-
Grabjani (gulagu enverist) rrëzë kodrave
standart
--
Rrëfimi i verdhë
VIOLETA MURATI
Piktori Lekë Tasi boton ditarin e rrallë nga vitet e internimit, ‘70-‘80-të, “Grabjani rrëzë kodrave”. Kalvari i familjes Tasi që përndiqet për dytën herë. Në një libër voluminoz për herë të parë vjen si në një skicë surealistë atmosfera, vendi dhe personazhet që ka jetuar piktori në vitet e internimit, së bashku me familjen e tij. Autori nuk mjaftohet me një përshkrim fizik të ngjarjeve, po kërkon e zbulon në analizat e tij të gjata, të kujdesshme, të thella, e të hollësishme psikologjike, politike, filozofike rrënjët e fshehta që i motivojnë
Sapo të marrësh në dorë librin e Lekë Tasit, “Grabjani rrëzë kodrave”, nuk i shmangesh dot kopertinës - është nga ato raste që duhet të vëresh imët mbi të.
Piktori ka zgjedhur të verdhën e verës së zhuritur për të mbizotëruar - na ngjan me një fshat, ku njerëzit e vizatuar nuk janë fshatarë, siç duken në të veshur, duket më shumë si pazar njerëzish që rrinë në qendër, dhe në prag dere. Nga vizatimet e ndërtesave kuptojmë menjëherë se i takojnë diktaturës - dhe poshtë titullit zbret fjalia, skena, personazhe, historia nga fshati i internimit. Nuk është roman, as libër me tregime - por një ditar i mbajtur prej piktorit Lekë Tasi kur familja e tij përndiqet për së dyti, duke u izoluar për 15 vjet në internim, në Lushnje në fshatin Grabjani.
Shënimet e piktorit i ngjajnë realisht një vizatimi, skicë sureale të asaj kohe kur vuante persekutimin. Duhet lajmëruar lexuesi se nuk do të përballet me ndonjë kiamet të madh torturash - ashtu si kemi dëgjuar nga rrëfimet e shumë atyre që vuajtën nga diktatura. Jo për të mos ju dhënë rëndësi atyre, por për të marrë vesh ndoshta në një rrëfim të një natyre tjetër, krejt të thjeshtë se çfarë ishte zymtësia e asaj kohe, për të kuptuar sjelljen njerëzore në kushte oruelluane.
Në fshatin që të gjithë e quanin Sektor, ku apeli bëhej çdo mbrëmje, në muzg - ju vu përballë parulla “Të jetojmë si në rrethim” - kjo ishte vëmendja e parë që mori Lekë Tasi duke zbritur në faqet e ditarit se si filloi punë në brigadën më të largët. Janë episode origjinale nga vitet e zymta të internimit, të sjella si dëshmi kronikave që asnjë nuk e ka shkruar deri tani me këtë thjeshtësi dhe realizëm. Nëse të gjitha shënimet e ardhura nga diktatura na mbushin me mllefe, dhe na rrënojnë ndërgjegjen - për atë kohë ku injoranca dhe mediokriteti ishin përzier me frikën dhe terrorin e shkaktuar nga regjimi,- ky ditar shpërthen në një këndvështrim më të afërt me realitetin e gjallë, ku absurdi dhe ironia i shkojnë më shumë për ta besuar si të vërtetë. Ky libër mund të lexohet pa shumë “dhimbje koke”, pa rëndesë psikologjike, por tamam si një pasqyrë ku për të rinjtë mund të gjejnë shëmbëllimin e atij asgjësimi të dëshmive që janë ndërmarrë deri tani, politikisht, për t’u zhdukur. Ajo për çfarë na tërheq vëmendjen, duke i dhënë plotësisht të drejtë Petro Zhejit, që ka bërë parathënien e librit, është fakti se askush nga të dënuarit nuk e di veten fajtor, duke mos e konsideruar këtë si padrejtësi që qeveriste vendin, ku pushteti i diktaturës nuk