-
Nënshkruhet memorandumi i parë SHBA-RUSI
Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se pret një
MOSKE - Rusia dhe SHBA-ja nënshkruan sot marrëveshjen e parë ndërmjet dy vendeve gjatë vizitës dyditore të presidentit amerikan Barak Obama në Moskë, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Itar-Tass.Dokumenti në fjalë është një memorandum për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e shëndetësisë, njoftoi Itar-Tass. Memorandumi u nënshkrua nga zëvendësministrja ruse e shëndetësisë, Veronica Skvorzova dhe nga ambasadori amerikan në Moskë, John Bayrle.
Presidenti amerikan, Barak Obama, u shpreh sot optimist lidhur me takimin e tij me presidentin rus, Dmitri Medvedev. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë më tepër gjëra të përbashkëta se sa mospajtime. Nëse ne punojmë shumë gjatë këtyre disa ditëve, ne mund të bëjmë progres të jashtëzakonshëm, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, gjatë takimit të tij me presidentin rus, Dmitri Medvedev në Kremlin. Medvedev tha se po hapet një faqe e re në raportet Rusia - Shtetet e Bashkuara. Ne shpresojmë se do të kemi diskutim gjithëpërfshirës gjatë ditës së sotme dhe nesër për t?i mbyllur disa faqe të vështira në historinë e marrëdhënieve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe për të hapur një faqe të re, tha Dmitri Medvedev. Raportohet se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë pajtuar për tekstin e marrëveshjes kornizë për armatim bërthamor, të cilën shpresojnë ta finalizojnë deri në fund të vitit. Këtë marrëveshje, Uashingtoni e ka në krye të agjendës së tij me Moskën, por në këtë agjendë, përfshihen edhe çështje të tjera, ku ka edhe mospajtime.
Obama do të takohet edhe me kryeministrin Vladimir Putin. Objektivi i tyre kryesor: të startojnë negociatat për një marrëveshje të re që do të zëvendësonte Traktatin për Pakësimin e Armëve, i cili skadon së shpejti.
Zoti Obama thotë se ka rëndësi konsultimi me të dy udhëheqësit rusë duke shtuar se Kryeministri Putin, ish-president i Rusisë, ende ka mjaft pushtet.
Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, Presidenti Obama tha se Presidenti Medvedev duket se e kupton që, trajtimi i marrëdhënieve amerikano-ruse me prizmin e Luftës së Ftohtë, është tashmë tashmë diçka që i ka kaluar koha. Por zoti Obama tha se nuk mund të thotë të njëjtën gjë për kryeministrin Vladimir Putin.
"Kryeministri ka ende shumë ndikim në Rusi. Mendoj se ka rëndësi që, ndërkohë që ne bëjmë hapa përpara me Presidentin Medvedev, zoti Putin të kuptojë se të parit e marrëdhënieve Amerikë-Rusi me prizmin e Luftës së Ftohtë është diçka së cilës i kaluar koha."
Andrju Kuçins, ekspert për Rusinë dhe Eurazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare të Uashingtonit, thotë se do t’ja vlente që Presidenti Obama të shpenzonte sa më shumë kohë me zotin Vladimir Putin.
"Pjesa më e rëndësishme e kësaj vizite në Moskë për mendimin tim do të jenë bisedimet me Vladimir Putinin, për arsyen e thjeshtë se zoti Putin është figura më e rëndësishme dhe më e fuqishme në Rusi, duke i lenë shumë prapa të tjerët. Është një logjikë shumë e thjeshtë."
Ndërsa dita e parë në Moskë dhe një pjesë e paradites tjetër do t’u kushtohet takimeve me udhëheqësit e Rusisë, Presidenti Obama synon gjithashtu t’i dërgojë mesazhe popullit rus me një fjalim si dhe me një numër diskutimesh me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të opozitës politike.
Denis Mekdonau, zëvendës këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, thotë se Presidenti do të mbajë dy fjalime gjatë turneut të tij: njërin në Rusi dhe tjetrin në Ganë. Ai thotë se këto janë pjesë e një serie prej katër fjalimesh që filluan në muajin prill me një fjalim për mospërhapjen e armëve dhe me një tjetër drejtuar botës myslimane në muajin qershor.
"Në Moskë ai do të mbajë një fjalim mbi marrëdhëniet amerikano-ruse dhe se si duhet ta shikojnë këtë shekull të ri fuqitë e mëdha. Dhe, natyrisht, fjalimi në Ganë do të jetë një proklamim i synimeve të demokracisë dhe të zhvillimit jo vetëm për Ganën, jo vetëm për Afrikën Perëndimore dhe as vetëm për Afrikën, por për të gjithë këtë kontinent që i përket botës në zhvillim."
Fjalimet në Moskë dhe në Akra do të mbahen para dhe pas një raundi takimesh të rëndësishme të nivelit të lartë. Kësaj here është samiti i Grupit të 8 vendeve më të industrializuara me mikpritës qeverinë italiane dhe që mbahet në një qytet të shkatërruar nga tërmeti vetëm pak muaj më parë.
Ky samit do të ketë një rend dite të gjerë dhe aty do të marrin pjesë edhe udhëheqës të ekonomive të mëdha që nuk përfshihen në strukturën formale të G-8-s, si Kina. Do të marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të një numri vendesh afrikane.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se Gana është vendi i përsosur për një vizitë presidenciale pas G-8-s, pasi sipas tyre, ky vend është një shembull i qeverisjes së mirë në kontinent.
Ja si shprehet Mishel Gejvin, këshilltare kryesore e Shtëpisë së Bardhë për Afrikën.
"Gana është një shembull vërtet i admirueshëm i një vendi ku qeverisja po forcohet, një demokraci në lulëzim."
Turneu do të përfundojë në Ganë me tone mjaft emocionale.
Presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara, bir i një babai nga Kenia, do të vizitojë një fortesë të vjetër ku dikur mbaheshin skllevërit. Është një prej fortesave të shumta të këtij lloji përgjatë brigjeve të Ganës, ku afrikanë të panumërt kalonin javë të tëra në burgje të tejmbushur përpara se të lejoheshin të kalonin nëpër një derë nga e cila nuk ktheheshin më dhe pastaj të hidheshin nëpër anije duke lënë pas Afrikën për të filluar një jetë në skllavëri.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt