Kryeministri publikon një numër dhe i pyet qytetarët çfarë iu intereson katër vitet e ardhshme
Kryeministri Berisha kërkon të jetë i pranishëm kudo dhe në çdo moment gjatë kësaj fushate elektorale. Ai ka orientuar fushatën edhe në mjete të tjera komunikimi, përveç tradicionaleve.
Shumë qytetarë dje kanë marrë një mesazh në celular në emër të kryeministrit, ku bëhej një bilanc i punës së qeverisë në këto katër vite. Eleminimi i bandave, ndërtimi i rrugëve, shkollave, anëtarësimi në NATO, ishin disa nga çështjet e përmendura në mesazhin e dërguar qytetarëve.
"Shpëtuam nga korrupsioni 4 miliardë dollarë, rritëm e dyfishuam rroga e pensione, ndërtuam e rindërtuam 5900 km rrugë, 1012 shkolla, mbi 700 ujësjellës e kanalizime, pesëfishuam investimet, firmosëm 5 miliardë euro investime të huaja,",- shkruhet ndër të tjera në mesazhin e dërguar në celularët e qytetarëve.
Gjithashtu në mesazhin e dërguar dhe që mban emrin e kryeministrit është bërë publik numri i celularit, 0672000410, dhe u kërkohet qytetarëve të shkruajnë se çfarë dëshirojnë në katër vitet e ardhshme. Zhvillimi i teknologjive si telefonia e lëvizshme dhe interneti kanë krijuar mundësi të mëdha publiciteti dhe po shfrytëzohen tashmë edhe nga partitë politike.
Qytetarët po përballen me një "bombardim" të vazhdueshëm dhe shpesh-herë të padëshirueshëm me mesazhe. Kjo është hera e dytë që kryeministri u dërgon mesazhe qytetarëve nëpërmjet celularit. Ai dërgoi një mesazh urimi për festat e fundvitit. Kryeministri dhe qeveria janë akuzuar ditët e fundit për rritjen e shpenzimeve operative, për arsye elektorale.
Teksti i mesazhit:
Zonjë/Zotëri, së bashku eleminuam 204 banda, shpëtuam nga korrupsioni 4 miliardë dollarë, rritëm e dyfishuam rroga e pensione, ndërtuam e rindërtuam 5900 km rrugë, 1012 shkolla, mbi 700 ujësjellës e kanalizime, pesëfishuam investimet, firmosëm 5 miliardë euro investime të huaja, pritëm 2.7 milionë turistë.
Jemi në NATO e brenda 1 viti do të lëvizim pa viza në BE. Të lutem më shkruaj në 0672000410 çfarë të intereson në 4 vitet e ardhshme. Me respekt, Sali Berisha"
Shekulli
Krijoni Kontakt