-
“Bomba” e Gërdecit shpërthen në familjen e Sali Berishës
Televizioni “Vizion Plus” transmetoi dje një dokumentar mbi kryeministrin Berisha, karrierën e tij në katër vitet e fundit. Pushteti i kryetarit të PD-së është shoqëruar me ulje-ngritje, momente pozitive siç ishte rasti i vizitës së presidentit amerikan Bush por dhe mjaft raste të errëta siç kanë qenë faktet e papërgënjeshtruara të publikuara në media, që e lidhnin djalin dhe vajzën e tij në afera korruptive.
KOP
“Unë jam Sali Berisha, kam qenë mjek kardiolog i apasionuar. Kam qenë në Universitetin e Mjekësisë për një çerek shekulli dhe u kam shërbyer të sëmurëve të mi dhe studentëve të mi me një vullnet të veçantë. Edhe sot pas 20 vitesh në politikë, Berisha ndihet mjeku i këtij vendi, që di çdo hall, çdo dhimbje të qytetarëve të tij”.
Në fakt, kjo është pyetja: Edhe sa kohë Berisha, një herë president dhe një herë kryeministër, do të mbetet në politikë? Në sheshe tubohen njerëz që Berishën nuk e kanë braktisur kurrë në shi e në diell. Por ecja e tyre këtë katërvjeçar nuk ka qenë e lehtë, një pjesë e tyre ka besuar, por një pjesë është tradhtuar. Një pjesë vazhdon të besojë, por një pjesë ka mbetur e zhgënjyer, sepse këto katër vite Berisha ka bërë shumë, por nuk ka bërë ato që na ka premtuar.
Kur hyri në Kryeministri, në fillim të shtatorit 2005, pritjet e organizuara për të ishin të tjera. Ai rikthehej në pushtet pas një fushate që kishte premtuar se do të linte pas urrejtjet, armiqësitë e vjetra. Ai nënshkruante para paraardhësit të tij me shumë qetësi sepse e kishte mundur atë, dhe ishte i bindur se kishte ngritur një ekip, me të cilin do të arrinte një pjesë bombastike të fushatës. Në këtë ekip bënin pjesë të majtë të orës së fundit, siç ishte edhe Lufter Xhuveli, por edhe armiq të vjetër, si Ruli por edhe të rinj të KOP-it, si Basha dhe Bumçi. E njëjta logjikë ishte ndjekur edhe në stafin e tij të afërt, ishte sekretari i tij i përgjithshëm Arben Imami, këshilltar ekonomik një nga këshilltarët e Nanos, Neritan Sejamini. Këshilltarë u afruan edhe nga grupi i liberalëve Nurellari. Në këtë kabinet bënte pjesë edhe Mediu, të cilit me shumë bujë iu dha Ministria e Mbrojtjes, që më pas do të shihej si katastrofa më e madhe e qeverisjes së Berishës. Por koha ishte ende për ceremoni dhe festa dhe, ashtu siç dinte Berisha, i bindej këtij rituali për të bërë sa më shumë miq dhe aleatë. Ky objekt do të ishte parë edhe për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet e Tiranës me Perëndimin. Kryeministri ishte betuar që të fshinte problemet që kishte pasur si kryetar i opozitës. Ai në OKB u mundua që të rikuperonte imazhin e tij. U përpoq për të vënë marrëdhëniet e tij me Greqinë. Ai do të përqafohej me Erdoganin, të cilit dikur i kishte bojkotuar sallën e Parlamentit. Kur Sali Berisha ende nuk ishte bërë kryeministër, SHBA u prekën nga uragani Katerina dhe kur ai nuk kishte asgjë në dorë, vetëm dëshirën për t’u rënë në sy, u premtonte: “Sapo të betohet qeveria, do t’u bashkohemi dhjetëra vendeve që kanë dërguar ndihmë për zonat e katastrofës me një shumë prej 300 mijë dollarësh”. Ky opsesion për të pëlqyer me çdo kusht, do t’ia hiqte edhe komplekset ndaj italianit Berluskoni. “Kam vetëm një kusht për të ardhur në Shqipëri, 8 vjet Nano nuk më gjeti asnjë femër. Nëse nuk më gjen një femër, nuk do të vij në Shqipëri”. Ashtu si në fushatë, ai përsëriste se kishte ngritur një kabinet shërbesash, deklarata të cilat po t’i dëgjonte sot, do ta bënin të skuqeshin.
AFERAT
Ai deklaronte se ligji do të binte mbi këdo që do ta shkelte. Ai premtonte se ligji do të rivendoset duke filluar nga kryeministri, ministrat dhe të afërmit e tyre. Këto premtime në fillimet e qeverisjes dukeshin të arritshme dhe fillimet e punës së policisë dukeshin që po ecnin. Historia duket banale, por ajo ndryshon po të mësohet vendi ku kryhej operacioni. Mesazhi ishte i qartë, se ligji do të mbizotërojë kudo, pasi këtu policia ishte në Lazarat bastioni i PD-së. Simbolika është e fortë, krimi do të luftohet kudo dhe me të nuk ka kompromis. Kjo tendencë bëhet edhe më e besueshme pas disa arrestimesh, siç ishte Lul Berisha, Aldo Bare.
E njëjta politikë edhe për korrupsionin, ai krijon një linjë numrash të gjelbër, ku u kërkon qytetarëve që të denoncojnë korrupsionet. Madje duke krijuar edhe skena e insinuata të tilla, ku vetë kryeministri u përgjigjet denoncuesve të korrupsionit.
Por kësaj lufte i shtohet edhe “qeveria në dietë”, ku u reduktuan ministritë dhe shpenzimet e qeverisë, kjo bëri që në buxhetin e parë ai deklaron rritje pagash që u arrit si rezultat i miradministrimit të fondeve dhe duke shkurtuar rreth 50 mln dollarë shpenzimet e zyrtarëve nga biletat e klasit të parë. Që në buxhetin e këtij viti, edhe nga të ardhurat e doganave. Por kjo ishte edhe pjellë e arbitraritetit që zgjon popularizmi i tepërt. Në rast se ndonjëri që lahet me vaska floriri, mendon se sanitarja duhet të paguajë taksa për të.
Megjithëse konflikti opozitë-qeveri, në verën e 2006-ës në Bruksel fryn era e tolerancës. Berisha vendos të shkatërrojë një nga objektet që kishte sjellë acarimin mes opozitës dhe qeverisë, mbikalimin e “Zogut të Zi”, i cili la gjurmë. Në zgjedhjet lokale 2006, Berisha do të marrë një goditje në qytete më të mëdha. Ai u mposht në Tiranë, Durrës, Vlorë e Korçë. Megjithatë, PD-ja e ruan maxhorancën, por ajo e ka marrë shuplakën nga pjesa qytetare e Shqipërisë. Më kot ai deklaron, “Blu Albania” dhe më kot thoshte “Ai (Rama) humbi Shqipërinë. Ç’të bëja unë, t’i merrja të gjitha unë?”
NANO-BERISHA
Menjëherë pas këtyre zgjedhjeve kabineti ndryshoi deri në atë pikë, sa një kryeministër i dobët siç edhe u kthye, nuk mundi t’i mbijetonte presionit të demokristianëve të Nard Ndokës. I gjendur në vështirësi për certifikatat, ai për përfitime të momentit amnistoi të thënat për Nanon. “Ju po konfondoni deklarata elektorale dhe post-elektorale me përpjekjet më serioze për t’i dhënë zgjidhje dhe shtytje një procesi, i cili është jetik për vendin”. Në të njëjtën mënyrë Berisha do ta përdorte Nanon dhe mbështetësit e tij edhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, duke çuar Bamir Topin në Presidencë. Berisha do ta kontrollonte deri në detaje këtë votim të dyshimtë dhe me vota të huazuara.
PS reagoi duke deklaruar se presidenti u zgjodh përmes korrupsionit dhe jo përmes konsensusit. Duke u përqafuar me Bamir Topin dhe duke e çuar në majën e pushtetit, duket se Berisha i kishte dhënë fund një vargu krizash. Por jo gjithnjë e vërteta është ajo që duket, pasi për të mbërritur deri këtu, Berishës i ishte dashur të bënte shumë koncesione dhe të tradhtonte ato që kishte deklaruar.
GERDECI
Shpërthimi i Gërdecit është kthesë fatale e qeverisjes së Berishës. Pas asaj katastrofe, asgjë nuk do të ishte si më parë. Ajo jo vetëm që do të shkaktonte viktima, por do të nxirrte në dritën e diellit një shtet jo funksional. Ai do të nxirrte në dritë kryeministrin që u shndërrua në falsifikuesin e të vërtetave.
“Ka qenë kontratë e rregullt me kompaninë amerikane”, por ajo që thotë kryeministri nuk ishte e vërtetë, sepse kontrata e dytë ishte në duart e shqiptarëve dhe sipas dokumenteve, SAC nuk kishte as përvojën dhe as njerëzit për ta mbikëqyrur këtë proces. Marrëveshja e nënshkruar nga Delijorgji dhe Patrik Henri. Ai më pas deklaron se Ministria e Mbrojtjes nuk ka pasur asnjë tagër mbi procesin e demontimit. “Ai ka qenë një proces tërësisht privat dhe pa asnjë pjesëmarrje të Ministrisë së Mbrojtjes”. Por edhe këtu Berisha nuk thotë të vërtetën, sepse ai vetë kishte firmosur një vendim të KM, që i detyronte Forcat e Armatosura që të bënin kontrollin e demontimit të municioneve.
Por më pas ai deklaron se trajnimi i punëtorëve ishte detyrë e kompanisë që u mor me demontimin e municioneve. “Trajnimi thuhet se është bërë, por nuk dihet nëse është bërë për të gjithë punëtorët. Këto janë të dhënat e deritanishme”. Por përsëri Berisha nuk thotë të vërtetën. SAC nuk kishte kapacitet dhe as që i merrte përsipër që të demontonte predhat e atij kalibri dhe aq më tepër të trajnonte punonjësit. “Nuk kam asnjë të dhënë se ka pasur fëmijë të punësuar nga lista zyrtare që më është dhënë për personat që punonin në atë fabrikë”. Përsëri Berisha e shtrembëron të vërtetën, sepse videot me celular tregonin punën skllavëruese të fëmijëve. Të pavërtetat e Berishës nuk mbarojnë këtu. “Unë Sali Berisha, deklaroj këtu para parlamentit dhe çdo shqiptari se nuk kam pasur asnjë dijeni për poligonin e Gërdecit”. Madje në atë kohë, në marrëdhënie krejt të mira me Bamir Topin, tha se as Presidenti nuk dinte se si ishte e vërteta. Por dokumentet sekrete që “Zonë e lirë” do të zbulonte një muaj pas tragjedisë, tregojnë të kundërtën. Edhe Presidenti dhe kryeministri njoftoheshin me dokumentacion të rregullt çdo ditë për aktivitetin e Gërdecit. Pse tha kaq shumë të pavërteta, për të mbuluar ato që nuk mbuloheshin? Askush nuk kishte një shpjegim pse ai sillej kështu. Atëherë qe e lehtë të kuptohej se ai ishte i lodhur, i goditur dhe i shenjuar nga një tragjedi.
Shkaku i kësaj gjendjeje të Berishës nuk ishte vetëm për koston me të cilën ajo u zbulua, por doli si pasqyra e një shteti që ai pretendoi se e shëroi nga korrupsioni. Por këto ishin vetëm një pjesë e të vërtetës së madhe. Ajo lidhej me të birin e tij. Ai kishte qenë që në gjenezë një nga nismëtarët e këtij projekti vdekjeprurës dhe Berisha e dinte. Përvoja e një lufte të ashpër i kishte treguar se shigjetat do të shkonin tek i biri i tij 30- vjeçar. Nuk vonoi shumë dhe mediat nxorën telefonatat e Shkëlzenit me Mediun, që kishin nisur që me nisjen e punimeve në fabrikë. Por nga dosja është publikuar edhe një faks i dalë nga zyra e Aldo Bumçit, që i adresohej Shkëlzenit. Por Berisha është munduar t’i hedhë poshtë. “Përveçse një fakti të falsifikuar, nuk kanë nxjerrë asnjë gjë tjetër”. Ka dalë nga tabulatet se djali juaj ka folur 51 herë me ministrat dhe ka shkuar tek ministria e Mbrojtjes. Pse duhet të shkojë? “Djali im ka qenë që student një militant i jashtëzakonshëm dhe me këta ministra ka marrë pjesë në greva dhe demonstrata, ndaj u telefonon. Unë nuk mund t’i them djalit tim se kë të telefonojë”.
ARGITA
Në fakt, me këtë histori të të birit, Berisha kishte rënë në kurthin e kundërshtarëve të tij që në fillim, kur e bija deklaroi pasurinë e saj dhe opozita iu vu nga pas. Berisha u shpreh se “ata e kanë deklaruar totalisht pasurinë e tyre, çdo pasuri që dispononin”. Por që prej asaj kohe, opozita e kishte kthyer në akuzë këtë pasuri, dhe shtypi pranë opozitës nuk rrinte pa e përmendur emrin e Argitës se ishte pjesë e transaksioneve të paligjshme dhe se ishte edhe këshilltare e të atit.
