Kujtohet vrasja në kufi e 17-vjeçarit shkodran
17/06/2009 Në vitin 1990
SHKODER- Shkodranët kanë përkujtuar sot ditën e të vrarëve në kufi. Me qindra banorë të Shkodrës të drejtuar nga shoqata antikomuniste e qytetit, janë mbledhur sot dhe kanë vendosur kurora me lule pranë memorialit të martirit të parë të demokracisë, Pëllumb Pëllumbit, i cili u vra në kufirin shqiptaro-malazez me 16 qershor të vitit 1990. Pikërisht me këtë datë djaloshi 17-vjeçar nga qyteti i Shkodrës u vra nga forcat kufitare teksa po tentonte të kalonte në shtetin fqinj, Mal të Zi, me shpresën për të gjetur një jetë më të mirë. Fatkeqësisht ëndrra e këtij djaloshi u pre në mes nga plumbat e sistemit të kuq që kishte filluar të rënkonte. Sikur të mos mjaftonte vetëm vdekja, trupi pa jetë, i gjakosur dhe i rrethuar me tela me gjemba, i Pëllumb Pëllumbit u vendos në bagazhin e një makine dhe u shëtit nëpër qytetin e Shkodrës, për t’u treguar të rinjve të tjerë se ky do të ishte fundi i tyre nëse do i binin ndesh sistemit diktatorial të asaj kohe. Pavarësisht këtyre veprimeve, të rinjtë shkodranë, në vend që të trembeshin, organizuan një protestë kundër veprave kriminale që vazhdonin të kryheshin në kufi. Kjo revoltë u organizua paditen e 16 qershorit 1990, gjatë ceremonisë mortore të Pëllumb Pëllumbit. Në demokraci 16 qershori u shpall nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës si “Dita kombëtare e të vrarëve në kufi”. Njëkohësisht ky këshill e ka nderuar Pëllumb Pëllumbin me titullin “Qytetar nderi”.
metropol.
Krijoni Kontakt