk ban me kenë në drejtim të Klerit. Ka aftësi dhe prirje të veçantë për organizimin dhe edukimin e rinisë.... Ndërsa, për Don Kolecin, shkruhëj që asht kenë student i shkelqyeshëm në mësime, shumë i pregatitun në filozofi dhe teologji, por asht natyrë shumë e mbyllun dhe e kemi pasë të pamuejtun me studjue në mbrendi karakterin e Tij, prandej asht e mira, që të kihet nën kujdes për me pa ma vonë natyrën e Tij.”. Mbasi me tregoi këte qeshte me atë të qeshunin e Tij karakteristik e pohonte: “...se, asgja nuk ka gabue profesori, unë nuk e kam dijtë deri tashti mbas 40 vjetësh, se, ai profesori që më donte aq shumë dhe më afronte tej mase, më paska ba atë karakteristikë pa gabue gja. Ta kishe dijtë – e thonte me të qeshun – makare, do ti ishe ruejt mos me më kuptue “kryefortësinë”, mandej, fliste gjatë për konsideraten që kishte për pregatitjën e dajës Don Kolec, vullnetin e Tij të hekurt dhe për qendrimin konseguent ndaj dogmave të Kishës, gja, të cilën e ka tregue edhe në kohën e diskutimit të “Statutit të Kishës” në mbledhjet që janë ba nga Kleri, në Argjipeshkvinë e Shkodrës, para vitit 1950, parase Ai të vdiste. Kur fliste për kambnguljën e Don Kolecit për mos me nënshkrue Statutin dhe për ato çeshtje që edhe P. Meshkalla, ishte i pakënaqun ashtusi ka kenë Ai, nuk i zente në gojë kurrë ata, që, me veprimët e tyne kanë punue për aprovimin e atij Statuti ndër ato mbledhje, por atypëraty vlerësonte pamasë qendrimin heroik të Don Dedë Malaj, i cili u pushkatue mbas një qendrimi shumë burrnor në gjyqin e Tij të famshëm dhe të paharrueshëm për popullin e Shkodrës, që u zhvillue në kinema “Republika”, në muajn prill të vitit 1959. Don Deda vdiq pa e firmue Statutin ndër të paktët klerikë. Unë ruaj kujtime të veçanta për Té dhe do ti shkruaj veçmas, mbasi meriton ma shumë se këto pak rreshta. P.Meshkalla, tregonte, se, kur ka marrë vesh vdekjën e Don Kolecit, kur ishte në Burrel, “...kam kja për të parën herë në jetën teme, kaq shumë jam pikllue. Ai ishte shoku dhe miku i vetëm i gjithë jetës seme!...”.

    Prej P. Meshkallës pata marrë vesh se, kur jezuitët banin ushtrimet e shpirtit në Kolegjen “Saveriane” të Shkodrës, Don Koleci, asht kenë ndër të paktët ata priftën që u thirrnin me mbajtë konferenca filozofike para jezuitëve. Ai më ka tregue se Don Kolec Prennushin, jezuitët e kanë vlersue aq shumë, sa vetë P. Zef Valentini S.J., e kishte cilësue: “Futuro Cardinale d’Albania”.

    Mekenëse, ra fjala për ushtrimet e shpirtit, njëherë një prift i rinj i shuguruem mësheftas në vitin 1962, nga Imzot Çoba, meqë do të hynte përherë të parë në ushtrimët e shpirtit i tregon P. Meshkallës, sesi Imzot Çoba, i kishte mësue priftit të rinj “gjashtë arësyet që njeriu duhët me heshtë!...” P. Meshkalla, i thotë atij: -“Shko e thuej Imzot Çobës, me të mësue gjashtë arësyet që duhet me folë, se, s’asht koha me heshtë ma!”...
    Kuptohët, se në jetën e P.Meshkallës, nuk ka asnjë çast vend për heshtje, sepse Ai nuk e njihte frikën, madje, jo vetëm se nuk e njihte frikën, por e luftonte edhe tek të tjerët.

    Kur e kishin çue në burgun e Burrelit Imzot Irené Banushin, Ipeshkëv orthodoks, që u dënue bashkë me P. Meshkallën, në herën e parë, disa të burgosun e kishin pyet Imzot Irenéun, se, pse ishin dënue aq shumë vite?.... Ai u ishte përgjigjë: “Mund të dënoheshim ma pak vite, po, nuk mujt me ndejë pa folë ashtusi e ka zakon P. Meshkalla!....”.

    E pra, flisni, flisni edhe ju bashkvuajtësit e Tij... Flisni, se kjo asht ajo kohë që paralajmëronte P. Meshkalla... Harroni edhe ju gjashtë kushtet që duhët me heshtë!
    Flisni ju, o nxanësit e Tij, flisni, mos heshtni... Flisni nëse, në gjakun tuaj ruani Idealin me të cilin ju mësoi dhe edukoi Mësuesi i Juaj i pavdekshëm, flisni, se koha kalon!...
    Flisni ju, o bashkqytetarët e Tij, flisni, flisni, se duhët me folë ashtusi fliste Ai!... Kurrë mos harroni porositë e Tija!...
    Ai foli e vazhdon me folë përditë, po, ju, kur doni me folë?!...

    (vijon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Labeati : 10-08-2005 më 23:13

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    “AT PJETËR MESHKALLA S.J.”

    (vijim)

    Bisedat e rrjedhëshme te Tija gjithmonë kishin një qellim, prandej, koha që kalonte njeriu me Té për të gjithë ishte një shkollë. Çdo fjalë e Tija të mësonte diçka të mangët në atë që mujshe me ditë ti. Ai nuk pritonte me u rikëthye në bisedë për me të mbushë mendjën.
    Kur rikëthehëj për me dhanë ndonjë mendim për Imzot Ernesto Çobën, e përfundonte bisedën me respekt për Té, kryesisht për mostolerancën e Tij në çeshtjet dogmatike dhe e myllte bisedën me mendimin se; vetëm Imzot Çoba, asht fakt, që asht kenë adapt për këte kohë, mbasi asnjë tjetër nuk do të kishte ditë as mujtë me veprue si Ai, për kushtet që janë kenë në Shqipni. E, me të vertetë edhe Imzot Ernesto Çoba, vdiq Martir i Fesë në labirintet e Sigurimit në vitin 1981.

    Në burgun e Burrelit me vite të tana kishin ruajt me kujdes dhe i kishin qarkullue dorë në dorë fletorët me mësimet e P. Meshkallës. Ato janë kenë gjaja ma e shtrenjtë për të gjithë ata që i kanë lexue e mësue me ta. Bashvuejtësi Frano Prendi, me tregonte për kujdesin e madh me i mëshef ato, kur bahëj kontrolli i plaçkave të burgosunve që hapeshin në oborrin e burgut në kohë shiu e dielli përvlues. Ato ruheshin si rrelike.
    Rinia ndër ato fletore lexonte të vërtetën, shihte realitetin, merrte gurtë e parë të themelëve të kulturës evropiane me të cilën P. Meshkalla, kishte edukue brezni të tana. E cilës fushë nuk i përkisnin ato?

