POLITIKË
Shpallen rezultatet, Rama, një ish-kryetar i PS-së
26-07-2009 / Gazeta 55
Pas përfundimit të procesit të ankimimit është e qartë edhe për shpresëhumburit e së majtës, se Edvini nuk e mbajti fjalën dhe dështoi në gjithë linjën, gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Statuti e ka zhveshur atë automatikisht nga funksionet partiake, prandaj Edvinit do t’i duhet dyfish energji të bindë socialistët për një shans të dytë, në krye të formacionit që e trashëgon anëtarësinë, që nga 8 nëntori i 1941-it
Me dorëheqjen e tij, si një akt jo thjesht formal, Edi Rama duhet t’u thotë të paktën, anëtarëve, militantëve dhe votuesve të PS-ës, se i ka humbur zgjedhjet dhe se ata duhet ti kthehen punëve dhe aktiviteteve të tyre normale, pa gënjyer veten, duke parë ëndrra me sy hapur për një fitore që PS-ja nuk mundi ta sigurojë në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti..
Me mbështetjen e këtyre ish-policëve, që me sa duket të tillë do të mbeten deri në ditën e mbushjes së moshës së daljes në pension, Edi Rama ka marrë masat gjithashtu që me një rezolutë për mosnjohje zgjedhjesh, të shmangë dorëheqjen dhe për pasojë, ai që artikulonte me zhurmë “se nuk jam politikan, por misionar”, të qëndrojë përdhunshëm në politikë, si një politikan, që misionin e tij më parë e mbylli se e nisi, sigurisht me humbje...
TIRANE – Zyrtarizimi i numrit dhe emrave të deputetëve të Parlamentit të ri, nga ana e KQZ-ës, automatikisht shënon përfundimin e procesit zgjedhor, por edhe ndërprerjen e mandatit të Kryetarit të PS-ës, Edi Rama. Ndërsa vetë Edi Rama, prej ditësh, këtë ka pritur, përfundimin e procesit zgjedhor dhe rezultatet zyrtare, që prej dy-tre ditësh, normalisht ai duhet të jetë një ish-kryetar i PS-së.
Statuti
Neni 28 i Statutit të PSSH, i cili në pikën 1 të tij parashikon kompetencat e kryetarit të kësaj partie, ka edhe një pikë tjetër 2, që parashikon mandatin dhe ndërprerjen e tij, për kryetarin e PSSH. “Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a) jep dorëheqjen; b) partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative; c) humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë. Mocioni administrohet nga Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP)”, parashikon pika 2 e Nenit 28 të Statutit të PSSH.
Që prej dy-tre ditësh, kur edhe Kolegji Zgjedhor përfundoi shqyrtimin e ankimimeve të subjekteve politike që morën pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, askush nuk ka dyshimin më të vogël se PS-ja i ka humbur zgjedhjet, qoftë në ranga partie, krahasuar edhe me PD-së, qoftë edhe në rang koalicionesh, krahasuar sërish me koalicionin e drejtuar prej PD-së.
Numrat
Edi Rama, i cili deri dy-tre ditë më parë, shfrytëzonte faktin që shqyrtimi i ankesave në KQZ dhe Kolegj Zgjedhor ishte një detyrim ligjor, për të gënjyer militantët dhe anëtarët e partisë së tij, me shpresën, që edhe vetë nuk e besonte, në ndonjë ndryshim të mundshëm numrash mandatesh, sigurisht në favor të PS-ës, apo aleatëve të saj.
Por që prej dy-tre ditësh, është fakt, tashmë se PS vetë ka fituar 65 deputetë dhe bashkë me deputetin e fituar nga PBDNJ-ja, nuk shkon më shumë se 66 deputetët si koalicion. Krahasuar me PD-në si parti, PS-ja ka fituar 3 deputetë më pak. PO ti shtojmë 68 deputetëve të fituar nga PD-ja, 1 deputet të fituar nga PDI-ja, si edhe një deputet tjetër të fituar nga PR-ja, numri i deputetëve të koalicionit të udhëhequr nga PD, shkon në 70, shifër kjo, që e kapërcen me 4 mandate më shumë deputetësh, koalicionin e drejtuar prej PS-së.
