Misionari i pajtimit të gjaqeve Emin Spahija është gjetur i vrarë pranë shtëpisë së tij në Shkodër.
Trupi i tij u gjet rreth orës 5 e 30 të mëngjesit por policia tha se ai mund të ishte vrare tri-katër orë më parë.
Policia lokale thotë se vrasja është kryer nga profesionistë dhe përjashton pistën e vrasjes për motive grabitjeje pasi, siç thotë ajo, në vendgjarje gjeti sende me vlerë të të vrarit.
Policia tha se po punon per gjetjen e autorëve dhe motiveve të krimit dhe shtoi se ata kishin lënë në vendngjarje katër gëzhoja plumbash të një arme ende të paidentifikuar.
Po sipas policisë, ata janë larguar në drejtim ende të panjohur duke përfituar, sipas saj, nga mungesa e energjisë elektrike në atë orë të natës në qytet.
Emin Spahija prej dhjetë vitesh ka qenë në krye të misionarëve të pajtimit të gjaqeve në Shkodër.
Gjate kësaj kohe misioni i paqës në Shkodër ka pajtuar dhjetëra familje ndërsa ka nxjerrë nga ngujimi qindra persona.
Vrasja e z. Spahija kryhet në njërën prej periudhave më të qeta të rendit dhe të sigurisë në Shkodër.
Që nga fillimi i vitit kjo është vrasja e katërt atje dhe vetëm njëra prej tyre ka patur për motiv gjakmarrjen.
Vetëm në vitin e kaluar atje u vranë 28 persona, shumica e të cilëve për gjakmarrje.
Që prej 1997, Shkodra është një nga qytetet e prekura më rëndë nga vrasjet.
(marre prej BBC News ne Shqip, artikulli origjinal ndodhet ketu )
Krijoni Kontakt