Mbi 300 mijë qytetarë vërshuan dje në Sheshin "Skënderbej" për të festuar fitoren e sigurtë të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Madhështia e mitingut përmbyllës të fushatës elektorale të partisë më të madhe në vend i tejkalonte përmasat e tubimit, që i dha fitoren plebishitare Partisë Demokratike në vitin '92. Qytetarët tejmbushën, tejpërtej sheshin qendror të Tiranës në mitingun përmbyllës të Partisë Demokratike, në mbështetje të ëndrrës europiane, e cila është më afër se asnjëherë më parë. Prej orëve të para të mëngjesit kishin mbërritur autobusë nga të katër anët e Shqipërisë për të festuar fitoren e padiskutueshme të Partisë Demokratike. Shumë të rinj anembanë vendit nisën festimet që në orët e para të mëngjesit në sheshin para selisë së Partisë Demokratike dhe nëpër rrugët e kryeqytetit, me makina të mbuluara me flamujt e PD-së, flamuj amerikanë dhe europianë. Nën kujdesin e një DJ, i cili shpalosi hitet më të njohura të momentit, të rinjtë kanë festuar gjatë gjithë ditës së djeshme fitoren e 28 qershorit. Ndërkohë që për dekorin spektakolor të skenës u kujdesën specialistët më në zë të Shqipërisë. Nën reshjet e pandërprera të shiut, në të dy skajet e qendrës së Tiranës, u bë një punë intensive për të ndërtuar tribunën, ku u zhvillua mitingu përmbyllës i fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Një grup prej 12 specialistësh, nën tingujt e muzikës, ngritën tribunën madhështore në Sheshin "Skënderbej". Përballë monumentit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një podium me përmasa 10 me 8 metra, i mbështetur pas një baneri 6 me 8 metra, si dhe dy ekrane të mëdha 4 me 3 metra. Pas mesazheve të urimit të kryesuesve të listave për deputetë të Partisë Demokratike në të 12 qarqet, i gjithë sheshi ka shpërthyer në ovacione të pafundme, në momentin kulminant kur në podium është ngjitur arkitekti i reformave të thella e të gjithanshme të këtyre katër viteve, protagonisti i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, autori i aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, politikani vizionar i të ardhmes së shqiptarëve, kryeministri Sali Berisha.
Krijoni Kontakt