Kryeministri Thaçi: Shqipëria ka hyrë në një stad të lartë të demokracisë, që u tregua me dominimin e frymës paqësore, qetësisë dhe respektimit të njëri –tjetrit
Prishtinë, 9 korrik 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përgëzon kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me rastin e fitores në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Në telegramin e urimit thuhet:
I nderuari kryeministër Berisha,
Kurorëzimi me sukses i Zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 ishte fitore e demokracisë shqiptare dhe tregues i kulturës së lartë institucionale që po dëshmon shoqëria shqiptare përgjithësisht.
Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj, me vëmendje kanë ndjekë të gjitha fazat e fushatës elektorale dhe janë entuziazmuar për nivelin e organizimit, debatin dhe përformancën e shpalosur nga të gjitha subjektet garuese.
Fushata transparente ka bërë që këto zgjedhje të dëshmojnë se Shqipëria ka hyrë në një stad të lartë të demokracisë, gjë që u tregua me dominimin e frymës paqësore, qetësisë dhe respektimit të njëri –tjetrit.
Në zgjedhjet e 28 qershorit doli fitues “Koalicioni për ndryshim”, duke ju dhënë Ju, i nderuar kryeministër, edhe një mandat për ta drejtuar shtetin shqiptar.
Kemi besim të plotë që Ju do të drejtoni një qeveri të koalicionit në të mirë të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, duke ruajtur unitetin kombëtar dhe stabilitetin e përgjithshëm drejt sukseseve dhe perspektivës euroatlantike të Shqipërisë.
Pas anëtarësimit në NATO, Shqipërinë e pret rruga drejt integrimit në BE, dhe kemi bindjen e plotë, që qeveria shqiptare do t’i përmbush të gjitha kriteret për t’u bërë sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, kam nderin dhe kënaqësinë që t’Ju uroj fitoren, duke ju garantuar bashkëpunim të përhershëm me Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e saj në të mirë të të dy vendeve, rajonit dhe më gjerë.
Urime!
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës
__________________________________________________ __
Presidenti Sejdiu uroi Kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu i ka dërguar një letër urimi z. Sali Berisha, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, për fitoren e koalicionit që ai drejtoi në zgjedhjet e 28 qershorit dhe marrjen e përkrahjes nga qytetarët e Shqipërisë për të qeverisur vendin edhe në mandatin e ardhshëm. Në urimin e Presidentit Sejdiu thuhet:
I dashuri kryeministër Berisha,
Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ju përgëzoj për fitoren e 28 qershorit në të cilën “Koalicioni për Ndryshim” mori përkrahjen e qytetarëve të Shqipërisë për të qeverisur vendin Tuaj në mandatin e ardhshëm.
Vlerësoj se procesi i zhvilluar zgjedhor u dha votuesve shqiptarë mundësinë që të përcaktohen të lirë për përfaqësuesit e tyre.
Jam i bindur se Shqipëria, e qeverisur nga koalicioni i ndërtuar mbi vlera të demokracisë dhe të zhvillimit, do të vazhdojë me hapa të vendosur që kombi dhe shteti shqiptar të bëhet pjesë e familjes së gjerë evropiane, duke marrë kështu detyrimet dhe përgjegjësitë që i takojnë. Besoj se Shqipëria, pas anëtarësimit në NATO, në një kohë fare të shkurtër, do të përmbushë kriteret për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, duke realizuar kështu një nga dëshirat dhe ëndrrat më të mëdha të kombit shqiptar.
Ju siguroj me këtë rast se, si President i Republikës së Kosovës, do të punoj ngushtë së bashku me Ju për të thelluar bashkëpunimin në interes të të dy vendeve tona si dhe gjithë rajonit.
Duke Ju përgëzuar edhe një herë, Ju dëshiroj fat dhe sukses në punën Tuaj për të mirën e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Sinqerisht
Fatmir Sejdiu
President i Republikës së Kosovës
Krijoni Kontakt