Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1

    Trafikimi me qenie njerëzore, në rritje



    Trafikimi me qenie njerëzore në Kosovë ka shënuar rritje të dukshme gjatë viteve të fundit ndërkohë që policia e Kosovës nuk është duke punuar sa duhet në përpjekje për ta luftuar këtë dukuri, thuhet në një hulumtim të bërë nga KMLDNJ. Sipas tyre Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Mitrovica janë qytete shumë “aktive” në organizimin e prostitucionit.

    Nga Besiana Xharra më 13.07.2009 në ora 14:22
    Trafikimi me qenie njerëzore në Kosovë, gjatë viteve të fundit ka marrë përmasa tejet shqetësuese nëse u bazohemi në statistikat e publikuara nga agjenci të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, bën të ditur një hulumtim i bërë nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMLDNJ).

    Sipas kësaj organizate përpjekjet për ta luftuar këtë dukuri, jo vetëm pasojat e saj, por edhe shkaqet që i paraprijnë dhe e mundësojnë atë, nuk janë në harmoni me intensitetin dhe dinamikën e zhvillimit të saj.

    Hulumtimet e KMLDNJ-së tregojnë se viktimat janë kryesisht të moshës madhore por ka mjaft edhe të moshës jo madhore. Mosha e tyre sillet prej 14 deri më 50 vjet.

    KMLDNJ bën të ditur se nuk kanë mundur të sigurojmë shifra të sakta për numrin e femrave që “tregtohen”.

    “Ne kemi kontaktuar me gjykatat e qarkut dhe aty kemi marrë të dhëna se gjendja është alarmante dhe nuk po punohet sa duhet nga ana e policisë për hulumtimin e këtyre rasteve”, thuhet në raportin e tyre, ku shtohet se në gjykatë janë ngritur shumë padi penale dhe janë mbajtur gjykime kundër njerëzve të pandërgjegjshëm që merren me këtë lloj krimi të shëmtuar, por sipas gjykatësve kjo nuk mjafton.

    “Kosova është një vend i vogël ku me një punë serioze mund të zbulohet zinxhiri i këtij rrjeti më të shëmtuar të shekullit 21”.

    Hulumtimet e KMLDNJ-së, bëjnë të ditur për punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ku tregohet se këto dy institucione në orë te vona të natës, herë pas here kanë ndërmarrë aksione për kontrollimin e lokaleve të dyshimta me ç’rast kanë hasur në shumë femra të trafikuara nga Moldavia, Ukraina, Bullgaria por edhe nga Kosova dhe Shqipëria të cilat kanë pretenduar se janë kameriere apo valltare ndërsa në fakt kanë shërbyer si “mish i bardhë”.

    Raporti tregon se në bashkëpunim me inspekcionin e tregut dhe atë sanitarë disa prej këtyre lokaleve janë mbyllur.

    Në bazë të hulumtimeve dhe në bazë të dhënave të Policisë së Kosovës KMLDNJ tregon se janë identifikuara dhe analizuar gjithsej 16 raste të vëzhgimit, 7 operacione të fshehura, 21 raste të operacioneve me njësitë tjera policore dhe 4 raste të operacioneve me inspektorët komunalë.

    Pas kësaj janë mbyllur 18 lokale ku supozohet se është ushtruar prostitucioni ndërsa janë arrestuar 24 persona prej të cilave 14 janë kosovarë, 5 ukrainase, 3 bullgare, një nga Shqipëria, 1 moldave dhe një nga Serbia ( shqiptare ).

    Janë identifikuar 6 viktima prej të cilave 4 janë kosovare, 1 moldave dhe një shtetase e Shqipërisë.

    Nga organet e hetuesisë janë duke u trajtuar 10 raste.

    “Përfundimisht, në bazë të hulumtimeve dhe duke e përcjellur dinamikën e zhvillimit të këtij fenomeni siç janë trafikimi dhe prostitucioni, KMDLNj –ë mendon se masa më efikase për parandalimin e përshkallëzimit të këtij fenomeni është legalizimi i shtëpive publike”, thuhet në raportin e tyre, ku shtohet se në këtë mënyrë shteti do të kishte më shumë kontroll dhe në anën tjetër do të zvogëlohej interesimi për një veprim ilegal nëse kjo veprimtari do të mund të legalizohej.

