Me sa duket Shqipëria e ka të vështirë të nxjerrë një fitues, por dyshja e hartuesve të këtij sistemi elektoral Rusmaili vs Islami e ka tashmë fituesin. Ai është Rusmaili dhe është triumfues në këtë betejë virtuale. Zgjuarsia dhe dinakëria e juristit pati epërsi mbi llogaritjet elementare, aritmetike të matematicienit!
Katër ditë pas votimeve, akoma nuk kemi të qartë kush fitoi zgjedhjet e shumë përfolura të 2009-ës. Pesë muaj pas fillimit të fushatës, sepse fushata filloi plot katër muaj para kohe, ende nuk po kuptojmë përse u bë e gjithë ajo zhurmë dhe kush është rezultati i gjithë kësaj rrëmuje. Duke mos e tradhtuar traditën më të mirë të politik(sh)bërjes shqiptare, ditët pas zgjedhjeve krijojnë një konfuzion të paparë tek sovrani popull. Vota nuk dihet ku shkon, nuk ka siguri nëse ajo ruhet, nuk kuptohet nëse do të quhet e vlefshme apo do të shkojë ne kosh të plehrave, vota mund të bëhet edhe me krahë, s’është çudi... Megjithatë, falë përpjekjeve të mira të politikanve pushtetarë dhe fondeve pa limit nga zemëgjerësia e qeverisë, këtë herë në ndihmë na erdhi teknologjia. Për të qartësuar tymnajën tradicionale pas zgjedhore KZAZ-të u pajisën me kamera, skaner, lidhje direkte me ekrane ultramoderne dhe sigurisht lidhje me KQZ-në. Ja ku jemi sot! Kush nga ne mund të vendosë dorën në zjarr, se kjo teknologji ja vlen, se ato para nuk ikën dëm?
Megjithatë ajo që me shumë forcë, edhe në artikuj të tjerë, kemi mbështetur është risia që sjell sistemi elektoral, efikasiteti dhe vertetesia e tij. Është një sistem i cili i afrohet më shumë të vërtetës, në kuptimin e shndërrimit të votës në numër deputetësh. Mjaft më me deformimet e “Dushkut” , me fuqizimin e partive që nuk janë parti, por klane fisnore e shoqërore, me kalimin e votës nga një krah politik në tjetrin! Dhe vërtetë të paktën kemi një sistem të ri, i cili është pasqyrë thuajse e saktë e realitetit Shqiptar. Ai u formulua nga njohës të mirë të ligjit dhe matematicienë të zotë, profesorë të nderuar dhe u miratua, të paktën në parim, nga i gjithë spektri politik i vendit...
Duke u bazuar në të dhënat e deritanishme të ECA & KRIK apo të KQZ-së shohim që ky sistem elektoral na jep një gabim shumë të vogël në përkthimin e votave në deputet. Parti të cilat realisht nuk kanë peshë politike dhe identitet elektoral sot janë zhdukur nga karriget e kuvendit. Për një pasqyrë sa më reale të votës popullore është e vërtetë që do të duhej një proporcional kombëtar, por ky variant do të penalizonte parti me identitet të fortë elektoral si psh. partinë që ka themeluar komuniteti Cam. Shumëkush e ka quajtur surprizë hyrjen e PDI-së në parlament, por në fakt surprizë do të ishte hyrja e Partisë së Xhuvelit e cila, të vetmin identitet që ka eshtë ai i kryetarit të partisë. Ndërsa në zgjedhjet e më parshme kemi patur një shperfytyrim të vullnetit të votuesve dhe prani të partive fantazma në parlament. Gjithashtu të penalizuara me proporcionalin kombëtar do të ishin edhe minoritetet, ndaj u zgjodh një sistem proporcional rajonal, duke plotësuar njëkohësisht edhe kërkesat e BE-së përsa i përket respektimit të të drejtave të minoritetit.
Por që një sistem elektoral të jetë i mirë duhet të ketë zbatues dhe zbatim të mirë. Këtu hyjnë në lojë marifetet e politikanëve me kallo në fushën e grabitjes dhe shpërfytyrimit të vullnetit popullor. Sepse kjo është loja që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ujqërit e vjetër të politikës shqiptare të cilët ndërruan qimen e byrosë politike me gëzofin e pishtarit të demokracisë. Lojë numrash, në të cilën kushdo që të dalë i pari, humbës del vetëm shqiptari. Pas mazhoritarit, pas mazhoritarit të korrigjuar me proporcional, pas lojës së Dushkut, pas MegaDushkut sot na ofrohet loja e numrit tek apo cift në proporcionalin rajonal. Le ta shpjegojmë cfarë është kjo lojë:
Në hartën e Shqipërisë u ndanë 12 qarqe... http://www.gjeneralmegafoni.com/inde...alize&Itemid=6