Tetovë -Unionet dhe lëvizjet studentore theksojnë ne reagimet e tyre se nuk do të mund të durojnë përbuzjen e popullit shqiptar në Maqedoni. Studentët e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë kanë reaguar lidhur me diskriminimin shtetëror që po i ndodh shqiptarëve siç theksojnë ata nga ana e institucioneve shtetërore.

Pas Parlamentit Studentor të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) edhe Unioni i studentëve të UEJL-së ka theksuar do t`i bashkangjiten revoltës gjithëpopullore për pozitën e rëndë tëshqiptarëve në Maqedoni. Përfaqësuesit e këtij unioni njoftuan se do të jenë pjesë e protestës së 23 qershor në sheshin “Skenderbeu” në Shkup me moton “Heshtja është pranim”.

“Duke pasur parasysh rolin domethënës dhe tejet qenjësor të studentëve përgjatë historisë së re të njerëzimit, të cilët fituan epitetin e promotorëve të ndryshimeve sociale, ne, nuk mund të qëndrojmë duarkryq përballë diskriminimeve të llojeve më të ndryshme që po bëhen në kurriz të popullit shqiptar në Maqedoni, duke, kështu pamundësuar një zhvillimin të barabartë në vija të përgjithshme krahas komunitetit maqedonas në vend”, theksojnë studentët.

Sipas tyre, nuk mund të durohet siç thuhet përbuzja e popullit shqiptar jo vetëm në Maqedoni por edhe më gjërë. “Andaj edhe do të dalim të protestojmë duke shfrytëzuar të drejtën tonë kushtetuese për tubime paqësore për realizimin e kërkesës sonë për barazi të plotë juridike dhe kushtetuese të popullit shqiptar në Maqedoni. Apelojmë në adresë të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që të ndërmarrin hapa konkret në mbështetje të kërkesave tona demokratike dhe të ligjshme dhe gjithashtu u apelojmë gjithë qytetarëve që të dalin në përkrahje të kësaj iniciative”, apelojnë studentët. Ndërkohë paraprakisht protesta e paralajmëruar masive është mbështetur edhe nga organizata e tjera studentore. (ina/start)