    Sipas KMLDNJ-së, kjo praktikë pra legalizimi i shtëpive publike praktikohet edhe në shtetet me demokraci të zhvilluar ku të drejtat e njeriut respektohen në masë të madhe. Në të kundërtën, Kosova nuk ka kapacitete që në mënyrë efikase të merret me luftimin e kësaj dukurie.

    Sipas këtij këshilli, Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Mitrovica janë qytete shumë “aktive” në organizimin e prostitucionit.

  2. #2
    kujtimi Maska e KUJTIM CAMI
    Anëtarësuar
    24-10-2008
    Vendndodhja
    prrenjas
    Postime
    463
    Sipas tyre Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Mitrovica janë qytete shumë “aktive” në organizimin e prostitucionit.

    PO KU I ÇOJNË SE NË ITALI NUK KEMI PARË???
    Ky vërtet është turp, për ata që e bëjnë, jo për ato të shkretat që e bëjnë atë punë nga zori ose nga mashtrimi

  3. #3
    kujtimi Maska e KUJTIM CAMI
    Anëtarësuar
    24-10-2008
    Vendndodhja
    prrenjas
    Postime
    463
    Ja se ç'far duhet të bëjnë ato fatkeqe:




    VRASJA E NJË FRIKE




    Përpara doli një vajzë shumë e bukur. Me fytyrën e saj ëngjëllore të bënte për vete që në pamje të parë. Flokët e saj ngjyrë gruri derdheshin mbi supe. Sytë ngjyrë gri i jepnin më tepër hijeshi. Kish një delikatesë dhe në ecjen e saj.
    Për një moment hodhi një vështrim tek të gjithë,jo me mendimin se a po e pëlqenin,por donte të verifikonte diçka. Mbasi u bind, filloi:
    - Më duhet t’ju tregoj me patjetër historinë time. Veç kini pak durim që ta dëgjoni.
    Mbase dyshoi nëse do kishin durim ta dëgjonin. Mbase ishin lodhur me këto historira. Por ata vendosën ta dëgjonin dhe ajo filloi:
    -Makinës ju dha gas dhe ajo la prapa erën karakteristike të benzinës. Dikush nga shoqet tha:- Më duket se ja ka vënë syrin ndonjërës nga klasa jonë ky tipi.
    -E ç’na duhet ne. Kemi provimet s’ja kemi ngenë, apo jo goca.-tha Leda. Ato vazhduan të bisedonin, ndërsa mua më ngeli mëndja tek makina dhe shoferi i saj. E quanin Ardi. Isha interesuar dhe më kishin thëne se i pëlqeja. Kjo më bënte të lumtur sepse ai i plotësonte të gjitha kërkesat e mija për të dashurin tim. Ishte i bukur, me makinë të bukur, me para, jetonte në Itali,e ç’doja më tepër unë!
    Pata dhe disa kontakte të tjera vizive me atë djalë dhe veprimet e tij, kur përballej me mua, më linin të kuptoja që ishte shumë kavaljer, dhe kjo mua më bënte të ndihesha mirë, thjeshtë më pëlqente. Të njëjtën sjellje bënin dhe disa djem të klasës apo të qytetit me mua por s’kishin atë klasin e tij.
    Atë ditë që e takova dhe bisedova me Ardin sa nuk fluturoja nga gëzimi. Seç kishte një të folur të bukur dhe një fuqi fjale që më bindëte në çdo argument.
    Pasdite më erdhën në shtëpi Koli dhe Leda që i kisha në klasë, mendova se vinin për ndonjë konsultim, por ata direkt filluan të më flisnin për Ardin.
    -Ku e njeh atë tip ti dhe çfar di për të- tha Koli.
    Leda nuk më la të flas por me një ton të ashpër tha:
    -Ku janë ëndrat e tua për mjekësinë? Ku vete? Thirri mëndjes!
    -Po mbi të gjitha ne nuk e njohim.-tha Koli.