kishte kufi mbi shqiptarët. Lekë Tasi nuk na zbeh atmosferën në asnjë faqe, përkundrazi shkrin gjithë botën e tij të brendshme, ndërgjegjen e tij, psikologjinë, mentalitetin - aq sa koha i lejonte për t’i hapur sytë, po ashtu na shfaq pa lëkundje ndjesitë njerëzore përballë veseve që ushqente diktatura. Përballë Lekës që nuk ka pretenduar si duket të “denoncojë”, por thjesht të tregojë atë çfarë sheh, pa revoltë, pa rebelizëm - kuptojmë pasojën psikologjike. Lekë Tasi është nga ata dëshmitarë të kësaj epoke që fisnikërinë e ruan ende. Ashtu siç e dëshmojnë dhe faqet e ditarit të tij - ku revolta më së shumti na vjen si reagim shpirtëror kundrejt vuajtjes, drejtësisë dhe punës deri tek sjelljet më të rëndomta siç janë radhët në dyqan, apeli etj. Libri tregon vuajtjet, por jo vetëm për të. Autori i përket një familjeje që është përndjekur gjatë tërë periudhës komuniste. Katër pjesëtarë të saj; Koço Tasi, i ati i autorit, Akile Tasi, i ungji, Napoleoni dhe Tefta respektivisht, vëllai dhe motra e tij, hoqën burg dhe i dyti, xhaxhai vdiq atje dhe nuk dihet varri. Në 1975 nis për familjen një përndjekje e dytë; internimi, që e izoloi për 15 vjet. Duke hyrë në ditarin e Lekë Tasit, padyshim kupton jo vetëm 10 vjet kohë, duke shmangur monotoninë, por marrim informacionin e gjallë, real të shumë shqiptarëve, që shpesh ua dimë historinë, në kushte krejt të tjera mbijetese. Gjithashtu, Tasi i ka kushtuar rëndësi vendit, por edhe përshkrimit të tipave të ndryshëm bashkë me historitë e tyre. Një interes të veçantë paraqet kalvari i jetës së Teftës, motrës së autorit, një dëshmi e rrallë kjo, në mos unike në detajimin e saj. “Janë shkruar edhe të tjera dëshmi letrare mbi vuajtjet e popullit tonë në komunizëm. Po ky tregim i gjatë, në trajtë ditari, ka diçka të veçantë. Autori është dhe vetë një nga personazhet e shumta që na përshkruan, që vuan edhe ai si shumë e shumë të tjerë dënimin e padrejtë të një internimi çnjerëzor që kapërcen kufinjtë e çdo imagjinate të mundshme dhe që jepet me një kthjelltësi e konkretësi të mahnitshme në një varg skenash e episodesh rrëqethëse, me të gjitha ngjyrat e mugëta të një ferri dantesk. Autori nuk mjaftohet me një përshkrim fizik të ngjarjeve po kërkon e zbulon, në analizat e tij të gjata, të kujdesshme, të thella, e të hollësishme psikologjike, politike, filozofike rrënjët e fshehta që i motivojnë. Dhe, falë një stili të shtruar e të qetë si ai i një shkencëtari që heton me durim, kërrusur në laborator mbi mikroskopin e tij, viruset e sëmundjes, e bën edhe lexonjësin të kuptojë, të shohë, të prekë, të marrë pjesë shpirtërisht në gjithçka”, - shkruan Petro Zheji në parathënien e botimit “Grabjani rrëzë kodrave”. Më poshtë po japim një fragment nga ditari që mban datën 1 prill 1981, kohë që përkon me kulmin e qëndrimit në internim, kur vetëm pas pesë vitesh do të riktheheshin familjarisht në Tiranë,më 1990. Ndërsa shënimet e fundit në ditar shkojnë deri më 26 maj 1986.
V. Murati
Ditari....
Lekë Tasi
1 prill 1981
Jemi si në fshat! Do të thuash, në fshat je... Jo! Ky nuk është fshati që dija, që e dinim të gjithë, po nganjëherë ngjan me fshat...