    Për shkathtësinë apo dinamizmin e Tij asht zori me shkrue, për mos me thanë, që asht gjaja ma e vështirë, mbasi guximi dhe inteligjenca në personin e Tij ndërthureshin në një mënyrë krejt origjinale. Njëherë, e pyeta: “ Si e shpjegoni Ju, Padër, që Kleri Katolik asht i pashembullt për qëndrimin e Tij si në birucat e Sigurimit, si ndër burgje e kampe pune, ashtu edhe ndër gjyqe, që pa asnjë mëdyshje janë kenë të gjitha montazhe, për këte unë nuk kam asnjë dyshim, se kjo asht diçka e njoftun dhe e provueme, atëherë, pse ndodhi ashtu me Don Ejëll Kovaçin? (Don Ejëlli asht pushkatue me akuza false në vitin 1958. Edhe Ai nuk ka nënshkrue Statutin e Kishës Katolike të përpiluem nga Qeveria Komuniste, në vitin 1951 dhe të nënshkruem nga pjesa ma e madhe e klerit që ishte i lirë).
    P. Meshkalla, më dha këte përgjigje: -“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijë vjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjetë robnije nën Turqi, po të merrët historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar e, për 30 vjet me nxjerrë aq Heronjë sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë.

    Përsa i përket qëndrimit të ndonjenit që e kanë ligështue në tortura të pashembullta, si Don Engjullin e ndonjë tjetër, nuk duhët me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë, se po rashë në duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e, sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar. Dikush nuk ka gjetë forca për me përballue, dikush po. Unë për vedi po të diftoj çfarë me ka ndodhë kur jam arrestue në fillim. Kur hetuesi po më pyeste, unë i kundërshtova...Ai më ra një shputë dhe unë rashë përtokë... mu duk se mu hap qiella dhe i kërkova ndihmë Zojës së Papërlyeme: O Zojë, më ndihmo me bajtë këto tortura, më forco mos të ligështohëm, me ruej nën dorën Tande!... Ndoshta, askush nuk e beson, por asht fakt që gjatë gjithë hetuesisë mue vetëm një shputë më kanë ra e, ç’prej asaj dite që Ju mbështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush prej tyne me dorë!”.

    Njëditë, kur po më bisedonte për një ngjarje burgu në Burrel, aty rreth vitit 1956, e pyeta nëse asht e vërtetë apo jo, që kishte shkue me pa të burgosunit në atë burg Mehmet Shehu, mbasi ndonjëherë kriminelët kishin ândje me pa me sytë e tyne, sesi po realizohej komunizmi, kështu që Mehmeti me të vërtetë kishte kenë në Burrel dhe, kur e kishte pa aty P. Meshkallën , e kishte pyet: “Hë, a ke zenë mend apo jo P. Meshkalla?” – P. Meshkalla, ishte përgjigjë: “Zotni Kryeministër, me xanë mend xanë fëmija, unë e ti, nuk kemi çka xamë mend të tjera.”.

    Ndërsa, njëherë tjetër kur Mehmeti ishte atje bashkë me gjeneral Gjin Markun, e ngucën P. Meshkallën, për me pa a ia ka dobësue guximin vuejtja dhe, Ky iu tha: “Na jemi nën dhé e, ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”.

    Më tregonte Z. Xhemal Alimëhmeti, bashkvuajtës i Tij në Burrel: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfare krimineli i regjun Njazi Tunxhi, po iu fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë... P. Meshkalla nga rreshti i kërkon me hapë shkolla në burg për të rinjtë, por drejtori e ndërpret: -Të qanë zemra ty për rininë, ke për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! P. Meshkalla qeshët; ai nervozohët dhe i thotë: - Ç’e ke atë buzëqeshje, or jezuit i poshtër?....P. Meshkalla i thotë: -Unë, po qeshi me ty! Ende nuk e keni kuptue, se unë do të ishe i lumtun me vdekë i kryqëzuem si Zoti i em, Jezu Krishti! Ende, nuk e keni kuptue? E, çka ke me më ba ti mashumëse aq sa i kanë ba shokët tuej Krishtit?”...
    Kështu, qëndronte P. Meshkalla, para bishave të terbueme me dhambët e tyne shkyes e të gjakosun të Sigurimit komunist!

    Në një mbramje vonë, natën e Sh’Tomës P. Meshkalla, bashkë me një shok të vetin mërrijnë tek një derë e vogël ku banonte Tom Leci. Toma aso kohe ishte i paralizuem dhe jetonte me nanën e vet plakë, e cila me shpirt ndër dhambë mërrijti me pritë këte djalë derisa doli prej burgut. Posa, hapi derën P. Meshkalla, pau Tomën që me njenën dorë që mund ta lëvizte, po fërkonte drrasat me tel, ndërsa, nana i mbushte ujë dhe i shpërlante ato. Prej derës, P. Meshkalla menjëherë me zâ pak të naltë i tha: “Mjaft, Tomë, mos vazhdo, ndërsa, ti nanë ulu aty!”. Nana u ul në një karrigë aty afër, ndërsa në tjetren urdhnoi me u ulë Toma. Ai vetë u ul tek një stol i vogël dhe hoqi këpucët, çveshi çorapët, shpërvjeli pantallonat, mori telin dhe ia dha shokut të vet që ishte ma i ri në moshë, ndërsa, Ai vetë mori rragun dhe me té fshinte drrasat që lanin, mbasi thithte ujin delte në krye të sokakut dhe shtrydhte rragun... Aty nga mesnata shtëpia e Tomës, ishte e gatëshme me pritë vizitat e ditës së emnit... Ky, pra, ishte P. Meshkalla ndër shtëpijat e të sëmurëve!...

    Më tregonte një grue që njëditë ndodhi tek dera e oborrit e shtëpisë së saj në Gjuhadol. Ishte tue kalue rrugës Dava. Një murgeshë që ka shkue ndër dyert e të gjitha burgjeve e kampeve të shfarosjes së komunizmit, mbasi ndër të gjitha e gjithnjë kishte priftën. Ajo lypte ndihma nga të vorfnit për me ushqye të uritunit... Në këthesë të rrugës ajo takon P. Meshkallën dhe, i tregon se, mbas pak ditësh donte me shkue në një kamp pune, mbasi kishte grumbullue paksa të holla e ndonjë plaçkë... P. Meshkalla, menjëherë i thotë Davës, më e pritë një minut aty dhe drejtohet nga plaka që ishte në derë të oborrit... Ajo habitët për një çast, kur Ky hyn mbas kapakut të derës që nuk hapej, i jep asaj xhaketën me ia mbajtë, çveshë një xhup që kishte të veshun dhe mbi këmishe veshë xhaketën e, ashtu në atë natë të ftohtë vjeshte del dhe drejtohët nga Dava, tue i thanë: “Sa mirë që të takova para se me ikë ti atje, na këte xhup dhe nepja X, se ai nuk ka çka me veshë e, po afrohet dimni!....”.

    Bamirësia ishte hija e Tij... që nuk Ju nda për asnjë çast, ashtusi vorfnia... një lëkurë e vërtetë e Tija, që lindi me Té e nuk iu çvesh kurrë, asnjëherë, deri ditën që Ai i la të gjitha!...
    Ai, me vedi mori vetëm një brilant...Shpirtin!

    (vijon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Labeati : 10-08-2005 më 23:17

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    “AT PJETËR MESHKALLA S.J.”

