Postuar më parë nga ademgashi_dk Lexo Postimin
Mbas nji jave, që qeshë mbulue, shkova ke Hallë Latixheja për të bujtë disa nët. Me qenë se nuk isha mësue me ecë symbyllazi, rrugës qesh tue e thye qafën dy tri herë. Oh sa qeshën gocat e hallës kur më panë me çarçaf. U shkëlyen gazit, pse me nji anë nuk më njoftën dhe m'anë tjetër u
habitën nga shkaku se nuk e kishin paramendue se mund të më shifshin të mbulueme n'ate moshë aq të njomë.
Kishin të drejtë të mos më njofin, pse un isha maskue dhe isha bamun tamam për të marrë pjesë në nji „Bal masque". Samiu, djali i madh i hallës, tue më shique çuditshëm tha:
- Qenka bamë si ata që dalin në karnaval!
- Uh mashaallah të qoftë moj bijë! Qenke bamë gjallë jot amë. Sa hije të paska se?!... - tha halla tue më marrë n'grykë dhe tue më puthë.
Un me të vështirë i mbajsha lotët që dojshin me më shpërthye, pse me gjith që ende e njomë, e kuptojsha se nuk mund të kenë bukuri verigat e robnis. Mamë Gjystina dhe Irena m'uruen fat të mirë. Më thanë se çarçafi më kish dhanë nji hije të randë. Më shiquen zymtas. E kuptojsha se ato ndijshin dhimë për mue të gjorën që e humba lirin, por mundoheshin me mos e shfaqë dhimshunin që të mos m'a thejshin zemrën.
- Pse nuk e gris, moj, at dreq çarçaf? - i a bani kushrini i em Hamiti kur më pa. U nxe dhe nji copëherë shfreu tue true kundër t'im et e kundër fanatizmës verbuese që po na shpije në greminë. Gjith far'e fisin e shëtita me rradhë. Diku bujta. dy net e diku tri. Ma në fund u ktheva në shtëpi për t'a vuejtë denimin e burgimit të përjetshëm që më dha em atë simbas mendësis së tij prapanike. Në kohët, e para u mërzita shum. Shpesh rrënkojsha e qajsha tue e soditë lirin, tue i kujtue shoqet e mija q'e gëzojshin jetën tue luejtë e tue bredhë lirisht.
Mbasandaj dalë-ngadale nisa me u mësue me robnin. E me ç'farë nuk mësohet njeriu i shkretë në këtë jetë? Oh sa mizorë janë disa njerës knndër atyne që i gjejnë ma të dobët se vetëhen e tyne.
'' Sikur t'isha djale''-Haki Stermilli
Krijoni Kontakt