Shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë?!
Kongresmeni Rohrabacher ka vlerësuar se e vetmja zgjidhje për Ballkanin është shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
E diel, 02 Gusht 2009 09:08
Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Dana Rohrabacher, i cili dikur ka qenë shkrues i fjalimeve të presidentit Ronald Regan, ka vlerësuar se e vetmja zgjidhje funksionale për stabilizimin e rajonit të Ballkanit do të ishte një shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
Rohrabacher, njëri nga të paktët anëtarë të Kongresit amerikan që ushtron serfin, sportin e rrëshqitjes mbi dallgë, është po ashtu ndër të paktët sot në Kongres që interesohet për çështjet e Ballkanit. Ai mendon se plagët në atë pjesë të Evropës nuk janë shëruar.
"Ne këtu në Amerikë që mbështetëm pavarësinë e Kosovës u përpoqëm shumë dhe unë jam krenar që isha pjesë e tyre. Por puna do të quhet e mbaruar vetëm kur në rajon të ketë normalitet, i cili ende nuk është arritur", ka thënë Rohrabacher në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka folur për gjendjen në Ballkan.
Kongresmeni thotë se ka ende disa njerëz të cilët nuk kanë arritur në përfundimin që transformimi i ish-Jugosllavisë ka marrë fund. Ai i referohet mes të tjerave edhe tensioneve që herë pas here acarohen në Luginën e Preshevës, një rajon në jug të Serbisë, i banuar kryesisht nga shqiptarët.
Zgjidhja, sipas kongresmenit Rohrabacher, do të ishte një shkëmbim i ndershëm territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. "Është e nevojshme të arrihet një mirëkuptim i përgjithshëm, një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës që të përfshijë një shkëmbim territoresh. Ato rajone që janë pranë kufirit dhe mbizotërohen nga një popullsi shqiptare, të bëhen pjesë e Kosovës. Ndërkohë, ato zona në Kosovë që ndodhen në veri të lumit Ibër dhe pranë kufirit me Serbinë e që banohen kryesisht nga serbë të bëhen pjesë e Serbisë".
Qeveria amerikane vazhdimisht i ka hedhur poshtë idetë për ndryshime kufijsh në Ballkan, duke thënë se kjo do të sillte një reaksion zinxhir. Rohrabacher, i cili ka qenë ndër të parët që i kërkoi administratës të armatoste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk është dakord.
"Qeveria amerikane prej kohësh ka qenë kundër çdo ndryshimi në kufijtë e vendeve. Neve na u desh ta kapërcejmë këtë kur u bë mjaft e qartë se populli i Kosovës do të masakrohej nëse do të vazhdonim të mbanim një qëndrim të tillë", tha ai.
Këtë qëndrim të Rohrabacherit e mbështet edhe lobistja e Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane, ekspertja juridike Shirley Cloyes DioGuardi. Ajo thotë se sugjerimi i kongresmenit Rohrabacher është një ide e guximshme:
"Status-quoja nuk funksionon. 10 vjet më parë, ishte kongresmeni Rohrabacher i cili qëndronte në linjën e parë bashkë me të tjerë si kongresmenët Tom Lantosh, Ben Gilman dhe Henry Hyde, më pas edhe senatori Joe Biden të cilët bënë thirrje për pavarësinë e Kosovës në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar, madje edhe administratat amerikane ishin kundër. Sot ai është përsëri në linjën e parë. Në qoftë se Beogradi do të insistojë për të marrë veriun e Kosovës atëherë edhe shqiptarët duhet të insistojnë për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin", ka vlerësuar ajo.
Kongresmeni Rohrabacheri referohet një dokumenti të rëndësishëm të historisë amerikane: "Një territor në vetvete nuk ka të drejta. Asnjë vend nuk ka të drejta mbi tokën. Janë vetëm njerëzit ata që kanë të drejta. Dhe nëse shumica e një populli në një territor të caktuar nuk dëshiron të jetë pjesë e një qeverie tjetër ata kanë të drejtën që u jep qenia shumicë për të marrë vendim dhe për t'u bërë të lirë e të pavarur. Mos po citoj këtu Deklaratën amerikane të Pavarësisë apo jam duke shpjeguar një parim të qeverisjes? Që të dyja. Mendoj se Amerika duhet t'i kthehet përsëri këtij parimi por ne druhemi shumë se mos bëhen ndryshime të cilat pastaj mund të dalin jashtë kontrollit", ka thënë ai. /VoA/
Krijoni Kontakt