    Po i shihja e hutuar dhe më habiste fakti se ku e gjenin ata kurajon të më flisnin në këtë mënyrë? Ndaj e revoltuar thashë: - Ore po ç’ju duhet juve se ç’bëj unë ? Ku e gjeni ju të drejtën të ndërhyni në jetën time?
    -Tek shoqëria që kemi bashkë-tha Leda
    -Të kërkoj ndiesë që e filluam pak keq-tha Koli dhe pasi u kollit vazhdoi- Eda, ti e di që unë kam një të dashur.....dhe nuk është se po bëhem xheloz për ty. Pastaj ti e di që unë të kam si motër....
    Ai desh të vazhdonte por mua më ishin acaruar nervat dhe e nervozuar thashë- Mjaft! Nuk më pëlqen morali i tepërt. Dhe me jetën time bëj çfarë të dua vetë. E kupton tani ti vëllaçkoja im. Dhe fjalës vëllaçko i dhashë një ton ironie që ta kuptonin se po më bezdisnin. Ata e kuptuan dhe u ngritën e ikën. Të nesërmen në klasë shumë nga shokët e shoqet më kthyen krahët e s’më folën.
    Fredi, Endri dhe dy tre të tjerë, që s’më kujtohen, mu afruan më përshëndetën bile Fredi më ftoi dhe për kafe, por unë s’pranova.
    Nuk e di se ç’kishte diçka që më bënte të dyshoja në fjalët e tyre!?
    Ditët kalonin dhe sigurisht që unë me Ardin po e shtonim njohjen tonë.
    Unë isha e lumtur dhe s’më interesonin të tjerët.
    Ardi erdhi dhe në shtëpinë time dhe bisedoi me të mitë. Babi i tha: -Mirë mor djalë mirë, po unë dua të flas me njerëzit e tu.
    -Patjetër- u përgjigj menjëherë Ardi.
    Pas dy ditësh erdhi tek ne i ati i Ardit bisedoi me babin dhe vendosën se kur do vinin për të bërë ceremoninë zyrtare të fejesës, së paku kështu i thonë.
    Atë ditë që shkuam ne për vizitë tek shtëpia e Ardit pashë një lloj ftohtësie tek prindërit e tij,por mua nuk më interesonte asgjë pasi isha e lumtur sepse ndieja që Ardi më donte, dhe mendova se me kalimin e kohës e me sjelljen time do t’i bind e do të më duan.
    Pas dy javësh Ardi erdhi në shtëpi dhe na tha se duhet të ikte me patjetër në Itali sepse i fillonte puna dhe ne të gjithë një zëri i thamë mirë. Në të vërtetë mua nuk më erdhi mirë që po ikte por në fund të fundit s’mundt t’i thosha rri. Atë natë biseduam gjatë dhe ai më dha një mal me porosi.Dhe unë ju betova për vëllain, njeriu më i shtrënjtë për mua, që do ti kisha parasysh të gjitha ato që më porositi ai.
    Ndërkohë në shkollë unë fillova të jem krye lartë sepse jua “theva hundët” të gjithëve që dyshuan tek Ardi dhe në klasë nuk flisja me asnjë. Çdo ditë flisja me Ardin në telefon dhe ai më kujtonte porositë që më kish dhënë. Një natë më tha: - Eda e di që qënka shumë e vështirë për të të bërë dokumentat pa qënë këtu?!
    -Po si do bëjmë?- i thashë.
    - S’e di- u përgjigj ai e pastaj vazhdoi- mirë, mirë se bisedojmë kur të vi aty.
    Ardi më lajmëroi se do të vinte.Tërë natën nuk fjeta nga gëzimi. Pse të gënjej. Më kish marrë malli. Nga dita që erdhi, tema e bisedave ishte vetëm se si do të shkoja unë në Itali.
    - Po të jesh ti atje,gjërat janë më të lehta.-tha Ardi.
    - Po si të vijë more bir?! – tha mamaja ime.
    - Si kanë ikur të tërë moj krushkë- tha i jati i Ardit.
