Misteri, vdes 62-vjeçarja në QSUT
20/06/2009 - 06:21
•
Etleva Delia
Një grua 62-vjeçare vdiq në Spitalin Infektiv të QSUT-së, në Tiranë nga shkaqe ende të papërcaktuara nga mjekët. Në pritje të një raporti mjekoligjor, familjarët e Servete Haxhiajt, nuk dëshirojnë të nxitohen në nxjerrjen e konkluzioneve, duke shpresuar që të kenë një përgjigje për shkakun e vdekjes së saj. Sipas burimeve nga policia Servete Haxhiaj, me origjinë nga Tropoja dhe banuese në lagjen Kombinat të Tiranës, ka ndërruar jetë dje në reanimacionin e Spitalit të Sëmundjeve Infektive. Nga ekspertiza paraprake e Mjekësisë Ligjore, nuk ka rezultuar që ajo të ketë shenja dhune, por nuk është përcaktuar asnjë shkak që mund të ketë sjellë vdekjen e saj. Dyshimet e familjarëve, por njëkohësisht edhe të policisë, lidhen edhe me faktin se Servete Haxhiaj, kishte rreth 3 muaj e shtruar në spital dhe mjekët nuk kishin gjetur asnjë diagnozë konkrete. Madje, prej tri ditësh 62-vjeçarja kishte kaluar në gjendje kome dhe ndodhej e shtruar në reanimacion. Sipas dëshmive të familjarëve të saj, gjatë këtyre ditëve oksigjeni që e furnizonte me frymë i ishte shkëputur dy herë nga 30 minuta. Kjo shkëputje e frymëmarrjes e ka vështirësuar gjendjen 62-vjeçares, duke sjellë më pas edhe vdekjen në rrethana ende të paqarta. Në kartelën mjekësore nuk përcaktohet asnjë sëmundje, madje për disa ditë me radhë ajo është mjekuar për tuberkuloz dhe më vonë ka rezultuar se ajo nuk vuante nga kjo sëmundje. Mjekët kanë hedhur dyshime për sëmundje nga më të ndryshmet, por pa u përqendruar saktësisht tek asnjëra prej tyre. Të afërmit e 62-vjeçares nuk lënë pa vënë në dukje neglizhencën e mjekëve gjatë kurimit të saj në spital.
VDEKJA E PACIENTES
Komisariati Nr.4 i policisë së kryeqytetit është njoftuar dje nga Qendra Spitalore "Nënë Tereza", se një grua 62-vjeçare kishte ndërruar jetë në rrethana të paqarta. Fillimisht u mendua se vdekja e saj mund të kishte ardhur nga vapa, pasi disa ditë më parë për këtë shkak ndërroi jetë një 13-vjeçar. Trupi i pajetë i Servete Haxhiajt, nënës së 10 fëmijëve, është dërguar në Morgun e Tiranës, ku i është nënshtruar autopsisë dhe mjekët kanë hartuar një raport paraprak, ende jopërfundimtar lidhur me vdekjen e saj. Familjarëve të 62-vjeçares u është konfirmuar paraprakisht nga mjekët ligjorë, se Haxhiaj vuante nga disa sëmundje, si në zemër, në rrugët e frymëmarrjes, etj. Ky fakt, edhe pse nuk është një rezultat përfundimtar, i ka habitur paksa të afërmit e të ndjerës, të cilët edhe pse kishin gati gjashtë muaj që i kishin nisur kontrollet mjekësore, asnjëherë mjekët nuk i kishin dhënë ndonjë diagnozë të tillë, apo ta mjekonin për ato sëmundje. Ndërkohë po hetohet për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarje, në pritje të raportit përfundimtar. Dokumentacioni paraprak, kartelat mjekësore, kartela e epikrizës, ilaçet e përdorura nga e sëmura, si dhe pretendimet e familjarëve, do të dorëzohen në prokurori nga policia.
Djali i 62-vjeçares: Nuk dua t'i fajësoj mjekët, presim autopsinë
TIRANE - Njëri nga djemtë e 62-vjeçares Servete Haxhiaj, e cila gjeti vdekjen në spitalin "Nënë Tereza", tregon të gjithë rrugëtimin nëpër dyert e spitaleve të nënës së tij, por deri diku akuzon mjekët për neglizhencë. "Shpresoj shumë që asnjë prej doktorëve që është marrë me mjekimin e nënës time të mos dalë fajtor nga e gjithë kjo histori, edhe pse dyshoj shumë", shprehet ai. Sipas Hamza Haxhiajt, i cili jeton në Itali, por është kthyer në Tiranë kur mësoi se nëna e tij ishte sëmurë. Ai thotë se mjekët nuk i kanë dhënë asnjë lloj diagnoze nënës së tij. Për një periudhë kohe ai thotë se mjekët e kuruan pacienten për tuberkuloz, duke i rekomanduar edhe Senatoriumin, derisa e kthyen mbrapsht, duke i thënë se nuk kishte atë sëmundje. Djali i 62-vjeçares tregon se Servetja që prej muajit dhjetor kishte filluar të shkonte nëpër spitale, të bënte vizita, analiza dhe asnjëherë mjekët nuk kishin arritur në një përfundim të saktë. "U detyrova që t'i dërgojë në Itali një pjesë nga palca kurrizore, që të shihja një përfundim, por atje më rezultoi se nëna ime nuk kishte tuberkuloz. Këtu askush nuk ishte në gjendje të përcaktonte sëmundjen e saj, po edhe nuk më jepnin një drejtim se ku ta dërgoja nënën për kurim. Madje, në disa raste kam debatuar me mjekët, të cilët e neglizhonin gjendjen e saj", tregoi djali i 62-vjeçares.
panorama.
Krijoni Kontakt