Letra e Kryemuftiut të Bosnjës dr.Mustaf Ceriç presidentit Barak Obama
http://www.breziiri.com/modules/news...hp?storyid=539
Reisul-Ulema dr. Mustafa Ceriç
Kryemyftiu i Bosnjës
President Barak Hussein Obama!
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Zoti President,
Ju falënderoj për dy fjalimet e Juaja historike në Ankara dhe Kajro. Dy fjalime këto që na përkujtojnë në përvojën tonë boshnjake se ligji ndodhet në zemër. Dhe pikërisht kjo është ajo që Ju jeni duke e bërë. Ju e ndryshoni ligjin në zemrat e muslimanëve dhe të amerikanëve me qëllim të kthimit të besimit në mes njëri-tjetrit për të mirën e mbarë njerëzimit.
E vërtetë është se këto dy fjalime nuk mund t’i “fshijnë vitet e mosbesimit”, por e vërtetë është edhe ajo se në fillim megjithatë ishte fjala. E fjala Juaj, z. President, ishte fjalë e bukur për një fillim të ri, tamam si një pemë e mirë, rrënjët e së cilës janë thellë në tokë, ndërsa degët janë afruar deri tek zemrat e të gjithë njerëzve me vullnet të mirë.
Fjala Juaj na preku edhe neve këtu në Bosnje, fëmijët e së cilës nuk i keni harruar, ngjashëm sikur edhe fëmijët e vrarë në Darfur. Pikërisht në emër të tyre dëshirojmë ta përkrahim misionin e Juaj të paqes në mes të gjithë popujve, nëpërmjet fjalës dhe veprave tona- në luftë kundër të gjithë formave të ekstremizmit, në mbështetje të paqes së drejtë dhe të përhershme dhe të sigurisë në Tokën e Shenjtë, në eliminimin e armatimit bërthamor kudo qoftë, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë , si dhe të drejtat e gruas dhe fëmijëve kudo që janë ata. Jemi të bindur se, me Ndihmën e Zotit, fjalimi Juaj mbi sfidat që i përmendet në Kajro fuqishëm dhe sinqerisht me kalimin e kohës do të jep fryte.
Zoti President, zgjedhja Juaj t’i flisni botës muslimane nga Stambolli dhe Kajroja si dy simbole të mëdha të kulturës dhe qytetërimit islam, tregojnë ndjenjën Tuaj dhe njohuritë e Juaja mbi rëndësinë e vendit dhe kohës në misionin Tuaj. Gjithashtu kjo tregon vullnetin Tuaj të mirë që zemrën amerikane t’ia afroni zemrës muslimane në paqe dhe harmoni.
Gjithsesi Stambolli paraqet kontributin madhështor të turqve ndaj qytetërimit të vetëm islamik si pjesë e pandashme e qytetërimit global i cili qëndron si urë e fortë në mes të Lindjes dhe Perëndimit në diversitetin e tyre kulturorë dhe fetarë, ndërsa Kajroja paraqet kontributin e veçantë arab ndaj arsimit klasik dhe atij modern në tërë botën muslimane, gjë për të cilën më së miri dëshmon diploma ime e Az’harit e cila plotësisht është e ngjashme me doktoraturën time të Çikagos.
Dëshiroj që fjalimi Juaj i radhës në një të ardhme sa më të afërt të jetë në Teheran si simboli i tretë i Islamit dhe i kontributit persian ndaj kulturës islame, i cili mjaft e begatoi kulturën , letërsinë, artin dhe urtësinë botërore. Këto ditë do ta vizitoj Teheranin ku do të takohem me shumë dijetarë eminent dhe udhëheqës politik. Dëshiroj ta dini se nuk do ta humbas rastin e të mos ia përcjell mesazhin Tuaj Teheranit me qëllim që t’i inkurajoj kolegët e mi fetarë që ndaj vullnetit Tuaj të mirë të përgjigjen gjithashtu me vullnetin e tyre të mirë për vendosjen e re të mirëbesimit në mes të SHBA-ve dhe botës islame, e cila, siç thatë Ju: “gërshetojnë dhe ndajnë të njëjtat parime - parimet e drejtësisë dhe progresit, tolerancës dhe dinjitetit të të gjithë qenieve njerëzore.”
Unë jam vetëm një nga një miliardë musliamanët e botës, i cili prezanton vetëm një bashlkësi të vogël të muslimanëve në Bosnjë dhe Hercegovinë. Natyrisht, ekzistojnë mjaftë njerëz të rëndësishëm në botën muslimane të cilët fjalimeve Tuaja i janë përgjigjur me respekt të thellë dhe përkrahje. Megjithatë unë e ndjejë si të drejtë dhe obligim timin që t’i shprehi falënderimet e bashkësisë sime ndaj popullit amerikan për përkujdesjen dhe përkrahjen që e ofron në rimëkëmbjen e tij nga gjenocidi që përjetoi në fund të shekullit XX, e që është i ngjashëm me atë çka përjetoi bashkësia hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Teksa po dëgjoja fjalimin Tuaj në Kajro, e shikoja nipin tim njëvjeçar me plot shpresë se e ardhmja e tij dhe e mocanikëve të tij do të jetë më e mirë se sa e kaluara jonë në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Zoti President!
Më lejoni, që bashkë me ju të ndaj një urtësi të vjetër të shkrimtarit të “Pasqyra e princërve”, i cili princin e tij e këshilloi që nuk duhet t’i anashkaloj katër gjëra të vogla: zjarrin e vogël, sëmundjen e vogël, armikun e vogël dhe urtësinë e vogël. E, në realitet këtu është fjala për një urtësi të vogël boshnjake në të cilën thuhet se toleranca është shkalla më e lartë e fuqisë ndërsa dëshira për hakmarrje shenja e parë e dobësisë, të cilën dëshiroja t’ia shtoj urtësisë Suaj të madhe , e cila tani veç më qartë po shihet në fjalët dhe veprat Tuaja bashkë me fuqinë e madhe amerikane.
Këtë letër time do ta përfundoj me këtë lutje: “O Zot! Në qoftë se na e merr mirëqenien e shëndetit, atëherë na e dhuro mirëqenien e fesë! Nëse gabojmë ndaj njerëzve, atëherë na jep fuqinë e kërkimit të faljes! E nëse njerëzit gabojnë ndaj nesh, Zot na jep fuqinë e faljes! Amin!”
Zoti President, me këto mendime sinqerisht lus të Madhin Zot që t’ju bekoj dhe t’u mbrojë për të mirën e njerëzimit dhe paqes së përgjithshme në botë! Esselamu alejkum!
_______________
qershor, 2009
Burimi: rijaset.ba
Përktheu: breziiri.com
Krijoni Kontakt