Shpresëhumburit
Me këtë matematikë, apo llogari të thjeshtë, sido që të luajë Edi Rama me numrat, përveç se do të vazhdojë të gënjejë anëtarët apo militantë e PS-së, nuk do të mund të guxojë të besojë realisht se ka fituar. Për pasojë, në zbatim dhe në respekt të Nenit 28 të Statutit të PSSH, Edi Rama, që prej dy-tre ditësh, nuk është kryetar i PS-ës, ndërsa vetëm pritet që nesër KQZ, sikurse ka paralajmëruar për nxjerrjen e rezultatit final zyrtar, “t’i hapë sytë” jo Edi Ramës, por anëtarësisë dhe militantëve të PS-së, se kjo parti e drejtuar prej Edi Ramës, i ka humbur zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009. Me këtë humbje, PS-ja nuk ka asnjë shans, qoftë edhe matematikor, për të krijuar ndonjë qeveri të mundshme, që të shpresojnë më pas, për punësim, mbështetësit e fushatës së, bie fjala të Ben Blushit, në Korçë...
Fituese e këtyre zgjedhjeve është PD-ja dhe koalicioni i drejtuar prej saj.
Me dorëheqjen e tij, si një akt jo thjesht formal, Edi Rama duhet t’u thotë të paktën, anëtarëve, militantëve dhe votuesve të PS-ës, se i ka humbur zgjedhjet dhe se ata duhet ti kthehen punëve dhe aktiviteteve të tyre normale, pa gënjyer veten, duke parë ëndrra me sy hapur për një fitore që PS-ja nuk mundi ta sigurojë në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti.
Procesi
Përfundimi i procesit zgjedhor, shënon fillimin e një procesi të ri, këtë herë brenda radhëve të PS-ës, proces që lidhet jo thjesht me një analizë brenda saj, por edhe me një proces që ka të bëjë me marrjen e përgjegjësive dhe llogaridhënien për humbjen, bashkë edhe me ndryshimin e mundshëm të lidershipit të kësaj partie, si shkaktarë të humbjes.
Pikërisht, kësaj mungese kurajë për marrjen përsipër të përgjegjësive po mundohet ti shmanget Edi Rama, me pehlivanllëqet e tipit të bërjes së mbledhjeve të Asamblesë Kombëtare apo të Kongresit të partisë, por..., pa dhënë më parë dorëheqjen nga kreu i PS-së. Në funksion të kësaj, Edi Rama, ka paralajmëruar një radikalizmi të qëndrimit të forumeve të PS-së, por paralelisht me këtë, ka marrë masa që ish-policët që para 28 qershorit kishin ndarë postet drejtuese për secilin, por që pas 28 qershorit, do të jenë rojet e Edi Ramës, që nuk do të lejojnë që në Asamblenë Kombëtare, apo edhe në Kongres, të dëgjohen zërat kundër.
Me mbështetjen e këtyre ish-policëve, që me sa duket të tillë do të mbeten deri ën ditën e mbushjes së moshës së daljes në pension, Edi Rama ka marrë masat gjithashtu që me një rezolutë për mosnjohje zgjedhjesh, të shmangë dorëheqjen dhe për pasojë, ai që artikulonte me zhurmë “se nuk jam politikan, por misionar”, të qëndrojë përdhunshëm në politikë, si një politikan, që misionin e tij më parë e mbylli se e nisi, sigurisht me humbje...
Ai këtë e di, por është tjetër gjë sa do të mundohet “t’ua shkasë”, jo vetëm anëtarëve e militantëve të PS-së, por edhe anëtarëve e delegatëve të Asamblesë Kombëtare apo edhe Kongresit, me ballafaqimet e nxehta që priten të ndodhin në këtë stinë të nxehtë...
Neni 28
Kryetari i PSSH
2. Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:
a), jep dorëheqjen;
b), partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative;
c), humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë. Mocioni administrohet nga Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP).
Krijoni Kontakt