Serbia po e shtyn Luginën e Preshevës drejt Kosovës
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka akuzuar pjesëtarët e xhandarmerisë serbe se, në mënyrë brutale po hyjnë në shtëpitë e shqiptarëve në Komunën e Preshevës dhe po i maltretojnë madje edhe fëmijët e vegjël.
"Nëse vazhdojnë aksionet brutale të xhandarmerisë, secili oborr dhe shtëpi në Preshevë dhe rrethinë do të jenë të hapur, pasi nuk dëshirojmë që ata të thyejnë dyert dhe dritaret për të hyrë. Çdo gjë do të jetë e hapur dhe në disponim të tyre”, ka thënë Mustafa, transmeton agjencia Fonet.
Mustafa po ashtu është shprehur se, “nuk do të ketë arsye që pushteti lokal të punojë, nëse vazhdon ky represion”. "Do të hapim godinën e Kuvendit dhe institucioneve të tjera, dhe le ta vendosë policia dhe xhandarmeria pushtetin e vet. Ne nuk do të jemi pjesë e kësaj”, është shprehur ai.
“Në situatën kur xhandarmeria në mënyrë brutale futet në shtëpitë e njerëzve, dhe maltreton madje edhe fëmijët e vegjël, nuk kemi çfarë të themi tjetër pos që - nëse vazhdon kjo gjë - do të tërhiqemi nga organet zyrtare të pushtetit komunal”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, gjëra të tilla kanë ndodhur gjatë dekadës së kaluar në Kosovës. "Policia njësoj është sjellë edhe në Kosovë, dhe e dimë se çfarë ka ndodhur atje. Serbia e ka humbur Kosovën. Mos në këtë mënyrë po e shtyn edhe Luginën e Preshevës drejt Kosovës”, ka pyetur ai.
Mustafa po ashtu ka vlerësuar se, është problem i madh që përfaqësuesit e pushtetit lokal nuk mund të arrijnë deri të përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë. "Askush nuk flet me ne – vetëm në gazeta lexojmë deklaratat e tyre. Këtu ekziston një problem i madh dhe dikush duhet të flasë me njerëzit, të shohim si ta zgjidhim atë”, është shprehur ai. /Telegrafi/
Krijoni Kontakt