-
Aleatët besnikë

Pos Kosovës, komentet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë i kanë dorëzuar edhe SHBA, Britania, Gjermania, Norvegjia, Sllovenia, Shqipëria, e ndoshta edhe Holanda. Mund të ketë edhe shtete tjera. Varësisht nga vendimi i GJND’së rreth pavarësisë së Kosovës, analistë dhe politikanë serbë parashohin skenarë të ndryshëm. Nëse vendimi do të ishte në favor të Serbisë, ata konsiderojnë se mund të shqyrtohet opsioni i ndarjes së Kosovës si dhe shkëmbimi i veriut me Luginën e Preshevës.
Nga Bekim Greiçevci më 20.07.2009 në ora 8:00
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ende nuk ka njoftuar se cilat shtete kanë deponuar komente lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, të premten e kaluar, por sipas burimeve të gazetës Express, në favor të vendit tonë kësaj here janë rreshtuar së paku gjashtë shtete.
“Përveç Kosovës, është e sigurt se komentet e tyre i kanë dorëzuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Norvegjia, Sllovenia, Shqipëria, e ndoshta edhe Holanda”, ka thënë për gazetën një zyrtar ndërkombëtar në Prishtinë.
Ai beson se ka edhe shtete tjera aleate të Kosovës që mund të kenë dërguar komente në Gjykatë, por këtë nuk ka mundur ta konfirmojë gjatë vikendit.
Njoftimin zyrtar për këtë do ta jap Gjykata, gjatë kësaj jave.
Burimi i gazetës thotë se “disa shtete kanë konsideruar se nuk është gjithaq e nevojshme të deponojnë edhe komente sepse në deklaratat e para të deponuara më 17 prill, i kanë dhënë të gjitha argumentet”.
“Në komentet me shkrim shtetet kryesisht kundërshtojnë burimet, keqcitimet ose citimet selektive të dokumenteve dhe raporteve që kanë të bëjnë me çështjen e Kosovës”, ka thënë ai.
Zyrtari nuk ishte i informuar se cilat shtete përveç Rusisë mund të ketë dorëzuar komente në favor të qëndrimit të Beogradit.
Në raundin e parë të procesit në Hagë, në favor të pavarësisë së Kosovës janë rreshtuar 21 shtete, përkatësisht tetë më shumë se për Serbinë, e cila ka arritur të fitojë përkrahjen e 13 shteteve.
Të premten e kaluar është mbyllur një pjesë e “betejës ligjore” përmes dorëzimit të deklaratave dhe komenteve me shkrim.
Tani është në radhë një pjesë e rëndësishme e procesit në GJND - seancat dëgjimore - ku kanë drejtë të marrin pjesë të gjitha shtetet anëtare të OKB’së, pavarësisht a kanë deponuar deklarata dhe komente me shkrim.
Sipas procedurës së përcaktuar nga Gjykata e Drejtësisë, çdo qeveri e interesuar për seanca dëgjimore në rastin e Kosovës duhet të aplikojë më së largu deri më 15 shtator.
Kosova tashmë ka dërguar zyrtarisht kërkesën që t’i mundësohet pjesëmarrja edhe në këtë fazë të procesit.
Deri më 1 dhjetor, kur pritet të mbahet seanca e parë dëgjimore, gjykatësit e Hagës duhet të vendosin për kohëzgjatjen e paraqitjes së secilës palë. Zakonisht, secilës palë i mundësohet të flasë prej 30 deri në 45 minuta.
Po ashtu, një element i rëndësishëm është radha e paraqitjes së shteteve në seancën dëgjimore. Gjykatës i mbetet të vendosë nëse renditjen do ta bëjë sipas alfabetit anglez apo frëng ose të përcaktohet që fillimisht argumentet me gojë t’i paraqesin dy palët kryesore - Kosova dhe Serbia.
Përveç avokatëve ose përfaqësuesve ligjor që shtetet i kanë autorizuar për të argumentuar qëndrimin e tyre, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kërkon që në seanca dëgjimore të flasin edhe anëtarë të qeverive përkatëse.
Institucionet kosovare i kanë dhënë besimin juristit britanik Michael Wood, por pritet të flasë edhe Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, duke marrë parasysh se Ministria e Jashtme e Kosovës është autorizuar nga krerët politikë të Kosovës që të merret me Gjykatën e Drejtësisë.
Në një prononcim për Express, para disa javësh, ministri Hyseni ka thënë se Kosova prinë ndaj Serbisë në procesin rreth pavarësisë së Kosovës.
“Argumentet në favor të pavarësisë janë më të shumta dhe më të fuqishme. Ato kundër pavarësisë së Kosovës janë kryesisht deklarime të skajshme politike, por nuk kanë ndonjë përmbajtje vërtet argumentuese”.
Ndryshe, në prill të këtij viti deklarata me shkrim në favor të Kosovës kanë deponuar: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Japonia, Çekia, Zvicra, Shqipëria, Austria, Finlanda, Polonia, Luksemburgu, Estonia, Norvegjia, Holanda, Sllovenia, Letonia, Irlanda, Danimarka, Maldivet dhe Sierra Leone.
Ndërkaq, përkrah Serbisë janë rreshtuar Rusia, Kina, Qipro, Rumania, Egjipti, Sllovakia, Libia, Spanja, Irani, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani dhe Bolivia. Më vonë, me një deklaratë Serbisë i është bashkuar edhe Venezuela, por ajo s’ka pasur të drejtë të deponojë komente më 17 korrik.
Nga gjithsej pesëmbëdhjetë gjykatës të GJND’së, tetë prej tyre janë nga shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt