Si studionte dhe relaksohej Enver Hoxha për orë të tëra. 500 fotot e Mehmet Shehut të vdekur
Rrëfimi i oficerit A.C. që ka shërbyer për 30 vjet pranë Gardës së Enver Hoxhës
Për gati tridhjetë vjet kam parë se si Enver Hoxha relaksohej mbi fotografitë e viktimave të tij. Ai qëndronte përreth 6 orë në ditë mbi fotografitë e trupave të pushkatuar të Koçi Xoxes, Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos. Por mbi fotografitë e Mehmet Shehut ai është relaksuar mbi tri ditë. Kjo është dëshmia rrëqethëse e oficerit që ka qëndruar përreth 20 vjet pranë Enver Hoxhës.
Enver Hoxha ishte jashtëzakonisht i apasionuar pas fotografive të trupave të vrarë me plumba. Kjo dashuri për herë të parë i ishte shfaqur që në vitin 1945. Pasi një prej njerëzve të tij të afërt shpallej armik i partisë dhe gjykata vendoste që ai të pushkatohej, fillonte një tjetër procedurë. Sapo prokurori i kishte dhënë të dënuarit «Colpo di gracia», atëherë një fotograf profesionist duhej të bënte mbi 30 foto të trupit të gjakosur në 30 pozicione të ndryshme dhe fotografitë duhet të laheshin brenda gjashtë orëve. Pasi fotografitë laheshin, i dërgoheshin në një zarf në zyrë Komandantit (Enver Hoxhës). Enver Hoxha mbyllej përreth 5 orë duke i kundruar me imtësi këto fotografi. Ky ishte një prej relaksimeve të tij më interesante. Në librin e njërit prej oficerëve të shoqërimit të Enver Hoxhës në shërbim për gati 20 vjet që së shpejti do të shikojë dritën e botimit, kapitulli i dashurisë së fotografive të trupave të vdekur prej Hoxhës, zë një vend të rëndësishëm. Në këtë kapitull janë prurë detaje se si dikatori ka qëndruar më shumë se 10 orë me fotografitë e Koçi Xoxes, i mbyllur në zyrën e tij. Por të njëjtën gjë ai ka bërë edhe me fotografitë e Beqir Ballukut në vitin 1975, të Petrit Dumes e të Hito Çakos. Po ashtu, detaje të shumta janë evidentuar në këtë rrëfim se si ai ka qëndruar nga 6 orë në ditë për gati një javë me fotografitë e Mehmet Shehut të bëra pas vetëvrasjes së tij.
Data 18 dhjetor 1981
Telefoni i Laboratorit të Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme ka rënë mbi 30 herë. Ishte data 18 dhjetor 1981. Njëri prej adjutantëve të Enver Hoxhës kërkonte që fotografitë e vetëvrasjes së Mehmet Shehut të laheshin me urgjencë. Në krevatin ku kishte vrarë veten Mehmet Shehu, veç fotografit të Laboratorit të Kriminalistikës së Ministrisë së Brendshme ishte dërguar edhe një fotograf tjetër, i cili duhet të bënte së paku 100 shkrepje, nga të cilat më shumë se gjysma të ishin për trupin e palëvizur të Mehmet Shehut në krevatin e dhomës së gjumit, ndërsa 50 shkrepje të tjera të ishin nga momenti që trupi i tij ishte nxjerrë nga dhoma e derisa të varrosej. Të dy fotografët, shumë profesionistë, kanë punuar me shumë kujdes dhe përkushtim, sepse që në orën 10.00 të datës 18 dhjetor 1981 në zyrën e Komandantit duhej të ishin më shumë se 500 fotografi të trupit të vetëvrarë të Mehmet Shehut. Këto fotografi ishin fondi personal i Komandantit. Por deri në orën 8.00 të mëngjesit fotografitë nuk kishin mbaruar dhe në Ministrinë e Brendshme ishte një rrëmujë e madhe. Për larjen urgjente të fotografive dhe dorëzimin e tyre te komandati kujdesej vetë Kadri Hazbiu. Ai ishte aq i zellshëm në këtë procedurë sa qëndroi personalisht në fazat e larjes së fotografive. Formati i fotove duhej të ishte 10x55 cm pasi Komandanti e kishte të vështirë të shikonte qartë. Fotografitë u morën me procesverbalin nr. 645, datë 18 dhjetor 1981, i cili ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Rendit në Kutinë 741, në ndërtesën aktuale, pas zyrave qendrore të Albtelekomit. Fotografitë janë marrë me procesverbal dhe mbi zarf është shkruar : «Për Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha». Një kopje e këtyre fotografive, por edhe e zarfit, ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme. Fotografitë janë ekskluzive, të pabotuara, përveç treve prej tyre për të cilat ka urdhëruar vetë Komandanti që të botoheshin. Tufa e madhe prej 500 fotografish të vetëvrasjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu, ka shkuar në zyrën e komandantit në orën 9.30 të mëngjesit dhe komandanti është mbyllur duke i parë ato me imtësi përreth 6 orë.
Data 19 dhjetor 1981
Më datën 19 dhjetor 1981, në zyrën e Komandantit erdhën dhe fotografitë që kishte bërë fotografi special që nuk merrte pjesë në grupin e hetimit të vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Edhe me këto fotografi, komandanti është mbyllur më shumë se gjashtë orë. Në orën 13.30 të datës 19 dhjetor 1981, Komandanti ka nxjerrë dhe tri fotografitë e vetëvrasjes së ish-kryeministrit të cilat do të përdoreshin nga ana e ekspertizës. Pasi u dorëzuan me procesverbalin nr. 712 të datës 19 dhjetor 1981 tri fotografitë e vetëvrasjes, u dha urdhër të mbahej vetëm një film dhe të asgjësoheshin 10 filmat e tjerë. Po ashtu u dha urdhër i prerë që të kontrollohej nga një grup special prej katër vetash Laboratori i Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme që të mos mbetej asnjë fotografi dhe të zhdukeshin të gjitha gjurmët e larjes së fotografive. Tri fotografitë e miratuara nga Komandanti iu bashkëngjitën dosjes hetimore të Mehmet Shehut, ndërsa pjesa tjetër e fotografive u kyç në kasafortën e Komandantit, i cili çelësin e mbante personalisht të lidhur në rripin e pantallonave, në anën e djathtë, që të mos dukej kur ecte.
20 dhjetor 1981
«Komandanti është mbyllur më shumë se 6 orë të tjera dhe ka hapur mbi tavolinë të gjitha fotografitë e vetëvrasjes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Ai ka pirë më shumë se katër kafe pa sheqer, duke shkelur të gjitha rregullat e dietës së tij. Kur i kemi shpurë kafenë, kemi parë se mbi tavolinë ai kishte hapur shumë fotografi dhe i lëvizte duke i radhitur ashtu si fallxhoret letrat e bixhozit. Në orën 12.00, ai ka nxjerrë urdhrin e firmosur me dorën e tij që të bëhej një aksion në shkallë kombëtare për zhdukjen e të gjitha fotografive dhe veprimtarisë së Mehmet Shehut në institucionet e shtetit, sidomos në biblioteka. Për realizimin e këtij aksioni janë mobilizuar shumë intelektualë shqiptarë, të cilët kanë hequr në kohë rekord për 24 orë fondin e të gjitha fotografive publike të Mehmet Shehut, parullat e shkruara në çdo shkollë dhe në çdo vatër kulture, si dhe kanë eliminuar gjithçka nga ato që ishin shkruar në veprat e Enver Hoxhës. Urdhri i Komandantit mban nr. 9987. Po atë ditë, Presidiumi i Kuvendit Popullor mori vendim që të mbuloheshin me shirit të zi të gjitha frazat ku Enver Hoxha përmendte Mehmet Shehun derisa të ribotoheshin. Aksioni ka zgjatur vetëm tri ditë dhe në mbarë vendin nuk gjeje më asnjë gjurmë dhe asnjë fotografi të «tradhtarit dhe armikut të popullit» Mehmet Shehu.
Krijoni Kontakt