Dy automjete të konsullatës shqiptare në Selanik janë hedhur në erë në orët e para të ditës së djeshme, si pasojë e vendosjes së lëndës plasëse, nga persona që policia greke tha se ende mbeten të paidentifikuar.
Burime nga vendi i ngjarjes informojnë se ngjarja ka ndodhur në orën 03:20 të së martës në rrugën "Vermiu" pranë kryqëzimit me rrugën "Agrafon", ku ndodhet konsullata shqiptare në Selanik.
Në rrethana ende të paqarta, dy makinat që gjendeshin në vendparkimin e konsullatës shqiptare u përfshinë nga flakët që erdhën menjëherë pas shpërthimit të njëkohshëm të disa bombave me fuqi të ulët veprimi (të ashtuquajturat bomba molotov).
Në vendngjarje mbërritën dy automjete dhe gjashtë zjarrfikëse të shërbimit zjarrfikës, të cilat bënë të mundur lokalizimin e flakëve vetëm në dy makinat e përfshira nga zjarri, duke shmangur rrezikun e zgjerimit të vatrës së rrezikut.
Policia e mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes, tha se gjeti shtatë shishe të mbushura me benzinë, të sajuara për të provokuar shpërthime me rreze të shkurtër veprimi. Në total, ishin hedhur përreth makinave, dhjetë të tilla.
Lëndë plasëse si këto që u përdorën ndaj makinave të konsullatës shqiptare në Selanik janë përdorur gjerësisht nga anarkistët në Athinë dhe Selanik, gjatë trazirave që përfshinë vendin fqinj muajt e kaluar.
Mësohet se hetimin e ngjarjes e ka marrë përsipër Shërbimi i Sigurisë së Selanikut dhe Sektori i Antiterrorit, duke mbledhur dëshmi nga personeli i konsullatës dhe banorë të zonës.
Krijoni Kontakt