Gazetarët kundër emërimit të Kuçit
Violeta Hyseni
BBC Prishtinë
Bordit të RTK-së i ka skaduar mandati 3 vjet më parë.
Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës ka kritikuar të shtunën emërimin e zëvendëskryeministrit në krye të komisionit që do të përzgjedhë bordin e Radio-Televizonit Publik të Kosovës (RTK).
Emërimi i z. Hajredin Kuçi është cilësuar nga shoqata e gazetarëve si një përpjekje për të ndikuar politikisht në mediumin publik.
Shoqata ka kërkuar nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen në mbrojtje të pavarësisë editoriale të RTK-së.
Emërimi ka nxitur reagime të ashpra dhe nga opozita dhe shoqëria civile.
Reagime
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, Ramush Haradinaj ka deklaruar se emërimi 'tregon se qeveria tenton të shtrijë pushtetin e saj mbi mediumin publik'.
Partitë opozitare kanë braktisur të enjten punimet e seancës së Kuvendit në shenjë proteste.
Partnerët e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë hedhur poshtë kritikat.
Ata kanë thënë se emërimi i zëvendëskryeministrit nuk është në kundërshtim me ligjin për RTK-në.
Bordit të vjetër të Radio Televizionit të Kosovës i ka skaduar mandati që para tre vjetësh dhe emërimi bordit të ri është zvarritur, siç thuhet, për shkak të ndikimt të politikës në këtë medium.
BBC
Krijoni Kontakt