    -Me gomone?-tha babi dhe thithi fort cigaren e vazhdoi- Jo,jo punë që s’bëhet.
    -S’tha njeri me gomone.- tha Ardi.
    -Po si?- tha mamaja ime.
    -Me dokumenta fallco.... do na kushtojnë pak po s’ka gjë- tha Ardi.
    Dhe kështu bëmë. Ndërkohë unë e mbarova shkollën dhe nuk tentova për shkollë të lartë, keq më erdhi sepse mjekësinë e kisha ëndër, por u ngushëllova me mendimin se mund të më jepej mundësia ta vazhdoja në Itali. Erdhi dita për tu nisur. Rruga kaloi sipas të gjitha parashikimeve. Sapo mbërritëm, Ardi më tha: -Merr në telefon në shtëpi dhe lajmëroi që arrite mirë e të mos bëhen merak.
    Ditët kalonin dhe unë po çmëndesha nga lumturia. Gjërat po shkonin shumë mirë deri atë natë..... ah ajo natë!
    Mori frymë thellë, u duk që ajo natë i ishte skalitur në kujtesë. Diku nguli sytë e bëri një pauzë pak të gjatë sikur donte të kujtonte çdo detaj të asaj nate.
    -Po darkonim në një lokal. Nuk e di se me kë foli në telefon dhe u nxeh shumë. Kishte dy a tre ditë që nxehej shpesh dhe me mua për gjëra kot.
    -Çohu se do ikim- më tha dhe doli pa më pritur. E ndoqa pas. Hipëm në makinë. Nuk po e kuptoja se ku po shkonim. Makina ndaloi para një shtëpie paksa të veçuar.
    -Hajde zbrit – më tha.
    Zbrita dhe e ndoqa pas. Hymë brënda. Aty ishn dhe tre persona të tjerë që nuk i kisha parë kurrë më parë. Sapo hymë Ardi me fjalë fyese ju drejtua njërit prej tyre. Ishte një mesoburrë shtat shkurtër pa flokë e me pak bark. Biseda sa vinte e tensionohej. Flisnin për punë parash po për shuma të mëdha. U trëmba shumë ndaj dhe i thashë:
    -Zemër më ço mua në shtëpi.
    Më pa gjithë inat e nuk më foli. Biseda tashmë ishte kthyer në zënkë. Pa pritur Ardi nxorri nga brezi një pistoletë, që nuk ja kisha parë kurrë, dhe shtiu mbi të. Nuk e kuptova që shtiu sepse pistoleta nuk bëri zhurmë por e kuptova kur qerosin e mbuloi gjaku. E qëlloi në kokë. Unë u tmerrova dhe zura të bërtas. Ardi u kthye nga unë dhe filloi të më godiste me sa fuqi kishte e ku të mundëte.
    -E pe si përfundoi ai- më tha dhe ndezi një cigare e pastaj vazhdoi- Po nuk mu binde mua dhe po hape gojë kështu do të përfundojë yt vëlla që ti e do aq shumë.
    Asgjë s’po kuptoja. Unë atij së paku i isha bindur gjithmonë ndaj thashë:
    -Zemër, ti e di që unë ty nuk ta kam prishur asnjëherë. Pastaj kë kam më të shtrënjtë se burri im?!
    -Hahahahaha, burri thotë. Çfar burri thua moj budallaqe, akoma se ke kuptuar se të kam marrë për të punuar në rrugë. Hahahahaha- më tha dhe më dha një shkelm në bark.
    Po vazhdoja të dyshoja se mos po më provokonte, ndaj i thashë: - Jo, jo atë punë s’e bëj dot.
    -Ashtu ëëëëëë. Mirë, atëhere dëgjoje vetë me veshët e tu- tha dhe nxorri telefonin formoi një numur dhe e vuri telefonin që ta dëgjonim të gjithë.
    -Alo, hë njisho ça ke bo- tha zëri matanë.
    - Hiç mor daj. Po kom nji hall- tha Ardi.
    -Fol njisho ti e di që unë nuk e boj dysh llafen tate.
    -Ajo që mora unë e ka nji vëlla ëëëë.
    -Po. Ai qyrrsi i vogël që ma tregove para se me hik.
    -Po, po daje. Kur të të them unë e di detyrën ti ëëëëë.
    -Sigurisht njisho biletën vetëm vajtje. Hahahaha.
    -I modh je për zotin. Hajde mbylle tani natën.
    -Hajt natën njsho. Tha zëri matanë dhe e mbylli. Në dhomë ra heshtja.
    -Ardi,seriozisht e ke- i thashë
    -Jo po me tu tall – tha ai dhe u çua e shkoi drejt dy të tjerëve që gjendeshin aty,që deri në atë kohë s’kishin marrë vesh asgjë sepse ne kishim folur shqip.
    -Hë çuna a doni të argëtoheni pak- tha Ardi
    -Po- thanë gati një zëri të dy ata.
    -Çohu e shko në dhomën tjetër me këtë të parin- mu drejtua mua dhe shtyu drejt meje njërin prej tyre.
    Të nesërmen në mëngjes më çoi në një shtëpi tjetër dhe më tha: - Oj kurvë tashmë kjo është shtëpia jote. Bjer e fli se do punosh gjithë natën. Ah se desh harrova , hape gojën po s’tu dhims yt vëlla. Kaq tha dhe iku. Nuk po më besohej që gjithë ajo që ndodhi ishte e vërtetë.
    Nga ajo natë e mallkuar filloi kalvari i gjatë i vuajtjeve të mia. Sa herë që flisja në telefon me shtëpinë, pistoleta më rrinte tek koka dhe ai telefonin e mbante gati për të folur me mikun e tij. Në momentet e vetëmisë më kujtoheshin të gjithë shokët e shoqet e klasës që më folën por unë nuk i dëgjova. Ata sigurisht ishin nëpër koridoret e universiteteve ndërsa unë numuroja pllakat e trotuareve të Italisë gjysëm e çveshur me trup e shpirt të dërrmuar. Ç’t’i bësh! Kështu qënka thënë për mua. Të jem fatkeqe.Një natë më vjen Ardi tek vëndi ku rrija dhe më tha:- Dëgjo këtu! E sheh atë makinën e bardhë që ka ndaluar? Do vesh e të rrish gjithë natën me të. Dhe dëgjo! Në mëngjes me vrap në shtëpi ëëëë. Qartë!
    -Po – thashë unë. Mora rrugën drejt makinës dhe në mëndjen time po thosha një lutje që ai që do të rrinte me mua gjithë natën të ish njeri e jo kafshë. Hapa derën e makinës dhe pa përshëndetur u ula. Në krahun tjetër ish ulur një burrë i vjetër rreth të shtatëdhjetave me flokë dhe mjekër të thinjur që në të vërtetë i jepte një pamje fisnike. E ç’pamje fisnike, mendova, derisa vjen këtu e me këtë moshë, ku është fisnikëria?!
    -Mirmbrëma bijë.- tha plaku.
    -Mirmbrëma- ja ktheva unë por fjala bijë se si më tingëlloj, më habiti me thënë të drejtën. Gjatë gjithë rrugës nuk folëm. Makina ndaloi përpara një vile. Zbrita dhe ndoqa prapa plakun.
    Hymë në shtëpi që për të qënë e sinqertë, më shumë më ngjau me një galeri artesh. Kishte shumë piktura e skulptura në koridor dhe nëpër shkallët që të çonin për në katin e dytë.
    Po ngjitesha nëpër shkallë kur përpara meje u shfaq një grua rreth 60-65 vjeç, e veshur shumë hijshëm me flokët që i shkonin deri tek supet, merte një pamje shumë serioze.
    -Hajde Eda-tha gruaja.
    Thirrja në emër më shtangu! Po gruaja nuk më la të mendohem gjat dhe të flas. U drejtua nga burri që më solli në atë shtëpi dhe tha:
    -Besoj që nuk i ke thënë se si quhemi?!
    Pastaj u kthye nga unë e vazhdi
    -Ky është Paolo. Ndërsa unë jam Barbara gruaja e këtij “plakut”.
