Botime të reja: 100 PERSONALITETE SHQIPTARE TË KULTURËS ISLAME

Këto ditë, shtator, 2012, doli në dritë në Tiranë, libri-Enciklopedi me titull:
100 PERSONALITETE SHQIPTARE TË KULTURËS ISLAME, botuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me qendër në Tiranë.
Libri ka 307 faqe, ku janë vendosur 100 personaliteteve të shquara shqiptare të kulturës islame.
Drejtori i Kulturës në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Genti Kruja, në parathënien e këtij libri, ndër të tjera, shkruan:

“Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta kanë hyrë në vitin jubilar të 100 vjetorit të ngritjes së flamurit, shpalljes së pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar. Me këtë rast edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka marrë iniciativën e organizimit të shumë aktiviteteve, konferencave, botimeve e të ngjashme me këto, për të ndriçuar sadopak historinë e lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri e pavarësi, për arsimim dhe aspirata në ndërtimin e identitetit kombëtar, ruajtjes së vlerave universale islame dhe trashëgimisë së madhe kulturore të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare te shqiptarët.”

S’ka dyshim se ky libër, kjo enciklopedi tek lexuesit do të sjellë frymëzim, sepse aty janë 100 personalitete të kulturës islame që i kanë shërbyer kombit dhe atdheut po me aq dashuri sa i kanë shërbyer edhe fesë.
”Elita fetare duhet të vendoset në piedestalin e historisë së vendit”, ka thënë Kryeministri Sali Berisha - duke folur në Konferencën Shkencore të Bashkësisë Islame të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, e cila zhvillohet sot në Tiranë me 28 shtator 2012, në kuadër të 100-Vjetorit të Pavarësisë - duke theksuar se roli i besimeve fetare në Shqipëri është injoruar dhe harruar.
“Roli dhe kontributi i udhëheqësve shpirtërorë të kombit, të besimit mysliman, ortodoks dhe katolik në 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë është injoruar dhe është harruar. Kjo e vërtetë e hidhur ka shpjegimin e vetë të qartë, sepse për diktatorin në Shqipëri armik më të egër se besimet tek Zoti nuk kishte. Ndaj dhe ai ndërmori ndaj tyre barbaritë më të pashembullta në historinë moderne të njerëzimit. Në Kosovë dhe në trojet shqiptare pushtuesi donte t`u impononte besimin e tij, ndaj dhe ky kapitull i rëndësishëm i histoirsë sonë duhet të dalë dhe të vendoset në piedestalin që meriton”, ka thënë Berisha.

Mexhid YVEJSI, Gjakovë