    (vijim)

    Njëditë, kur po bisedonim e ishim zhytë në një diskutim plot pasion e, kjo gja asht krejt e kuptueshme prej vetë mënyrës si fliste e natyrës tërheqëse të P. Meshkallës, kur, papritë, Ai ndërpreu bisedën, shikoi orën dhe më tha: “Duhët me më falë, mbasi më duhët me shkue në shtëpi...”, unë, mendova për ndonjë çeshtje ore të caktueme të shërbesave fetare që kryente..., por, jo! Ai më tregoi, se do të ndiqte në radio turneun çiklistik të Francës (Le tour de France)... Unë u qesha, por, edhe e vështrova me habi...po, jo! Ai ma përforcoi mendimin që kishte tue me shpjegue, se gjithmonë e kishte ndjekë me radio tue e shoqnue me hartë rrugën çiklistike. Në kohën e rinisë së Tij, në Austri, ishte marrë edhe Ai vetë me këte sport aq të dashtun për Té...
    E tham të drejtën, për mue kjo ishte diçka e papritun!... Ai Padër Meshkalla, -Ai Meshtari i Madh!...ishte edhe sportist! Ma vonë me kanë tregue, sesi lonte futboll në oborrin e jezuitëve me nxanësit e vet. Nuk pritonte në çdo kohë me albitrue ndeshjet e studentave. Fushat sportive për jezuitët kanë kenë gjithmonë terrene grumbullimi për edukimin fizik e moral të rinisë. Ata punonin për një rini të ditun e të shëndetëshme.

    Ai merrte pjesë në të gjitha fushat e jetës dhe me kompetencë fliste për ato. Horizonti i dijes së Tij ishte i pakufi.

    Unë i tregova një grafikë të paekspozueme në të cilën kisha punue Krishtin e vdekun, në vitin 1961. (Asht ajo vepër që u vue në kopertinën e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës së Tij, në Shqipni, me 23 Prill 1993). Ai u kënaq tue e pa dhe menjëherë të nesërmen më solli një album të jetës së Krishtit, të punuem me akuarel nga një piktor anglez, që kishte shkue me e punue në Palestinë shumë vite maparë. Bashkë me këte album më solli edhe një fletore me disa poezi të shkrueme prej vetë Meshkallës, që menjëherë unë fillova ilustrimet e tyne.
    Vinte pak ma shpesh ato ditë mbasi kishte shumë pretendime në fushen artistike, të cilën e njihte shumë mirë; si në letersi, pikturë, muzikë. Nuk kënaqej me pak! Prej Tij unë ruaj këshillen: “Me kenë kërkues i së bukres deri në fund!”, - kambngulja - ishte tipari veçues i Tij. Më diftonte sesi poezinë “Sant’ Elena” e kishte punue tri herë...e, me të vërtetë, ajo poezi asht shumë e bukur për mos me thanë që asht ndër ma të bukrat ose, ma mirë me thanë ndër kryeveprat e Tij.

    Për me mërrijtë sado pak e me kuptue se kush ishte P. Meshkalla në art mjafton me lexue artikullin e Tij: “Art e moralitet”, botue në gazetën e përdyjavëshme “Tomorri i vogël”, në Tiranë, me 15 gusht 1942. Artikullin e përfundon kështu: “Kush mbjellë erë, korrë stuhi, thotë një proverb i huej!”. Ai që e lexon tashti atë artikull asht zor me e kuptue se P. Meshkalla, artikullin nuk e ka shkrue sot. Nuk fliste kurrë gjatë për kohën e shkueme. Piksynimi ishte tek e ardhmja. Parashikimi i saktë për kohën që vjen asht veti e figurave të mëdha, pikërisht, ajo, që sot na e quajmë aktualitet e që gjithmonë asht thirrë: “Pavdeksi”.

    P. Meshkalla shkruan atëherë: “....Nuk ka art të vërtetë që të jetë në kundërshtim me ligjin e natyrës dhe pa një përmbajtje (mbrendësi) morale.”....
    “Kur vepra artistike merr gjallni prej frymës së idealeve ma të larta njerëzore, jo vetëm shumfishohet ndikimi i saj mbi lexuesa apo shikuesa, (prej shkrirjës së idealeve të larta morale me ato thjeshtë estetike), por edhe artisti vetë fuqizohet në cilsitë artistike që ka prej natyre.” “...Shtrembënimi (prishja, turbullimi) i ndjesive dhe i karakterit të turmave, i frynë vetë zjarrit që ka ndezun në to propaganda e pandërgjegjëshme. Të gjitha klasat shoqnore edhe ma të pazhvilluemet i kërkojnë sot artit sorogate të lehta.”
    “Çka mund të mendohet ma e terbueme ose e bastardhueme, ma kriminele ose gjaksore, pranohët, shfaqët e përhapët prej këtij pseudo-arti, tue ndezë dëshira të pafrenueshme, sidomos ndër zemra që posa kanë nisë me bulue, tue polarizue vëmendjen e tyne kah objektet seksuale...”. Këta artikuj sot janë një bazë studimi për artin dhe gjuhën e njësueme.

    Ndokush mund të pyesin: “A dinte me këndue P. Meshkalla?” dhe, unë, po ju përgjigjëm se “PO!...” Në fundin e ferrit ku ishte Ai, ndoshta, ndokush nuk e beson, por asht ma vështirë me ba të tjerët me këndue, se me këndue ai vetë, pra, me 24 dhetor 1952, natën e Krishtlindjeve, janë dëshmitarë djelmoçat e rinjë të asaj kohe, bashkvuejtës në kampin e të burgosunve nr. 1, tek Ura vojgurore në Berat, që bashkë me mësuesin e tyne kënduan me zâ të lehtë “Schtille Nacht”, madje, shumë lehtë, se me zâ ma të lartë mund ti “prishej” qetësia policve që aq iu donte e, kush e din se çfarë mund të vinte prej drite!...

    Fatkeqësisht nuk e kujtoj emnin e një djalit të rinj për të cilin më ka tregue i nderuemi Pjetër Gjini, (kur pat dalë nga burgu i Burrelit në 1957), aq e kishin rrah e torturue në mënyrë çnjerëzore, sa për kush e din sa ditë nuk mund të çohej i shkreti në kambët e veta. E, pse? -Dikush e kishte paditë se ai djali kishte thanë: “P. Meshkalla asht njeriu ma i madh që kam njohtë në jetën teme!”... E pabesueshme!... por, ai u ndeshkue aq rrebtë vetëm se guxoi e vuni figurën e P.Meshkallës, mbi Enver Hoxhen e Stalinin e “madh” ...
    Për kësi lloj faji nuk ishte aspak çudi edhe me të pushkatue në ato kohë. I ka këto gjana “demokracia proletare”, thonte, i madhi Pjetër Gjini, “lum kush e provon!...”.

    (vijon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Labeati : 10-08-2005 më 23:22

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    “AT PJETËR MESHKALLA S.J.”

    (vijim)

    P. Meshkalla mbasi doli nga burgu i Burrelit, aty nga fundi i vitit 1961, pak vite prej jetës së Tij i kaloi bashkë me nanën, në shtëpinë e kushrinës së vet Ganxhës, në rrugën e njohtun Ballabane që shumë shpejt u ba qendër pelegrinazhi për të gjitha moshat dhe për të gjithë shkodranët pa dallim Feje. Vepra e paharrueshme e Tij, asht puna e palodhun me rininë me të cilën Ai ishte i pakursyem, i patrembun, korrekt, i dashtun, i papritueshëm, i përvujtë, gjithmonë buzagaz, Meshtar e Pishtar i vertetë i dijes dhe i atdhetarizmës deri në fundin e jetës së Tij.

    Në Shkodër, kush nuk e kishte ndigjue emnin e këtij Meshtari që nuk shihej asnjëherë as ndër Kisha, madje, as tue thanë meshë, se, jo, ma tue predikue?

