Karol Wojtyla; Shenjtërimi i tronditet nga një mike “e fshehtë”

ALBA KEPI


Publikimi i miqësisë së fortë që Papa Giovanni II kishte me një grua laike po bezdis jo pak Vatikanin, e ka gjunjëzuar për momentin ngritjen e Karol Wojtyla-s drejt altarit të shenjtorit.

Mijëra letra, një korrespondencë 55-vjeçare, një pjesë e së cilës i është dorëzuar autoriteteve më të larta të Vatikanit, duket se po frenon procesin e shenjtërimit të Papa Giovanni-t II.

Wanda Poltawska apo “Dusia”(motërzë) siç e thërriste në gjuhën polake Karol Wojtyla shoqen e tij të fëmijërisë, po mban pezull dëshirën e miliona besimtarëve të krishterë, të cilët nga momenti i vdekjes së tij nuk kanë reshtur së thirruri “Sa më shpejt i Shenjtë!”

Letrat mjaft personale midis Karol Wojtyla e Wanda Poltawska kanë ditë që mbajnë ndezur polemika e opinione të ndryshme nëpër faqet e shtypit internacional, site interneti apo kanale televizive. Mikja për jetë e Papa Giovanni II nuk është parë asnjëherë me sy të mirë nga Vatikani, i cili e konsideronte një anomali të pamohueshme lidhjen e Papës me një laike e që në këtë fazë të procesit të kthimit të tij në “shenjtëri”, do t’i ketë në zotërim e të lexojë atë mal letrash personale që për 55 vjet mbajti të lidhur miqësinë mes tyre.

“Familjariteti i tij me Wanda-n ka ngjallur dyshime e humor të keq në Vatikan”, -shprehet Imzot Adam Boniecki, bashkëpunëtori më i ngushtë i Karol Wojtyla-s qysh nga viti 1964. - Karol bëhet Papë e vazhdon së qeni burrë, pasi ndjeshmëria e tij nuk u mbyt nga rregullat e seminarit. Mendohet për Papa Giovanni-n II si një qenie të shpirtëzuar, larg realitetit, kurse Wojtyla ruajti përherë humanizmin e tij”.

Korrespondenca 55-vjeçare midis Karol Wojtyla-s e Wanda Polwaska, një material “shumë i ndjeshëm” për muret e Vatikanit rrezikon sot të ngadalësojë makinën burokratike të shenjtërimit të Papa Giovanni II.

“Ne punojmë për historinë e gjithë dokumentacioni i çdo kandidati për të qenë i shenjtë e kjo është një çështje që na përket. Para se të proklamosh një të shenjtë është e nevojshme të njohësh çdo letër”, - kjo është përgjigjja e Vatikanit e konkluzioni i arritur nga “Komisioni i Çështjeve të të Shenjtëve”, i përbërë nga tetë teologë që pak ditë më parë mori në duar shqyrtimin e procesit të shenjtërimit të Papa Giovanni-t II e që në mbledhjen e ardhshme pritet të paraqesë kërkesën zyrtare për sekuestrimin e korrespondencës private të Papës me miken e tij të rinisë. Sipas kardinalit Jose Saraiva Martines, një nga teologët e këtij komisioni: “Duke ditur se Wanda ruan një dokumentacion shumë të gjerë që nuk ka arritur kurrë në Vatikan, por që dihet se ekziston, konsiderohet e domosdoshme dorëzimi i tij. Janë letra të nevojshme e shumë të rëndësishme. Janë 55 vjet korrespondencë, një jetë, e studimi i së cilës do të kompletojë tërë dokumentacionin për Papën. Është një procedurë teknike e ngjashme me analizën që i bëhet një mrekullie, e cila kërkon një pericia që stabilizon se shërimi është i pashpjegueshëm shkencërisht nga mjekët. Kjo gjë do ndihmojë procesin e shenjtërimit e do shmangë problemet në të ardhmen”. Gjithmonë sipas teologëve, zonja Poltwaska duhej ta kishte dorëzuar tërë dokumentacionin gjatë fazës dioqezane të shenjtërimit, kryer në Krakovia e në Romë. Ky ishte momenti i duhur, para se çështja të arrinte në Qendrën e Shenjtë. Deri në vitin 2007 në çdo kishë ishin afishuar kërkesat për dorëzimin e dokumentacionit apo deklaratave që çdokush zotëronte e provonte shenjtërinë e tij. Gjithmonë sipas kardinal Martines: “Nuk ka asnjë motiv që këto letra të mos i dorëzohen Komisionit të të Shenjtëve. Vatikanit i intereson vetëm e vërteta, pa fshehur e pa lëvizur asgjë, duhet hequr çdo hije dyshimi apo kritike. Shërben koleksioni komplet i letrave për të njohur më mirë figurën njerëzore të Wojtyla-s e për të eliminuar kundërshtimet e mundshme të së ardhmes”.

Edhe pse jo pranuar publikisht, krejt kundërt e mendon ish-bashkëpunëtori i Papës, Boniecki, i cili për këtë korrespondencë shprehet: “Më shumë sesa letra është një dialog shumë privat e i pandërprerë. Pranë Wojtyla, Wanda është rritur si grua, si mjeke e së bashku ata kanë analizuar në këtë korrespondencë tema për familjen e dashurinë. Dokumentacioni i dorëzuar nga ajo është më se i mjaftueshëm. Vatikani provon pothuajse një bezdi nga ky familjaritet, pasi zakonisht janë mësuar me Papë të distancuar e pa kontakte me gratë. Wanda është kurajoze që pranon një lidhje të tillë. Papa Giovanni II ka frekuentuar universitetin, e ruajti miqësitë me djemtë e vajzat. Ai ishte një burrë si të gjithë, prandaj ishte dhe aq i dashur në popull. Ai mbajti mjaft fjalime për dashurinë, të padëgjuara më parë. Qe gjithmonë i lirë nga ajo klimë opresive e kjo e bën atë të madhështishëm”.

Po kush është Wanda Poltawska?

Sot është një grua 88-vjeçare, e cila jeton në një apartament pranë markatës së Krakovias në Poloni, një nga sheshet më të mëdha mesjetare të Evropës. Mikja e përjetshme e Papa Giovanni-t II, të cilën ai e thërriste “e dashura Dusia” është një psikiatre infantile e njohur në të gjithë botën për studimet e saj, sidomos për punimet për fëmijët polakë që pasi i kishin shpëtuar kampit të përqendrimit nazist, luanin “se si të vrisnin me pushkë hebrenjtë”. Karol Wojtyla e Wanda njihen më 1950, ajo një partizane katolike e arrestuar nga Gestapo, e arratisur nga kampi i Ravensbruk, ku iu nënshtrua masakrave makabre të mjekëve, zgjedh Karol si rrëfimtarin e saj. “Falë tij pushova duke fajësuar veten se pse isha akoma gjallë, përballë nënave që kishin humbur fëmijët e tyre”, - kujton Dusia njohjen e saj me Papën. “Nga momenti i parë që e pashë, e kuptova se do të bëhej i Shenjtë. Rrezatonte dritë të brendshme që qe e pamundur të fshihej”. Nga ai çast ata nuk i humbën asnjëherë kontaktet me njëri-tjetrin. Burri i saj, gjithashtu mjek, Andrzej, fëmijët e tyre bëhen familja e Papës. “I shenjtë në karakter e gjenial në intelekt, - shprehet Wanda, - filozofia e tij më ka ndihmuar në jetën private e në punën time si psikologe e personalitetit njerëzor”.

Më 1962 Wanda sëmuret me tumor e Wojtyla atëherë peshkop, kërkon ndihmën e Padre Pio-s për shërimin e saj. Çuditërisht kur shërohet, vjen edhe letra me të cilën Karol kërkonte ndihmën e Padre Pio-s, bëhet pjesë e dokumentacionit që e kthen këtë të fundit në “Të Shenjtë”.

Menjëherë pasi bëhet Papë, Karol i shkruan Wanda-s një letër prej katër faqesh ku i rrëfen me zemër në dorë gjithçka ndodhi. Pas janarit të vitit 1980 Wanda është gjithnjë e më shpesh në Romë ku dalëngadalë arrin të marrë dhe emërime të rëndësishme në Vatikan.

Kur Papa Giovanni II ndodhej në spital pas atentatit të vitit 1981, pranë tij ditë e natë derisa u shërua përfundimisht, u gjend përherë Wanda Poltawska.

Gjatë meshave në kapelën private të Papës, Wanda qe pothuajse gjithmonë e pranishme. Ajo banonte dy hapa larg Vatikanit e shpesh në mëngjes shkonte në meshën private të Papës me pantofla. Për shumë zyrtarë të Vatikanit ishte një anomali evidente që një grua laike të hynte kaq natyrshëm në apartamentin papal.

Më 2 prill 2005 në dhomën e Vatikanit ku Karol Wojtyla vdiq, pranë kish ditë që i rrinte “Dusia e tij”.

Korrespondenca 55-vjeçare e tyre, një material “shumë i ndjeshëm” për muret e Vatikanit rrezikon sot të ngadalësojë makinën burokratike të shenjtërimit të Papa Giovanni II.

Procesi i shenjtërimit

Sipas librit liturgjik, Martyrologium Romanum, i cili përmban listën zyrtare të të shenjtëve të shpallur nga kisha, sot numërohen rreth 9 900 shenjtorë.

Shenjtëria e gjithçka që e rrethon atë të shtron përherë para pyetjes: Si ka mundësi që është i tillë? Çfarë ka të veçantë? E si është zbuluar kjo gjë?

Miliona besimtarë të pranishëm në varrimin e Karol Wojtyla qenë një nga provat që autorizuan fillimin e procesit të shenjtërimit të tij. “Vox populi”, pra zëri i popullit është hapi i parë që ndjek kisha në “famën e të shenjtit”. Nuk kish ndodhur kurrë që miliona njerëz të thërrisnin njëzëri “I Shenjtë menjëherë”, gjë që detyroi Papën Ratzinger të mos respektojë rregullin e respektimit të kalimit të 5 vjetëve për nisjen e procesit të kthimit të Karol Wojtyla-s në shenjtor. Për këtë arsye, menjëherë më 28 qershor 2005, nisi procesi kanonik për Papa Giovanni-n II. Nga ky moment ka nisur mbledhja e dëshmive, materialeve, dokumentacioneve që do të vërtetojnë se “shërbëtori i popullit” ka pasur një jetë jo të zakontë. Më pas, një ekspert, pasi ekzaminon e vlerëson këtë material, përgatit një dosje të quajtur “Positio”, në bazë të së cilës nëntë teologë vërtetojnë efektivitetin e saj. Në qoftë se ai rezulton pozitiv, atëherë shërbëtori i popullit i nënshtrohet gjykimit të një komisioni të përbërë nga peshkopë e kardinalë. Në qoftë se rezultati është i njëjtë, atëherë fjala e fundit i mbetet Papës, i cili e shpall atë Shenjtëri. Në procesin e shenjtërimit të Papa Giovanni-t II janë pyetur në sekret të plotë rreth 120 dëshmitarë, në listën e të cilëve mungon një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, Angelo Sodano, për 15 vjet sekretar i Shtetit të Vatikanit. Një dosje prej 1500 faqesh me mbi 250 shënime të pashpjegueshme të lidhura vetëm me prezencën e Wojtyla-s pritet të diskutohet nga tetë teologë me promotor Imzot Sandro Corradini e me relator të çështjes francezin Daniel Ols. Vendimi i teologëve do t’i prezantohet më pas komisionit të përbërë prej 25 peshkopësh e kardinalësh me në krye salezianin Angelo Amato.

Në pesëvjetorin e vdekjes së tij, pra më 2 prill 2010, pritet si dita e mundshme e shenjtërimit të tij nga Papa Ratzinger, edhe pse për miliona njerëz besimtarë apo jo, të krishterë apo të çdo feje tjetër, Papa Giovanni II është Shenjtor. Lektori i çështjes, Daniel Ols, nuk hedh poshtë datën 2 prill 2010 si një ditë e mundshme për shenjtërimin e Papës e nënvizon se “procedura kërkon tërë kohën e nevojshme, e puna duhet kryer mirë e me kujdesin më të madh”.

Revista polake “Familja kristiane” në një nga botimet e fundit të saj shprehet: “Letrat tregojnë një lidhje shpirtërore me një intensitet të jashtëzakonshëm të rrethuar nga humanizmi e nga pasuria shpirtërore midis një burri e një gruaje të aftë për të dhuruar një miqësi pa fund”.



Pjesë nga korrespondenca midis Papa Wojtyla-s e mikes së tij Wanda Poltawska



Letër e Karol drejtuar Wanda-s më 6 gusht 1978:

“E dashura ime Dusia, më ndodhi diçka e papritur. Nuk më kishte rastisur kurrë më parë të ëndërroja, por këtë natë pashë në ëndërr Papën Paolo VI që ma bënte me shenjë t’i afrohesha”.



Letër e Karol më 2 tetor 1978:

“Mendova se do të kisha edhe pak kohë, por nuk është kështu, më duhet të nisem… Si temë për meditim zgjodha pjesë nga San Giovanni … Vazhdoj duke të qenë pranë e rekomandoj Zotin tek ty, tek të afërmit e tu, tek problemet e tua. Me besim të plotë Fr. (vëllai)”



Letra e Wanda-s ndaj Karol më 10 tetor 1978

“Sapo mora letrën tënde e bashkë me të frika se nuk do të kthehesh më. Kurrë si më parë unë po reagoj, vizitoj klerikët e më pëlqen të ndjek vijën e predikimit… Më erdhi për të më takuar një sllovak i cili më tregoi se e gjithë Sllovakia po lutet që ti të bëhesh Papë. Në Wadowice një përfaqësues i ambasadës italiane erdhi për të mbledhur informacion për ty”.



Letra e Wanda-s ndaj Karol 16 tetor 1978 (dita e shpalljes së tij Papa Giovanni II)

“Sot nga dhoma jote hoqa tërë letrat ashtu siç më kishe thënë. Televizioni polak dha lajmin “Amantio Vobis” e don Mariano celebroi meshën në kishën Maria. Kumbonte kambana e Sigismondo-s e turma ishte çmendur. Si duhet të jetoj unë tashmë pas gjithë kësaj që ndodhi? Kujtoj një ditë shiu nga pushimet tona të fundit në malin e Sant’Anna, u detyruam të futeshim poshtë një peme për të mbrojtur “breviarin - libër yt i shenjtë”, u detyrova ta mbaja mbi kokën tënde si një çati mantelin tim…

Sapo arrita në shtëpi, dëgjova në radio lajmin e vdekjes së Paolo VI, zemra m’u drodh. Kisha kohë që ndieja se do të largoheshe. Përgjithmonë”.



Letër e Karol drejtuar Wanda-s, datë 20 tetor 1978

“E dashur Dusia, u kënaqa që arrita të dëgjoja zërin tënd në telefon. Shpresoj në një takim të shpejtë. Më mjafton dhe një takim i shkurtër. Zoti ka vendosur gjithçka mbi atë që disa herë kemi folur. Ti vetë ke thënë një ditë pas vdekjes së Paolo VI e tashmë është realitet… duhet ta kuptosh që në gjithë këtë mendoj për ty… dëshiroj vazhdimisht të eci me ty, ditë për ditë. Letrat e zverdhura nga meditimi e mendimet që po të të dërgoj janë dëshmi e kësaj. Bëj një zgjedhje të kujdesshme të këtyre teksteve e të tjerat grisi. Fr ( fratello - vëllai)”.

standart

06/06/2009