Krimi në familje trondit kryeqytetin. Dhëndri vrau vjehrrin, djalin dhe më pas veten, pasi kishte plagosur rëndë edhe vjehrrën. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 në banesën e Azbi Gjonit, në lagjen Allias të Tiranës. Dhëndri, emigrant prej vitesh në Greqi, është kthyer në Shqipëri siç duket me të vetmin qëllim, që të vrasë prindërit e bashkëshortes, që sipas tij e çuan drejt divorcit. Sipas policisë, krimin e paramenduar e shpjegon fakti se Petrit Zaimi, autor i ngjarjes, është futur në shtëpinë e vjehrrit me një pistoletë tip “TT” dhe ka qëlluar ende pa shkëmbyer asnjë fjalë me viktimat. Hetuesit thanë se autori kishte marrë me vete në shtëpinë e vjehrrit edhe djalin e tij 13-vjeçar, Klevisin. Petrit Zaimi, 40 vjeç, ka qëlluar për vdekje vjehrrin e tij, Azbi Gjonin, 79 vjeç, teksa viktima po drekonte me të shoqen. Më pas autori ka plagosur vjehrrën, Nadire Gjoni, 65 vjeçe, e cila ndodhet në spital dhe sipas mjekëve ka kaluar në vdekje klinike, ndërsa shanset për të jetuar duken të zbehta. Një nga plumbat që Petrit Zaimi ka derdhur mbi trupat e prindërve të ish-gruas së tij, ka goditur edhe djalin e autorit të krimit, i cili fillimisht është plagosur në këmbë. Klevis Zaimi, vetëm 13 vjeç, ka zbritur me shpejtësi shkallët e banesës 4-katëshe dhe ka dalë në oborr duke kërkuar ndihmë. Babai i tij nuk ka ndaluar me kaq në masakrën e tij. Ai ka dalë në ballkon dhe e ka qëlluar djalin e tij 13-vjeçar me një plumb në pjesën e kurrizit, duke e lënë të vdekur. Pasi ka kryer krimin, me plumbin e fundit që i kishte mbetur në pistoletë, Petrit Zaimi ka qëlluar veten në kokë.
Vrasja e trefishtë
Në orën 12:30, Salla Operative e Policisë së Tiranës është njoftuar për një vrasje në katin e katërt të një ndërtese, mbrapa konvikteve të Fakultetit të Mjekësisë, në zonën e Alliasit. Bilanci i viktimave është rritur në momentin që oficerët e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Brenda në banesën ku jetonte me qira familja Gjoni nga Skrapari, policia ka gjetur dy kufoma dhe zonjën e shtëpisë, Nadire Gjoni, të plagosur rëndë, e cila është nisur me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza”. Dy viktimat ishin bashkëshorti i të plagosurës, Azbi Gjoni dhe tjetri ishte autori, Petrit Zaimi, dhëndër në shtëpinë ku realizoi krimin dhe më pas kreu vetëvrasje. Sipas policisë, autori i tragjedisë është dhëndri i Azbi dhe Nadire Gjonit, i cili prej disa muajsh ishte i divorcuar me vajzën e tyre. Policisë nuk i është dashur shumë kohë për të gjetur autorin e ngjarjes së rëndë dhe as armën e krimit, pasi ai ishte njëri nga viktimat, ndërsa arma, një pistoletë tip “TT”, kishte mbetur pranë tij. Ndërkohë dëshmitarët poshtë godinës katërkatëshe kanë deklaruar për policinë, se disa banorë të lagjes kanë nisur me urgjencë në spital djalin e autorit të ngjarjes, Klevis Zaimi, i cili ishte plagosur rëndë nga i ati. Brenda pak minutave policia është njoftuar nga spitali “Nënë Tereza”, se edhe 13-vjeçari ka ndërruar jetë me të mbërritur në urgjencë. Ai kishte pësuar dy plagë, një në këmbë dhe një pranë shtyllës kurrizore. Sipas burimeve nga grupi hetimor i policisë, zanafilla e kësaj historie që përfundoi me gjakderdhje ka qenë divorci i kërkuar nga bashkëshortja e Petrit Zaimit. Për këtë vendim që kishte marrë gruaja e tij, Zaimi vazhdimisht kishte fajësuar prindërit e saj, ndaj të cilëve u hakmor dje në mënyrën më tragjike.
Dëshmitarët: Fëmijën e mbajti edhe pas divorcit
“Petrit Zaimi qëlloi veten, pasi kuptoi se kishte vrarë djalin”
TIRANE - Dje në orët e vona të mbrëmjes hetuesit duket se kanë gjetur një argument që shpjegonte vetëvrasjen e Petrit Zaimit, pasi kishte qëlluar me armë vjehrrin, vjehrrën dhe djalin e tij. Pikërisht fakti se pa dashje kishte qëlluar me armë mbi djalin e tij 13 vjeç, besohet se ka qenë shkaku i vetëvrasjes së Petrit Zaimit. Në deklaratën zyrtare të Policisë së Tiranës, lidhur me ngjarjen e rëndë, thuhet se autori i ngjarjes, 40-vjeçari Petrit Zaimi ka qëlluar me dashje mbi vjehrrin dhe vjehrrën, ndërsa gjatë të shtënave një plumb ka prekur edhe djalin 13-vjeçar. I mituri Klevis Zaimi është plagosur në këmbë, gjatë kohës që babai i tij po qëllonte me armë vjehrrin dhe vjehrrën. Mungesa e kontrollit mbi armën që mbante në duar duket se ka ndikuar te pamundësia e Petrit Zaimit për të shpëtuan djalin. Mësohet se pasi ka mësuar se kishte plagosur rëndë 13-vjeçarin, autori i masakrës ka qëlluar më pas edhe veten. Lidhja e vetëvrasjes së autorit të krimit me plagosjen e më pas vdekjen e djalit, është shpjeguar edhe nga dëshmitarët e hetimit, persona të afërt të familjes. Ata janë shprehur se pavarësisht mosmarrëveshjeve me të shoqen, Petrit Zaimi kishte mbajtur djalin e tij me të cilin kishte një marrëdhënie dhe komunikim të mirë prindëror. Përgjatë gjithë kohës së problemeve me bashkëshorten, 40-vjeçari mësohet se kishte mbajtur vetë djalin e tij, Klevis Zaimi, të cilin siç duket pa dashje e qëlloi me armë e madje i mori jetën ditën e djeshme. Një veprim i tillë duket se e ka rënduar akoma më shumë gjendjen e Petrit Zaimit, i cili duket se pasi ka kuptuar se kishte vrarë djalin, ka qëlluar edhe veten me plumbin e vetëm që i kishte mbetur në armën e përdorur gjatë masakrës. tr.so
Krijoni Kontakt