‘Beteja e Kosovës’ ngujohet në Beograd
Në Prishtinë u promovua libri “The Battle of Kosovo 1389 – an Albanian epic”, i përgatitur nga Ana Di Lelio. Kopjet e librit nuk kanë arritur ende në Prishtinë pasi që qëndrojnë të ngujuara në Beograd.
Nga Alfred Beka më 30.06.2009 në ora 18:30
“N’Fushë Kosovë Murati i parë, kamturqisht rrin fitimtarë. Prej Drenice del një djalë, fluturon mbi kalë të bardhë, mespërmes i bjen ushtrisë, shkon e i falet naltmadhnisë. Tungjatjeta naltmadhni, jam një arbër vendali, shpata jote nuk u theka, hovi yt prapë s’u ktheka, kurrë ma mirë ti s’ke dhanë provë sesa sot në Fushë Kosovë. Jam ardhë pa vonue ta puth dorën me t’nerue. Zgjatët mbreti i jep kamën, ngrihet djali i ban gjamën, mik pa thirrë ki ardh prej Azie n’Dardani, me na marrë magjet e miellit, me na zanë hiset e diellit, gjithë ushtrinë e paq me shnet, kjo Arbni ka bijt e vet, ta vej kryet maje kapices, jam Miroshi prej Drenicës, mbret e krajl shpesh gabohen, t’bijtë e Arbnit nuk poshtohen”.
Kështu, sipas kësaj kënge epike, vargjet e së cilës i recitoi aktori dhe politikani Lirak Çelaj, i ka thënë Millosh Kopiliqi Sulltan Muratit pak para se ta vriste.
Kjo është njëra prej tetë këngëve epike që janë përfshirë në librin “The Battle of Kosovo 1389 – an Albanian epic” (Beteja e Kosovës 1389 – një epikë shqiptare), i cili u promovua të hënën mbrëma në kafe-librarinë Dit’ e Nat’ në Prishtinë, edhe pse asnjë libër nuk ndodhej në tavolinë.
Ana Di Lelio, autore e librit, tregoi arsyen pse nuk ndodhej asnjë libër. Ajo tha se botuesi i ka dërguar librat me Fedex në Beograd dhe Beogradi i ka bllokuar. Ajo shprehu bindjen se ky bllokim të jetë i përkohshëm dhe tha se do ta kemi shumë shpejt librin. Më pas ajo shpjegoi se si është përgatitur ky libër si dhe i falënderoi bashkëpunëtorët që e kanë ndihmuar.
“Libri “The Battle of Kosovo 1389 – an Albanian epic” është koleksion i tetë këngëve në shqip për Betejën e Kosovës. Përkthimi në anglisht është nga Robert Elsie dhe ka një ese timen si parathënie. Me këtë libër unë nuk mendoj të propozoj një lloj historie të vërtetë të Betejës së Kosovës. Unë dëshiroj të diskutoj disa fakte për Betejën e Kosovës që janë pak a shumë të panjohura” tha Di Lelio.
Ajo theksoi se është e vërtetë që Princ Llazari dhe Sulltan Murati janë vrarë atje. Sipas saj, gjithashtu është e vërtetë se shqiptarët kanë luftuar në Fushë Kosovë kundër ushtrisë otomane para 620 viteve.
“Dokumentet e ndryshme zbulojnë këto fakte si dhe që Sulltan Murati është vrarë nga ushtari i krishterë Kobila, Kopiliq ose Kobiloviq. Askush nuk e di sigurisht kombësinë e Kopiliqit nëse ishte shqiptar ose serb ose hungarez. Sipas Noel Malcolm ai ishte hungarez. Për mua është më e rëndësishme për të kuptuar pse shqiptarët besojnë se Kopiliq ishte shqiptar ndërsa serbët besojnë që Obiliq ishte serb. Emri Obiliq është shpikur nga historianët nacionalistë serbë në shekullin e tetëmbëdhjetë”, shtoi Di Lelio.
Ajo tha gjithashtu se këto rrëfime janë shumë të rëndësishme për të krijuar hapësirë për debat rreth përvojave të ndryshme të historisë shqiptare, e cila, siç u shpreh ajo, është shumë e pasur dhe komplekse
Krijoni Kontakt