    Pak vite maparë mësova një të fshehtë për P. Meshkallën...
    Isha me një gazetar anglez në varrezat e Rëmajit, pak ditë mbas hapjës së Kishave, kur, papritmas, afrohët një vajzë e re dhe më kërkon me folë me gazetarin. Fol, i thashë, se nuk të ndalon kush ma me folë me té, po, a din ti me folë anglisht? –Po, mu përgjigj ajo, dhe, menjëherë, filloi me i folë rrjellshëm gazetarit. Ajo i tregoi atij kënaqësinë që ndiente për hapjen e Kishave në Shqipni, edhe pse ajo kishte lind mbas mbylljes së tyne, në vitin 1970. Ajo i foli për bindjen e plotë që kishte prej kohësh, se do të vine kjo ditë, sepse, kur e pyeti gazetari sesi të asht krijue kjo bindje? Vajza, me krenari iu përgjigj: “Unë, e dijsha se do të hapën prap Kishat në Shqipni, madje, edhe shpejtë, se këte ma ka thanë Mësuesi i em, Padër Meshkalla. Unë jam kenë nxanëse e Tij, Ai më ka mësue fshehtas uratët e para, katekizmin, Ai më ka kungue sëpari, madje, Ai më ka mësue edhe anglishtën tue më nxitë se ka me tu dashtë njëditë dhe, qé, sot po flas me ju! Unë jam krenare sepse kam kenë nxanësja e fundit e Tij. Prej Tij kam mësue moralin fetar katolik, prej Tij kam mësue çdo gja të mirë, se vetëm mirë dinte me mësue Padër Pjetër Meshkalla!”.

    Vëreni me kujdes artikujt, programet, metodat e punës së Tij me RININË dhe keni me pa se sot bota moderne dhe e përparueme, që mbështetët dhe ecën drejtë në shina të sigurta mbi parimet e shëndoshta të edukatës dhe moralit, përdorë ata metoda edukative e kulturore që përdori Meshkalla i Madh, pra, jo pak, por 60 apo 70 vjetë maparë në Shqipninë e atëherëshme dhe të “mbrapambetun”!

    Të dalin si burrat një njeri dhe të thonë të kundërtën e kësaj që jam tue thanë unë, të dalin një njeri dhe të më kundërshtojnë një prej veprimeve të Meshkallës, mbasi jeta e Tij nuk ishte aq e shkurtë sa mos me pasë edhe ndonjë gabim, por, ajo ishte mjaftë e gjatë dhe me shumë prova të vështira, shumë ma tragjike se mund ta mendojmë na sot e me dallgë të pakuptueshme, për brezat që do të vijnë ma vonë. Kjo vepër aq e vlefshme kje e përditëshme dhe e pandërpreme deri në fund të jetës.

    Vepra e Tij si Bari i Mirë mbeti kudo ku Ai vuni kambën edhe pse ujqit komunistë ishin gjithnjë tue pré delet e qingjat ma të mirë. Ndonse, i survejuem, kudo e gjithmonë me Sigurimin e mnershëm mbas shpine, tue e vrojtue se, ku po hin, sa po rrin, çka po ban, me ke po rrin, çka po flet, prej kah erdhi, ke takoi rrugës, kush e ndaloi, a i dha gja dhe, a lanë takim prap për nesër e, në mënyrë të posaçme, kush i shkon në shtëpi? Ai nuk u përkul, Ai nuk e njohti frikën, po vazhdoi me punue pa u lodhë si Misionar i vërtetë që ishte, gjithmonë i vorfën për nga ana materiale, por gjithmonë i pasun me virtytet e Shpirtit. I lindun, i edukuem dhe i brumosun për me ndihmue të tjerët me moralin Kristjan, me edukatën humane e kulturën evropiane, me rregullat njerëzore, normat e mënyrën MESHKALLJANE, një rrugë krejt origjinale, gjithmonë e pashkelun, e pastër për nga ana morale e shpirtnore në sherbim të shoqnisë njerzore në të gjitha pikëpamjet, ashtusi ishte edhe Ai vetë.

    Ajo edukatë ka kenë, asht e do të mbetët e pavdekëshme për të gjithë Popullin Shqiptar e Rininë e tij, që me vepra Ai provoi se e deshti e sakrifikoi për té aq shumë!

    Ai shkruan: “....Na jemi gurët (të mëdhaj o të vogjel) të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shifen ma, por janë në themel të parë!
    Qé, ambicioni i themelit. M’u zhdukë e mos me u pa ma!...”.

    Gurët e Atij themeli asht e vërtetë se komunistëve iu dukën të vogjël. Ata menduan se Ata gurë me të vërtetë do të zhduken e, nuk do të shihen ma në truell të Kastriotit. Ndoshta, mendohej se dallgët e “Revolucionit”, do të rrafshojnë bashkë me gurët “që kishin fillue me nxjerrë krye” e, pikërisht, me Ata gurë, që ishin vue mbi themelet e kulturës evropiane edhe Heronjtë, që kishin la me gjakun e Tyne Ata themele, por koha tregoi se gurët e parë nuk kishin luajtë, nuk ishin thye, as nuk ishin ciflosë e plasë, nuk ishin shkatrrue as rrokullisë, jo, kurrë, ATA GURË të vendosun në themel të tokës Shqiptare që në Shekullin e Parë të Epokës së Ré nga Sh’Pali, dhe, sot Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha: “Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot! Ju, prishni Kisha e Xhamija, por Ata do të ndërtohen prap njëditë!....”
    Kishin “harrue” me lexue:“...por janë në themel të parë !.... ” Meshkalla me shokë...

    Në njëditë të bukur vjeshte jo e zakonëshme në Shkodër, mbasi ky qytet veçohët për shinat e shumta që bijnë. Pikërisht në një ndër ditët ma të shënueme të historisë së lashtë të këtij qyteti, me datën 11 Nandor 1990, njerëzit tuba-tuba prej të katër anëve po vërshenin si lumi e po grumbulloheshin në një skutë të periferisë, që thirret Rëmaji. Aty, në një rrenojë, në atë kapelë të vogël të varrezave mbas sa e sa vitësh do të thohej Mesha e Parë, prej Don Simon Jubanit...

    Gra, burra, plaka, pleqë, sakata e të gjymtuem me patërica, të rinjë e të reja të të gjitha moshave, foshnje me faqe të kuqe nga të ftohtit ndër karroca; fëmijë të vogjel të kapun për Kryqa mermeri, që dukeshin sikur po i rrokun për mos me i lëshue kurrma;... mijra vetësh pranë të Parëve të tyne që u kane ba Kryq në ballë; mijra vetësh që vênë një Kryq mbi gurë të ndonjë vorri mbetë shkrèt; mijra vetësh pa gja te kryet mbas atij muri nën ata çinarë, múr që ndanë paqën e përjetëshme të këndejme, me atë të kobëshmen vdekje të dhunëshme nën plumbat komuniste e, që, sot mbi

    Ata vorre të përbashkëta Heronjësh janë prapseprap vagonat e mbushun me ushtarë të forcave speciale të Sigurimit, në ballin e të cilëve asht ende simboli i varrmihësve të Tyne, që me ata pesë cepat e tij të ngulun në zemrat e Nanave e Motrave Shqiptare, gjithmonë ndër mote ata pesë cepa do të na kujtojnë Zojen e Shkodrës me shtatë hanxharë...
    Pikërisht, këte ditë po më ripërtrihej në mend ajo ngjarje, që para 23 vjetësh ndodhi në shtëpinë e njenës prej këtyne Burrneshave, një grues shkodrane me brandavekë e me bohçe të bardhë që nuk iu hoq gjithë jetën bashkë me at’ shami si futa mbi kryet e saj...