I hyn një rruge të ngushtë ku nuk pret era e kakërdhive, e barit të thatë, si atëherë në fëmijërinë tonë... Mund të thuash emblematikisht që asaj ere, si edhe asaj përzierje erërash fshatarake të çajit të mali, pelinit, të ftonjve që vareshin në trarët e tavanit, të borzilokut e të nenexhikut e plotë të tjerave, ia ka zënë vendin plotësisht kundërmimi i vajgurit të djegur të furnelave. Nuk të dëgjon veshi një pallmë gomari a lope. Jo! Të tilla s’ka! Megjithatë, pjergulla ka, kopshtet punohen dhe tani ka filluar të ngrihet edhe ndonjë shtëpi private, si përpara.
Qëkur u zhdukën sinoret në fushë dhe u shtetëzuan arat, vreshtat, fshatarët u gëzohen atyre pak metrave katrorë që u kanë mbetur, rreth shtëpive. I punojnë, i mbjellin dhe disa ua kanë parë hairin mjaft për kohën që jetojnë. Por shumica nuk i kanë as ato, sepse siç dihet, 70% e tyre banojnë në pallate shtetërore dhe tani s’u lejohet të thurin jashtë apartamentit ndonjë copë për të qenë, kanë filluar të mbajnë vetëm pak metra për dru, edhe ato me frikë. Të rrish midis dy banesave të tilla, të quajtura pallate, të duket vetja si në rrugë të periferisë më të mjerë të qyteteve. Toka e lagur, e nxirë nga ujërat që hidhen dhe jashtë dritareve skela prej dërrase me tela, për të varur lëvere, shkallët të errëta si zgavra...
Por ata që kanë shtëpi të vetat siç e thashë, kanë kopshte me pemë, mbajnë lepuj, kotece pulash e rosash etj. Pulat qarkullojnë kudo, bëjnë vezë dhe shtojnë mirë në peshë, sepse lëmin e kanë afër dhe qerret, makinat që hyjnë e dalin, e mbushin vendin me ushqim. Veçse çunat, ata më horrat, që janë të shumtë, i vrasin me llastika për t’i ngrënë meze. Kam dëgjuar që këtë refene të tyre me pula të vjedhura, marrin pjesë edhe agronomë. Sepse, në fakt, nuk është faj ose turp të hash mallin privat, tinëz qoftë ose haptas. Kur vjen koha e grurit, kjo luftë del sheshit, përligjet. Çdo behar mund të shohësh rregullisht një pulë private të vrarë, varur në mes të lëmit pranë parullës “Gëzuar bukën e re!” si një trofe që sektori socialist ia ka fituar rivalit të tij të paguajë. Askujt s’ia mban të ankohet, më përjashtim të ndonjë gruaje të fortë që është në parti, Gore, emri i saj dhe i mbron pulat e zogat e saj me forcë të madhe. Shumë më ilegale se pulat para disa vjetëve kanë qenë patat, si më të mëdha që janë. U bë një luftë e gjatë nga Sektori që të hiqeshin, kishte një armiqësi të habitshme kundra tyre (“Lufta e Patave” mund të thuash), por për ca vjet pa rezultat. Sepse të vegjlit merrnin guxim nga të mëdhenjtë, ca zyrtarë, të cilët mbanin vetë pata. “Gjersa t’i heqin ata, do t’i mbajmë edhe ne”. Tani janë zhdukur, s’ka më askush, pro në fillim kur erdhëm ishin vërtetë shumë. I shihje kudo, të rritura e të ushqyera mirë (në fakt ato të zgjidhnin problemin e mishit!), fluturonin në kuotë të ultë mu në sheshin e Sektorit, bënin ga-ga dhe shpesh t'i duhej të ndërprisje fjalën me shokun derisa të mbaronin ato.