“Raporti im me vajzën është një raport siç është ai mes prindit dhe fëmijës. Vajza ime është në aktivitet privat dhe në mënyrë absolute nuk merret me asnjë aktivitet publik. Mund ta angazhoja vajzën në aktivitet publik dhe do të ishte normale, por përzgjedhja e saj është aktiviteti i vet privat si studio ligjore. Në këtë aspekt ju garantoj se nuk ka as edhe një ndërhyrje në asnjë emërim të vetëm prej saj. Absolutisht. Shpeshherë, në fushën e saj po të ishte në sektorin publik do t’i kërkoja mendim. Ajo merret më shumë me të drejtën tregtare, por ndjek sektorin privat, kështu që unë nuk mbaj këshilltar privat”.
Berisha këtë herë e kishte të vështirë të qëndronte mbi ujë. Sado të përpiqej, realiteti i implikimit të familjarëve të tij bëhej gjithnjë e më shumë prezent. Berisha kishte thënë se do të ndalonte privatizimin e Albtelekomit, por pas vizitës së bërë në Ankara, ai kishte zbuluar se Erdogan nuk ishte miku mëkatar i Nanos. Po kështu ai foli edhe për TEC-in në Vlorë, megjithëse qytetarëve u kishte thënë që ky TEC nuk do të bëhet në Vlorë. Ai u shpreh se do të ketë negociata me BB-në. Por pas deklaratave, TEC-i filloi të ndërtohej normalisht nën kujdesin e kabinetit dhe askush nuk u kujtua për deklaratat e para, po ashtu Berisha nuk kujtohet për shfryrjet e tij për fabrikën e çimentos dhe që e kishte quajtur fabrikën e Nanos, pasi ai vetë e inauguroi këtë fabrikë.
Po ashtu, të rënda janë edhe piruetat që ai bëri me pronarin e atij që sot i ka dhënë ARMO-n. Bosi i naftës, sipas Berishës “është një kontrabandist”. Por këtë qëndrim e ndryshoi më vonë. “Rezart Taçi nuk ka një dosje gjyqësore, ajo ishte një akuzë në tërësi”, thotë Berisha më pas kur ndryshon qëndrim.
DREJTESIA
Krisja e tij e parë me Bamir Topin përkon kur Topi filloi të bënte deklaratat e para pro organit të prokurorisë gjatë hetimit të Gërdecit. Kryeministri nuk do t’ia falte kurrë faktin që Topi po merrte anën e prokurorisë, por ai nuk ia fali as Ina Ramës hetimin që kishte nisur. Ai kishte harruar deklarata që kishte bërë në mbrojtje të saj. “I duhet vendit një Silvia Konti”. Por, Ina Rama kishte arritur në konkluzionin se Mediut i duhej t’i hiqej imuniteti dhe këtu Berisha nuk mund të falte më dhe qëndrimi i tij ishte i qartë. Por Berisha nuk ndaloi vetëm tek Ina Rama, por tek i gjithë sistemi i drejtësisë, duke filluar që nga rrëzimi i kandidaturave të gjyqtarëve të propozuara nga Topi, dhe deri tek hartimi i ligjit të ri për lustracionin. Zamir Shtylla doli pa zhurmë nga dera e prokurorisë. Kjo solli edhe presionin në rritje të ndërkombëtarëve, por Berisha është një njeri që nuk dorëzohet lehtë. Ai përpiqet të kthejë në meritë pikat e tij më të dobëta. Kështu bëri edhe me rrugën Durrës-Kukës, që kryeministri po e kthen nga një çështje të drejtësisë, në një çështje të fushatës. Rruga Durrës-Kukës është simboli i ndryshimit. Simboli që pretendon që t’i ketë thënë lamtumirë errësirës dhe Shqipërisë pa drita, të nxjerrë 200 mijë vetë nga varfëria. Por Berisha e mbështet fushatën e tij në arritjen e marrëdhënieve me jashtë dhe pikërisht sepse Bushi përmendi frazën e madhe “Koha është tani për pavarësinë e Kosovës”. Por duke u ngjitur në “Air Force One”, ai dha edhe një premtim, atë se Shqipëria do të merrte ftesën për anëtarësim në NATO dhe në prill të këtij viti u bë gjithçka realitet. Në fillim të mandatit ai kishte firmosur MSA-në, duke i shtuar vetes kurorën e princit që e kishte futur vendin e tij në strukturat më të mira ndërkombëtare. Me këtë bilanc po futet Berisha në fushatë.
Marrë nga “Vizion Plus”
-
-
Akoma nuk kane shkrujt Brari me Juaniton tek kjo teme....? Rrezik nuk iu ka ardh urdhri akoma.....
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt