Nga Express më 19.07.2009 në ora 13:08
Nigeria nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu e ka garantuar presidenti nigerian Umaru Yar’Adua, presidentin serb, Boris Tadiq, shkruan agjencia nigeriane e lajmeve, This Day Online.
Yar’Adua thuhet se e ka bërë të qartë qëndrimin gjatë takimit që ka pasur me homologun e tij serb, në margjina të Samitit të Shteteve të Painkuadruara, në Sharm El Sheikh.
Yar’Adua ka thënë se vendimi për mos ta njohur pavarësinë e Kosovës vjen si rezultat i përvojës historike të Nigerisë me luftën civile nga viti 1967 deri më 1970, kur ky vend luftoi për ta ruajtur integritetin territorial.
“Që nga përfundimi i luftës civile, Nigeria ndjek politikat e komb-ndërtimit dhe strategjitë për forcimin e shteteve heterogjene dhe gjithëpërfshirëse”, ka thënë Yar’Adua.
Më herët, presidenti serb i kishte bërë thirrje Yar'Aduat të rihapë ambasadën e Nigerisë në Beograd, duke theksuar se kjo do të ndihmojë thellimin dhe konsolidimi i lidhjeve midis dy vendeve.
Më tutje Tadiq, njoftohet se e ka njoftuar homologun nga Afrika se ligjshmëria e vendimit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës është duke u shqyrtuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai u ka kërkuar Nigerisë dhe vendeve të tjera afrikane që në lidhje me Kosovën të presin vendimin e gjykatës, i cili pritet të merret gjatë vitit 2010.
Tadiç ka shprehur me këtë rast dëshirën e vendit të tij për të organizuar 50-vjetorin e Samitit të Shteteve të Painkuadruara, më 2011, në Beograd, transmeton This Day Online.
Krijoni Kontakt