Kryeministri i Shqiperisë, Sali Berisha, u ka bërë apel të gjithë shqiptarëve, qofshin këta edhe socialistë të braktisin listat e Edvin Ramës, i cili i braktisi ata, duke mos u vënë në krye të listës, por edhe duke u paraqitur atyre një alternativë shpifjesh, që u shkon për shtat vetëm çetnikëve serbë si dhe antishqiptarëve të të gjitha ngjyrave.
Tiranë Bota Sot- Kryeministri Sali Berisha u ndal në qytetin e Vaut të Dejës, në vijim të turit elektoral, për të vazhduar edhe në Tropojë,Pukë dhe Fushë Arrëz. Përmes një mitingu në qendër të qytetit, të Dejës, kryeministri Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që më 28 qershor të marrin pjesë në votime dhe të votojnë alternativën e zhvillimit të tyre, alternativën e Partisë Demokratike.
Kreu i qeverisë u shpreh se vota për krahun tjetër politik apo fraksionet, është votë për të pabesët, të cilëve kurrë nuk u duhet zënë besë. Sipas kryeministrit Berisha, Edi Rama ka lidhje të ngushta me Goran Bregoviçin, i cili ka qenë iniciues i masakrave mbi shqiptarët e Kosovës. Sikundër theksoi se edhe drejtuesi i një fraksioni politik, Nard Ndoka, është palë me të pabesët. “Ju adresohem sot, në mënyrë të veçantë, socialistëve të Vaut të Dejës. Me Edi Ramën ju ndan çelësi i bashkisë në gjoksin e Goran Bregovicit, iniciuesit të masakrave të serbëve mbi kosovarët. Siç e dini, Sali Berisha, sa herë gabon, kërkon ndjesë. Nuk mund të mos ju kërkoj ndjesë, pasi katër vite më parë kam ardhur këtu dhe ju kam thënë se vota për Nard Ndokën, është votë për Sali Berishën. Ndërsa sot ju kërkoj ndjesë dhe ju them se vota për Nard Ndokën është votë për Edi Ramën. Sikundër, qenka e vërtetë vëllezër se, çdo gjë në këtë botë mund të bësh, por nuk i duhet dhënë besë, të pabesit”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha u dha besimin qytetarëve të Vaut të Dejës se nën qeverisjen e demokratëve katër vitet në vijim do të jenë sërish vite të ndryshimit. Kreu i qeverisë përmendi një seri investimesh që qeveria e tij ka kryer në këtë bashki, por edhe ka nënvizuar konkretisht se çfarë parashtron qeverisja e tij në këtë zonë të vendit në vitet në vijim.
“Në bashkinë tuaj janë investuar dhjetëra herë më shumë sesa gjatë qeverisjeve të mëparshme socialiste. Por jam këtu për t’u zotuar se në katër vitet e ardhshme në këtë zonë nuk do të ketë rrugë të paasfaltuar, sikundër do të subvencionohet nafta me imputet e saj për qindra sipërfaqe të mbjella, do të financojmë frutikulturën, ullirin dhe të gjitha kulturat bujqësore. Pensionet e fermerëve të kësaj zone dhe të mbarë Shqipërisë do të jenë të barabarta me pensionet e qyteteve dhe më të larta sesa pensionet e fermerëve në 6 vende anëtare të Bashkimit Evropian”, ka cilësuar kryeministri.
Gjithashtu, kryeministri deklaroi, për zgjedhjet e 28 qershorit të gjithë qytetarët e mbarë vendit, duhet të marrin letërnjoftimet elektronike, brenda këtyre tre ditëve, për t’u barazuar qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Evropës.