    Ishte njena prej Atyne Nanave që rrëkaja e lotve ende të pathame kishte lá gurtë e Zallit të Kirit!...
    Njëditë, Sigurimi i Shtetit i kontrolloi edhe shtëpinë përdhese dhe mbasi i dogj edhe një figure që i kishte mbetë e fshehun nën kllef të jestekut, figurën e Zojës së Shkodrës, me të cilën ngushllohej e flente, njeni prej mizorve u suell dhe e pyeti: “Hë, plaké...fol, a ke më ndonjë gjë tjatër të fshehur?”, Padër Meshkalla, pat tregue sesi iu përgjigj plaka:
    -“Po, kam edhe një gjâ që ju nuk keni si me ma marrë dhe, vuni dorën në ballë e, iu tha: -“Kam edhe këté: Në Emën të Atit e, të Birit e, të Shpirtit Shenjtë e, Ashtu kjoftë!”.

    E, ashtu, ndodhi, në mes të Atyne Kryqave, prap na e pamë me sytë tonë edhe njëherë Até që na mësoi dhe predikoi gjithë jetën e Tij, PADËR PJETËR MESHKALLA S.J.
    “CHRISTUS VINCIT !”.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Labeati : 10-08-2005 më 23:26

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e D&G Feminine
    Anëtarësuar
    08-08-2003
    Postime
    2,659
    Labeat nje pyetje kam, kush eshte prifti katolik i Mirdites ose Abati qe pershkruan Durhami ne librin e saj "High Albania". Nqs s'e ke lexuar, behet fjale per vitin 1908.

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    D&G qe interesohesh per Abacine e Mirdites:

    Kisha famullitare e Oroshit


    Ann Brigde

    (nga romani “Ujëra këngëtare”, 1946)

    Ann Bridge ishte në Amerikë një shkrimtare e njohur në vitet e pasluftës së dytë botërore. Në romanin e saj Singing Waters “Ujëra këngëtare”, ajo përpunoi përshtypjet e saj nga një qëndrim në Shqipëri në vitet e fundit të luftës. Në kapitullin e dhjetë personazhi qendror, Gloire, gjendet në Orosh të Mirditës. Shkrimtarja jep një përshkrim të hollësishëm të kishës së Oroshit dhe famullisë së zonës, në kohën kur famullitar ishte ipeshkv Frano Gjini. Imzot Gjini pati zënë më 1929 vendin e abatit nullius të Mirditës, Preng Doçit, vdekur disa vjet më parë. Me përkushtimin e tij fitoi dashurinë e gjithë banorëve besimtarë të Mirditës dhe i dha një gjallëri të pazakontë kishës e jetës së famullisë atje. Mbas luftës u caktua delegat i Vatikanit në Shkodër. Ngriti zërin në një letër publike drejtuar Enver Hoxhës kundër persekutimit që po i bëhej klerit katolik në Shqipëri. U arrestua më 1945 dhe mbas mundimesh të gjata e torturash çnjerëzore, u pushkatua së bashku me 18 pjesëtarë të tjerë të klerit katolik më 8 mars 1948 në Bardhaj të Shkodrës.
    I jemi mirënjohës për këtë tekst dhe dokumentimit të kalvarit të klerit katolik te ne atij shqiptari të madh në San Francisko që quhej Gjon Sinishta.


    Kisha famullitare e Oroshit ngrihet në një bregore mbi një luginë të ngushtë, midis kodrave me njolla të errëta; në faqet e luginës pas saj, aty ku trualli është më pak i rrëpirtë, sheh mbi tarraca kopshte e lehe të mbjellash, e përmbi to sërish pjerrtësitë e vargut kryesor, me pyjet e pishave e kullotat, që ngrihen gjithmonë e më lartë derisa kulmojnë në kreshtën me thepa, të gjatë e të zhveshur, të Malit Shenjtë. Është një peizazh i egër, i zhveshur dhe i ashpër, por pa rreptësinë e Spanjës – sepse është i larmë, individual, i lirë, e mbi të gjitha, plot dritë: dritë që e pasqyrojnë rrëpirat e ulta, të zbehta e të thara, kullotat e shpërndara aty-këtu dhe kurrizi i argjendë i majave të maleve. Kur del jashtë luginës duke u ngjitur lartësive, sikurse kishte bërë Gloire, panorama gjithë përplaset menjëherë mbi udhëtarin në kohën që ky i afrohet kreshtës – korita e çrregullt dhe e gjerë rend për disa milje deri lart në qafë, e mbisunduar nga njëra anë prej kurrizit të bardhë të Malit Shenjtë, nga ana tjetër prej maleve të tjera më të pyllëzuara mbi Malin Shenjtë; ndërsa pas disa hapash të tjerë, vështrimi i shtangur ndal te shfaqja e papritur e Kishës madhështore, që ngrihet me tërë vëllimin e saj mbi zhurin e truallit të sheshtë, me kambanoren e stilit rokoko përmbi parasallën dhe ngrehinat e tjera që shpërhapen gjatoshe, me trajta këndëdrejta e të rrepta, prej këndit lindor. Është kaq e madhe, kaq e bujshme, sa të lë njëherë shtangur. E ku është ai komunitet besimtarësh që do ta mbushë këtë ngrehinë? – sepse, hiq disa pak shtëpi të vogla midis tarracave, të shpërhapura nëpër luginë, syri të kap vetëm kullota të ashpra, pyje, shkëmbenj e gurishta në faqe mali. Mirëpo famullia është aty, siç do ta shihte shpejt Gloire Thurston, besimtarë të ardhur më këmbë nëpër shtigje të gurta nga lugina e kodra milje e milje larg, andej ku ndodhen banesat e tyre të thjeshta që i fshihen vështrimit, nëpër lugje e gryka, pranë ujërave e atyre pak tokave pjellore që ofron vendi.

    ...Si kisha ashtu dhe komuniteti i besimtarëve janë njëherëshi vepra dhe monumenti i një trupe të mrekullueshme njerëzish, françeskanëve të Shqipërisë së Epërme. Përmes epokës së errët e pa shpresë të Turqisë, Urdhri Françeskan i mori nën krahët e veta malësorët shqiptarë, duke u kujdesur dhjetvjeçar pas dhjetvjeçari, shekull pas shekulli, që në këto vise të largëta, të vetmuara e të vështira, besimtarët të gjenin bariun shpirtëror, të bëheshin fekthimet, të ndalej vërshimi i islamizmit. Shumë prej tyre, ndoshta shumica e këtyre priftërinjve të përkushtuar ishin prej gjaku shqiptar, pjesëtarë të ngulimeve arbëreshe në Kalabri dhe Pulje, paraardhësit e të cilëve kishin marrë arratinë përballë ardhjes së turqve. Kjo historia e françeskanëve të Shqipërisë është një nga më romantiket e më pak të njohurat në historinë e gjatë, romantike e galante të katolicizmit roman. Edhe ata i ndanë fatet e fatkeqësitë me grigjat e tyre të ashpra; ashtu si Lek Dukagjini e shumë të tjerë, ata u përpoqën dhe po ashtu dështuan, që ta vinin nën kontroll gjakmarrjen mbisunduese; hynë, me aq sa ua lejonte besimi i tyre – pasi ishin të një gjaku – në doket e pjesëtarëve të mrekullueshëm sadoqë primitivë të bashkësive të tyre. Për ta ata ishin jo vetëm priftërinj e famullitarë, por edhe mjekë, shkrues zyrtarë e shkruajtës letërkëmbimesh personale, pasi vetëm ata kishin privilegjin e shkrim-këndimit nën Turqinë. Qoftë që i miratonin qoftë që jo, ata i kanë regjistruar me përpikmëri vendimet e çuditshme, tradicionale të Këshillit të Fisit, apo Pleqnisë – vendime që mbështeteshin shumë më tepër mbi zakonin sesa mbi doktrinën katolike. Dhe aty janë deri sot e kësaj dite, tek punojnë, luten, çojnë meshën, paralajmërojnë, shërojnë, mësojnë, në një izolim të papërfytyrueshëm shpirtëror dhe intelektual, por gjithë durim, të përkushtuar tërësisht, të thithur kryekrejt nga detyra e tyre vetmitare.

    ...Ishte një dyndje e vërtetë. Kisha ishte plot e përplot. Nuk kishte frona; besimtarët gjunjëzoheshin mbi dyshemenë e shdystë prej guri; kurse hapësira që mbetej mes dy sekseve nuk ishte një vijë e drejtë, por një gjarpërim që ngjitej lart drejt altarit. Kur iu mësuan sytë me dritën e vagullt pas ndriçimit verbues të diellit përjashtë, ajo nisi të shikojë përreth vetes. Mesha kishte filluar e, prej skajit më të largët, mes dritave dhe kemit, ecnin tutje-tëhu disa figura të veshura me rrobe të mrekullueshme; po këndohej në kor. Gloiren e tërhiqnin më shumë besimtarët. Kur u ngritën ata më këmbë, pa diçka shumë simpatike. Të gjithë fëmijët e vegjël ishin rreshtuar te kangjellat para altarit, si një kurorë e gjatë ku ndër ngjyrat mbisundonte e bardha: përparëse të bardha për djemtë, përparëse të vogla me ngjyrë për vajzat, pantallona të bardha për të dyja palët. Gratë përqark saj ishin veshur të gjitha me pantallonat e tyre të plota dhe me futat e bardha që u mbërrinin thuajse te kyçi i këmbës, me jelekë kadifeje në të kuqe të errët, purpur ngjyrë kumbulle ose të gjelbra të thella, përparëse mëndafshi të shkëlqyera ngjyra-ngjyra, shumica me shaje të zeza me thekë të lidhura mbi krye. Kaq mund të shikonte e jo më shumë, pasi në pjesën ku rrinte ajo, poshtë pranë derës, kisha ishte shumë e errët. Kundërmimi gati të merrte frymën. (Por me të ishte e mësuar nga Italia). Ndërsa shërbesa vazhdonte, ajo ndjeu diçka që po i linte një mbresë shumë më të thellë sesa shkëlqimi dhe veçantia e kësaj yllësie kostumesh të mrekullueshme dhe fytyrash të pashme, thuajse të gjitha me vulën e një dinjiteti krenar. Ky këtu nuk u ngjante fare komuniteteve mondane që ndjekin në katedralen e Shën Pjetrit ndonjë shërbesë fetare me famë, me bindjen e vet të shpenguar ndaj konvencioneve kishtare, me gjunjëzimet, çuarjet më këmbë, heqjen e kryqit – të gjitha të kryera gati mekanikisht në intervalet mes vërejtjeve mendjeholla të fqinjit dhe komenteve me pëshpërimë. Asgjë të ngjashme nuk shihje këtu, përveç fëmijëve që rrinin tek altari, të cilët shtynin e lëviznin siç lëvizin fëmijët e gjithë botës. Nuk gjeje as atë përkushtimin e vetëdijshëm dhe fetarinë e përqëndruar të një komuniteti të mirëstërvitur anglikan në Londër. Këtu kishte diçka më të madhe, më primitive, e megjithatë më themeltare. Komuniteti i besimtarëve po këndonte në kor, veçse burrat u përgjigjeshin grave dhe gratë burrave, në një volum të lartë antifonal, që bartte në vetvete një siguri të thellë. Por, pos këtyre, ishte diçka që e tërhiqte gjithë atë masë malësorësh në mënyrë të papërballueshme drejt njërës anë të kishës së madhe, drejt altarit dhe meshtarit e aty qëndronte pezull në një tension si tensioni i kordës së një instrumenti muzikor: e pashmangshme, që vinte nga thellësitë e s’e ndalje dot. Asnjë shenjë të jashtme nuk kishte e gjitha kjo – fytyrat e mrekullueshme mbeteshin larg, të tërhequra, të padepërtueshme – por ishte aty dhe Gloire Thurston, ai produkt i pakënaqur, i përkëdhelur e ultramodern i dy kontinenteve dhe i shumë kryeqyteteve, e ndjente dhe nuk mund t’i shpëtonte. Ishte kaq e madhe, frikësuese për të në madhështinë e vet, saqë e ndjeu veten pothuajse e lehtësuar kur mbaroi shërbesa, organoja mbusholloi dhe besimtarët, së bashku me të, vërshuan përjashtë sërish në dritën verbuese të diellit, që ishte shumë më normale dhe shumë më e durueshme se sa ai ndriçim verbues përbrenda.

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    (vijon - marre me shkurtime nga artikujt e Z. Fritz Radovani)

    Nga publicistika shoqerore e Pader Meshkalles:


    FISNIKRIA E KRISHTENË

    6. Udhë të gabueme

    Fanatizmi.

    Organizata e “Veprimit Katolik” synon kryesisht me përtri jetën e krishtenë ndër katolike, gadi kjeshë tue thanë: Me i ba katolikët (me emën), të krishtenë të vërtetë.

    Edhe fushata e jonë për bujarinë e madhninë e të krishtenit, këte objektiv ka: Me zgjue, përballë shterpësisë e vobegsisë shpirtnore, një mburrje shenjtë në zbatimin e jetës fetare. Porse, mburrja e zelli për Fé, si çdo gja tjetër e mirë, mundët, me u largue prej qellimit të shénjtë, tue u teprue. Atëherë, bahët fanatizëm.

    Edhe emni fanatik në burimin e parë (prej lat. Fanum – tempull), kishte një kuptim të pelqyeshëm që d.m.th. sherbyes në tempull, por, kur, fetarët e besimeve pagane filluan me përzi në sherbimet fetare disa sjellje të trénta, kërcimesh, hallakatjesh e përgjakjesh, emni fanatik mori kuptimin e mnishëm të furisë e të verbimit.

    Katoliku duhët me kenë fanatik, ose, besnik në sherbim të Zotit, Të Fésë dhe të Kishës. Ky lloj fanatizmi asht një ndérë për até, pse tregon karakterin e burrit që, shpallë haptas mendje-mbushjën e vet, pa marré ase turp, pa tregtime e, me zbatim në jetë.

    Kur përkundra, mburrja, kalon në teprime të marra, në furina e sulme të verbëta, në besime të shkjepta e në bestytni, -fryte të padijes fetare- atëherë, krijohët fanatizmi i tréntë e i mnishëm, i cili, për faj të tonë e ban të mnishme, në sy të botës edhe Fénë e vërtetë.

    Verbimi fanatik nuk asht Fisnikri e krishtenë: Asht udhë e gabueme!

    Një shembull:

    Po, një shembull praktik: Me sha e me qestisë fetë tjera, duhët çansue, padyshim fanatizëm i verbët, si kundra edukate e kundra shpirtit të krishtenë.

    Thotë njeni: “Unë, e due dhe e çmoj Féne teme!”, thotë tjetri: “Unë due me kenë apostull i përhapjës së Fésë...”, thotë prap një tjetër: “Unë i dal zot Fésë seme pse, ma shajnë e ma përbuzin”...

