Tradita e mirë e botimeve jubilare ka nxitur publikimin e librit për Nikolla Zoraqin me titull që buron nga postulati se dimensionet e artit dhe veprave me vlera të vërteta, tejkalojnë jetën tokësore të autorëve të shquar.
Në këtë kontekst “Jeta mbaron – vepra vazhdon” i shkon mirë për shtat librit dedikuar “Njeriut që prodhoi gjatë gjithë jetës vetëm tinguj e harmoni për të gjithë” (Fatos Arapi) apo vlerësimit tjetër madhor “më i madhi kompozitor shqiptar, me krijmtari mjeshtërore të nivelit të lartë artistik dhe me një kulturë të gjithanshme jo vetëm në lëmin e muzikës por dhe të historisë dhe letërsisë” (Dritëro Agolli).
Në këtë vëllim me rreth 400 faqe është organizuar sipas një strukture origjinale një material i pasur. Fillimisht libri shërben për të dokumentuar jehonën që pati në këtë vit të përvjetorit të 80-të të autorit vënia e baletit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në skenën e TKOB-it, vepër e cila u konsiderua si një triumf dhe ringjallje e krijmtarisë së tij nga mediat dhe vlerësimet e kritikës. Shkrime të shumta të emrave më të njohur të artit si A. Alia, M. Luarasi, A. Janku, Th. Gaqi, A. Lepuri, sjellin në libër vlerësime të shumta për figurën dhe vepra të autorit.
E pasuruar edhe nga botimi i shkrimeve përgjithësuese të muzikologut të mirënjohur Albert Paparisto, dirigjentit të parë shqiptar Mustafa Krantja, dhe kolegëve kompozitorë, figura e kompozitorit Zoraqi zbërrthehet në të gjitha planet e analizave profesionale objektive. Kritikë të muzikës si prof. Hamide Stringa, prof. as. Sandër Çefa, Spiro Kalemi e Klement Kole, ndalen në analiza veprash madhore të muzikës që krijoi Zoraqi, me katalogun e tij të jashtëzakonshëm në të gjitha gjinitë që nga kënga “Dhuratë për ditlindje”, deri te simfonia, baleti “Cuca e maleve”, operat “Komisari”, “Paja” etj. Krahas analizave dhe vlerësimeve libri sjell dhe dëshmi të zhvillimeve historike muzikore, e më gjerë, të figurës qytetare të kompozitorit si dhe qëndrimeve të tij te “Violina e thyer” apo “Në kujtim të rrënjëve”, etj.
“Zbrazëtia që krijuan vendimet e Pleniumit të IV që ngjallën jo vetëm pasiguri dhe frikë nga masat represive, ngërçi frenues e sidomos politizimi… sa që vihej në dyshim edhe ekzistenca për Teatrin e Operas dhe Baletit…” Ky është pasazh nga “Fletë kujtimesh” shkruar nga esteti prof. Dr. Alfred Uçi. Një nga kapitujt më me vlerë është “Mendime, biseda, figura dhe publiçistikë nga Nikolla Zoraqi”.
Janë mbi 150 faqe analizash dhe mendime të Nikolla Zoraqit të botuara në shtypin e kohës, nga të cilat evidentohen problemet profesionale që përballonte muzika shqiptare nga vitet ’60. Me një lexim të vëmendshëm mes rreshtash mund të zbulohet përveç formulimeve që ishin të stilit të kohës edhe se çfarë ka përjetuar autori dhe si është përpjekur të gjejë një pozicionim profesional e sa më të favorshëm për krijmtarinë kombëtare, duke iu kundërvënë fenomeneve më negative që jo rrallë stimuloheshin nga regjimi. Ai nuk ngurron të shprehet objektivisht dhe për krijues e kolegë të kohës, me dashamirësi dhe sensin e vërrejtjeve dhe jo të denigrimit, gjë që në shumë raste e pat’ pësuar.
Shkrimi i tij për Festivalin e 11-të të Këngës në RTSh (si drejtor i tij) zbulon pikëpamjet e progresive mbi të cilat u synua të realizohej kjo veprimtari. Heshtja më pas për gati dhjetë vjet është shpjegimi i reagimit të heshtur ndaj përjetësimit dramatik të asaj që ndodhi. Vëllimi është përgatitur nga Zhani Ciko me recenzentë Zana Shuteriqi (Prela) dhe Albert Paparisto dhe është redaktuar nga Kastriot Zoraqi.
Libri “Jeta mbaron, vepra vazhdon” nuk është një vëllim biografik as panegjirik për autorin. Ai të ndihmon mes faktesh dhe shkrimesh të zbulosh portretin që personalitete bashkohës i kanë bërë Nikolla Zoraqit. Po kështu, ky libër është një guidë në titujt e katalogut të krijmtarisë së autorit dhe një reflektim i vetë Zoraqit për bashkëkohësit e tij.
Albania
Krijoni Kontakt