
Postuar më parë nga
juanito02
Nga Alban Guri
Shqipëria po ndryshon, po. Po ndryshon mendësinë e saj, por jo gjendjen social-ekonomike apo politike. Më në fund Shqipëria po merr kurajën të shihet në pasqyrë dhe të kuptojë se është e varfër, e vuajtur, e pacivilizuar, e mashtruar nga këlyshët e vet më perversë, të cilët në emër të vetvetes pranuan çdo kompromis me djallin dhe i vunë kazmën edhe në ditët e saj më të vështira, ndërkohë që ajo kishte nevojë për gjak. Për gjak të ri e të shëndetshëm.
Ti nuk do ta marrësh votën time, pasi ti nuk më përfaqëson. Ti nuk punove për mua këto 4 vjet, as për miqtë e mi, as për familjarët e mi. Vota është personale dhe unë nuk identifikohem aspak me ty. As me zarat që ke mbledhur rreth vetes, duke uzurpuar siglën e PD, idealet e PD, madje edhe vetë godinën e PD.
Katovica jote mbaron këtu. Katovica jote, e Ramiz Alisë, e Gorbaçovit dhe e George Bush senjorit, mbaron këtu, pas plot 20 vjetësh.
Ti nuk më gënjen dot as mua e as njerëzit e emancipuar të këtij vendi.
Personalisht lashë të gjitha komoditetet e jetës time në Evropë dhe iu bashkova idealit të një populli (kryesisht verior), i cili po vuante nën mashtrimin, grabitjen dhe fyerjen që po i bënte kasta nanoiste-filogreke. Në ditët më të zeza iu bashkova faqeve të gazetës më pa prestigj, asaj “55”, të urryer e të përqeshur nga të gjithë. Dhe kemi thënë gjëra të drejta e të larta në faqet e një gazete të drejtuar nga një botues sharlatan.
Ne sulmuam gjithë sistemin kleptokratik dhe filogrek e filokomunist. Pa patur frikë. Ne organizuam dhe nxorëm në shesh 120 mijë vetë më 20 shkurt 2004, por ti e shite lojën në Athinë.
Ti e shave Fatos Nanon, por nuk e fute në burg njeriun që i shkaktoi Shqipërisë më shumë dëm se askush tjetër në imazh e në ekonomi. Dhe këtë e bëre, sepse pe pazarin tënd të ulët prej provinciali.
Për këtë motiv dhe me të njëjtin arsyetim mblodhe rreth vetes, jo më të mirët, por më të prekurit nga veset dhe përulësia. Vetëm në partinë tënde dhe me një lider si ty mund të ketë spiunë.
Ti i gënjeve shqiptarët si deshe dhe i fale Fahriut tënd Gërdecin.
Në pushtet ti erdhe falë meje dhe disa të tjerëve si unë, por nuk the kurrë faleminderit! Madje biznesin tënd të pushtetit e ndërtove shtrembër me disa njëqelizorë që mblodhe rreth vetes. Ke menduar gjithë jetën tënde shtrembër. Je sjellë shtrembër dhe për këtë motiv do biesh shtrembër.
Unë nuk kam biznes me ty. Unë nuk jam si ty. Unë nuk votoj për ty.
Ti gënjeve. Ti vodhe. Ti vazhdove në të njëjtën linjë me aferat e Fatos Nanos. Ti shqiptarët i varfërove.
Rrugën nuk e bëre ti, por e bëri presioni i kohës dhe zhvillimet gjeopolitike në Ballkan e më gjerë. Ti vetëm u tregove i “shkathët” dhe ia trefishove koston kësaj rruge, duke varfëruar shqiptarët. Trefishi i rrugës u nda në këtë mënyrë: 1 fish kostoja reale e rrugës; 1 fish për ty e 1 fish për miqtë e tu në biznes, turko-amerikanët.
Ti je shumë larg kulturalisht nga unë dhe nga ata si unë.
Turpi dhe më shumë se turpi do të të mbeten ty dhe atyre qenieve njëqelizore që thonë nëpër mitingje: “Fitorja e Berishës... Partia e Berishës... Rruga e Berishës... Shqipëria e Berishës...”
Mendon vërtet se mund të tallesh deri në këto përmasa me qytetarët, qofshin këta edhe në minorancë krahasuar me katundarët?!
Por duhet ta dish se edhe katundarët nuk janë dakord me ty, përjashto ata pak qurravecë që të shërbyen me servilizëm të turpshëm dhe me karrierizëm prej grykësish.
Panorama që më ofroi qeverisja juaj ishte më e papëlqyeshmja dhe më e paimagjinueshmja që mund të mendoja për një vend që aspironte Evropën.
Kam lexuar te sjellja dhe te veprimet tuaja, veprimet e një grushti turkoshakësh të etur për lavdi personale dhe për pará pa ia ditur vërtet shijen dhe vlerën pushtetit dhe parasë.
Ju të gjithë jeni njerëz pa identitet, pa vlera, pa moral, pa hobi, pa një referencë kulturore.
Ju jeni dështimi i Shqipërisë dhe pasqyra ku ajo shihet dhe duket e shëmtuar!
Kjo nuk do të thotë se jam shok i Ramës apo se do të votoj për të!
Krijoni Kontakt