Berisha apelon në Pukë për përkrahje masive për alternativën e Partisë Demokratike/”28 qershori po afrohet dhe unë ju bëj thirrje të gjithëve ju, të gjithë qytetarëve të Pukës; këto tre ditë vraponi të merrni letërnjoftimet e reja, ai është dokumenti më modern në Europë. Me këtë dokument ne kemi shansin e madh të barazohemi me qytetarin e vendit më të zhvilluar të Europës dhe botës, me këtë dokument kemi shansin e madh të votojmë si qytetarë të lirë të një vendi të lirë, anëtar të NATO-s, qytetarë të një vendi që, gjatë vitit të parë të mandatit të dytë, presim të lëvizim të lirë në mbarë Europën. Ju bëj thirrje socialistëve të Pukës, në mënyrën më miqësore. Ju, i përkisni një partie tjetër, por unë kërkoj nga ju që të mendoni vetëm një moment se me cilin e ndjeni veten më afër, me Edi Ramën, apo me Sali Berishën. Kam bindjen më të thellë se secili prej jush, në rast se mendon për veten, për fëmijët, për Pukën dhe Shqipërinë, e ndjen veten dhjetëra herë më afër me Sali Berishën sesa me Edi Ramën. Së bashku ne na bashkon ëndrra jonë europiane, si projekti më i bukur, më dinjitozi, më madhështor, për ne dhe fëmijët tanë. Ne që bëmë realitet ëndrrën atlantike, ne do të bëjmë realitet dhe ëndrrën europiane. Ju duam edhe ju, duam çdo shqiptar. Me Sali Berishën juve ju bashkon dashuria për Pukën, respekti për njëri tjetrin, dashuria për Shqipërinë. Me Edi Ramën juve ju ndan çelësi i artë i bashkisë së Tiranës në gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe mbi shqiptarët, Bregoviçit. Me Sali Berishën juve ju bashkon pensioni juaj i rritur dhe që do të rritet edhe më shumë, shkollimi më i mirë i fëmijëve tuaj, ju bashkon lufta kundër krimit dhe korrupsionit, ju bashkon përpjekja jonë titanike për ëndrrën tonë europane.
Së fundi, socialistë të mbarë Pukës dhe Shqipërisë, Edi Rama, me një akt paburrërie totale, nuk vuri veten në krye tuaj, por ju tha; ecni para sepse unë nuk vij në krye tuaj. Ai në fakt, në thelb, nuk ju do, ai prej kohësh ju ka zëvendësuar ju me 99-shat me të cilët ndan lejet e ndërtimit dhe pret gjobat e ndërtuesve. Ky është shkaku kryesor që ai nuk kandidon në krye të listës. Thirrjen time nuk dua të ma keqkuptoni, ju votoni të lirë, votoni për atë që doni, por unë, në emër të interesave tuaja, nuk e lija dhe nuk e le dot pa ju bërë juve thirrje këtu në Pukë, në Tropojë, në Sarandë, në Vlorë, në Gjirokastër, në mbarë Shqipërinë.Apeli për përkrahje mbarëpopullore përsëritet edhe në mitingun e Fushë-Arrëzit/28 qershori po vjen. Në 28 qershor, më shumë se për çdo gjë tjetër, ju votoni për ëndrrën tuaj evropiane, për bërjen e saj realitet, ju votoni për infrastrukturën moderne të Fushë Arrëzit dhe të Shqipërisë, votoni për rrogat dhe pensionet, për shërbimin cilësor shëndetësor dhe shkolla moderne, votoni për punësimin tuaj, votoni për një luftë të egër që do t’i bëjmë së bashku varfërisë. Zotohem para jush se në katër vitet që vijnë nuk do të ketë qytetarë shqiptarë që të marrë nën 2 dollarë në ditë. Ne që nxorëm 400 mijë shqiptarë nga varfëria, ne do t’i japim varfërisë goditjen më fatale në mbarë Shqipërinë. Këtu në Pukë garojnë 2 deputetë; garon Ndue Paluca, i cili pret ta sillni në parlament me votën tuaj, me besimin tuaj, me shpresën tuaj, që ai t’ju shërbejë ashtu siç ju ka shërbyer. Garon edhe një tjetër, Ndue Kola, i cili i pagoi Edi Ramës gjysmë milioni euro për mandatin e tij. Asnjë votë Edi Ramës. Kam një thirrje vëllazërore për ju, por këtë thirrje e kam veçanërisht për të gjithë socialistët e Fushë Arrëzit dhe të mbarë Shqipërisë. 28 qershori është ditë e vendimit më të madh. Para se të hidhni votën, mendoni për një moment se me cilin ndiheni më afër, me Sali Berishën, apo me Edi Ramën. Unë kam bindjen më të thellë se ju jeni dhjetëra herë më afër me mua, sesa me Edi Ramën. Ju jeni më afër me mua, sepse se bashku ne kthyem në realitet ëndrrën më të bukur atlanciste, bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, së bashku i kemi të gjitha garancitë të kthejmë në realitet ëndrrën europiane të të gjithë shqiptarëve. Unë kam bindjen se ndiheni më afër me mua dhjetëra herë më shumë sesa me Edi Ramën. Unë kam faktuar respektin ndaj jush. Sot, çdo i moshuar në fshat merr dy herë më shumë pension se katër vite më parë, në qytet 50 deri në 70 për qind më shumë. Pra, unë e mbaj fjalën time. Ju ndiheni shumëmë afër me mua, sesa me Edi Ramën, sepse ju jeni atdhetar, sepse ju e doni Pukën, e doni Fushë Arrëzin, e doni Shqipërinë. Me Sali Berishën ju bashkojnë projekte mbarë kombëtare, ndërsa me Edi Ramën ju ndan çelësi i artë i bashkisë së Tiranës që e vendosi në gjoksin e himnizuesit të masakrave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, famëkeqit Bregoviç. Ndaj dhe kënga e tij “cohu cohu” është si çetnik serb. Ne ju duam ju, ne duam çdokënd, ne duam që në projektin tonë europian të jenë të gjithë aktorë, të firmosin të gjithë në 28 qershor. Europa është tashmë blu dhe qeverinë demokratike të Sali Berishës e mbështet Brukseli, Parisi, Berlini, Roma, e mbështesin 24 vende të Bashkimit Europian, që një javë më parë votuan Qendrën e Djathtë, votuan partitë simotra të PD-së.
Kryeministri Berisha: Edi Rama e ka kthyer kryesinë e PS-së në 99-sha dhe sh. p. k.
Kryeministri Sali Berisha vijoi takimet elektorale në qarkun e Tiranës, duke u ndalur në zonën e Kombinatit. Kreu i qeverisë Sali Berisha, sulmoi kryesocialistin Edi Rama, se e ka kthyer Partinë Socialiste në parti të 99-shave dhe sh. p. k. Duke denoncuar politikat e ndjekura nga Rama, Berisha tha se me 99-shat, bën pazare e fëlliqura të lejeve të ndërtimit.
“Njeriu që e ka shndërruar kryesinë aktuale të Partisë Socialiste në nëntëdhjetë e nëntësha dhe sh. p. k. Njeriu që nga 500 leje ndërtimi, 70 për qind i merr për vete me eftimët dhe shkrelët e tij”, u shpreh kreu i qeverisë.
Berisha, iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen me Partinë Demokratike, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet projekti i Shqipërisë Evropiane. Nëpërmjet mbështetjes për PD-në, tha kryeministri, i jepet fund mitomanisë së Edi Ramës dhe hispanikëve të tij si Koço Kokëdhima dhe “shkrelat” që zaptojnë të gjithë tenderët e bashkisë, duke rënduar xhepat e qytetarëve dhe rritur fiktivitetin e shërbimeve në dobi të tyre.
“Bashkohuni me ne sepse ky projekt nuk është thjeshtë çështje e një partie, ky projekt është projekti i shpirtit, mendjes dhe zemrës të çdo shqiptari. Si projekti më i bukur për begatinë e tij, për punësimin e tij, për shkollimin e fëmijëve të tij, për punësimin e fëmijëve të tij, për shërbimet shëndetësore, për infrastrukturën moderne. Socialistë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë mendoni për një moment, çfarë ju lidh juve me Edi Ramën. Asgjë nuk ju bashkon. Ai nuk ju do ju, ai do nëntëdhjetë e nëntëdhjetë e nëntshat e tij, me të cilët bën pazaret e fëlliqura të lejeve të ndërtimit. Kurse me Sali Berishën ju lidh projekti evropian, ju lidhin rrogat e pensionet më të larta se 6 vende të tjera të Bashkimit Evropian, ju lidh krijimi i 160 mijë vendeve të punës, ju lidh lëvizja e lirë brenda vitit të parë, ju lidh besimi i madh që ka Evropa dhe bota tek Sali Berisha dhe tek Partia Demokratike. Po e di ti se kur votoi ty Tirana, votoi Nehat Kullën, votoi lepujt e tu që të vijnë mbrapa. Kur votoi ty Tirana votoi Koço Kokdhimën, që merr së bashku me ty të gjitha tenderët e kryeqytetit. S’të voton ty Tirana, s’të voton ty Shqipëria, prandaj nuk del në listë ti. Edi Rama festoi dje 18 vjetorin apo 70-vjetorin e partisë së tij. E vërteta historike është se ajo parti 18 vjet më parë, parti e krimeve më monstruoze, ndërroi vetëm emrin. Por e vërteta tjetër është se ne këto 18 vjet ajo parti ia doli të anëtarësohet në internacionalen socialiste. Kurse që kur e mori Edi Rama dhe e shndërroi në klubin e nëntëdhjetë e nëntshave, partia e tij voton kundër çdo ligji sepse do të shkuarën. Partia e tij voton kundër rritjes së rrogave, kundër rritjes së pensioneve, voton kundër aplikimit për vend anëtar në Bashkimin Evropian, voton kundër gjykatës kushtetuese. Por nuk sjell në Këshillin e Rregullimit të Territorit planin e rregullimit urbanistik të Tiranës. Pra nuk kishte përvjetor më të trishtë që mund të bënte një parti. Edhe njëherë socialistë të të gjithë Shqipërisë bashkohuni me ne, për ëndrrën tonë shqiptare dhe dashurinë tonë për Shqipërinë, dashurinë për njëri tjetrin, për fëmijët tanë, në takimin tonë me Evropën, me të ardhmen”, u shpreh kryeministri Berisha para qytetarëve të zonës së Kombinatit në njësinë bashkiake nr. 6.
Gjithashtu, kryeministri Berisha i bëri thirrje Edi Ramës që të dorëzojë projektin për ndërtimin e unazës së madhe, të mos e konsiderojë si plaçkën e oborrit të tij.
Më tej kryeministri u shpreh se Partia Demokratike do të vazhdojë ndryshimin e Shqipërisë.
Sipas kryeministrit brenda vitit të parë të mandatit të dytë, qytetarët shqiptarë do të lëvizin të lirë në mbarë hapësirën evropiane.
Brenda mandatit të dytë, tha Berisha, Shqipëria do të jetë vendi infrastrukturës rrugore më moderne në rajon dhe në Evropë.
Për sa i takon punësimit, kryeministri Berisha deklaroi se puna dhe punësimi do të jenë kryefjalë e mandatit të dytë. Sipas kreut të qeverisë vetëm 6 muajt e fundit janë firmosur e kanë nisur e do të nisin punimet në sipërmarrje gjigante, një investim prej 5.6 miliardë euro. Vetëm hidrocentralet që kanë nisur të ndërtohen dhe do të ndërtohen, do të mund të punësohen mbi 60 mijë qytetarë shqiptarë. Në 6 parqet e mëdha industriale të vendit do të krijohen mbi 40 mijë vende pune. Dhjetëra mijëra vende pune të tjera do të krijohen me ndërtimin e porteve gjigante, aeroporteve, boshteve më të shkurtra, rrugëve të vendit, ujësjellësve e kanalizimeve. Kryeminsitri i Shqipërisë Berisha, ka vazhduar turin e tij edhe në qytetet e Pukës, Fushë-Arëz, dhe qytetin e zemrës Tropojën, duke pasqyruar projekte të rëndësishme për Shqipërinë evropiane.“Ju ishit ata që larguat diktaturën”, u është drejtuar ai gjatë mitingut elektoral në kuadrin e turit “Shqipëria po ndryshon” që ka zhvilluar në qytetin verior të vendit-Tropojë.
Krijoni Kontakt