    Nuk asht shenjë se e duam dhe e çmojmë Fénë tonë, kur, shajmë e qestisim Fénë e të tjerve. Ndjesia fetare asht shumë delikate, asht çeshtje ndërgjegje... A e njeh ti ndërgjegjën e shokut tand?!... Ti mundësh me iu falëndérës Perendisë e, me iu lutun, që, me të ndihmue, me të ruajtë në Shpirtë të gjallë e të pastër Fénë e Shenjtë, mundësh, me iu lutë që, me i shndritë mendjen edhe atyne që, ende nuk e njohin; mundësh, me ia zbardhun faqën me jetën tande shembullore, tue ecë mbas mësimeve të Sajë. Fénë Shenjte ti studjoje, orvatu me e kuptue mirë, sa me kenë në gjendje edhe me e mbrojtë e me ndriçue, jo, me të shame, por, me arsye. Veçse, kërko gjithëherë thelbin e pandrrueshëm të mësimit të krishtenë, tue e dallue mirë prej shtojcave e rrethanave që ndrrojnë. Mos u lavdro për Fé, pa e ditë se në çka përmbahët; mos shit madhështi për ndodhina të rastit dhe dukje të jashtme, të cilat kjenë apo nuk kjenë, Fénë nuk e ndrrojnë, (bie fjala, një funksion, një proçesion, një predk i shkelqyeshëm). Të jeshë i drejtë! Mos i moho të metat ose fajet e sakta që kane muejtun me u ba edhe prej të krishtenve, edhe prej përsonave të hjerarkisë kishtare (edhe të krishtenve Krijuesi u ka lanë lirinë e vullnetit e, mundën me gabue, por, ndërsa Féja mbetët Ajo që asht). Prandej, as ndër besime të tjera mos me kërkue me mohue çka gjenë të mirë e të drejtë. Kurrë, nuk do t’iu ngarkosh atyne faje që nuk i kanë! Gjithashtu, nuk asht aspak burrëni me prekë pa nevojë: ndër besime fetare, disa varrë (plagë) delikate; e, në rast nevoje (si, p.sh. kur jemi të detyruem me mbrojtë një të drejtë të cenueme), kjo punë duhët ba me Fisnikri të krishtenë, pa pezmatue, pa fye e, me prova të sigurta.

    2. Nuk tregon se kemi zêll apostullimi kur shajmë e qestisim Fénë e të tjerëve. Me siguri askush nuk ka të drejtë me të ndalue, që, tu dishrojsh të tjerëve një të mirë, që ti vetë e gëzon. Por, me përbuzje e qestisje, nuk mundesh kurrfarë dobije me i sjellë Fése sate, madje, e damton, tue i krijue anmiq, për shkak të një shfrimi të pasionit tand personal. Çfardo urdhni (detyrimi) në besim, jo vetëm me anë të forcës, por edhe me anë të shtërngimit moral, asht në kundërshtim të flaktë me shpirtin katolik.

    Shkruan i famëshmi Imz. G. Bonomelli: “E di mirë se ndër disa kohna, ndër disa vende, prej anës së disa njerëzve, u përdor disa herë forca, për me i detyrue të tjerët me ndie e me pranue mësimin katolik, si, edhe disa herë iu diktue Féja e Pagëzimi. Por, mos të përzijmë veprën e keqndritun të disa privatve, me até të Kishës Katolike! Kjo, nuk ka shtërngue kurrë, asnjënjeri të vetëm me rrokun Fénë, o me ia pranue mësimin.” (Ministeri cristiani, II, 82.).

    Kisha kërkon vetëm të drejtën me shpallë lirisht e pa pengime mësimet e Ungjillit e, me theksue detyrën e ndërgjegjës me rrokë Fénë e Krishtit.

    3. Nuk tregon sé duam me i dalë zot Fésë sonë, kur, me shpagim kërkojmë me u hakmarrë. Fjala e urdhnit për të krishtenin asht vétëm fjala e Krishtit:

    Duani armiqtë tuej!” (Math. 5, 44.) dhe, ajo e Shën Palit:

    “Munde të keqën me të mirë!” (Rom. 12, 21.). Kur e kërkon ndërgjegja dhe detyra, së drejtës duhët me i dalë zot deri në vdekje, me çdo flijë: Porse, a nuk janë bash ata që rrijnë me pushkë në faqe, për me i dalë zot Fésë, të cilët, mandej, janë ma të parët që e turpnojnë me vepra e, ndoshta edhe me të shame, Zotin, Krishtin, Fénë!?...


    VËLLAZEN ME TË GJITHË!
    Kësodore kemi me provue me fakte, se, asht e mundun bashkëjetesa ma paqësore e, ma e frytëshme, me besime të tjera: Pa kenë nevoja me e mënjanue Fénë tonë, madje, ma shumë, tue e ndjékë besnikrisht.

    Marrë nga revista “Kumbona e së Diellës”

    Viti 1942, nr. 6, fq. 69-70.

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    (vijon, pjese nga publicistika e P. P.Meshkalles)


    ART’ E MORALITET

    Arti nuk bazohet (identifikohët) me moralitet, as, nuk mjafton me kenë njeri i ndershëm, për me kenë artist.

    Nuk mund të gjykohët vlera e bukurisë me kritere të një rendi tjetër, as nuk mund ti rëzervohët nënshtetësia, vetëm atij frymëzimi, që, vehët në sherbim të një ideali jashta artit.

    Nuk mjafton për shembull, që, romani, drama, vjerrsha, të kenë një përmbajtje patriotike, për me u quejtun vepra arti. Një atdhetar i mirë, mundët me kenë një shkrimtar i keq: si, dhe, një moralist i mirë, mundët me kenë një stilist i keq.

    Arti për me kenë art, duhët me kenë ma sëpari, shprehje e gjallë e bukurisë. Në këte vështrim (pozitiv dhe jo eskluziv), mund të pranohët teoria “art për art”. Megjithkëte, arti, simbas natyrës së vet, nuk gëzon një pavarësi absolute prej çdo ligje jashtë-artistike, nuk asht amoral.

    Po të ishte prodhimi artistik vetëm një tubë shkëndijash të lëshueme prej zhenive të vetmuem, në hapsinat e vetmueme, ndoshta, nuk do të kishte pasë nevojë për termometrin e ligjit moral. Por, në fakt, arti jep e merr gjithshka prej shoqnisë njerëzore, e cila, natyrisht mbështetët mbi bazat e këtij ligji moral, prandej, nuk ka art të vërtetë që me kenë në kundërshtim me ligjin e natyrës dhe, pa një përmbajtje (mbrendsi) morale.

    I famëshmi profesor i letërsisë në Universitetin e Napolit, Fr. D. Ovidio, edhe pse pranon teorinë “art për art”, e shpjegon teorinë e vet pa rezerva, kur, shkruante: “Nuk do me thanë se gjykimi mbi një vepër arti do të jetë ekskluzivisht estetik. Nuk duhët përzi elementi i thjeshtë estetik me elementët tjerë, por, as nuk do të qendrohët indiferent ose kryelartë, përballë këtyne elementëve të tjerë. Arti nuk zhvillohët (JETON) jashtë botës, por, asht i lidhun me të gjitha lëvizjet tjera njerëzore, me të gjitha manifestimet (shfaqjet) e tjera të jetës shoqnore, madje, edhe me një njeri të vetëm. Aftësia artistike nuk asht një cilësi krejtë e veçueme, por, asht e gërshetueme me cilësi të tjera të shpirtit”.

    B.Croce, teoricien italian i estetikës në ditët tona shkruan: “Moralisti, me plot të drejtë kritikon disa vepra që esteti kërkon ti miratojë. Porse, arti në kulm, sikurse i afrohët përkryemjës (përsosjes), ashtu edhe i afrohet së mirës; dhe, përçamja ndërmjet moralit e estetikës, vërtetohët vetëm në veprat që rradhitën ndër shkallët ma të ulta në hjerarkinë e bukurisë”. Dhe, prap në një vend tjetër thotë: “Në kjoftëse, arti gjindët përtej kufinit të moralit, artisti , <> nuk asht as përtej, as këndej, por, nën sundimin e tij dhe, nuk mund ti shmangët detyrave si njeri”.

    Kur vepra artistike merr gjallni prej frymës së idealeve ma të larta njerëzore, jo vetëm shumëfishohët ndikimi i saj mbi lexuesa apo shikuesa, (prej shkrimjes së idealeve të larta morale, me ata thjeshtë estetike), por, edhe artisti vetë fuqizohët në cilësitë artistike, që, ka prej natyre.

    Në kundërshtim të haptë me këta parime, asht ajo rrymë, gati e përgjithëshme, e cila mbron teorinë e emancipimit të plotë të aktivitetit artistik, prej moralit. Kjo rrymë, prej lartësive të kthjellta, pak nga pak e ka ulë artin me i sherbye spekulimeve tregtare, mbi andjet e turmave, me prodhime të ashtuquejtuna “artistike”. Prej shkëputjes nga ligjët morale, sot, triumfon gjanë e gjatë dhe e patrazueme, ndër të gjitha degët e lamit artistik, paraqitja sistematike pornografike-seksuale.

    Bukë e përditëshme asht ngallnjimi (triumfi) i shkeljes së kunorës, mbështetun mbi evolucionizmin dhe determinizmin fatal Ibseman e Zolian. Shija e shndoshtë e bukurisë mbetët shumë e shtypun nën peshën e épshit dhe, kërkohët me u zëvendsue me drogat e impresionizmave të errta të sensacioneve violente, të grushtave mahnitës.

    Shtrembnimi (prishja, turbullimi) i ndjesive dhe i karakterit të turmave, i frynë vetë zjarrit që ka ndezun në to propaganda e pandërgjegjëshme. Të gjitha klasat shoqnore, edhe ma të pazhvilluemet, i kërkojnë sot artit sorogate (mjete fitimi falso) të lehta. Ndër shfaqjët e filmave, të dinamizueme (fuqizueme) prej sonoritetit, në vërshimin e romaneve, revistave të ilustrueme, etj. turmat gjejnë një mjet dëfrimi shumë ekonomik e të përdorshëm.

    Çka mund të mendohët ma e tërbueme ose, e bastardhueme, ma kriminele ose ma gjaksore, pranohët, shfaqët e përhapët prej këtij pseudo-arti, tue nxitë e ndezë dëshira të shfrenueme, sidomos, ndër zemra që, porsa kanë fillue me bulue, tue polarizue vëmendjen e tyne kah objektët seksuale. Kjo ndodhë sepse, mosha e ré asht ajo që, e ndjen shumë ma të fuqishme tërheqjen dhe shijen kah bukuria, ajo, asht préja ma e afërta e këtyne pusive.

    Bukuria dhe dashnia janë dhe kanë me kenë gjithmonë, gurra e pashterrshme e frymzimit artistik. Por, frymzimi mundët me kenë bujar ose shtazor; i njajti objekt mundët me kenë edukues për një mendje të pjekun dhe, shkrumues apo shpartallues, për një zemër të njomë, për një mendje të pandritun ende.

    Kjo, asht afër mendësh. Dhe, për me e prue edhe ma afër mendësh këte të vërtetë, unë, pyes përgjegjësit (prodhuesa, lejuesa ose reklamuesa) e propagandës së artit amoral (e imoral): A kishit me pranue ju, që, fëmijët tuej e mbarë familja e juej, me zbatue parimet që proklamohen e, poshtersitë që përshkruhën e zhvillohën para syve të tyne, ditë për ditë, ndër libra, revista, ilustrime, piktura, filma, etj.?!...
    Porse, ta pranoni, o mos ta pranoni, ata, kur, ta kenë mësue rrugën njëherë, kurrë, kurrgja ma nuk i ndalë!

    Frytet shihën, por, asht kot me kja!...

    Kush mbjellë érë, korrë stuhi, thotë një proverb i huaj!

    Marrë nga gazeta e përdyjavëshme “TOMORRI I VOGËL”

    Tiranë, 15 gusht 1942

  10. #10
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    (vijim)

    Nga krijimtaria Artistike e P.Meshkalles (marre nga shkrimet e F.Radovanit):

    SANT’ ELENA

    Në 100 vjetorin e vdekjës së Napoleon Bonapartit (1821 - 1921) në Sant’ Elena. Për këte vjerrshë përshkrimin në prozë poetike në italisht, ma dhá At J. Pasinetti.
    Shkodër, 1921
    .

    Larg, e në vetmi trishtuese krejt’i mbshtjellun
    nën të tjera klimë, të zjarrta e mjegullore,
    gjendët një i vogel ishull mes valësh déti,
    Atje, e thepisun, kryet zbulon e hovet,
    drejtë qiellit një buzë shkambi çveshë blerimi,
    si të donte shoqëni me lypë ndër diella.
    I lodhun syni përmbi dét të pamatun
    kërkon, por kot, përrreth bregore të tjera
    sa grima të mund pushojë, pse, kah të sillesh
    mbi horizont, veç ndanë rrafshinë qiellngjye.
    Prej së drejte, mëni të Amëshuemit i vérbtun
    dukët ai shkamb atjé, dhe valët shkumbuese
    njêna mbas tjetrës, rrebtas tue gjimue,
    turren mbi té, por ato sulme të kota
    shkambi krenisht përbuzë, kè porsi sógje
    a monument të përjetëshem ma se bronxi,
    Zoti i fitores mbi njâtë vend e ruejti.
    Shkâmbit jetik përbri e për nën gêmba
    të njâj shelqnâje vajtuese, një varr gjendët;
    landë e ngâllënjimit, lari i rri mbi krye:
    Ky’i ditë vigan mbi rê na’e hidhte shtatin,
    por sot, rruféja djegun zhari, varet
    e shkyeme degësh; por, zjarri që prej së nalti
    mbi té u plandos, s’ia kish’ pasë sosun jetën,
    se, gêmbat e cunguem, stolí e begatëshme
    i mblon prej gjethësh të blerueshëm e, shkulmet
    (ké të furisë së tyne në dorë kjo landë kjé lëshue)
    m’e shkulë pa kurrë dobi rropatën: të forta
    e të thélla rranjë kish’ngulun në atë bregore.

    Kështu, deshti Qielli të largëtave breznina,
    kujtim tue u lanë të pashlyeshëm, me u tregue
    kryenalta si mbaron mbi tokë m a d h ë s h t i a !

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Pjeter Gaci
    Nga sirena_adria në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 24-02-2018, 10:41
  2. Pjetër Meshkalla - gjigant i fesë e i kulturës shqiptare
    Nga toni77_toni në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-07-2009, 16:09
  3. At PjetËr Meshkalla S.j
    Nga Labeati në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 04-03-2009, 12:41
  4. Pjetër Koleci
    Nga Fiori në forumin Arti shqiptar
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 18-03-2007, 16:23
  5. Pjeter Budi
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 09-04-2006, 17:38

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •