Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e mondishall
    Anëtarësuar
    28-11-2006
    Vendndodhja
    Ne Selanik te Greqise
    Postime
    2,690

    Kriza në Kritikën e Krijimtarisë-KriKriKri

    Kriza në Kritikën e Krijimtarisë-KriKriKri

    Tek shikoj titullin, konstatoj rastësinë e njëjtësisë së tre fjalëve në tre gërmat e para, KriKriKri.
    Sa mirë, tani e kam më kollaj, që në vazhdim në shkrime e biseda, ta përdor këtë bashkësi, pasi ndjej jo vetëm kursim vendi e kohe, por edhe një lloj tingëllimi që trokon mendjen, duke ndikuar në mos’harim të shpejtë të saj.
    Kri-ja e parë ka zënë fronin prej kohësh në mbretërinë njerëzore dhe luan me krijuesit e saj, njëlloj si mbreti me vasalët.
    I çuditshëm ky paradoks, por ja që ekziston e do ekzistojë aq kohë, sa të ketë kontradiktsion interesash në shoqëri.
    Dhe si virus epidemie, që s’pyet për të shëndetshëm e të dobët, kjo Kri shtrin kthetrat e saj, edhe aty ku imuniteti mbrojtës duket i pakapërcyeshëm.
    Kredia e fjalëve tejkalon mundësinë e tyre mbuluese nga fjalët e rastit.
    Më konkretisht tani.
    Më gjeni qoftë dhe një shkrim të ashtuquajtur kritik, ku të mos ketë sufiçit fjalësh nga trubanka e kritikut, që mbështjell e mbështjell me shtresë dhjamore duke e zvogëluar brenda saj, atë plazmën-art të krijuesit, qoftë dhe në idhullimin e saj.
    Investimi i synuar i kritikut, tejkalon në fakt fuqinë e çekut të fjalëve të tij, duke u kthyer papritur në bumerang. Pse?
    Sepse s’mund të investosh kursesi tepricë fjalësh, aty ku s’ka mangësi të tyre.
    Akoma më konkretisht, për të më kuptuar dhe ai që kalimthi hedh sytë në këtë shkrim, pasi ai tjetri, ai sufiçitari i fjalëve, as e diskutoj që e ka çuar tani gjuhën tek dhëmbi i prishur, që sa filloi t’i dhembë.
    Po ja, o kalimtar i rastësishëm, që thua ti, sot u mbush dynjaja me më shumë kritikë se krijuesa. Ç’të keqe ka? Edhe unë me ty jam, s’ka ndonjë të keqe të madhe. Le të ketë shumë në numur, nuk prish punë, por si t’ja bëjmë hallit që ka më shumë se ata në llafe, o byrazer, që e shumojnë veten tmerrësisht.
    Mos u çudit, se ta sqaroj unë me pak fjalë tani.
    Merr tjetri librin e një poeti, psh.
    Në hyrje mos prit të marrësh vesh ndonjë të dhënë për librin, sepse e kanë vendin nëpër rrjeshta thënie e vetëm thënie njera pas tjetrës, të autorëve të lashtë, më pak të lashtë, pastaj të mesjetës, të pasmesjetës e kështu deri në ditët e sotme.
    Çfarë autorësh? Nga të gjitha llojet e dijes, o byrazer, me pemën e madhe të dijes në krye, filozofinë.
    I kanë të freskëta tani kritikët tanë thëniet e gjithë atyre filozofëve të ndaluar më parë, kështu që, o burra, kush e kush të tregojë se jo vetëm i ka lexuar, por i di përmendësh.
    Tamam si dikur me thëniet e Partisë së Punës e liderit të saj, të plenumeve e kongreseve, të klasikëve të marksizëm-leninizmit.
    Kjo fjalomani e kredituar prej kohësh nga truri për trurin, sot është kthyer në një dukjemani pretendentcioze, që për mendimin tim formon ato tre Kri-të në titull.
    Edhe kur shajnë, apo lëvdojnë, edhe kur groposin, apo piedestalojnë dikë në krijimtari, këta madhështimaniakësh kritikucë, mendjen e kanë tek vetja.
    Ata kujtojnë se në të dy rastet ekstreme të vlerësimit dhe çvlerësimit, krijojnë piedestalin e vetes.
    Pyesni për vazhdimin? Ç’tju ha kohën më shumë? Në vazhdim, edhe aty ku merren pjesë nga libri, gjoja për analizë kritike, ndodh menjëherë shkëputja dhe fillon tërkuza e grupfjalëve hermetike, të sforcuara, të huaja e të përzjera me shqipen.
    Ndodh, o byrazer, që dhe për vargje të thjeshta, mo po fare të thjeshta, të sajohen ligjërata të tilla të koklavitura, ku jam i bindur që dhe vetë autori dhe ne bashkë me të si lexuesa, të mbledhim buzët dhe çakëritim sytë. Sepse, ane Shan, ane Bagdat, ku kuptimësia e krijimit dhe ku analiza çorbë e tij.
    Më tej? Lere aman! Sipas ineresit të shkruesit, raporteve shoqërore me autorin, etj të këtij lloji egoismash, vendoset asgjësimi, apo hyjnizimi i veprës.
    Dhe mbi gjithë këto qëllime interesash egoiste, vazhdon e vazhdon kultivimi i klonizuar i kritikës për kritikë e pa kritikë, që fatkeqësisht, por vërtetësisht, më krijoi atë ngjizjen treshe në titull, shpikur kaq rastësisht, KriKriKriiiii!!!

    Edmond Shallvari
    -Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e mondishall
    Anëtarësuar
    28-11-2006
    Vendndodhja
    Ne Selanik te Greqise
    Postime
    2,690
    Mendime..

    Gracka e mitçmitit

    Logjikë e thjeshtë.
    Duhet të ekzistojë miti, mitizimi, pa të ketë dhe çmitizim. E para bën pa të dytën, e dyta kursesi pa të parën.
    Kurse tek ne humbën thelbi i shkakpasojës, i ekzistencave dhe mosekzistencave, i pohimmohimit, etj, etj, si këto.
    Tek ne merret e mirëqënë e mosqëna dhe e mosqënë e qëna.
    Kapërcyer këtë hallkë determinante të analizës e deduksionit, tek ne rihet vërtet ujë në hava.
    Në këtë grackë loje me fillim e mbarim qesharak, kanë rënë më shumë të zotët e punës, se të pazotët, pasi këta të dytët janë të grackuar gjithmonë në paditurinë e vetvetes.
    Pra, fatkeqësia e madhe janë të zotët e grackuar.
    Më vjen të ulërij, për këtë fatkeqësi dhe akoma më shumë të superulërij për thellimin e saj.
    Të zotët e punës, do elitoheshin më kollaj e mbase më kollaj do kuptonin vetgrackimin, nëse rreth tyre, pas e para tyre, nuk do kishin armatën jeniçeriane të tellallëve, servilëve, dallkaukëve, mediokërve.
    Është kjo armatë kolerane, që idhullon, hyjnizon, piedestalon njerën palë të penëzotërve dhe rrëzon, injoron, gropos, deri në kërcënim zhdukjeje, palën tjetër që del kondra të parës.
    Të verbuar nga shkëlqimi aparent i pellgut batakian, vazhdojnë çdo ditë e më shumë zhytjen brenda tij.
    Nëse dikush shfaqet qoftë dhe pakëz i devijuar, ta dijë që e pret njollosja si antishqiptar e tradhëtar.
    Thënë më troç, po ndodh një inkuizicion arkaikomodern ndaj fjalës e mendimit ndryshe, duke e shpallur heretike, satanaike.
    Penëzotërit të vetgrackuar, ndjehen të nderuar, të mbrojtur nga të ashtuquajturit kombëtarët e flaktë. Kundërshtuesit e tyre, qofshin me, apo pa argumente, sulmohen si antikombëtarë. Kaq ju mjafton penëzotërve për ngushëllimin e vetes.
    Më besoni, e përsëris, që më vjen të ulërij, kur shikoj e lexoj këtë tragjikomedi shqiptare në llojshmërinë e mjeteve informative. Mijra e mijra shkrime, më ngjajnë si armë me mbushje bërthamore fjalësh, që kancerojnë trurin njerëzor.
    Ajo për të cilën predikohet se mbrohet, për të ruajtur qënësinë historike të kombit në emër të luftës kundër çmitizuesve të figurave kombëtare, bëhet në një formë kaq diletanteske dhe zvërtitëse, sa kthehet në bumerang.
    Duke kujtuar se mbrojtja u bë, vazhdohet paralelisht diletantizmi, përsëri i zvërtitshëm, me mitizimet e injorimet e reja.
    S'ka nevojë të vras mendjen për krahasim, se ja tek më shfaqen para sysh idiotllëqet ramiziane për mitizimin qesharak të paraardhësit të tij, Enverit, me ato parrullat gurore standarte qyteteve e fshatrave, që i ndeshje në çdo hap të jetës.
    O njerëz, kushdo qofshi, të penës apo antipenës, të forcës së krahut, apo të mendjes!
    Nuk ka komb në botë të mitizojë e çmitizojë kësisoj, heronjtë e të shquarit e vet. E theksoj, kësisoj!
    Kush tha, që është mitizuar Skënderbeu(Gjergj Kastrioti)?
    Ku e ndeshni mitin Skënderbe?
    Në shkrime legjendash? Po ato atë destinacion kanë, legjendarizmin. Apo në veprat e tjera të artit? Po arti atë punë ka! Të krijojë artistikisht e fantazisht, paralele realitetesh.
    Pse, nuk e di njeriu normal, që nuk është adekuat me origjinalin një bust, një rrëfenjë, një pikturë, për Skënderbeun?
    Pse e etiketojnë disa, pasurimin e historisë së figurave të njohura historike, me çmitizim të tyre?
    Nëse një figurë e tillë, për mua e këdo, ka qënë dikur ekzistent dhe është veçuar nga koha mbi të tjerët, kush tha që ky quhet mitizim?
    Për mua e këdo tjetër, mbetet e vërteta, realja, që ai ka qënë, ka bërë histori. Kam të drejtë ta vlerësoj atë, ta veçoj nga të tjerët.
    Dhe për të vazhduar logjikën më lart, nëse pas kësaj shkalle njohjeje, mësoj më shumë të vërteta në vazhdim, qofshin të zakonshme, edhe zhgënjyese, po të doni, për diçka të mëparshme të njohur tjetërlloj, kush tha që unë do ta përçmoj atë, do ta injoroj, nëse e mira e tij ka mirësuar historinë e kombit?
    Për çfarë mitizimi u bëka atëhere fjalë?
    E nëse s'ka mitizim, ç'i mëshohet kaq me alarm e nevrasteni sulmit ndaj çmitizimit?
    Mua, më shumë se i ashtuquajturi çmitizim, që s'më tremb e merakos fare, më shqetëson keqinterpretimi i historisë. Po i kategorizuam keqinterpretuesit, injoruesit, sofistët e historisë, në çmitizues, kemi rënë në lojën e tyre të ndyrë edhe ne.
    Ata, qofshin të veçuar, qoftë me qarqe të caktuara antishqiptare pas, këtë duan. Të duket gjithçka si luftë kampesh mes palës që mbron mitin dhe asaj që mbron çmitizimin. Kur në fakt është luftë mes qënësisë historike të kombit dhe dashakeqësve e injoruesve të saj.
    Por unë, s'mund të kategorizoj dashakeq atë, që më ndriçon anë të vërteta të panjohura deri më sot, të historisë e protagonistëve të saj.
    Nuk jam gjithashtu aq budalla, sa ta ha sapunin për djathë, nga dikush tjetër, që me sofizma e copra dokumentash, bën të qënën të paqënë.
    Fundimisht, nga penëzotërit tanë, pres të çgrackohen, të lirohen nga rrethi vicioz i mitçmitit, që për mua përbën kompleksin më të rrezikshëm, të njohjes mosnjohëse të historisë.
    -Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e ajzberg
    Anëtarësuar
    22-09-2004
    Postime
    2,214
    Pershendetje Mondi,qe te mos futem brenda ingranazhit te Kri,Kri,Krise ,por po te sjell nje shembull nga nje fshat ne Korce qe e ben shume groshen pllaqi.
    U cuditen gazetaret kur moren vesh te ardhurat nga prodhimi i saj,filluan te shkruajne gazetat terci e verci,fshataret qeshnin dhe hidhnin romuze''Ne bejme groshet , gazetaret pordhet''Keshtu miku im ,te pershendes dhe nje here...............
    Dija eshte injorance e mesuar.....

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e mondishall
    Anëtarësuar
    28-11-2006
    Vendndodhja
    Ne Selanik te Greqise
    Postime
    2,690
    I pershendetur qofsh ajzberg. Edhe nje fabul e vogel flet me shume se nje shkrim i "madh".
    -Pasja e shpirtit është privilegj për trupin. (E SH)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •