Abdul-Fadl Farag Amani
Në gjithë botën jemi duke parë një garë interesante mes politikanëve për të fituar betejën e zgjedhjeve dhe për të udhëhequr me popullin e tyre. Gjithashtu pamë edhe garën për Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara mburren me demokracinë si shpikje e tyre, por sipas fakteve historike demokracia nuk është shpikje amerikane.
Për të parën herë, demokracia është praktikuar para erës sonë në Romë, kur Cezari ishte zgjedhur nga anëtarët e senatit. Por, përvoja romake mund të quhet si demokraci e pa plotësuar, sepse senatorët ishin përfaqësues të aristokracisë dhe shoqërisë elite, e kjo nuk ishte zëri i romakëve, që do t’i tregonin dëshirat e tyre. Pa marrë parasysh sa shkurt zgjati dhe se ishte jo e kompletuar, përvoja romake është shpikje e rëndësishme për gjithë njerëzimin dhe është një hap përpara.
Demokracia e parë
Demokracia e parë e vërtetë, posaçërisht në çështjet e ndjeshme siç është zgjedhja e udhëheqësit, është regjistruar menjëherë pas vdekjes së Muhammedit a.s.
Kur i Dërguari a.s e ndjeu se po i afrohet vdekja, dëshiroi ta zgjidh çështjen e pasardhësit të tij, për t’i penguar njerëzit që mes veti mos të ndahen: posaçërisht në shtetin e ri të sapolindur që ai vetë e kishte ngritur në Gadishullin e Arabisë, i cili ishte historikisht i ndarë në luftëra etnike fisnore dhe fraksione politike.
Thellë në brendinë e tij, i Dërguari a.s. dëshironte shokun i tij më të ngushtë dhe ndjekësin e tij gjatë hixhretit (shpërngulja nga Meka në Medinë) si pasardhës të tij, por nuk deshi që dëshirën e tij t’ua imponoj njerëzve, sepse me këtë do të mohonte të drejtën e tyre për të zgjedhur udhëheqësin e tyre.
Ai, gjersa ishte i sëmurë, pak para vdekjes, nga Ebu Bekri vetëm kërkoi që t’u prijë njerëzve gjatë faljes së namazit, çka ishte një gjest simbolik i dëshirës së tij. Nuk bëri asgjë më tepër për t’i detyruar njerëzit në plotësimin e dëshirës së tij, sepse njerëzit verbërisht do ta dëgjonin. Por për të Dërguarin a.s. më e rëndësishme se zgjedhja e Ebu Bekrit për zëvendës, ishte edukimi i qytetarëve me parimet e demokracisë, si gurë në themelimin e shtetit modern që garanton drejtësinë sociale dhe sigurinë kombëtare.
Edhe pse shumica e njerëzve e kuptoi gjestin e të Dërguarit a.s., të tjerët insistuan në të drejtën e tyre për të zgjedhur.
Dy partitë kryesore politike
Në kohën e vdekjes së të Dërguarit a.s. partitë kryesore politike në Medinë ishin muhaxhirët apo emigrantët-në përgjithësi ata që emigruan me të Dërguarin a.s. nga Meka, duke u larguar prej tiranisë-; dhe ensarët apo ndihmësit. Këto ishin popullata vendase e Medinës që e pranuan të Dërguarin a.s. dhe muslimanët tjerë prej Mekës dhe me ta ndanë pasurinë e tyre. Ensarët, kur dëgjuan për vdekjen e të Dërguarit a.s. u takuan me udhëheqësit e tyre në “Beni Saad” e cila ishte vend i posaçëm për kongregacionet publike dhe ata këtu e përgatitën kandidatin e tyre, Sead ibn Ubaden, për pozicionin e zëvendësit të Muhammedit a.s.
Arsyeja e tyre për një qëndrim të tillë ishte se i Dërguari a.s. e kishte caktuar Medinën si kryeqytetin e shtetit islam, pra ishte e logjikshme që udhëheqësi të jetë njëri nga banorët e tij. Në fjalimin e tij të rrjedhshëm Sead ibn Ubade kandidati i tyre tregoi argumentet e tij dhe tha:
“O ensarë! Jju keni privilegj në Islam ashtu siç nuk ka asnjë fis tjetër. Muhammedi ka jetuar në Mekë më shumë se dhjetë vjet duke i thirrur njerëzit të besojnë Allahun dhe të largohen nga idhujt, por ata nuk i besuan, përveç se një numri të vogël njerëzish të cilët nuk mundnin ta mbrojnë atë, fenë e tij, por as edhe veten nga torturat. Por Allahu u zgjodhi juve dhe ju shpërbleu me besimin në Të dhe të Dërguarin e Tij, e përkrahët të Dërguarin dhe shokët e tij, e ngritët fenë e Tij dhe luftuat kundër armiqve të Tij....”
Udhëheqësit e muhaxhirëve të cilët shpejtuan deri tek “Beni Saad” që të prezantojnë në takim, filluan fushatën e tyre me fjalimin e Ebu Bekrit i cili tha se muhaxhirët e kanë të drejtën e qeverisjes. Kur Ebu Bekri udhëhiqte fushatën, asnjëherë nuk e përmendi vetveten për kandidat, por përparësi i dha Omer ibn Hattabit si kandidat i partisë.
Ethet e zgjedhjeve përndizen
Në zgjedhjet moderne në fushata, kandidatët e nominuar tregojnë të gjitha të metat e kundër kandidatit të tyre, duke treguar skandale edhe nga jeta private e tyre, e nëse nuk i gjejnë nuk ngurojnë edhe të gënjejnë. Qëllimi arsyeton mjetet. Por Ebu Bekri fushatën e tij e çon në kahje tjetër. Në fjalimin e tij impresionues, në fillim, nuk e ngrit partinë e tij apo kandidatin e tij, por përmend përparësitë-meritat e kundërshtarëve ensaritë. Pas kësaj filloi t’i tregoj arsyet e marrjes së qeverisë nga ana e tyre.
Në mes tjerash tha: “Ju të gjithë e dini se i Dërguari ka thënë: “Nëse të gjithë njerëzit do të zgjidhnin të shkonin në një luginë, ndërsa ensarët në një tjetër, unë do të zgjidhja atë të ensarëve”. Për ju mund të flas vetëm mirë sepse atë e meritoni. Por arabët nuk do të pranojnë në qeveri asnjë përveç fisit Kurejsh (të cilit i takojnë edhe muhaxhirët). Fisi Kurejsh është qendër e botës arabe.”
Pastaj mori dorën e Omerit dhe i thirri njerëzit t’ia japin besën. Me këtë logjikë ai i ktheu edhe zgjedhësit e fiseve tjera që t’u bashkohen muhaxhirëve, njëri prej tyre tha: “ Po, Muhammedi është prej fisit Kurejsh dhe njerëzit e tij kanë të drejtë ta trashëgojnë, ashtu që të mos debatojmë me të për këtë.”
Omeri u ngrit dhe pyeti masën: “A nuk e dini se i Dërguari i Allahut i dha përparësi Ebu Bekrit në namaz? “; “ Po u përgjigjën ata.” A ka dikush që do ta kundërshtoj atë që i Dërguari i ka dhënë përparësi? “ pyeti ai. “ Jo askush nuk mund”- thanë ata.
Ishte e qartë se mendimi i masës u kthye në anën e muhaxhirëve. Por, kush është kandidati i tyre?
Ebu Bekri dhe Omeri hynë në një diskutim të shkurtër për atë se kush do të jetë kandidati i muhaxhirëve, sepse të dy i jepnin përparësi njëri-tjetrit. Ebu bekri i tha Omerit: “ Ti je më i fuqishëm se unë.” Omeri u përgjigj: “Por ti je më i mirë se unë, kurse fuqia ime do të shërbej ty”.
Në atë moment të gjithë u ngritën dhe i dhanë besën Ebu Bekrit. Ditën tjetër kur njerëzit prezantuan në faljen e namazit, u ngrit Omeri dhe kërkoi nga të gjithë të tregojnë lojalitet dhe t’ia japin besën Ebu Bekrit duke përkujtuar deklaratën politike të elitës së tyre një ditë më parë. Megjithëse e kishte të garantuar parimin e parë të demokracisë, zgjedhjen e lirë, udhëheqësi i ri, kaloi në të dytin, e kjo ishte shprehja e lirë.
Në fjalimin e tij të parë si kalif, Ebu Bekri tha: “O njerëz jam zgjedhur udhëheqësi i juaj edhe pse nuk jam më i miri në mesin tuaj. Nëse pra sillem mirë, më ndihmoni e nëse sillem keq më përmirësoni.....”
Mbarimi i kohës...
Pas vdekjes së Ebu Bekrit pëlqimin e përgjithshëm për kalif e mori Omeri r.a. ashtu që u kursye koha dhe procedurat, por pas vdekjes së Omerit u paraqit nevoja për zgjedhje. Edhe pse kishte dëshirë që ta zëvendësoj Ali ibn Ebi Talibi, ai nuk mundi që t’ua imponoj dëshirën e tij njerëzve. Omeri, para se të vdes, ndjeu mos konsensusin rreth disa kandidatëve, ndaj dhe frikësohej që mos ndodhë ndarje dhe luftë qytetare, ai bëri një listë prej gjashtë kandidatëve dhe kërkoi nga njerëzit ta zgjedhin udhëheqësin në mesin e tyre. U dha ultimatum prej tre ditësh që ta zgjedhin këtë problem që të pengohet ndonjë mosmarrëveshje eventuale që mund të ndodh.
Mprehtësia dhe ruajtja e sigurisë së shoqërisë, e çoi atë deri në atë masë, që ai si shef i shtetit, ti vrasë të gjithë kandidatët në rast që me anë të mosmarrëveshjeve ta çojnë shoqërinë në buzë të luftës qytetare.
Njëri nga gjashtë kandidatët, Abdurrahman ibn Aufi, u tërhoq nga gara-edhe pse kishte gjasa të mira- që t’i lëviz zgjedhjet edhe jashtë Medinës. I shqetësuar për situatën, shkoi shtëpi më shtëpi duke marrë vota. Mori vota edhe nga ushtria jashtë qytetit. Punonte edhe natën që ta përfundonte punën në kohë. Në fund vota të njëjta kishin dy kandidat; Osman ibn Afani dhe Ali ibn Ebi Talibi. Puna erdhi që të ketë nevojë për rrethin e dytë, por veç më nuk kishte kohë...
Ashtu siç e ndjente Omeri r.a., edhe njerëzit filluan ta ndjenë pasigurinë dhe frikën nga vonimi. Njëri nga udhëheqësit kërkoi nga Abdurrahman ibn Aufi që me votën e tij ta zgjidh problemin. E dinte se vota e tij do të peshoj, por Abdurrahmani u mundua që ta përfundoj zgjedhjen në mënyrën më të mirë në bazë të kritereve objektive e jo në bazë të atyre emocionale.
E thirri Aliun para publikut dhe e pyeti: “ O Ali! A betohesh në Zotin se do të mund të punosh sipas asaj që është në Librin e Tij dhe sipas Sunetit të të Dërguarit s.a.v.s. dhe do të ndjekësh shembullin e të dy kalifëve paraardhës? “ Aliu u përgjigj: “Unë shpresoj se do të mundi, do të mundohem ta bëj atë në mënyrën më të mirë të mundshme.”
Atëherë e thirri Osmanin dhe e pyeti të njëjtën gjë që e pyeti edhe Aliun, kurse ai u përgjigj: “ Po, mundem.”
Pas kësaj ibn Aufi ia dha besën Osmanit, e më pas kështu vepruan të gjithë. Kjo është historia demokracisë së pjekur dhe të vërtetë e cila ka ndodhur para 1400 vjetëve. Ka edhe shembuj tjerë që mundë të frymëzojnë se si të ndërtohet shteti modern sipas modelit të shtetit demokratik të Muhammedit s.a.v.s.
______________________
Përktheu:
Arsim Dauti
Burimi:
www.preporod.com
Korrik, 2009
www.breziiri.com
Krijoni Kontakt