Austriaket shpallin Konkursin per Dramen Shqipe “Të flasim mbi kufijtë”
Dje në mjediset e MTKRS është shpallur Konkursi i Dramës për Shqipërinë, një projekt mjaft ambicioz në bashkëpunim me palën austriake, e cila do të mundësojë njohjen e artistëve dhe dramës shqipe përtej kufijve në teatrot dhe publikun gjermanisht-folës.
Që prej vitit 2005, konkursi austriak i dramës “Të flasim mbi kufijtë”, organizohet çdo vit në vende të ndryshme të Europës Juglindore. Një juri ndërkombëtare zgjedh dramën më të mirë të dorëzuar dhe vlerëson fituesen apo fituesin me një çmim në shumën 3. 500 Euro. Pjesë e çmimit është njëkohësisht edhe përkthimi i tekstit në gjuhën gjermane, publikimi i tij (me një tirazh së paku 10.000 kopje) dhe një prezantim publik në Vjenë, në kuadër të të cilit ftohet edhe autori i dramës fituese. Organizatorët përpiqen gjithashtu për inskenimin dhe shfaqjen e dramës. Ky konkurs, organizohet nga Ministria Austriake për Çështje Europiane dhe Ndërkombëtare, e përfaqësuar nga Ambasada Austriake në Tiranë, në bashkëpunim me Klubin austriak P.E.N dhe Ministrinë Shqiptare të Kulturës si dhe Teatrin Kombëtar në Tiranë, si partnerë lokalë të projektit, gjithashtu edhe dr. Christian Papke, përfaqësues ligjor dhe artistik i konkursit. Ky konkurs, është një garë, e cila u jep të drejtë për pjesëmarrje të gjithë atyre që kanë lindur dhe jetojnë në Shqipëri ose që mbajnë nënshtetësinë shqiptare. Si kriter, drama duhet të shkruhet në gjuhën shqipe ose në atë cigare dhe përveç tekstit origjinal, një variant i njëjtë duhet të dorëzohet në gjuhën angleze, i cili do t’i shërbejë jurisë ndërkombëtare për lexim dhe vlerësim. Një kriter tjetër është që drama nuk duhet të jetë vënë më parë në skenë dhe një autor mund të konkurojë vetëm me një pjesë. Tema mbi të cilën duhet të sillen ngjarjet e dramës janë kufijtë, kalimi i tyre, jeta i ndarë nga këto mure të dukshme e të padukshme, përjetimet, emocionet dhe dramat e personazheve, ndryshimet e mëdha politike. Por ama, autori i dramës që do të shpallet fituese duhet t’u kalojë organizatorëve të drejtën ekskluzive të përkthimit dhe publikimit të tekstit fitues për një afat njëvjeçar, që nga marrja e çmimit. Gjithashtu, organizatorët përfitojnë të drejtat ekskluzive për vënien në skenë të dramës për një periudhë kohore 2 vjeçare, si dhe maksimumi 14 shfaqje publike. Afati i fundit për të dorëzuar dramat që do të marrin pjesë në këtë konkurs është 20 dhjetor ’09. Sa i takon vlerësimit, më në fund shqiptarët nuk do të qahen për konkurse jo transparente, ku çmimet jepen për interesa të ngushta e klanore. Një juri ndërkombëtare do të merret me leximin e çdo teksti pa e ditur aspak emrin e autorit. Në shkurt të vitit 2010 do të shpallet dhe autori fitues i Konkursit të Dramës për Shqipërinë. Drejtori i Teatrit Kombëtar në Tiranë, Kristaq Skrami është shprehur se ky konkurs përbën një mundësi të mirë për njohjen e kulturës të dramës shqiptare në Europë dhe autorët tanë duhet të ndihen shumë të stimuluar për të marrë pjesë. Ndërkaq, artisti dhe përfaqësuesi ligjor i këtij projekti, dr. Christian Papke, mes të tjerash thotë: “konkursi ka për qëllim të nxisë shkrimin e dramave që trajtojnë temën e kalimit të kufijve shtetërorë. Duke trajtuar këtë temë nuk realizohet vetëm një vepër e mirëfilltë artistike, por dhe një dokumentim i kësaj kohe të ngjashme në të gjitha vendet e Europës.”
P. GROSI
17 Qershor 2009
Krijoni Kontakt