Kënga e fushatës së Partisë Socialiste
“Jehona” e Ramës, kreu i PS-së, klip me “West Side Family”. Rama do të jetë protagonist në klipin e këngës që do të jetë kolona zanore e fushatës elektorale. Nisin xhirimet, kreu i PS-së interpreton këngën nga minierat e Bulqizës
Shaban Sulçe
Gazeta Albania
Edi Rama rikthehet sërish protagonist në klipin e një kënge të re, që do të jetë kolona zanore e fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ashtu siç bëri edhe 6 vjet më parë, kur rikandidonte për postin e kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama i ka besuar grupit të famshëm muzikor “West Side Family” këngën e fushatës spektakolare që do të organizojë Partisa Socialiste. Kënga titullohet “Jehona” dhe është kënduar nga grupi “West Side Family” në bashkëpunim me Aurela Gaçen dhe është kompozuar nga Klodian Qafoku. Kjo këngë po ripërpunohet dhe tashmë në të do të dëgjohet edhe zëri i kryetarit të PS-së, Edi Rama.
“Jehona” është dëgjuar për herë të parë në një aktivitet të Partisë Socialiste javën e kaluar, gjatë zhvillimit në Pallatin e Kongreseve të Konferencës Kombëtare të Programit, ku kryesocialisti Edi Rama prezantoi programin qeverisës së Partisë Socialiste. Por kolona zanore e fushatës së Partisë Socialiste do të formatizohet edhe në një klip televiziv, i cili pritet të jetë hit i verës dhe të pushtojë ekranet e televizioneve shqiptare.
Klipi
Bëhet e ditur se prej të paktën disa ditësh ka nisur xhirimi i klipit të këngës “Jehona”, ku merr pjesë në rolin e protagonistit kreu i Partisë Socialiste dhe kandidatura e selisë rozë për kryeministër, Edi Rama. Ky i fundit ka qenë dje në qytetin e Bulqizës, ku përveç takimeve që ka zhvilluar me banorët, ka kaluar disa orë edhe në minierat e këtij qyteti, ku ka marrë pjesë në xhirimet e klipit. Gjithashtu bëhet e ditur se xhirimet janë zhvilluar edhe në qytetin e Shkodrës, ku në epiqendër të xhirimit të imazheve ka qenë Edi Rama dhe djemtë e grupit “West Side Family”, Landi, Miri dhe Doktor Flori.
Klipi i këngës “Jehona” pritet të shfaqë një ndërthurje imazhi midis vendeve historike të kombit shqiptar dhe vendeve që shprehin realitetin e mjerimit dhe të varfërisë që vuajnë sot një numër i madh shqiptarësh. Imazhe për klipin pritet të regjistrohen edhe në Vlorë, Tiranë dhe në qytete dhe zona të ndryshme të vendit.
Fushata e PS-së
“Jehona” e grupit “West Side Family” do të jetë sfondi i çdo takimi elektoral që do të zhvillojë Partia Socialiste në të gjitha zonat e vendit. Kjo këngë do të serviret për simpatizantët dhe anëtarët e Partisë Socialiste në të gjitha takimet që do të zhvillojë kryesocialisti Edi Rama, por edhe kandidatë të tjerë për deputetë të Partisë Socialiste. Por klipi i këngës “Jehona”, që do të ketë për protagonist Ramën së bashku me anëtarët e grupit “West Side Family”, do të transmetohet intesivisht në të gjitha stacionet radiofonike dhe televizive të vendit. Për selinë rozë kënga e fushatës elektorale konsiderohet shumë i çmuar për zgjedhjet e 28 qershorit, nisur edhe nga eksperienca e zgjedhjeve lokale të vitit 2003, e këngës “Tirona jonë”.
BOX
Rama dhe “Tirona jonë”
Edi Rama do të mbahet mend si kandidati që solli një risi të veçantë në fushatat elektorale të zhvilluara në Shqipëri. Kur në vitin 2003 Rama rikandidonte për kreun e Bashkisë së Tiranës, ai zgjodhi një këngë shqiptare si kolonë zanore të fushatës elektorale, në të cilën ai shfaqej vetë si protagonist. Rama këndoi këngën “Tirona jonë”, së bashku me tre djemtë e grupit “West Side Family”. Dalja e Edi Ramës si këngëtar, me tekstin e shkruar nga vetë ai, që nis me vargun “Shumë zhurmë, shumë zhurmë”, u plotësua e u lançua me një klip, xhirimet e të cilit ishin realizuar në zonat më të njohura të Tiranës, nga qendra në periferi. Kjo këngë jo vetëm që u bë hit në Shqipëri gjatë vitit 2003, por ndikoi edhe në fitoren që Rama arriti përballë ish-rivalit të tij, kandidatit të së djathtës, Spartak Ngjela.
Olldashi dhe “Ma kthe qytetin tim”
Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, Partia Demokratike zgjodhi edhe ajo një këngë, e cila do të ishte kolona zanore e fushatës elektorale të kandidatit të saj për kreun e Bashkisë së Tiranës, Sokol Olldashi. Kënga titullohej “Ma kthe qytetin tim” dhe u këndua nga Ermal Mamaqi, në bashkëpunim me Olsën. Por si gjatë këndimit të këngës, ashtu edhe gjatë transmetimit të klipit, kandidati i PD-së, Sokol Olldashi, nuk merrte pjesë në të. Megjithatë, mesazhet e kësaj kënge transmetonin pakënaqësitë ndaj drejtimit që Edi Rama i kishte bërë Bashkisë së Tiranës. Gjithsesi, kjo këngë, edhe pse u kthye në hit, nuk i mundësoi Olldashit fitoren në zgjedhjet lokale të vitit 2007.
Zgjedhjet 2009, kolona zanore e fushatës së PD-së
Partia Demokratike ka zgjedhur si kolonë zanore të fushatës së saj elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit një këngë të grupit të famshëm “Modern Talking”. Kënga është dëgjuar në sfond të të gjitha takimeve paraelektorale që ka zhvilluar në zona të ndryshme të Shqipërisë kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si dhe ministra dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike.
Gjithashtu, kohët e fundit është transmetuar edhe një klip i një kënge të një grupi shqiptar, ku shfaqen imazhet e nënkryetares së PD-së dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjithsesi, ende nuk dihet nëse kryeministri Berisha do të zgjedhë edhe ai të njëjtën strategji që ka zgjedhur rivali i tij Edi Rama.
Teksti i këngës “Jehona”
A kanë gojë me thon' kto male...
A kanë gojë me thon' kto fusha...
Jam shkëmb',
Jam gur',
Jam rrënjë,
Jam stuhia!
Jam shpatë,
Jam zjarr,
Barut,
Historia!
Jam fjalë,
Jam shenjë,
Jam folk,
Jam e vjetër!
Jam rrënjë shumë e thellë, e gjallë dhe e vërtetë!
Jam lab labërie,
Ison mbama gjatë!
Kam vëllezër nga malësia,
Kjo tokë të gjithë na mban!
Me një gjuhë na këndon nëna, shprehet dashuria!
Është gjuha e shqiponjës, më e vjetër se e vjetra.
Kosovë, mirëserdhe këtu ku të takon!
Ku flitet gjuha jote, këndohet kënga jonë!
Këtu ku tundet veni e toka ndizet zjarr!
Jam i pari e do të mbetem, 100 për qind Shqiptar!
A kanë gojë, o me fol' këto male,
E me tregu' kush ka shkel' mbi to,
Do tregojnë se kanë gjurmë shqiptare,
Aq të vjetra, o sa ato!
A kanë gojë me thon' këto fusha,
Kush ka ec' e ka luftu' për to,
Do tregojnë se kanë qenë Shqiptarët,
Në mijëra vjet, o të vetmit, o!
A keni vesh, o me dëgju' tupanat!
Tek kërcasin, tek buçasin, o!
Është jehona e Shqiptarit!
Le të bien, le të djegin, o!
Histori më vete, krenare ndaj gjithë botës,
Se jemi gjak i vjetër, gjak Kastriotësh!
Kemi trimërinë, kemi dhembshurinë,
E shenjta Nënë Terezë këtu ka origjinë!
Këtu kanë origjinë trimat e Adem Jasharit,
Me trup e mbrojtën vendin si tradita e të parit!
Këtu ku zë vend fjala e ligj është bujaria,
Ndër vite në bedena edhe trimëria,
Nuk u asgjësua dhe ngelet amanet!
Ismail bej Vlora, biri i bregdetit,
Që në këmbë e çoi Flamurin, siç ka qenë më parë,
Tregoi identitetin 100 për qind shqiptar!
A kanë gojë, o me fol' këto male,
E me tregu' kush ka shkel' mbi to,
Do tregojnë se kanë gjurmë shqiptare,
Aq të vjetra, o sa ato!
A kanë gojë me thon' këto fusha,
Kush ka ec' e ka luftu' për to,
Do tregojnë se kanë qenë shqiptarët,
Në mijëra vjet, o të vetmit, o!
A keni vesh, o me dëgju' tupanat!
Tek kërcasin, tek buçasin, o!
Është jehona e shqiptarit!
Le të bien, le të djegin, o!
Krijoni Kontakt