Ndokush që ka djalë për të martuar, mban edhe viç, gjysmë fshehurazi. Kjo nuk vonon të merret vesh, por askush nuk shqetësohet (ose edhe ndonjë dash) sepse të gjithë e dinin që e ka për dasmë, e mban për ta therur; ta kishte për mëshqerrë (pa le lopë!) do të ishte ndryshe, atëherë duhej parë puna e tij, sidomos në këtë shtrëngim të tufëzimit që mbështillet përditë e më shumë. Kam thënë që sektori është i futur në një gji kodre. Nga ana e fushës ndodhen stallat e derrave, lëmi, ofiçina, depot e plehut, karburanti dhe lart mbi karburant depoja e armëve. Kjo është qendra e çdo aktiviteti ushtarak. Disa herë në vit, por jo në periudha të caktuara, bie boria dhe mblidhen burrat atje për të bërë zborin. Jo vetëm burrat, por edhe gratë. Edhe këto vishen me rroba ushtarake, rrinë aty me ditë të tëra duke dëgjuar leksione dhe duke u stërvitur, ose dalin në marshim o për qitje. Kur nisem në mëngjes për punë, ato më vijnë përballë në drejtim të kundërt. Janë mbledhur që herët dhe tani zbresin që andej në njësh kolonë. Ndonjëra prej tyre më shikon nga lart poshtë, me një farë përçmimi klasor. Mbajnë kapelë dhe uniformë, por u bie mjaft rëndësia kur i sheh që kanë pushkë prej druri. Veç kësaj, gati të gjitha janë me sandale plastike ngjyrash të ndryshme, ndonjëra edhe me barrë... Këto janë nga ana e fushës. Në drejtim të përkundërt, d.m.th. nga ana e kodrave të pyllëzuara, hapen lagjet përdhese të fshatit, në formën e fletës së hardhisë. Te sheshi i sektorit, sa kalon dyqanin e ushqimeve nga ana e djathtë dhe çerdhen e fëmijëve nga e majta, futesh në dy zona me rrugicë të përdredhura ku ka banesa të vogla. Në fundin e këtyre dy degëve ndodhet nga një rezervuar i shteruar, të ngjeshur të dy te sqetullat e kodrës. Përposh digave të tyre ka shtëpi të vogla me bahçe. Pronarët e tyre janë të gjithë të ardhur, kurse vendasit janë një pakicë. Të ardhurit i kanë hyrë ndërtimit gati provizorisht, me hunj të ngulur e duke përdorur kallamin për çatma dhe baltën për mbushje. Megjithatë, kush ka këmbëngulur të qëndrojë aty, duke mos kërkuar apartament, por edhe ai që i është refuzuar ky, e ka fituar davanë. Me kohë e ka zëvendësuar kasollen me një shtëpi prej tulle, ose e ka meremetuar edhe për njëzet vjet të tjera duke ngulur shtylla të reja në vend të atyre të kalburave, si dhe duke i hedhur një suva të re. Disa janë treguar vërtet parashikues qysh në fillim, duke mbjellë plepa që t'i kenë për lëndë dhe ca më mirë pjergulla! U është dashur të luftojnë me tundimin e provizoritetit, me shpresën për të ikur nesër, pasnesër, që i ngacmonte të mos lëshonin rrënjë, meqë një pjesë e madhe e tyre kanë qenë të sjellë me zor. Por sot janë shtruar. Kanë secili nga një vresht, paçka se fare të vogël, pa llogaritur kopshtin e perimeve, pemët dhe pulat. Kurse ata që morën hyrje në ndërtesat shtetërore, u gëzuan në fillim, por tani i shikojnë me një farë pengu këto "çifligje" të vogla të shokëve dhe janë penduar që u gënjyen nga vështirësitë e nisjes, e hynë në ato apartamente ku tjetri përgjon nga dritarja dhe të regjistron kush hyn e kush del.
Për të mos mbetur pa gjë, edhe këta mbollën gjysmë ilegalisht një o dy pjergulla nën dritare, por me heqjen e gardheve tani, rrezik t'ua vjelin bota. Nga ana tjetër, këta janë më të zhvilluar me rritjen e bletës, por në copa toke të rrezikuara. Në të ardhurit ekziston ky dallim: një palë janë ish-të internuarit dhe ata që kanë ardhur thjesht të shpërngulur, por ka dhe nga ata që kanë ardhur vetë. Ish-të internuarit janë më mirë se ne të internuarit aktualë, por më mirë se këta janë ish-të shpërngulurit. Këta të fundit, pavarësisht se kanë ndonjë kleçkë, mbeten anëtarë të Frontit dhe kjo ka rëndësi, aq sa ndonjëherë, për të mbrojtur këtë anëtarësi tregohen të egër ndaj të tjerëve që s'e kanë. Sesa shumë mund të ndikojë kjo, do ta ilustroj me dy shembuj, që i marr nga kategoria e të dënuarve me gjyq, por me origjinë të ndryshme: komunist njëri dhe armik tjetri. Një familje nga kategoria e parë përbëhej nga tre vëllezërit Tarelli.
Më të voglin e burgosën që në fshat (Devoll). Dy të tjerët i prunë këtu. Me punë e kursim të fortë, ata ngritën shtëpi secili. I madhi nuk arriti ta mbarojë, vdiq tamam nga lodhja. Për ta ndihmuar të shoqen, që mbeti e ve, kolektivi i ustallarëve i hodhën çatinë falas. Mirëpo ajo s'qe në gjendje të banonte në të. E shiti dhe vazhdoi në kasollen e vjetër. Ia bleu e vjehrra, një plakë e thyer në mes, që s'donte të vdiste pa iu kthyer i biri nga burgu. Ky u vonua shumë se kishte për të bërë 20 vjet plot. Më në fund doli dhe hyri në shtëpi ku edhe është martuar. Jam njohur me të. Atje në fshat ka qenë mësues dhe si komunist e kishin vënë edhe anëtar këshilli. Por megjithëse djalë i ri, iu caktua roli të jetë kryetar i grupit të Devollit, atij komploti fiktiv antiparti që u kurdis atëherë për të vrarë disa me qëllim terrori, dhe për larguar ca fshatra nga kufiri. Tani po suvaton shtëpinë që i siguroi e ëma, meqë nëpër kampe mësoi mirë zanatin e muratorit. Drejtoria e kampit të fundit e kishte me sy të mirë dhe kur u lirua, ofroi ta mbante me rrogë në qytet. Mirëpo gjesti që bëri e ëma e lidhi përfundimisht këtu. Sado i munduar fati i këtij më të riut nga vëllazëria, familjen në tërësi mund ta quash mjaft të begatshme, të mëkëmbur, meqë vëllait të mesëm i ka ecur mbarë sa për tre. Me tre djem të martuar, me bahçe e shtëpi të madhe gjashtëdhomëshe. Dhe kjo mirëqenie del edhe më në pah kur bën krahasimin me familjen tjetër (Kalaja), një përqasje që na detyron si të thuash të bëjmë një kthesë nga e djathta. Edhe kjo nga Devolli, (konkretisht nga Zëmblaku), edhe ajo e përbërë nga tre vëllezër dhe me të tretin në burg, i liruar edhe ai tani vonë mbas 18 vjetësh dënimi. Babanë, si fshatar të pasur, ua kanë ekzekutuar në '46 me akuzën që i kishte vënë flakën një mullari (që në fakt e kish djegur këshilli me kast). E varën në mes të fshatit, familja u hoq andej dhe mbas peripecish të shumta përfundoi këtu. Dallohen të tre për fytyrat e tyre tërë relieve, si skulptura, por janë tejet të vuajtur, të përndjekur (pikërisht këtu e kam fjalën për krahasimin) sepse është ndoshta lodhja që ua ka bërë ato faqe të thelluara duke theksuar në maksimum efektin skulpturor. Praktikisht mjafton të thuash kaq, që i madhi i tyre ka katër vajza të rritura dhe banon në një dhomë me aneks! Vëllai i liruar e ka ngushtuar edhe më. Pallatet fillohen e mbarohen po për të nuk ka zgjerim! Me këta dy shembuj, mund të nxjerrësh përfundimin se në mes të depërtuarve ka dallime të forta, sepse partia e vazhdon luftën e klasave pa pushim ndaj kategorisë së pronarëve që i quan armiq, kurse pjesës me origjinë komuniste së paku “ua ruan kockën”...
19/07/2009
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt