Myslimanët e Bosnjës shënuan sot 14 vjetorin e masakrës në Srebrenicës, në Bosnjën lindore, kur rreth 8.000 myslimanë të Bosnjës, burra dhe djem u vranë brenda disa ditëve, pas pushtimit të enklavës myslimane e cila gjendej nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara, nga ana e forcave të serbëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës prej vitit 1992 e deri më 1995. Në ceremoninë që u mbajt në Qendrën Memoriale në lokalitetin Potoçari afër Srebrenicës, ku janë varrosur eshtrat e rreth 3.200 viktimave, të identifikuara nga rreth 70 varreza masive, të gjetura në këtë rajon, morën pjesë me mijëra myslimanë. Aty u rivarrosen eshtrat edhe të 500 viktimave të identifikuara të masakrës në Srebrenicë. Masakra në Srebrenicë, që është përcaktuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi dhe nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, këtë vit do të shënohet në mbarë Bashkimin Evropian në pajtim me Rezolutën e Parlamentit Evropian, të miratuar në janar të këtij viti.
Dje Parlamenti i Kroacisë votoi për shpalljen e 11 Korrikut si ditë për kujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Autoritetet e serbëve të Bosnjës pranuan në vitin 2004 se forcat serbe kanë vrarë rreth 8.000 myslimanë të Srebrenicës, por e dënuan Rezolutën e Parlamentit Evropian në fillim të vitit, me motiv se bërja e homazheve duhet të bëhet për të gjithë mbi 100 mijë viktima të luftës ndëretnike në Bosnjë e Hercegovinë.
alsat-m
Krijoni Kontakt