    -Më falni po unë nuk po kuptoj asgjë- thashë unë.
    -Barbara çoje çupën të ndërrohet e pastaj hajdeni të hamë darkë- tha Paolo dhe u largua.
    -Barbara më shoqëroi në një dhomë të mobiluar bukur dhe më tregoi me dorë një krevat.
    -Ky është krevati yt. Këto janë rrobat e tua. Në qoftë se do të bësh dhe banjë, banja është këtu- dhe hapi një derë.
    Barbara iku e më la aty, me një mal me “PSE” në kokë. Bëra një banjë, u vesha me teshat që më kishin lënë aty dhe për të qënë e sinqertë nuk e vura re që më rrinin tamam pas trupit, pra ishin në masën time. Shkova në dhomën e ngrënies. U ula në tavolinë e filluam të hanim. Nuk e di por mu krijua përshtypja se ata të dy dikë prisnin. Unë vazhdoja të isha e hutuar dhe nuk po kuptoja dot përse ky plak vjen e paguan një prostitutë dhe pastaj e prezanton me gruan e tij???
    Në qoftë se më mori për tu argëtuar përse më ndërroi dhe rrobat e trupit? Përse,përse,përse..... o Zot po çmëndesha nga pikëpyetjet që kisha në kokë dhe kështu që vendosa të flas.
    -Ju faleminderit për këtë darkë dhe këtë mikpritje, por unë dua të di përse gjendem këtu?!
    -Do ta marrësh vesh bija ime- tha Paolo, e pasi bëri një pauzë vazhdoi- Do ta marrësh vesh por kur të vijë koha. Tani shko e shtrihu se vajti vonë-përfundoi ai. Kur u shtriva në krevat lloj lloj mendimesh filluan të më vinin në kokë, dhe ashtu në mendime më kishte zënë gjumi. Gjumë të tillë kisha kohë që nuk bëja.
    Në mëngjes Paolo më shoqëroi në hotel ku ne rrinim.Gjatë gjithë rrugës përsëri nuk folëm. Në hotel vajta e për sy e faqe u shtriva por as vetë s’e kuptova më kishte zënë gjumi. Në drekë erdhi Ardi dhe si gjithnjë goditi me shqelm dhe më tha:
    -Të paska lodhur shumë plaku! Po dhe e paske kënaqur se të kërkon prap sonte.
    Thithi dy herë cigaren dhe vazhdoi:
    -Bëju gati dhe ik pak më herët sot, se paguan mirë plakushi.
    -Si urdhëron!- thashë unë.
    I njëjti ritual u përsërit atë natë dhe disa netë të tjera. Pas gjashtë herësh vendosa të kundërshtoja derisa Paolo të më tregonte përse më merrte.
    Hipa në makinë pa thënë as mirëmbrëma. Paolos kjo i bëri përshtypje dhe me ironi tha: -Që kur na ka ikur goja?
    -Nuk të flas pa më thënë përse më merr-thashë unë.
    Qeshi dhe tha:
    -Sonte është dita që do marrësh vesh gjithçka, ndaj qesh pak se bëhesh më e bukur.
    Kur hymë në shtëpi më bëri shënjë që të mos bëja zhurmë.
    Hymë në dhomë aty ishte Barbara. Ajo sikur të ma kishte lexuar mendimin më tha: - Mos u mërzit se sot do t’i kuptosh të gjitha.
    -Asnjëherë nuk të kemi pagur ne,por dikush tjetër dhe asnjë herë nuk ka pasur kurajon të të dalë para- tha Paolo.
    -Po kush është ky?-thashë unë.
    -Do ta shohësh- tha Paolo.
    -Ai sonte nuk di gjë që ti je këtu ndaj do vijë e do të hyjë direkt kështu që do ta shohësh-tha Barbara
    Mes nesh ra një heshtje për disa minuta. Heshtjen e theu Barbara
    -Veç ta dishë sa të do.Është i marrosur pas teje.
    Po sillja në mëndje të gjitë meshkujt që njhja dhe po mundohesha të kuptoja se kush mund të ishte kur u dëgjua të hapej dera.
    Para meje u shfaq Endri, një nga ish shokët e klasës!
    Ai shtangu kur më pa dhe një skuqie i përfshiu gjitë fytyrën.
    -Eda...... ti.... këtu.... si je- mezi foli ai me një zë të mekur.
    -E pashë që ti nuk kishe kurajo biri im ndaj e bëra këtë- tha Paolo-ja ku e ke tani thuaja të gjitha ato që na ke thënë ne.
    Unë, që deri në atë moment akoma nuk e kisha mbledhur veten nga ai “shok”që mora, po ndihesha më në siklet se Endri, megjithatë thashë:
    -Endri po si nuk më the asnjëherë një fjalë të paktën?
    -Me fjalë nuk mundesha por me veprime të kam thënë shumë por...... ti nuk më kuptoje-tha ai.
    Atë natë biseduam gjatë të katërt dhe nuk gjenim dot një zgjidhje. Ishte shumë e vështirë që unë të shkëputesha nga rrjeti i Ardit. Paolo insistonte që unë të paraqitesha në polici dhe ta denoncoja por unë e dija që shokët e tij do të më bënin ndonjë gjë të keqe familjes time në Shqipëri dhe unë do të vuaja shpitërisht.
    -Eh xhaxha Paolo!Unë jam fatkeqe dhe e tillë do vdes-thashë unë.
    -Mos të ta dëgjoj më këtë fjalë-tha Paolo dhe u ngrit e doli nga dhoma.
    Dëgjuam që me dikë bisedoi në telefon. Kur u kthye në dhomë tha:
    -Ja kështu..... do ta rregullojmë. Por duhet durim kurajo dhe pak kohë.
    Atë natë unë dhe Endri nuk fjetëm, vetëm biseduam si dy të dashuruar që njiheshim prej kohësh por tani po e njhnim vërtet njëri tjetrin.
    Pas disa ditësh më vjen në dhomë ai,Ardi, dhe më jep një grusht në fytyrë dhe duke qeshur më tha:- Hë bushtër e bëre për vete plakushin. Si duket nga paratë qënka mirë.Po para se të bëhesh e tija do të të rrah do të të përdhunoj pastaj do të të shes. Që të më kujtosh gjithmonë do t’i bëj këto.
    Ashtu tha e ashtu bëri.
    E më pas më tha- hajde pirdhu tani,shko e martohu me plakushin tënd!
    Vërtet nuk po kuptoja gjë. Kur shkova në shtëpi tek Paolo mora vesh se Paolo kish paguar para për të më marrë mua, gjoja grua, vetëm e vetëm mos e merrte vesh ai kafshë sepse pastaj do të fillonin problemet.
    Por se sa kishte paguar Paolo, këtë nuk arritëm ta mësojmë as unë e as Endri. Fillojë një jetë e lumtur për mua. . Jetonim në një shtëpi me Paolon e Barbarën.Unë bëja punët e shtëpisë, Barbara gatuante, Endri shkonte në punë ndërsa Paolo merrej gjith ditën me pastrimin e skulpturave të tij që ai i dashuronte aq shumë. Më së fundi thshë se dhe për mua mbaruan hallet. Një ditë duke bërë punët në shtëpi gjeta disa kambiale që Paolo kishte firmosur dhe një deklaratë ku thuhej se në qoftë se nuk kthente paratë do ti merreshin statujat. Pra Paolo kishte paguar shumë shtrënjtë për mua. Ja tregova Endrit gjithçka pashë dhe të dy filluam të mendojmë se si mund të paguanim ne këtë “borxh”. Nuk po gjenim asnjë rrugë dalje. Pas dy ditësh Endri vjen në shtëpi dhe më thotë se e kish gjetur rrugëdaljen. Një shok i kishte thënë se po të çonte një çantë diku fitonte njëmijë euro o më shumë!? Ju luta të mos e bënte por ai këmbëngulte se vetëm kështu mund të shlyenim “borxhin”, dhe më premtoi se me të arritur shifrën do ta linte këtë “punë”. Dhe pak kishin ngelur, për tu shlyer “borxhi” por.... Endri u kap...... dhe unë përsëri kthehem në një fatkeqe, sepse jo vetëm që Endri hyri në burg por humba dhe dy njerëzit e mi më të dashur, Paolon e Barbarën, të dy u zemëruan me mua dhe Endrin. Mua dhe Endrit kjo na rëndon më shumë se sa burgu i Endrit.
    Kjo pra ishte historia ime....... ! Historia e një vajze fatkeqe, e një çifti fatkeq që edhe pse pati ndihmën e dy njerëzve të shkëlqyer nuk mundi dot t’ja dalë mbanë.
    Kaq tha ajo vajzë e bukur dhe e trishtuar. Me sytë e përlotur shkoi e u ul në vëndin e saj. Në sallën e gjyqit ra një heshtje.
    Në kohën që trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin,unë nuk po ja ndaja sytë Edës dhe vërtet po shihja trishtim në sytë e saj. Pranë ju afruan një çift i moshuar. E kuptova kush ishin ndaj u afrova pranë tyre.
    -Mirdita bija ime- tha Paolo
    Eda, që nuk i kish vënë re kërceu përpjetë sapo dëgjoi zërin e tij.
    -Vërtet ju vazhdoni të më quani kështu?-tha Eda.
    -Patjetër-tha Paolo- ne nuk e dinim të vërtetën ndaj dhe u zëmëruam- vazhdoi ai.
    Ajo i përqafoi të dy dhe u përlot. Ishte një përqafim që më mallëngjeu.
    Tashmë në sallë të gjithë ishin bërë përkrahës të kësaj vajze bukuroshe por, fatkeqe siç e quante ajo veten.
    Trupi gjykues u rishfaq në sallë. Ata po zinin vëndet e tyre ndërsa në sallë po vendosej qetësia. Heshtja pushtoi sallën.
    Kryetari i trupit gjykues filloi të lexonte por unë as që e kisha mëndjen fare aty. Vetëm shihja njëherë Edën e njëherë Endrin që rrinte kokë ulur.
    - Që kjo vajzë të mos thotë më “jam fatkeqe” trupi gjykues vendosi që
    i pandehuri të dënohet me kusht...- tha kryetari i trupit gjykues. Në sallë shpërthyen duartrokitjet dhe s’munda dot të dëgjoj më se ç’tha.
    Ndërkohë që të gjithë po mundoheshin të përgëzonin Edën dhe Endrin Eda doli dhe një herë para trupit gjykues dhe kërkoi leje që të fliste.
    Mendova se do të falenderonte të gjithë ata që e kishin përkrahur, ndaj po ftoja të gjithë që ta dëgjonim. Ajo priti sa ra përsëri heshtja në sallë dhe filloi: - Ju falenderoj zoti gjykatës-tha Eda- Ju falenderoj që menduat të mos jem më “fatkeqe”. Por s’është e thënë për mua.-vazhdoi ajo.
    Të gjithë në sallë po habiteshin me fjalët e saj. Por ajo nuk la kohë sepse vazhdoi.
    -Shkaktar i të gjitha vuajtjeve të mia ishte ai, Ardi. Them ishte sepse sot në mëngjes shkova në dhomën e tij dhe e vrava me pistoletën e tij. Mos u lodhni të gjeni autorin e këtij krimi. Autori jam unë.-tha ajo Mori frymë shumë thellë, sikur të ishte lehtësuar nga një barrë e rëndë.E pastaj vazhdoi.
    -Nuk është se vrava Ardin por vrava frikën që shumë shoqet e mija nuk e vrasin dot.


    Korrik 2009

    [B]E kam hedhur në forumin shqiptar edhe tek faqia ime [/B]( Lulet e majit për ty!)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •