Rreth 80 milionë euro vlerësohet t’i kenë lënë nëpër bastore qytetarët e Kosovës gjatë kampionatit botëror.
E mërkure 14 Korrik 2010 10:35
Rreth 80 milionë euro vlerësohet t’i kenë lënë nëpër bastore qytetarët e Kosovës vetëm gjatë një muaji sa ka zgjatur kampionatit botëror për vënien e basteve për ekipet e tyre të preferuara. Ndërkohë që shteti nuk ka të dhëna të sakta dhe nuk ka kontroll mbi këto bastore. Këto miliona euro, nuk kanë mbetur në vend, më shumë se gjysma e mjeteve del jashtë Kosovës. Hisja e pronarëve që mbajnë në Kosovë bastorë sillet rreth 7 për qind, të tjerat i marrin bosët e tyre që vijnë nga Serbia, Shqipëria dhe Kroacia.
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), thonë se nuk e dinë saktë sesa para kanë qarkullim bastoret dhe as sa i kanë fitim. Edhe ato pak të dhëna që mund ti posedon ky institucion shtetëror, zyrtarët e lart të saj thonë se janë të dhëna konfidenciale. Ndërkohë që bizneset e lojërave të fatit (Bastoret) vazhdojnë të jenë biznese tejet profitabile të hapura gati në çdo cep të rrugëve, përkundër shkallës së lartë të varfërisë në vendin tonë. Kurse të regjistruara sipas ATK-së janë gjithsej 13 bastore me 309 pika në tërë territorin e Kosovës.
200 deri 4000 euro në ditë
Sipas të dhënave të siguruara nga disa bastore, pronarët e të cilave nuk pranuan të identifikohen me emër, qarkullimi ditor sillet prej 200 deri 4000 euro, kurse kjo shumë është shumëfishuar gjatë kampionatit botëror, kurse shteti nuk ka asnjë kontroll mbi to.
“Ne për një ditë i qarkullojmë nga 200 e deri në 4000 euro, varësisht prej lojës. Por gjatë kampionatit normalisht kanë luajtur shumë më shumë lojtarë”, bën të ditur pronari i një bastore në Prishtinë. Ai tregon se nga qarkullimi mujor edhe pasi që i paguajnë fituesit, tatimet dhe punëtorët në fund ju mbet një fitim i majmë.
Ai bëri të ditur se kosovarët kanë përqindje 6 deri 7 për qind kurse pronarët e tyre marrin pjesën tjetër të fitimit. “E zakonisht pronarët e bastoreve janë nga Serbia, Shqipëria apo edhe Kroacia”, bëri të ditur ky burim.
Edhe zyrtarët e ATK-së e konfirmuan se disa bastore janë hapur me pronar nga këto shtet të rajonit.
Ndonëse zyrtarët e ATK-së, institucion ky i cili i licencon dhe mbikëqyr këto biznese, nuk kanë të dhëna rreth shumës se mjeteve që qarkullojnë ato. Ata po ashtu nuk kanë as të dhëna rreth shumës së tatimeve që këto paguajnë në arkën e shtetit.
“Ne nuk kemi të dhëna të veçanta rreth qarkullimit të mjeteve të këtyre bizneseve. Po ashtu, nuk kemi as të dhëna rreth tatimit që këta paguajnë. Por, në buxhetin e përgjithshëm të hyrat nga këto biznese janë në një përqindje të vogël” tha Safet Krasniqi, menaxher i lojërave të fatit në ATK. /zeri/
Krijoni Kontakt