Shkruar nga Ahmed Kalaja
E Hene, 13 Korrik 2009 16:52
Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit
Es selamu alejkum ue rahmetullah!
Allahu me mirësitë, bekimet, paqen, mëshirën e Tij qoftë me ju!
Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëfuqishmit, të Gjithëpushtetshmit, të Vetmit që i takon adhurimi.
Bekimet, dëlirësia, begatitë e Tij qofshin mbi të Dërguarin e fundit Muhamedin, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin dhe pasojnë rrugën e skicuar prej tij sa të jetë jeta.
E në vijim:
E mora e-mail-in tuaj në të cilin shkruhej:
“Çfarë shpërblimi ka ai që lexon dhe mëson Kuran?”
Përgjigja ime do te ishte:
Në vijim po sjell disa hadithe për këtë:
1. Ebu Umame (radijall-llahu anhu) thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) duke thënë: “Lexojeni Kuranin, vërtet ai do të ndërmjetësojë Ditën e Gjykimit për të zotët e vet”. (Muslimi)
2. Abdullah ibn Mesudi (radijall-llahu anhu) thotë se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e lexon një shkronjë nga Kurani e meriton një shpërblim, kurse një e mirë vlen sa dhjetë të ngjashme me te. Nuk jam duke thënë: elif lam mim, është një shkronjë, por elifi është një shkronjë, lami është një shkronjë dhe mimi është një shkronjë”. (Transmeton Tirmidhiu, hadithi është sahih).
3. Nevas bin Sem'an (radijall-llahu anhu) thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Ditën e Gjykimit do të vijë Kurani dhe të zotët e tij, të cilët vepronin sipas tij në këtë botë (dynja), u prijnë suret “El-Bekaretu” dhe “Ali imran”, të cilat ndërmjetësojnë për shokun (lexuesin) e vet”. (Muslimi)
4. Uthman ibnu Affan (radijall-llahu anhu) thotë se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Më i miri prej jush është ai i cili mëson Kuran dhe ia mëson atë dikujt”. (Buhariu)
5. Ebu Musa El-Esh'ariu (radijall-llahu anhu) thotë se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kuranin, është sikurse shembulli i qitrës (etruxhxhetu): aroma e së cilës është e mirë dhe shijen e ka të mirë; shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kuranin, është sikurse hurma (temretu): nuk ka erë, por shijen e ka të ëmbël; ndërsa shembulli i munafikut (hipokritit) i cili e lexon Kuranin, është sikurse shembulli i krizantemës (lule vjeshte) (rejhanetu), aroma e së cilës është e mirë, ndërsa shija e hidhët. Shembulli i munafikut i cili nuk e lexon Kuranin, është sikurse shembulli i kungullit të egër (handzaletu), që nuk ka aromë, kurse shijen e ka të hidhët”. (Muttefekun alejhi)
6. Umer ibnul Hattabi (radijall-llahu anhu) thotë se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtet Allahu me këtë Libër do t'i ngrejë disa popuj, ndërsa do t'i ulë disa të tjerë”. (Muslimi)
7. Ibnu Umer ibnul Hattabi (radijall-llahu anhu) tregon se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk ka xhelozi vetëm në dy veta: njeriut të cilit Allahu ia ka dhënë Kuranin dhe ai e lexon atë (në namaz) natën dhe ditën dhe njeriut të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai atë e harxhon natë e ditë në bamirësi”. (Muttefekun alejhi)
8. Berra bin Azib (radijall-llahu anhuma) thotë: “Ishte një njeri i cili lexonte suretul Kehf, kurse pranë tij ishte një kalë i lidhur me dy litarë. Në një moment zbriti një re dhe filloi t'i afrohet, ndërsa kali filloi të ikë prej saj. Pasi agoi, njeriu erdhi te Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) dhe i tregoi për atë që kishte ndodhur. Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Kjo është mëshirë, zbriti për hir të Kuranit”. (Muttefekun alejhi)
9. Abdull-llah ibnu Amr ibnul Asi (radijall-llahu anhuma) tregon se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Poseduesit të Kuranit do t'i thuhet: Lexo dhe hip lartë, lexoje ashtu si e ke lexuar në dynja. Vendi yt do të jetë tek ajeti i fundit të cilin do ta lexosh”. (Ebu Daudi dhe Tirmidhiu thonë: hadith hasen sahih)
10. Ebu Musa (radijall-llahu anhu) tregon se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ruajeni Kuranin, betohem në Atë që shpirti i Muhamedit është në duart e Tij, vërtet Kurani zgjidhet më shpejt se sa deveja nga litari i saj”. (Muttefekun alejhi)
11. Ibnu Umeri (radijall-llahu anhuma) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Vërtet shembulli i një hafidhi të Kuranit është sikurse shembulli i një deveje të lidhur, nëse kujdeset për të e mban e nëse e lë ikën”. (Kështu pra është edhe me hafidhin e Kuranit, nëse gjithnjë e lexon do të mbetet hafidh i tij, përndryshe do ta harrojë). (Muttefekun alejhi)
12. Ebu Hurejre (radijall-llahu anhu) thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Allahu nuk i lejon askujt atë që ia ka lejuar Pejgamberit, që me zë të bukur, melodik e të lartë ta lexojë Kuranin”. (Muttefekun alejhi)
13. Berra bin Azib (radijall-llahu anhuma) thotë: “E kam dëgjuar Pejgamberin (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) duke lexuar në namazin e jacisë “Uettini uezzejtuni” (Suren Tin). Unë nuk kam dëgjuar zë më të bukur se zërin e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem)”. (Muttefekun alejhi)
Këto janë disa hadithe, po nëse njeriu ia mëson të tjerëve ai merr gjithashtu këto shpërblime pa iu mangësuar asgjë nga shpërblimi i tyre, siç është transmetuar në hadith jo vetëm kaq po do t’i vazhdojë shpërblimi dhe sevapi edhe pas vdekjes, siç thuhet në një hadith të saktë.
Uallahu aelem, uesalallahu ueseleme ue bareke ala abdihi ue resulihi Muhamed!
Ahmed Kalaja
Burimijetes.com
13.07.2009
Krijoni Kontakt